Blog

03 Kor
0

Fjala e deputetes Flutura Açka në seancën e sotme të Kuvendit

SPAK-u, Rreth i Dhjetë i Ferrit

Gjatë vitit 2017, tek shkruaja romanit tim të radhës “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” e ku jam marrë edhe me politikanët keqbërës të tranzicionit shqiptar (dikush thotë se janë vetëm 10% që molepsin edhe pjesën e mbetur!), u rreka të gjeja emrin e një vendi ku t’i degdisja ata, të themi, një lloj torture morale, një formë ndëshkimi publik, ngaqë i kishin tradhëtuar shqiptarët në ëndrrën e tyre për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa.

Kështu subkoshienca, mjeti i zejes sime më çoi te koncepti i Rrethit të Dhjetë të Ferrit, burgun e vuajtjes së mëkatit që nuk gjenden as në trojet biblike, as në ato të “Ferrit” të Dantes, nëpër nëntë rrathët e të cilit njerëzit ndëshkohen sipas një mëkati të vetëm që kanë e ku mbetet ende një veshtulli njerëzore.

Aty në Rrethin e Dhjetë do të ishte vendi i politikanëve keqbërës me kompleksin e mëkateve, fajeve e veseve, me të tillë model makiavelist që shkel çdo kod, kur e moralshme është të vjedhësh, kur e ndershme është të korruptosh, kur e pranueshme është të dhunosh e kur e duatrokitshme dhe e votueshme (edhe me vota të vjedhura) është që njëherësh të vjedhës, të korruptosh, të dhunosh, të tallesh e të bullizosh individë e komunitete. Të mos flasim pastaj për seksomaninë akute që të jep pushteti.

Kështu, në të vërtetë, pa e ditur as vetë unë kisha bërë thirrjë për një institucion të lartë skanimi moral e politik e njerëzor, i cili mungonte ndër shqiptarë, dhe që si për ta përmbushur profecinë time do të thirrej shumë shpejt SPAK, një filtër që do të pastronte politikën shqiptare përmes drejtësisë, të cilën Aristoteli e quan “Politika e politikave.”

Kështu i nderuar z. Dumani, në portën e rrethit të dhjetë të Ferrit, me emrin SPAK, ju nuk jeni as Shën Pjetri me çelësa në dorë, as rremtari i varkave nëpër Akeron, as shqytari që mban gijotinën, por ju jeni zëdhënësi i vullnetit tonë për drejtësi. Ju jeni drejtësia jonë e munguar.

Sepse, për shkak të këtyre politikanëve keqbërës në këto tridhjetë vite, ne nuk kemi bërë shtet. Dhe me po atë thirrje të aktit të parë të Hamletit: “Something is rotten in the state of Denmark”, ju kujtoj publikisht: I nderuar, z. Dumani, të nderuar prokurorë të SPAK-ut, diçka është thyer në shtetin e Shqipërisë!

Dhe është në barrën tuaj ta gjeni atë thyerje, dhe është në barrën tonë politike ta riparojmë atë thyerje, dhe është në barrën e shqiptarëve të na e kujtojnë detyrën përditë, edhe juve, edhe neve.

Dhe duhet ta bëjmë këtë para se të na ikin të gjithë shqiptarët nga Shqipëria. Sepse, mes dhjetëra arsyeve të ikjes së tyre, ka një arsye që i mërzit ata me vendin e tyre: Vakumi i së drejtës, ose pandëshkueshmëria, siç thuhet rëndom.

Para se të drejtoj gishtin te ju, nëse e keni bërë mirë apo keq punën tuaj, po e nis nga këtu në Parlament, ku shpesh na pëlqen ta ndajmë politikën nga morali, nga etika, nga turpi, nga higjiena politike. Këto janë simbioza që ne i kemi shqyer ndonjëherë të infektuar nga e pamoralshmja, nga joetikja, nga paturpësia dhe mungesa e higjienës politike.

Të më falin disa kolegë shumë të nderuar, njohjen me të cilën këtu e kam quajtur privilegj. Ata nuk përfshihen në këto rreshta. Unë po flas për atë pjesë që i shërben bandës me pushtet, duke na kthyer edhe neve vetë në pjesë të saj, qoftë edhe si spektatorë.

