Sot Partia Demokratike zhvillon Kuvendin Programor për prezantimin e programit për zgjedhjet e ardhshme politike, me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”.
Eralda Bano, deputete e PD:
Kultura është pasqyra shpirtërore dhe evolutive e çdo shoqërie. Investimi për sigurimin e vazhdimësisë dhe rijetësimin e gjithë sferës së kulturës, artit, trashëgimisë dhe gjuhës shqipe është mbi të gjitha një nevojë jetike dhe një detyrë qytetare e cila është reflektuar si një nga angazhimet kryesore që Partia Demokratike do të çojë përpara.
Ne do të kërkojmë me ngulm që të sigurojmë hartimin e një mjedisi ligjor që garanton zbatimin e këtij programi për reformim funksional dhe logjik të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore duke specifikuar këtu rishikimin dhe hartimin e tyre në përputhje me standardet evropiane të të gjithë spektrit të paketave ligjore.
Partia Demokratike angazhohet për të krijuar “Ligjin e ri për Artin, Kulturën dhe Krijimtarinë” i cili reflekton një kuadër të plotë ligjor, duke nisur me rikonceptimin, rithemelimin apo shndërrimin e statuseve të institucioneve të artit dhe kulturës në nivel qendror e lokal, e që gjithashtu rregullon marrëdhëniet e infrastrukturës dhe faktorëve të tjerë të industrisë kreative publike apo private.
Partia Demokratike angazhohet për të krijuar “Ligjin për Sponsorizimet dhe Nxitësit Fiskalë”, plotësimin e tij me kornizën e duhur ligjore për ta bërë më fleksibël dhe funksional duke pasur si qellim forcimin, fuqizimin dhe çlirimin e tregut të artit dhe kulturës si dhe nxitjen e filantropisë.
Partia Demokratike angazhohet për të krijuar “Ligjin për Kinematografinë” duke krijuar mundësi të reja përmes politikave dinamike të cilat do të stimulojnë sektorin kinematografik për bashkëprodhim me kompani të huaja, me fokus në fuqizimin e sektorit vendas dhe atë kombëtar në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Të gjitha këto reforma kanë vetëm një qellim: Forcimin e artit dhe kulturës shqiptare në çdo dimension të tyre, qoftë ai viziv…ai i shkruar…apo i kaluar brez pas brezi.