Byroja u propozua nga kryeministri si një organ ku drejtorin e caktonte Ministri i Brendshëm i tij, u padit në Gjykatë Kushtetuese dhe u rrëzua. Gjykata Kushtetuese nuk ishte e vetmja që rrëzoi një akt që ndërhyn në autonominë e prokurorisë si organ i akuzës së republikës.

Ishte opozita si edhe zëra të ndryshëm brenda mazhorancës përfshirë edhe në komisionin e sigurisë. Meqë ishte punuar me aleatët amerikanë dhe qëllimi do të lipsej të kish qenë i mire, përkrahja nuk u ndërpre. Në deklaratën që mbaj mend nga ata ishte që do të ripunohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përsëri e hartuan në mënyrë të njëanshme, përsëri në shkelje të saj. E treta ndërhyrje, koment, këshillë është ajo që vjen nga Komisioni i Venecias. Pika 11 e raportit i cili thotë: Byroja Kombëtare e Hetimit nëse do të ketë një të tillë, do të lipsej të shkruhej në Kushtetutë dhe në çdo rast të evitonte drejtimin e jashtëm nga qeveria. Por çfarë ka ndodhur si me draftin e parë si me draftin e dytë, si me draftin e tretë, si me atë që Sajmir Tahiri e lexoi këtu, drejtorin e Byrosë e emëron Ministri, e emëron qeveria. Dhe, pyetja është: A bie dakord Edi Rama me opinionin e Komisionit të Venecias. Sepse vërtetë para një jave tha ta çojmë atje, kur pozicioni i raportit të ndërmjetëm është i qartë. Kur një pozicion kaq i qartë në një institucion me juristë eminentë nuk ndryshon, siç mund të ndryshojë pozicionin e vetë një ministër apo një deputet, përgjigjia që unë do të doja të kisha dëgjuar nga Kryeministri por edhe nga mëkëmbësit e tij, në këtë pikë e cila është shprehur si pozicion i qartë i opozitës, a ishte dakord, nuk mund të ishte para mesit të dhjetorit sepse atëherë sapo erdhi opinioni i Venecias, por në gjysmën e dytë të muajit po në janar? Këtë përgjigje ne nuk e morëm. Morëm vetëm lojëra që ne ramë dakord, në fakt çfarë kanë shkruajtur është e njëjta që ka qenë përpara. Prandaj e kam humbur shpresën që ta dëgjoj këtë çështje prej tyre, por është e mira që këto gjëra të bëhen të qarta të paktën për sa kohë themi se opinioni i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi ka vlerën e një udhëzuesi.

Eshtë një projekt-ligj që lidhet me kompanitë shtetërore, që mbahen shtetërore në një numër të vogël të tyre sepse dhënia tek privati për shkak të natyrës së sipërmarrjes, të fushës së veprimit të tyre, për shkak të kapaciteteve rregullatorë të mangët të shtetit në këtë fazë të zhvillimit të vendit, lipset të ruhet dhe ka shumë të tilla. Do të ndalja fjalën time ndoshta në vëmendjen tuaj te OSHEE-ja që ka një buxhet të madh, e ka sepse e paguajnë njerëzit korentin. Duhet ta themi se është korrekte që ajo faturë të paguhet e plotë, është një detyrim. Nuk kemi qenë dakord që të përdoret burgu si mjet për të shtrënguar njerëzit që janë në pikë të hallit. Nuk mund të biem dakord që t’i degdisimin njerëzit në vetëvrasje dhe në burg, për një tel të lidhur në një qebaptore, që detyrojnë prindin e fëmijëve që ta lidhte për ti bërë vaksinën fëmijëve.

Megjithatë të ardhurat janë rritur jo sa thotë OSHEE-ja, kontestohet nga palët e treta buxheti i saj, por nqse janë rritur, si shfrytëzohen këto? Bëri një tender OSHEE-ja për godinë të re, 99% e fondit limit, e mori një mik i hershëm sipërmarrës i Edi Ramës. Kur u pyet nga opozita se si i dhe një fond limit të tepruar për një godinë, aq mjaftonin për të ndërtuar 2 shkolla të mesme, përsëri e mori me 99.99% të vlerës, reagimi i OSHEE-së ia kaloi edhe harbutësirë që ka shefi i gjatë në këtë sallë. I kujtoi opozitës paguani faturat se ju erdha me inspektorë. Skandal nga një ndërmarrje shtetërore që ka punën e vet po ta shikosh në parim. Dhe, të tilla kanë vazhduar me radhë deri në një moment që na intereson se nuk ka të bëjë vetëm me paranë publike që shpërdorohet, po ka të bëjë me një vlerë më të thellë se paraja që është e drejta e shprehjes dhe forma e saj më e rëndësishme, e drejta e medias.

Në qeverinë e shkuar kemi dëgjuar kritika nga opozita, kritika për reklamat shtetërore. Në fakt janë problem jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Akuza e parë që ngriti Edi Rama, kundër një anëtari të qeverisë së shkuar, ishte ajo që lexoi në zyrën e saj Mimi Kodheli. Për reklamat e dhëna nga paraardhësi i saj. Edhe Rama vetë tha të dënohet në facebook, pastaj tha ma keqpërdorën, nuk isha unë. Ajo që zonja ministre nuk ka sqaruar është pse 1 vit më vonë e tërhoqi akuzën?

E kam ngritur disa herë këtë çështje dhe nuk kam dëgjuar shpjegime. Do të isha i interesuar të dija ndoshta ka pasur të drejtë sepse nuk ishte e informuar, sepse pati një ndriçim të momentit, sepse zbuloi disa të vërteta të tjera por nuk i përgjigjet dhe ky është një nga problemet që s’përgjigjet pa paragjykuar përmbajtjen e përgjigjes. Dhe nuk e di ju që mblidheni të hënën në grup parlamentar a i bëni këto pyetje?