A nuk kemi kaluar ne këtu ligje nominative për koncensione, për ulje taksash, kur të gjithë e kemi ditur se cilët oligarkë po dorovisim? A nuk i kemi vënë ne ligje të caktuara në shërbim të kompanive të caktuara të miqve tanë?

A nuk e kaluam këtu me një të rënë të lapsit Portin e Durrësit, edhe pse do ta kthejë Durrësin në Dubain e ri, e mbi të gjitha në kryeqendër europiane prostitucioni e droge, ja mu si ai Dubai që e tronditi me karkasat e shndritshme që fshihnin ngrehinat e zbrazura edhe vetë të ndjerin Berluskosni, i cili, edhe pse një nga njerëzit më të pasur të Italisë, nuk mundi dot kurrë as ta ëndërronte ta bënte ndonjë këtë në ndonjë cep të Italisë së tij antike. Sepse antikitetin nuk e konkurron asnjë lloj moderniteti, qoftë edhe kamnor.

A nuk u kemi dhuruar ne këtu me vota primitive Butrintin miqve të pushtetit, mes të cilëve edhe ca antishqiptarëve të rafinuar, pa u shqetësuar fare se shumë shpejt ne shqiptarët do ta gjejmë veten në historinë e shkruar nga sharlatanë dhe profanë si një çetë kaçakësh në origjinë bastarde, mu siç na dizenjojnë armiqtë.

Pasi edhe lahutën ua falëm sllavëve, me iso-polifoninë dorovitëm grekët, fjalën “Besa” e deformuam në muze për hebrenjtë edhe pse gjakon vetëm me fenomenin e gjakmarrjes si pjesë e identitetit tonë të patjetërsueshëm?

A nuk e shitëm ne bregun e shqiptarëve për investitorët strategjikë dora vetë miqtë tanë, për oligarkët e trojeve 1 euro, a nuk i shesim me një lehtësi të papërballueshme tokën e shqiptarëve, ujërat e shqiptarëve, rërën e shqiptarëve, liqenet e shqiptareve, guroret e shqiptarëve, pyjet e shqiptarëve?

A nuk jemi ne këtu në Parlament e Qeveri, të majtë e të djathtë, që pasi i kalojmë paratë me projektligje që i kthejmë në ligje, ua ndërrojmë gjatësinë tuneleve dhe i çajmë ato në majë të malit për t’i bërë më të shkurtëra e për të vjedhur paratë, apo ua lëvizim gjurmën rrugëve të projektuara që t’i afrojmë ato me qendrave tregtare të oligarkëve tanë?

Po ç’bëni, ju zotërinj prokurorë, me këtë anumeracion të së keqes? Ç’bëtë ju me sistemin e patronazhimit? 900 mijë shqiptarë janë përgjuar deri te fryma, deri te shtrati, deri te sëmundjet personale e zënkat me fqinjët. Çfarë bëtë ju për ta sjellë në vend dinjitetin e tyre? Asgjë, ju e shitën çështjen e patronazhistëve diku tjetër për moskompetencë. Se nuk po flas për Aktivistin.

Ç’bëtë ju zotërinj me dosjet 184 dhe 339 të zgjedhjeve të 15 prillit 2021? Asgjë, e shitët atë si një gjë shumë e vogël për t’u marrë ju të mëdhenjtë, edhe pse bandat kriminale bënë kërdinë cep më cep të Shqipërisë me solidaritet të plotë me shtetin?

Nuk di në ka ndonjë gjë më të madhe në këtë vend se të prekësh vullnetin e popullit në demokraci? Nuk ka pra, jo!

A mund t’ua thoni shqiptarëve nëse ia dini rrënjët dhe degët burimeve të financimit ndonjërës prej këtyre kullave të larta që keni para syve? Prokuroria italiane jua dha me zë e me shkrim përfshirjen edhe të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nëpër allashverishe me Ndragetën.

Por ju nuk e prekni dot atë, e para, sepse ai është Banka e Partisë Socialiste, pra banka e pushtetit, por edhe sepse eshtë eksponenti më korruptues që ka njohur shteti shqiptar në 100 e kusur vite të tij.

