Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e disa fshatrave si në Hamallaj, Hidrovor dhe Radë mbi zhvillimin e bujqësisë së zonës. Banorët ngritën shqetësimin mbi respektimin e pronës së tyre ndërsa morën garanci nga zonja Duma se prona e askujt nuk do të preket dhe se çdo zhvillimin i saj do të bëhet vetëm në mënyrë të ligjshme.
“Ju them që e ardhmja ekonomike e bashkisë së Durrësit do të fillojë me kollonën e produktit bujqësor dhe do të mbështetet nga kollona e turizmit dhe agroturizmit. Nuk e konsideroj një situatë në të cilën do ma kërkojë mua fermeri mbështetjen por si një situatë që ia kërkoj unë fermerit suksesin në bujqësi. Sepse është kollona ekonomike që do mbajë bashkinë nesër. Prona është e juaja dhe nuk do të preket prona juaj. Zhvillimi i pronës të ndodhë si pasojë e kontratës që do të lidhni ju me këdo si pronarë të ligjshëm”, tha Duma.
Kandidatja e djathtë u shpreh se shërbimi në komuna do të shumëfishohet nisur edhe nga kontributi në të ardhura që ato sjellin në buxhetin e bashkisë.
“Do ti kthejmë të njëjtin nivel shërbimesh që japin taksa dhe të ardhura më shumë. Nëse kjo komunë jep më shumë do të marrë më shumë shërbime në të njëjtin nivel”, tha Duma.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015