Në Strasburg gjatë punimeve të Asamblese Parlemantare te Keshillit te Europes, kryetari i Demokrateve Euroatlantikë, Lulzim Basha mbajti fjalën në emër të grupit parlamentar të EPP.
Basha foli në lidhje me sfidat me te cilat përballet Europa si pasojë e konflikteve si lufta në Ukrainë dhe kriza në Lindje të Mesme.
Ai shfrytezoi rastin për të sjellë në vëmendje situatën në Ballkan, ku liderët autoritarë mund të shfrytëzojnë tensionet rajonale. Basha beri thirrje për vënien para drejtësisë të terroristëve që shkaktuan Banjskën një vit më parë dhe domosdoshmërinë për të mbajtur përgjegjës frymëzuesit dhe organizatorët që gjenden në Beograd.
Fjala e plotë e Bashë:
Dëshiroj ta nis duke përgëzuar presidentin e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, si raportuesi për këtë raport progres të periudhës nga qershori deri tani, por gjithashtu dua të kërkoj vëmendjen e Asamblesë lidhur me hapat që janë marrë nga Asambleja, por që ende nuk janë ndërmarrë nga Komiteti i Ministrave.
Lufta në Ukrainë vazhdon të zhvillohet me egërsi. Tmerr i papërshkrueshëm, sulme ndaj civilëve dhe fëmijëve, sulme ndaj spitalit të fëmijëve në Kiev, dhe krime të tjera lufte vazhdojnë të ndodhin.
Kjo Asamble ka qenë në ballë të propozimit të masave proporcionale për të trajtuar agresionin e paprovokuar të Rusisë.
Krijimi i tribunalit ndërkombëtar për krimin e agresionit është një nga këto masa. Ne të gjithë duam dhe shpresojmë të ketë progres në këtë drejtim përpara se të jetë tepër vonë.
Çështje e rëndësishme është edhe mekanizmi i kompensimit, i cili do të mundësojë që qindra miliarda asete ruse, asete të Federatës Ruse, të ngrira në Europë dhe kudo tjetër, të konfiskohen dhe të transferohen në Ukrainë. Pa dyshim, kjo masë është proporcionale dhe e vonuar, veçanërisht duke marrë parasysh përshkallëzimin nga Rusia të krimeve dhe shkatërrimit në Ukrainë dhe retorikën e Rusisë. Ndërkohë që Putin kërcënon me armë bërthamore, ne duhet të përgjigjemi me vendosmëri. Prandaj, uroj që Komiteti i Ministrave të mos vonojë marrjen parasysh të këtij propozimi unanim, të kësaj rezolute unanime dhe të kësaj rekomandimi unanim.
Bota po përballet gjithashtu me një konflikt tjetër që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme. Kemi parë të pafajshëm izraelitë, palestinezë dhe tani libanezë që janë vrarë në këtë konflikt. Rreziku që më shumë civilë të dëmtohen rritet nga dita në ditë. Diplomacia duhet të mbizotërojë mbi armët dhe një zgjidhje paqësore mbi terrorin dhe agresionin. Në të njëjtën kohë, e njohim realitetin fatkeq që konfliktet shpesh prekin civilët e pafajshëm. Ndërsa Izraeli, si çdo demokraci tjetër, tregon kujdes të madh për të minimizuar dëmin ndaj joluftëtarëve, është thelbësore të kujtojmë që fajtorët e vërtetë janë organizatat terroriste që përdorin civilët si mburoja dhe shfrytëzojnë kaosin që krijojnë.
Fokusi ynë duhet të mbetet në mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur, duke kërkuar njëkohësisht të parandalohet humbja e jetëve të pafajshme të shkaktuara nga veprimet e këtyre grupeve ekstremiste.
Këto konflikte kanë ndikim në secilin prej vendeve tona. Në Ballkan, autokratët po përpiqen të përfitojnë nga situata për të shkatërruar më tej sundimin e ligjit dhe për të ringjallur konfliktet e vjetra.
Ka kaluar më shumë se një vit që nga sulmi terrorist në Banjskë. Ka kaluar më shumë se një vit që një prej kolegëve tanë, Z. Knut Abraham, ka paraqitur një propozim të nënshkruar nga një numër i mjaftueshëm anëtarësh të kësaj Asambleje për një hetim të këtij akti.
Prandaj, i bëj thirrje Asamblesë të vazhdojë pa vonesë edhe në këtë drejtim.
Falemnderit.