Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish Gjeneralit të Forcave të Armatosura dhe ish deputetit të PD, Baki Shehi.
Me anë të një statusi në Facebook, Basha shkruan se Baki Shehi gjithashtu ishte edhe një pasionant i historisë i cili hulumtoi me kërshëri të shkuarën e lashtë të Ndroqit, duke i dhënë jetë një libri që do të mbetet testament i lidhjes së tij të ngushtë me këtë komunitet, të cilit i shërbeu me devocion dhe dashuri.
Kryedemokrati më tej shkruan se Partia Demokratike humbi një prej kontribuesve të saj të vyer.
Postimi i plotë:
Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Baki Shehit, deputet i Partisë Demokratike, gjeneral i Forcave të Armatosura dhe studiues i apasionuar i historisë. I dashuruar pas vendlindjes së tij, të cilës i përkushtoi me pasion dhe humanizëm aktivitetin e tij politik, përmes një pune të gjatë e të palodhur, Baki Shehi hulumtoi me kërshëri të shkuarën e lashtë të Ndroqit, duke i dhënë jetë një libri që do të mbetet testament i lidhjes së tij të ngushtë me këtë komunitet, të cilit i shërbeu me devocion dhe dashuri. Ndonëse i sfiduar dhimbshëm nga dallgët e jetës, gjeneral Baki Shehi ruajti përherë zemërgjerësinë dhe fisnikërinë me të cilën do të kujtohet nga miqtë dhe kolegët e tij. Me ndarjen e tij nga kjo jetë Partia Demokratike humbi një prej kontribuesve të saj të vyer.
Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë.
U prehtë në paqe!