Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sfiduar kryeministri Edi Rama për të bërë vettingun në politikë, pas reagimit të kreut të qeverisë për projektin e “Malit të Tiranës”.
Basha shkruan se meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta dhe ky është “Veting në politikë”.
Postimi i plotë:
Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.
Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.
Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!
Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike.