Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi ka reaguar në lidhje me operacionin policor ku u zbulua një parcelë kanabisi në repartin ushtarak të Zall Herr në Tiranë.
Në një postim në Facebook, Gjunkshi shkruan se në një vend anëtar të NATO është një shkelje e rëndë ligjore dhe ushtarake ajo që ka ndodhur në Zall Herr por pavarësisht kësaj uniforma e ushtarakut duhet nderuar me respekt, dhe nuk lidhet me interesat e ngushta që kanë disa persona që duan të përfitojnë nga avantazhet e detyrës.
Më tej ai shton se ky rast i paprecidentë në historinë e Shtetit Shqiptar duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë të strukturave drejtuese të mbrojtjes dhe funksionarëve të sigurisë.
Postimi i plotë:
Si ish Shef i Shtabit të forcave të Armatosura, shpreh keqardhjen e thellë për atë çfarë ka ndodhur në repartin e elitës ushtarake të Zall Herrit, të cilin kam patur nderin dhe përgjegjësinë ta drejtoj për një kohë të gjatë.
Së pari më lejoni që në respekt dhe në nderim të uniformës së shenjtë të ushtarakut, të ndajmë qartësisht dhe pa propagandë partiake, integritetin dhe profesionalizmin e lartë të forcave të armatosura nga interesat e ngushta të disa personave që duan të përfitojnë nga avantazhet e detyrës.
Së dyti, duke vlerësuar ndërhyrjen e policisë dhe reagimin e Ministrisë së mbrojtjes, mendoj se standardet e sigurisë në repartet ushtarake, duhen zbatuar në mënyrë rreptësisht rigoroze pasi në një vend anëtar të Natos nuk mund të tolerohet një shkelje kaq e rëndë ligjore dhe ushtarake. E paprecedentë që pjesë të influencave të trafikut të lëndëve narkotike të prekin territoret e reparteve ushtarake pasi, kjo situatë cënon rëndë pozitën dhe standardet e sistemit të mbrojtjes së Shqipërisë para aleatëve të Natos.
Ky rast i paprecidentë në historinë e Shtetit Shqiptar duhet ti nënshtrohet një analize të thellë të strukturave drejtuese të mbrojtjes dhe funksionarëve të sigurisë për një analizë dhe marrje masash të menjëhershme që situata të tilla të mos përsëriten më.