PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS SË PD, LEZHË

 

 

-Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e cila sot po anatemohet nga të gjitha anët, por në asnjë anë më shumë sesa nga kryeministri i cili në fshehtësi bashkë me njerëzit e tij në parlament dëshiron të krijojë një komision të posatçëm për të mbikqyrur SPAK-un. Dëshirë që i është shtuar në veçanti pas ngjarjeve të fundit, siç është intervista e ish-zëvendëskryeministrit tashmë në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar dhe dënimi me burg të ish-drejtorit të Kundërzbulimit të FBI-së për Neë Yorkun, Charles Mcgonigal. Kësaj dëshire të çuditshme në fakt, i është shtuar së fundmi edhe shqetësimi i kryeministrit shqiptar për sjelljen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në zyrat e shtetit. Sigurisht per një njeri që ka rrahur gjoksin me të dyja grushtet se është autor i Reformës në Drejtësi, këto dy pohime janë shumë më problematike sesa të ulërijë në kupë të qiellit nga kupa e kokës kudër SPAK-ut apo BKH-s. Janë domëthenëse sepse tregojnë qartë se Edi Rama ka frikë nga drejtësia, i trembet drejtësisë dhe tani ka nxjerr gërshërët për të prerë këmbët dhe duart e drejtësisë. PD është në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, PD është në mbështetje pa kushte të SPAK-ut, sepse PD beson se ky është shansi i vetëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të sjell barazinë para ligjit për çdo shqiptarë kudo ku ndodhet.

 

-Qëndrimet tona për zgjedhjet tashmë janë institucionalizuar. Padiskutim që garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë shumë më shumë sesa rregullat e lojës. Por pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor ku qytetarët vendosin se kush do të shkojë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është arsyeja pse PD ka dorëzuar jo thjesht në emrin e saj apo të opozitës, por në emrin e interesit të çdo qytetari propozimet për listat e hapura. Porpozimin për Shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Propozimi për listat e hapura nuk është një manovër politike apo partiake, është zotimi ynë që parlamenti të mos jetë më një konstelacion i atyre që vijnë nga listat e mbyllura të përcaktuara nga kryetarët e partive sipas formulës kushtetuese të 2008-ës. Që ishte dhe fillimi i fundit të Republikës së parë pluraliste në Shqipëri dhe që sot është kthyer në një pronë private të Edi Ramës dhe të çirakëve të tij në qeveri.

 

-Ja tek është Lezha. Lezha e krenarisë kombëtare që dje kujtoi dhe rikujtoi një nga momentet kyçe të formësimit të ndërgjegjes dhe kombit shqiptarë. Lezha e intelektualëve, e artistëve, e poetëve. Lezha e oratorisë kombëtare e zhytur në llumin e injorancës, analfabetizmit që ka ngritur krye dhe është ngritur në krye. Lezha e sipërmarrjes dhe sipërmarrësve e rrethuar nga klientelizmi, patronazhizmi politikë dhe ekonomikë që e ka fundosur ekonominë e këtij qyteti, e kësaj treve. Lezha e traditave, e bashkëjetesës, e tronditur thellësiht nga intrigat, nga krimi, nga përplasjet, nga vëllavrasja. Këto janë realitetet e zymta me të cilat përballen sot lezhjanët, këto janë disa prej arsyeve që e kanë zbrazur Lezhën dhe Shqipërinë.

 

 

-Pa vënë dorën në plagë, pa qenë aty ku problemi gërryen jetë njerëzore, shkatërron ekonomi, përçan familje, largon familjet e tyre, nuk mund të marrësh përsipër të japësh zgjidhje të plota. Ndaj detyra jonë si demokratë është të jemi me njerëzit, për njerëzit në radhë të parë për t’i prekur ato probleme ashtu siç janë. Dhe së dyti të vijmë me zgjidhje që nesër do të jenë në zbatim. Sepse në qoftë se ka një aset të cilën kjo politikë 34-vjeçare, jo e ka djegur, por e ka hedhur në erë, është besueshmëria e politikës. Si mund të kesh besueshmëri kur e merr pushtetin duke premtuar 300 mijë vende pune dhe largon 1 milionë shqiptarë. Si mund të kesh besueshmëri kur e merr pushtetin duke premtuar shëndetësi falas dhe çon qindra milionë euro në aferën e shekullit, që është afera e inceneratorëve. Si mund të kesh besueshmëri kur premton legalizime falas dhe problemi me pronat vazhdon të mbetet jo i pazgjidhur, por nyje në fytin e të ardhmes të shoqërisë shqiptare. Ne nuk do të vijmë me premtime demagogjike, ne do të vijmë me propozime dhe zgjidhje konkrete.