Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar takimin e radhës me drejtuesit politikë të qarkut të Tiranës.
Në postimin e tij në Facebook, Basha ka shprehur mbështetje maksimale për SPAK si për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.
Kryedemokrati gjithashtu thotë se në 2 shtator PD do të jetë gati në gjithë potencialin e saj.
Postimi i plotë:
Në Tiranë, me strukturat drejtuese të Qarkut për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, për ta bërë Partinë Demokratike një forcë moderne dhe bashkëkohore, gati në gjithë potencialin e saj, për t’u përballur me qeverisjen më të korruptuar të Europës.
Afera e Inceneratorëve dhe gjithë aferat e tjera për të cilat ministra, kryetarë bashkie e deputetë janë arrestuar për korrupsion, apo janë larguar nga politika për lidhjet me krimin, janë dëshmi se shteti i Edi Ramës është nën kthetrat e të korruptuarve.
Ndaj është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, si për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.
Duhet nisur menjëherë me:
Hetimin e mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është marrë me hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, duke përfshirë edhe kryeministrin;
Hetimin dhe kapjen e parave që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë.
Në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Partia Demokratike do punojë që ndryshimi i vërtetë që pret çdo shqiptar të bëhet realitet.