Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve elektorale në Malësi të Madhe. Ky bashkim i madh i shqiptarëve nga veriu në jug është dëshmia më e madhe e vullnetit të zgjedhësve për të ndalur këtë të keqe që ka mbërthyer vendin, ka varfëruar shqiptarët, ka vrarë shpresën. Era e ashtuquajtur e rilindjes, era e mortit siç i thonë sot anembanë vendit, erdhi në Malësi para dy vitesh, i varfëroi si asnjëherë tjetër qytetarët, njerëzit, familjet, Malësinë, vendin, ju versul dinjitetit, gjësë më të shtrenjtë që ka shqiptari, tha zoti Basha duke theksuar 21 qershori është ora e llogaridhënies e kësaj mazhorance në Malësi të Madhe dhe kudo në Shqipëri.
“Jo vetëm në këto gjashtë javë, por për dy vite kemi qenë pranë jush dhe kemi prekur me dorë, kemi parë me sy hallet e mëdha. Kam parë burra të fortë që u dridhej buza sepse nuk kishin kokrrën e lekut për të paguar bukën e fëmijëve të tyre. Kam parë nëna që shisnin gjakun e trupit të tyre për të paguar faturat. Këta që e sollën këtë të keqe, dyshja Rama-Meta që e sollën këtë të keqe i gënjen mendja se me 21 qershor, me 20 mijë lekë apo 30 mijë lekë apo me thesin me miell do të mund të blejnë dinjitetin tuaj, do të mund të blejnë bukën tuaj për një natë që t’ju shkelin për një vit. E kanë gabim, varfëria që mbollën, mjerimi që shtuan është në armiqësi me dyshen Rama-Meta, është mallkimi i tyre, është ndëshkimi i tyre. Ndaj dita e vendimmarrjes me votë po afron, nuk i ikin dot”- theksoi zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se mazhoranca kërkon t’i ikë përgjegjësisë për gjendjen e krijuar, ti ike llogaridhënies për mosmbajtjen e asnjë premtimi të dhënë. Sot, ne Shqipëri çmimete energjisë dhe naftës dhe niveli i taksave është më i larti në rajon. Papunësia është rritur, shumica e shqiptarëve marrin borxh për të mbyllur muajin dhe të vetmit që pasurohen janë qeveritarët me paratë e taksapaguesve.
“Rama-Meta e shumëzuan me zero dinjitetin tuaj e shumëzuan me zero dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, me rritjen që i bënë çmimit të energjisë elektrike, çmimeve dhe taksave në përgjithësi. Ka patur gjithmonë mospërmbushje 100 përqind të premtimeve elektorale por të kthesh mbrapsht premtimet, të premtosh ulje të çmimit të energjisë dhe ta ngresh atë, të premtosh uljen e taksave dhe ti ngresh ato, të premtosh uljen e çmimit të karburantit dhe ti ngresh ato e ta bësh më të shtrenjtin në Ballkan, vetëm këta e bënë, vetëm një bandë që e konsideron popullin pa tru, vetëm këta mund ta bëjnë.
Kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon, e tha dje Eurostati dy herë më të lartë sesa vendet e tjera të rajonit. Kemi taksat më të larta në rajon. Kemi çmimin e naftës më të lartë në rajon. Pagat, pensionet dhe të ardhurat më të ulta në rajon. Pse e bënë? Sepse gjetën rrugën më të thjeshtë, t’i bien popullit, gjetën rrugën më të gabuar, të shkatërrojnë ekonominë, taksat e larta, çmimi i lartë i energjisë elekrtike dhe karburantet, krimi i veshur me pushtet dhe korrupsioni, këto janë shkaqet kryesore se pse po rrokulliset Shqipëria, përse po bëhet çdo ditë e më keq”.
Ulja e çmimit të energjisë, ulja e taksave, është oferta e partisë për zgjidhjen e lakut, daljen nga qorrsokaku ku e ka futur qeveria, tha zoti Basha duke garantuar se me votën e popullit askush nuk mund ta refuzojë këtë ofertë.
“Ju do të zgjidhni mes ofertës tonë për uljen e taksave, uljen e çmimeve, uljen e çmimeve të mallrave të shportës, heqjen për TVSH-në e naftës në bujqësi, subvencione për bujqësinë dhe blegtorinë, rritje të rrogave dhe pensioneve, mbajtjen e pushtetit vendor këtu për qytetarët e Malësisë së Madhe, banorët e Malësisë së Madhe dhe jo emigrimin e pushtetit vendor në kulisat e oligarkisë në Tiranë dhe ofertës se tyre që është kapja e pushtetit me çdo kusht. E patë se çfarë plani djallëzor kanë që ju të mos shkoni drejt në zyrat e Bashkisë dhe të qani hallet si qytetar por të shkoni përmes sekserëve të pushtetit në mënyrë që të lëpihen e ti merret palca e kockës nga Paulini me shokë, e pastaj t’ja hedhin malësorëve.
Me votën tonë, me votën tuaj ne do të heqim lakun nga fyti i familjeve që vuajnë nën shtrëngesën ekonomike. Me votën tonë, me votën tuaj do t’ju themi Paulinit, skotës së tij por edhe qeverisë në Tiranë se zotër të Malësisë së Madhe janë banorët e Malësisë së Madhe dhe askush tjetër. Nuk e dorëzojmë pushtetin vendor, nuk e zhdukim pushtetin vendor por do të krijojmë një pol fuqie qytetare për të çuar në drejtimin e duhur, për të ndalur të keqen dhe për ti hapur rrugën zhvillimit, punës dhe dinjitetit.
Ju jap fjalën se vota juaj për Anton Kokën, vota juaj për PD, do t’ju shpërblehet me vendosmërinë tonë, me punën tonë dhe me vendimin tonë për t’i shkuar deri në fitore betejës tonë për zgjidhjen e halleve tuaja dhe problemeve tuaja. Se pas 21 qershorit pa asnjë alibi nuk do të pranohet më, se me vulën e popullit sovran të Malësisë së Madhe dhe gjithë Shqipërisë ne do ti ulim taksat, ne do ti ulim çmimet, ne do të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do ta rifusimin ekonominë në rrugën e zhvillimit të shpejtë, të krijimit të vendeve të punës për të gjithë ata që kanë nevojë e në veçanti për të rinjtë e të rejat e Malësisë së Madhe
Askush s’na tremb dot, askush s’na kërcënon dot, betejën për votën e lirë e kemi fituar para 25 viteve dhe nuk na e merr dot askush. Ndërsa betejën për të ardhmen e Malësisë së Madhe, për të ardhmen e fëmijëve tuaj nuk e vendos dot as zarfi i parave të pista që i kanë vjedhur me ton e i kthejnë me pikatore, as vandalët që shëtisin natën si hije e si hije do të mbeten pas me 21 qershor, as zyrtarët që i paralajmëroj të mos shkelin ligjin sepse do të japin llogari një për një, emër për emër para ligjit, kjo është fjala ime, ky është zotimi im.”-përfundoi fjalën kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015