Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një prononcim për mediat nga oborri i Kuvendit, komentoi projektligjin e propozuar nga qeveria që pasuria shtetërore të dhurohet e të shkëmbehet në favor të investitorëve strategjik. Ai tha se këtë projektligj e kanë paraqitur vjedhurazi dhe se është prova më e fortë e korrupsionit që ka përfshirë qeverinë.

Deputeti i PD, gjithashtu përsëriti edhe njëherë propozimet e PD të depozituara në Kuvend si vettingu i politikanëve, heqja e imunitetit, amendamentet në mbështetje të SPAK, si dhe propozimiet për reformën zgjedhor, që nuk merren parasysh nga mazhoranca.

Alibeaj gjithashtu komunikoi edhe përgjigjen që i ka kthyer SPAK për numrin e të korruptuarve që përfituan nga amnistia penale.

 

FJALA E SEKRETARI TË PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ, NË OBORRIN E KUVENDIT

Me propozimet tona për heqjen e imunitetit të deputetëve, për vettingun në politikë, me propozimet tona për mbështetjen e SPAK. Dhe në fakt ky parlament, tashmë totalisht privat, sot ashtu në mënyrë diabolike dhe në mënyrë okulte fut një projektligj me anë të të cili kërkohet që pasuria shtetërore të shkojë në favor, të dhurohet e të shkëmbehet në favor të investitorëve strategjik. E kanë paraqitur vjedhurazi të martën e kësaj jave dhe duan ta kalojnë sot. Dhe kjo është shembulli apo prova më e fortë e korrupsionit që ka përfshirë qeverinë po e po, por dhe veglat e tyre në parlament. Jo vetëm kaq, por se një nga çështjet më të rëndësishme që unë besoj që janë në interes të publikut, janë propozimet tona për reformën zgjedhore, për çështjen e diasporës. Ka kaq kohë, të paktën nga 15 nëntori, u bënë 7 muaj që një nga çështjet kryesore, ajo që ka të bëjë për votën e diasporës, përveç çështjeve të tjera siç janë ato me listat e hapura, me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës, për Shqipërinë një zonë, e me rradhë. Mbahen në syrtaret e këtij Parlamenti thjesht dhe vetëm me idenë se duke kaluar ditët të bëhet gjithmonë e më e pamundur zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe interesi i shqiptarëve. Për këtë arsye kemi depozituar një javë më parë atë që ju e dini tashmë një kallëzim penal në zbatim edhe të ligjit të Gjykatës Kushtetuese, për të detyruar këtë Parlament, i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të zbatuar dhe për të bërë efektive votën e diasporës. Ka një Parlament privat, një Parlament i cili gjithashtu vjedhurazi miraton ligje korruptive kundër interesit të shqiptarëve, siç bën në fakt edhe për ligjin për amnistinë.

Meqë jam këtu, j’ua premtova javën e kaluar atë se çfarë unë i kisha kërkuar SPAK. Shumë shkurt po u jap disa të dhëna dhe më lejoni thjsht dhe vetëm t’i citoj, nuk do të bëj asnjë lloj komenti. Cila ishte përgjigjja e SPAK lidhur me amnistinë: “7 persona korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kanë përfituar nga amnistia. 11 të tjerë kanë përfituar ata të cilët janë dënuar për korrupsion pasiv, gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksioneve të tjera të organeve të drejtësisë. 2 të tjerë kanë përfituar ata që kanë qenë të dënuar për ndihmë të paligjshëm të kufirit. 9 të tjerë të dënuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksion publik. 10 të tjerë për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. 1 tjetër për shpërdorim detyre. 1 tjetër për korrupsion aktiv në zgjedhje. 1 tjetër për përcaktim të rezultateve në garat sportive. Të liruar nga burgjet: 2 janë për shpërdorim detyre, dy të tjerë për korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. 3 të tjerë kanë përfituar sepse kanë qenë të dënuar për kultivim të bimëve narkotike kryer në bashkëpunim. 1 tjetër për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. 1 tjetër për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve. 1 tjetër për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Dhe kjo ishte vetëm për 2023-in. 44 të dënuar kanë përfituar nga amnistia. Vendoseni pak veten tek dhimbja e madhe që ka pllakosur atë familje që humbi birin e vet, efektivin e policisë. Nëse këto përgjërimet e këtij parlamentit dhe atyre 110 deputetëve të cilët thoshin mëshirë e madhe, të ndihmojmë të dënuarit. Ja ky është sinjali që mori shoqëria shqiptare dhe ata njerëz të cilët e kanë gishtin në këmbëz të pistoletës.

16/05/2024