Gëzuar festën.

Është një nder dhe privilegj i veçantë që tu drejtohem ju këtu që përfaqësoni një nga lëvizjet më progresive, një nga lëvizjet më europiane dhe demokratike të Shqipërisë, Lëvizjen e Dhjetorit që solli krijimin e Partisë Demokratike. Pa Partinë Demokratike, kjo lëvizje progresive nuk do të arrite ato rezultate që arriti. Nga vendi më i izoluar i Europës, nga përballja me dikaturën më të egër komuniste, në vitet e para 1990 Shqipëria ishte vendi i parë që kërkoi anëtarësimin në NATO. Shqipëria ishte vendi që në më pak se katër vjet arriti që të anëtarësohet me të drejta të plota në Këshillin e Europës. Dhe kjo falë Partisë Demokratike. Falë atyre që një pjesë janë këtu, një pjesë nuk ndodhen këtu por janë me shpirt, të gjithë sakrificave dhe punës së palodhur, ne jemi krenarë dhe unë dua t’u falenderoj nga zemra.

Por siç thotë Xhon Kenedi; atij që i besohet, nga ai më shumë pritet. Prandaj dhe sot Shqipëria pas 25 viteve përsëri ka nevojë për një rigjallërim të vlerave më të mira të shpirtit demokrat të shqiptarëve. Me të drejtë shqiptarët, për shkak të keqqeverisjes po humbasin shpresën. Por ku më shumë e ku duhet ta kërkojmë përveçse Partisë Demokratike. prandaj ky është detyrimi ynë i përbashkët.

Ndaj unë, nëse ngrë zërin kritik e bëj pikërisht në sajë të këtyre vlerave, të këtyre shpresave e besimi që shqiptarët kanë tek Partia Demokratike. Dhe jam i bindur që ne do të arrijmë shumë shpejt që tu kthejmë shqiptarëve edhe njëherë në rrugën e drejtë dhe të progresit, në rrugën e përshpejtimit të anëtarësimit tonë të plotë në Europë. Unë mendoj se shumë shpejt Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet e do ta kthejë Shqipërinë në rrugën e mbarë, në rrugën e përparimit dhe në rrugën e Europës. Ju faleminderit dhe gëzuar festën.


Fjalimi i deputetit Eduard Selami në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015