Të ndalemi tek reklamat, OSHEE me miliona të vjelura, me të drejtë por edhe në shumë raste me të padrejtë, dhe pa marrë para prej atyre që janë figura ekonomike të mazhorancës, ndërkohë që Qamili nga Lushnja vret veten në burgun e Rrogozhinës. Çfarë bëjnë me këto para? Masivisht në të gjitha televizionet reklamë për OSHEE. Reklama ndodh në botën e ekonomisë së lirë. Kjo video që shfaqet në të gjitha ekranet, me përjashtim të RTSH-së më duket, nuk ka asnjë informacion konkret dhe të dobishëm për përdoruesit apo për publikun e gjerë. Nuk është rasti i OSSHE-së që është monopol, sepse nuk ka asnjë kompani tjetër që çon korentin e përdoruesve, ajo mund të blejë nga prodhuesi, pra të dyja rastet janë në shkelje të hapur jo vetëm normave dhe praktikave të mira, por edhe të ligjeve të shtetit sepse në fund të fundit i shpërdoron ato para për të cilat Qamili nga Lushnja vrau veten në burgun e Rrogozhinës.

A ka ndonjë vlerë kjo përveçse të blejë mediat, edhe ato që nuk janë kapur, edhe ato që nuk janë shtrënguar dhe ato që mund të thonë një grimcë të vërtete për t’i mbyllur gojën, atë pjesë që i ka mbetur hapur. Për të mos folur për skandalet, për të mos folur për abuzimet, për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë dhe sociale të vendit si pasojë e qeverisjes së Edi Ramës.

z.Gaçe foli për konçesionet të dobishme për këtë vend, partneritete private-publike dhe përmendi rastin e Kakomesë ku do të ndërtohej një resort i madh. Bie dakord me të, është një mangësi që nuk u bë dhe pati një lëvizje Hugo Chavez ku ajo figurë ka shkuar sa me një palë sa me një palë tjetër. Janë të tilla koncesionet që bën qeveria Rama. Të marrim kocensionin për TVSH, kam patur mundësi të lexoj një raport të hartuar nga specialistët e tatimeve dhe Ministrisë së Financave. Në 95 faqet e para del qartë se një konçension i tillë është i panevojshëm dhe i padobishëm, në 5 faqet e fundit kuptohet që thonë se biem dakord që të konçensionohet vjelja e TVSH-së mbi masën 11% ku ndodhet Shqipëria dhe nuk është keq krahasuar me rajonin. Për këtë konçension e kishte fjalën z.Gaçe për të mbrojtur një gjë që mediat e pavarura nga opozita e sjellin lidhjen me familjarët e kryeministrit sepse rasti i parë është një rast ku investon privati dhe ka një risk për të mbuluar deri diku nga shteti. Në këtë rast, nëse kjo kompani Honk Kongase që supozojmë se do të fitojë garën bashkë me partnerët lokalë nëse nuk e rrit asnjë qindarkë vjeljen e TVSH-së, nuk pëson asnjë problem, nuk ka humbje që është kategoria e rriskut tek sipërmarrësi, përkundrazi shteti e paguan 847 mijë dollarë. Kujtoja që ishte shpërblim i njëhershëm dhe me kaq merr fund. Dikush që i kishte lexuar më mirë se unë termat e referencës, 847 është vetëm për një vit, vitin tjetër nëse nuk e rrit me asnjë qindarkë vjeljen e TVSH-së, merr 847 mijë dollarë të tjera. Këto janë konçensione që deputetë të mazhorancës dalin këtu për t’i mbrojtur.

Rasti i tretë është një deklaratë e Edi Ramës që më ka pëlqyer shumë tek Neës 24 me Eni Vasilin që e pyeste për konçesionet, që e pyet çdo gazetar që i qëndron besnik zanatit, dhe tha që i kanë marrë, tregoi edhe emrat, nuk shpjegoi pse i marrin 99.99% fondet limit. Ta lëmë mënjanë këtë. Tha nuk mund të lejoj që një njeri që është kërkushi përmes tenderave dhe konçesioneve të shtetit të bëhet biznesmen i madh. Atëherë vijmë tek faktet. Ilir Rrapaj është një personazh i njohur për deputetët e Partisë Socialiste. Për Ministrin, ka dyshime, sepse kur e pyetën i thanë: E njeh Zotërinë? Jo nuk e njoh, kur i treguan gazetarët foton me të tha, ah po e kam takuar në Itali. Kush është Ilir Rrapaj, një person që ka dalë me Edi Ramën në fotografi në Pallat të Brigadave, aty ku jep pritje Kryeministri dhe Presidenti dhe ku priten presidentë e kryeministra kur vizitojnë Shqipërinë.

Edi me Rrapajn, dorën në qafë së fundmi i njohur 40%. Duhej një djalë nga Vlora në Peruggia jeton më duket, ka një kompani që është 1 mijë Euro kapital, është tek pullë, me një të punësuar, dhe merr 40% të një konçensioni 100 milionë dollarë. A është e mundur të përputhet ajo që tha Edi Rama që nuk mund të marrë dikush që është kërkush në ekonomi, pa patur një sipërmarrje të besueshme, pa patur një përvojë në atë fushë të marrë 40 milionë dollarë nëse ky konçension do të shkojë deri në fund. Po pra, ja që është e mundshme me këtë qeveri.


Fjalimi në Kuvend i deputetit Genc Pollo, 11 Shkurt 2016