PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS TË PD, DIMAL

 

-Partia Demokratike sot ka arsye ta mbajë kokën lartë. Ka arsye të shoh me optimizëm të shoh drejt të nesërmes. dhe arsyeja është që këto dy vite nuk na thanë e na drobitën e na çnderuan. Por na treguan lidershipin e vërtetë brenda Partisë Demokratike. Riformuan korpusin e këtij lidershipi duke e ndarë shapin nga sheqeri, duke larguar vezullimin e rremë të spaletave që shumëkush gjatë këtyre 34 viteve i mori apo iu dhanë shpeshherë pa meritë. Duke treguar se në thelb nuk jemi kult, nuk jemi klan, por jemi një parti politike bashkëkohore, e bashkuar rreth vlerave, rreth bindjeve, rreth vizioneve, rreth besimit dhe mbi të gjitha rreth dashurisë jo thjesht për veten tonë, për njëri-tjetrin, por për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

-Dhe kjo është një rrugë pa kthim së bashku me rrugën e Shqipërisë europiane. E kanë vonuar boll, por nuk e ndalin dot. Rruga e Shqipërisë europiane kalon midis disa parimeve bazë, që të arrijmë mirëqenien e shoqërive europiane drejt të cilave sulen mjerisht të rinjtë shqiptarë duke braktisur familjet e tyre. Që të arrijmë mundësitë për të ndërtuar një jetë të suksesshme, me prosperitet, me të ardhura të mjaftueshme për shqiptarët, duhet patjetër t’i përmbahemi standardeve minimale që i përmbahet çdo shoqëri europiane, nga themeluesit e BE, e deri tek anëtarët më të rinj si Rumania dhe Kroacia. Standardi i parë, barazi para ligjit. Nuk ka shoqëri bashkëkohore, demokratike me pabarazi para ligjit. Nuk ka shoqëri ku ligji t’i trajtojë shumicën dërrmuese të shoqërisë si të njerkës dhe të pakicës si të nënës. Nuk ka shoqëri ku qytetarët e palodhshëm të përballen me haraç, me kërbaç, me gjoba, me abuzivizëm por dhe me ndëshkime ligjore në shkelje të ligjit, por shkelësit më të mëdhenj të ligjit të lartësohen dhe të mbrohen me imunitete, me salltanete, me presione të tipit të organizatave kriminale. Ndaj fundi i pandëshkueshmërisë është fillimi i Shqipërisë europiane. Kjo është arsyeja pse PD e ka thelbësore në vizionin e vet mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi dhe ndaj SPAK. Padiskutim pritshmëritë ndaj SPAK janë të larta. Unë e di që pritshmëritë e shqiptarëve janë shumë më të larta sesa ç’është bërë deri më tani dhe shpresoj dhe jam i bindur që këtë pritshmëri e njohin edhe prokurorët, hetuesit dhe gjyqtarët me integritet të SPAK. Detyra jonë është ta mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat politikishe dhënies fund të pandëshkueshmërisë. Dhe kjo është arsyeja se pse PD është sot e vetmja parti politike në Shqipëri që e thotë me zë të lartë, me ballin lartë, hapur, që mbështet pa kushte punën e SPAK.

-Le të mos jenë politikanët pjesë e një klubi të privilegjuar i cili është produkt i listave të mbyllura dhe të kontrolluara nga kryetarët e partive. Le t’ia kthejmë pas 16 vitesh dhe 4 palë zgjedhjesh njëra më keq se tjetra qytetarëve shqiptarë atë që u morëm me ndryshimet kushtetuese Berisha-Rama të vitit 2008, të drejtën për të zgjedhur drejtpërdrejtë që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është qëllimi dhe kuptimi i propoyimit tonë për listat e hapura, në mënyrë që qytetarët e këtij vendi me votën e tyre të mos zgjedhin thjesht logon pas të cilës rreshtohen dhe pastaj i pari i kësaj logo të zgjedhi se kush do të hyjë në parlament. Por të zgjedhin realisht njeriun që do t’i përfaqësojë në parlament. Vettingu i politikanëve, listat e hapura, barazia e votës, votimi dhe numërimi elektronik, barazia e votës dhe vota për gjysmën e Shqipërisë jashtë Shqipërisë, janë një paketë e vetme e PD ku nuk ka asnjë rresht asnjë fjalë të mbrojmë interesat e ngushta partiake, por gjithçka është bërë me një synim madhor dhe kombëtar në mendje që është, të jemi në shërbim të qytetarëve dhe t’i kthejmë Shqipërisë një demokraci funksionuese, e t’i kthejmë një politikë me fytyrë njerëzore.

-Hartimi i programit të PD është finalizuar nga ekspertët më të mirë që ka Shqipëria, me mbështetje dhe asistencë të ekspertizës më të mirë që na kanë ofruar aleatët tanë strategjikë. Shumë shpejt ky program do t’i nënshtrohet një debati të brendshëm të gjykimit tuaj, në mënyrë që së bashku me ekipin e ri të përbëjë thelbin e ofertës tonë politike ndaj qytetarëve të Dimalit dhe të gjithë Shqipërisë. Tek qytetarët nuk do të shkojmë me dogma, me propagandë, me ulërima, me premtime të rrejshme. Do të shkojmë me fytyrë njerëzore, me vizion politik, jo me premtime por me propozime në mënyrë që të vendosim raportin e humbur mes politikës dhe qytetarit. Jetike dhe parësore për këtë raport është sinqeriteti, dhe sinqeritet do të thotë do t’u shpalosim atyre një program me propozimet jetike. Dhe detyra jonë është të shpalosim ofertën më të mirë të mundshme ku përfshihet programi dhe ekipi, por që është e drejta dhe detyra e tyre për të zgjedhur për veten e tyre dhe familjet e tyre.

-Natyrisht një qeveri pasi vodhi fondet që vet kishte ndarë për subvencione, vodhi edhe fondet që kishin sjell europianët, nuk ka çfarë përgjigje të japë. Por ne do të ecim përpara me propozimin tonë për një skemë subvencionesh prej të paktën 200 milionë euro në vit bazuar mbi parimin: paraja ndjek fermerin. Prodhimet e fermerit apo të fermerëve, qofshin këto bujqësore apo blegtorale apo nëndegët e tjera që janë peshkimi, bletaria, e gjithçka tjetër, prodhimet do të indeksohen dhe subvencionet nuk do të mungojnë për çdo prodhim bujqësor, pa krijuar gryka shishesh, artificialitete që si e si mos të jepet subvencioni. Kolona e dytë ka të bëjë me infrastrukturën. 1,3 miliardë euro ka planifikuar Edi Rama të harxhojë për infrastrukturën këtë vit, për investime kapitale jo për infrastrukturë se një pjesë e madhe nuk dinë se ku do të shkojnë. Nuk do të shkojnë për qytetarët, por do të shkojnë aty ku edhe një herë detyra kryesore është që SPAK-u të mos i lërë të shkojnë dhe në vend që paratë të shkojnë aty, të shkojnë autorët e këtyre vjedhjeve prapa hekurave.