Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ngritur sot shqetësimin se ndonëse në tregun ndërkombëtar çmimin i karburantit ka rënë, në Shqipëri nuk ndodh diçka e tillë.
Tabaku bën përgjegjëse qeverinë, teksa e quan ortake me oligarkët, gjithashtu thekson se një arsye e çmimit të lartë dhe të pandryshuar është edhe taksimi socialist.
Deputetja demokrate më tej shprehet se si pasojë e këtyre dy arsyeve, 50 përqind e vlerës shkon aktualisht në buxhet, ndërsa gjysma tjetër në marrëveshjet me oligarkët.
Postimi i plotë:
Kanë një pyetje qytetarët shqiptarë sot.
Përse nuk ndryshon çmimi i karburantit në Shqipëri çfarë do të ndodhë në tregun ndërkombëtar? Qoftë 2$/barrelë apo 200$/barrelë shqiptarët përherë paguajnë mbi 200 lekë/litër dhe kjonuk ndryshon. Qoftë në kohë krize apo kohë paqe.
Përgjigja është shumë e thjeshtë; ortakëria mes qeverisë dhe oligarkisë. Si me bordin e oligarkëve edhe pa bordin e tyre çmimi nuk po ndryshon dhe kjo tregon si sistemi është i kapur, si ka një mungesë konkurence dhe çmimi vendoset në tavolinë si me ekzistencën e bordit si pa të.
Arsyeja e dytë janë taksat. Taksimi socialist! Taksimi që paguajmë në çdo pikë karburanti! Në çdo pompë nafte kur blejmë karburant dhe paguajmë 50% të çmimit taksa.
Këto dy arsye kanë kapur prej fyti sistemin dhe çojnë 50% të vlerës në buxhet ku bëjnë biznes me të dhe 50% tjetër të vlerës në marrëveshje me oligarkinë.
Kush vuan në fund të ditës? Sigurisht qytetari.