Banorët e fshatit Xarë ofruan dy herë më shumë për të marrë tokat, po qeveria ia bëri dhuratë Kokëdhimës. Policia presion që fermerët të mos denoncojnë. Salianji: Akt skandaloz korruptiv dhe shkelje të të drejtave të banorëve.
Partia Demokratike denoncon një skandal të dyfishtë në fshatin Xarë të rrethit të Sarandës. Banorët e këtij fshati, të njohur si kultivuesit më të mëdhenj të mandarinës në Shqipëri, janë përjashtuar padrejtësisht nga një ankand për marrjen e një tokë të fshatit me qera. Pavarësisht se shoqata e banorëve të fshatit ka ofruar dyfish më shumë qera për përdorimin e kësaj tokë, e drejta iu dha një shoqate tjetër që banorët e akuzojnë si pjesë e oligarkisë në pushtet Rama-Kokëdhima. Drejtuesi i Departamentit Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në Partinë Demokratike, Ervin Salianji u takua me banorët e këtij fshati ku evidetoi edhe një skadal tjetër. Më 7 dhjetor fshatin e viziton Kryeministri Edi Rama për Festën e Mandarinës, ndërsa banorët që kanë kundërshtuar ankandin, janë kërcënuar nga shefi i komisariatit nëse ata i drejtohen Kryeministrit për këtë çështje.
“Kjo ngjarje ka një vit që vazhdon. Toka është e fshatit Xarë dhe kërkon ta marrë Dhimo Kote, i cili është nga Mursia. Bëmë disa greva dhe nuk e mori dot. Shteti na tha do të bëjmë ankand. Ne nuk u tërhoqëm dhe ankandin e çuan nga Saranda në Tiranë për në ministri. U futëm në ankand por nuk e hapën ofertën. Por pasi e hapën ofertën të firmosur nga 5 anëtarët, një sekretari i thamë se po bëhen manipulime. Dhe si përfundim u bë manipulimi. Toka e Kishës që është 8 hektarë e mbjellë, nuk e kishim në ankand sepse nuk na takon. Ajo është tokë e mbjellë. Por z Dhimo kërkon ta marrë atë tokën e Kishës”, tha një prej banorëve të fshatit.
“Nesër kemi Festën e Mandarinës në fshat dhe vjen kryeministri. Unë si kryeplak nuk jam ftuar për shkak të kontradiktave që kemi me Kryetarin e Komunës për tokat”, tha kryeplaku i fshatit.
“Na morën në komisariat dhe na thanë që do të vijë Kryeministri në fshat për Festën e Mandarinës. Nuk do diskutoni, na thanë ,sepse ndryshe do të keni probleme më pas. Na tha shefi i komisariatit të mos flisni se do t’u hedh në lumë”, shpreh një prej fermerëve të fshatit Xarë.
Salianji e dënoi ashpër këtë skandal duke e cilësuar si një shkelje të rëndë të të drejtave të tyre. Pasi banorëve iu grabit toka në fshat nga njerëz të lidhur me oligarkinë në pushtet, atyre kërkohet ty mbyllet goja me kërcënime nga shefi i policisë, evidetoi Salianji.
“Jemi me banorët e fshatit Xarë të rrethit të Sarandës. Skandalet korruptive të qeverisë nuk kanë fund dhe nuk njohin territor. Fermerët e kësaj zone kanë bërë një ofertë për të përfituar këtë tokë pas nesh që është rreth 64 hektarë, pronë e fshatit. Kanë bërë një ofertë prej 50 mijë lekësh të reja për hektar. Ndërkohë që shoqata që e ka fituar ka bërë ofertën 25 mijë lekë të reja për hektar. Fituese nuk shpallet shoqata e fermerëve që e ka ofertën dyfish më të lartë por fitues shpallet shoqata tjetër që e ka çmimin dyfish më të ulët, por ka një avantazh tjetër sepse është e lidhur me oligarkinë, është e lidhur me dyshen Rama-Kokëdhima dhe me kryetarin e komunës këtu që është oligarku i tyre lokal. Por skandali nuk përfundon këtu. Nesër në datën 7, kryeministri vjen tek Festa e Mandarinës në fshat dhe qytetarët kërkojnë një të drejtë të tyre themelore për t’i kërkuar llogari zyrtarit që e paguajnë me taksat e tyre. Kërkojnë që nesër të shkojnë në takim dhe ti kërkojnë llogari se pse nuk e fitojnë ankandin këta qytetarë që kanë 500 mijë lekë të vjetra për hektarë por e fiton oligarku lokal me 250 mijë lekë për hektar. Çndodh në këtë rast?! Kryeministri lëshon bandën e tij lokale, shefin e komisariatit dhe i kërcënon qytetarët duke i thirrur në komisariat një më një, duke shkelur të drejtat dhe liritë e tyre themelore, që u garantohen me Kushtetutë e që i kanë fituar 24 vite më parë. i thërret dhe i kërcënon duke u thënë se nëse shkoni tek kryeministri dhe flisni unë do t’u hedh në lumë. Nuk ju bën dot asgjë. i bëjmë thirrje kryeministrit të shkojë dhe të marrë masa të menjëhershme për shefin e komisariatit i cili kërcënon qytetarët dhe i thërret në komisariat pa asnjë arsye. i kërkojmë kryeministrit dhe bandave të tij lokale t’i krijojë mundësi për t’i takuar dhe dëgjuar qytetarët për të shprehur shqetësimin e tyre dhe në rast se kryeministri dhe bandat e tij lokale nuk do lejojnë që këta qytetarë dhe fermerë të dëgjohen nesër për problemin e tyre, ne do të jemi këtu dhe me çdo mjet do t’i fusim për ti dëgjuar dhe për të qënë krah për krah e për të fituar këtë të drejtë që askush nuk ua mohon dot më”, tha Salianji.