Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar për vrasjen e efektivit të policisë në qytetin e Fierit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Alibeaj, shprehet se ky është një sinjal i dyfisht dhe një kamban alarmi për brishtësinë që ka sigurina publike.
Deputeti i PD, i bën thirrje organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë dhe përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë.
REAGIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, ENKELEJD ALIBEAJ
Vrasja e efektivit të policisë në mes të ditës në qytetin e Fierit, është tregues i brishtësisë që ka rendi dhe siguria publike në Shqipëri.
Goditja ndaj punonjësve të rendit publik është një sinjal i dyfishtë dhe një kambanë alarmi shqetësuese për qytetarët e zakonshëm rrugëve të vendit, të cilët janë të pambrojtur dhe nuk e dinë me kë përballen.
Njerëz të armatosur qarkullojnë lirshëm në të gjithë vendin dhe kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese për të mbrojtur dhe siguruar rendin.
Partia Demokratike e Shqipërisë i kërkon organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Fierit dhe kërkojnë që përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë.
Veç të tjerash, rendi dhe siguria publike janë një ndër shkaqet e largimit të njerëzve nga Shqipëria, ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë garanton të gjithë qytetarët shqiptarë se në programin e saj qeverisës rendi dhe siguria publike do të kenë prioritete absolute, duke forcuar policimin në komunitet dhe bashkërendimin e një sërë institucioneve së bashku për të minimizuar ngjarje të tilla.