Anëtarja e Kryesisë së PD, Aldrida Marku, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhru ditën e sotme në minierën e Martaneshit, ku pas shembjes të një masivi humbi jetën një 29-vjeçar dhe u plagosën 3 minator të tjerë.

Ajo shprehet se kjo ngjarje rikthen në vemendje kushtet ekstreme të vështira të minatorëve dhe diskriminimin e tyre nga secila qeveri, në këto 34 vite. Marku ngre shqetësimin se këta njerëz futen me mijëra metra nën tokë me pasiguri të shumta, të keqpaguar, të shfrytëzuar, shpesh duke mos iu paguar as kontributet dhe pa asnjë mbështetje për familjarët e të ndjerëve.

Sekretarja për pushtetin vendor në PD, më tej shprehet se Statusi i Minatorit do të jetë prioritet dhe angazhim kryesor i Partisë Demokratike.

 

Reagimi i plotë i Anëtares së Kryesisë, Alfrida Marku:

 

Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Minierën e Martaneshit, ku një 29 vjeçar ka humbur jetën e tre të tjerë janë plagosur rëndë, rikthen në vemendje kushtet ekstreme të vështira të minatorëve dhe diskriminimin e tyre nga secila qeveri, në këto 34 vite.
Mijëra metra në nëntokë, duke rrezikuar jetën e shendetin në kushte ekstreme pasigurie në punë, të keqpaguar, të shfrytëzuar, shpesh duke mos iu paguar as kontributet nga punëdhënësi e të mbetur pa vjetërsi pune, me pensione minimale që nuk reflektojnë vështirësitë e veçanta në punë e nuk u mjafton as për ilaçet, pa asnjë ndihmë për trajtimin e sëmundjeve profesionale (një ndër to, silikoza), pa asnjë mbështetje për familjarët e të ndjerëve që aksidentohen në punë apo fëmijët e tyre: kjo është gjendja e mijëra minatorëve, që kanë shërbyer e shërbejnë në nëntokë në vendin tonë.
Garantimi i kushteve dhe sigurisë në punë për punonjësit në nëntokë, pagesat dhe trajtimi dinjitoz i tyre, verifikimi i ligjshmërisë së subjekteve që shfrytëzojnë minierat, janë masa që duhen ndërmarrë në mënyrë URGJENTE nga autoritetet përgjegjëse.
Kjo qeverisje, nëpërkëmb e nuk jep zgjidhje për të dobëtit por miraton çdo ditë ligje e vkm abuzive, në shërbim të zyrtarëve të korruptuar e grupeve kriminale pas tyre .
Ky Parlament që ka humbur legjitimitetin, deputetë që nuk janë garant i interesit publik, por paguhen pa meritë me paga tejet të larta e pension suplementar që nuk justifikohet nga kontributi në shoqëri, vijojnë të mos jenë zë për zgjidhjen e situatës tejet të vështirë e të pashpresë ku ndodhet një ndër grupet shoqërore më të vuajtura në vendin tonë: PUNËTORËT E NËNTOKËS, HERONJTË E NËNTOKËS, MINATORËT.
Miratimi i STATUSIT TË MINATORIT, me kërkesat e qarta e të kërkuara prej vitesh, duhet të bëhet i mundur një orë e më parë.
Miratimi i STATUSIT TË MINATORIT duhet dhe do të jetë prioritet, angazhim kryesor i Partisë Demokratike .
Me trishtim shpreh ngushëllime për familjen e minatorit të ndjerë që u nda nga jeta.
Shërim të shpejtë për të plagosurit .