DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, NËNKRYETARI ROLAND BEJKO
Rruga Kardhiq-Delvinë, e gjatë 33 km, ndonëse ka kushtuar plot 154 milionë euro, vijon të jetë e papërfunduar dhe pa standardet që do duhet të kishte.
Edhe pse kostot e kësaj rruge, kanë kapur shifra marramendëse për një rrugë interurbane të kategorisë C2, duke e rritur shumën fillestare nga 60 në 130 e më pas në 154 milion euro, kjo rrugë nuk ka asnjë element sigurie.
Mungesa e bordurave mbrojtëse prej betoni, si dhe e sinjalistikës rrugore, veçanërisht në segmentin në daljen nga tuneli i Skërficës, janë burim i përhershëm aksidentesh, ashtu siç ndodhi dy ditë më parë, fatkeqësisht me pasoja fatale për jetën e shoferit ukrinas.
Me të njëjtën situatë përballen qytetarët që u duhet të përshkruajnë Rrugën e Arbrit, atë Korçë -Ersekë, të cilat, po ashtu, në të gjithë gjatësinë e tyre janë të papërfunduara dhe shpeshherë bëhen shkak për aksidente me pasoja të rënda.
Kjo qeveri nuk e ka mendjen tek investimet me standarde, por e ka te vjedhja dhe tek fryrja e projekteve, për shkak të pazareve me firmat kontraktuese.
Në vend që të mendojnë për sigurinë rrugore dhe të qytetarëve, socialistët dhe Edi Rama mendojnë vetëm për mbushjen e xhepave të tyre, pavarësisht kostove dhe dëmeve në jetë njerëzish.
Aksidenti i dy ditëve më pare në rrugën Kardhiq- Delvinë, por edhe në rrugët e tjera si kjo, të lëna rrugëve nga Edi Rama, janë një këmbanë alarmi e korrupsionit të kësaj qeverie që duhet dëgjuar nga SPAK dhe strukturat e tjera të hetimit dhe kontrollit financiar.
Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet se nesër në pushtet do t’i kalojë në lupën e një kontrolli të rreptë të gjithë investimet infrastrukturore të kësaj qeverie, për të parë dhe për të evidentuar të gjitha shkeljet dhe abuzimet që janë bërë në dëm të këtyre projekteve.