PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS NR 13 TË PD, TIRANË

 

 

Pazari i turpshëm i 48 orëve të fundit, por që në fakt ka qenë tenxhere me presion prej fillimit. Sepse hallexhinjtë e kësaj marke ia dinë gjuhën njëri-tjetrit, ia dinë ku i dhemb njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të bëjnë pazare me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët. Pazari i fundit, është padiskutim një Pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës, i cili e sheh dhe e ndjek kudo që politikisht sot është një pakicë absolute në popull, bashkë me gjysmën e qeverisë, sepse gjysma tjetër ia ka marrë SPAK-u apo është në kërkim ndërkombëtar, inetesat e Sali Berishës dhe interesat e disa vulëhumburve që sic erdhën ashtu po ikin të katapultuar në politikë pa asnjë farë kontributi dhe që u janë ngjitur sytë, veshët, stomaku dhe të prapmet pas karrigeve që kanë qëllim të vetëm të ruajnë këto karrige duke sakrifikuar aspiratën e demokratëve dhe të shqiptarëve për rotacion.

 

Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë ça i desh qejfi. Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament. Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave? Që nga 8 të mernin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhi Edi Rama. Sepse Edi Rama dhe Ilir Beqja vjedhin se janë ligjet e këqija. Këtu u katandis revolucioni, nga 8 në 2. Dhe nga këta të dy, njëri siç e keni parë dhe dëgjuar SPAK-u të hënën komunikon akuzat dhe po bëhet gati të çojë në burg të pandehurit. Për këtë pra u shit revolucioni. Asgjë. Madje më keq se asgjë, minus, sepse ligji për komisionet hetimore ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama duke e bërë edhe më të vështirë, deri në kufijtë e pamundësisë transparencën.

 

Pse shqiptaret duhet të jenë të lumtur me këtë Pazar? Përkundrazi, për turpin e tyre po pranojnë të kthehen në një fasadë për Edi Ramën që të ruajnë kushtetutën e 2008-ës dhe të ruajnë listat e mbyllura, dhe të ruajnë kontrollin politik së bashku me atë tjetrin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një monopol politik për veten e tyre. I kanë të qarta gjërat, Edi Rama do të vazhdojë i pashqetësuar pushtetin. Ky tjetri gëzohet me shpresën e vakët dhe të reme, se po e konsideron partner. Ndërsa këta të tjerët thonë 2025-sa iku, të kapim një karrige me votat e plakut se pastaj s’dihet se çfarë ndodh me plakun.

 

7 miliardë euro që i kaloi për katër minuta dhe nuk ka zgjidhje për pensionistët që janë poshtë kufijve të mbijetesës. Po mos të ishte për fëmijët e tyre në emigracion e të afërmit e tyre. Nuk ka zgjidhje për sipërmarrësit shqiptarë, disa prej të cilëve i takova sot në panairin e mobiljeve, është shqetësim kryesor krahu i punës që u largohet, punonjësit që u largohen dhe mungesën totale të mbështetjes apo qoftë edhe të kujtesës për ta, nuk kujtohen për ta. Po të flasim për fermerët e kësaj zone, sa prej tyre kanë parë subvencione me sy? I gjithë prodhimi i kësaj zone, e gjithë mrekullia e kësaj zone është mrekullia e punës së njerëzve të mrekullueshëm të këaj zone, jo me ndihmën e qeverisë. 7 miliardë euro, jo vetëm që nuk gjejnë lekë për fermerët, por vjedhin edhe eurot që sjell Europa. Skandali i IPARD-it që ne e vumë si prioitet për ta hetuar në shtator të këtij viti.

 

Me njerëzit dhe për njerëzit, bashkë me faktorë të tjerë politikë do të nisim shumë shpejt një dialog për të treguar se mendjet, zemrat, vizionet por dhe faktorët politikë që duan ndryshimin, duan rotacionin. Duan listat e hapura, duan votën e emigrantëve, duan barazinë e votës, të japin mbështetje pa kushte për SPAK-un për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe që e shohin të ardhmen dhe të sotmen e Shqipërisë tek partneriteti me perëndimin dhe vlerat e tyre, me SHBA dhe BE, janë shumë më shumë edhe si faktor politik dhe si factor jo politik. Pra një aleancë të gjerë vlerash me qytetarët. Kësaj sigurisht duhet t’i përgjigjet në sinkron gjithçka që ne themi por dhe gjithçka që ne bëjmë.