Ju nuk guxoni ta prekni atë as për çështjen e incineratorëve, edhe pse edhe bufi e di rolin e tij në vjedhjen që i bëhet çdo ditë qytetarëve të Tiranës për plehra që nuk digjen kurrë. Nuk e prekni, sepse siç i tha taksistit një kolegu juaj i mbetur peng në trafikun e tmerrshëm një natë shiu në Tiranë, nuk e prekni dot “kryeministrin e ardhshëm shqiptar”, siç ia ka mbushur ai mendjen vetes dhe mjedisit që e rrethon.

Ju i shërbyet atij në këtë ambicje duke ia hequr qafe sfidantin e tij më të madh, siç do t’ia hiqni edhe ndonjë sfidant a sfidante tjetër kur të vijë puna.

Lexoni shkrimin e fundit të Reporter-it të shihni gjëmën ekologjike që po i ndodh lumit të Erzenit dhe të gjithë territorit që lag ai prej landfillit të Sharrës deri në det. Nga të mbjellat e vaditura nga ato ujëra ushqeheni edhe ju, zotërinj prokurorë!

Ndihmojeni, pra, shtetin që të mos e korruptojë shtetin. Por bëjeni këtë jo duke i ardhur rrotull oborrit të korrupsionit e duke investiguar dhe hapur dosje për kundraxhinjtë dhe portierët e pallatit, ose për ca oborrtarë periferikë, por merruni me princërit e vërtetë ose guxoni të merreni me mbretin e korrupsionit. Ju siguroj se ju del dhe ju tepron çështja McConigal, për të cilën, për arsye të ditura botërisht, ju keni heshtur si vdekja.

I keni të gjitha privilegjet që shqiptarët mund t’ua garantojnë, e keni të gjithë pushtetin e mundshëm. Por shqiptarëve që ju kanë dhënë këtë privilegj, mos u kërkoni të bëjnë për edhe Pagesë e Frikës për ju. Ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë për të cilën jeni mandatuar, duke mos harruar se “mishi juaj mund të ketë frikë, po ju kurrsesi jo!”, siç thotë diku Borhesi.

Mbase kërkojmë shumë të themi se duam standarte europiane të drejtësisë, por ama nuk mund të jemi bishti në rajon, siç ka ndodhur deri tani. Mjafton shembulli i Kroacisë, Bosnjës, Bullgarisë, Rumanisë, edhe Maqedoninë e Veriut po deshët ku dy kryeministrave iu qendis tatuazhi i korrupsionit nga drejtësia funksionale.

Që të mos flas pastaj për Kosovën që po bën shtet europian, sepse po ta kujtoj atë, iu bie të fikët këtyre këtu, ngaqë u kujtoj turpërimin që Kosova iu bëri me refuzimin e “Open Ballkan”, për të cilin mu në këtë foltore u kanë shitur aq rrena shqiptarëve, sa e hodhën edhe vetë në kosh nga turpi, që të mos iu gdhendet si turp historik.

Read More
03 Kor
0

Fjala e Jorida Tabakut lidhur me reformën në drejtësi gjatë seancës së Kuvendit

Shteti i të drejtës ka qenë është e do të jetë garanci për demokraci funksionale, për të ruajtur balancat e pushteteve e për tu siguruar që ekzistojnë mekanizmat por njëkohësisht dhe garancitë se sistemi funksionon.

Po ditët e kohët e fundit besoj të gjithë mund ti kemi bërë pyetjen vetës: kush i kontrollon kontrollorët?

A kemi sot më shumë apo më pak drejtësi? A kemi sot më shumë apo më pak barazi para ligjit? Sa kohë i duhet një qytetari për të përfunduar një çështje në sistem gjyqësor, po një biznesi? A mbarojnë punë më shpejt investitorët e huaj apo shqiptarë? Po çështja e pronave është zgjidhur në kuptimin e drejtësisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të kemi parasysh kur pyesin a ka pasur rezultate reforma në drejtësi?!

Përtej çdo presioni, intimidimi, përtej çdo akuze e çdo sulmi, përtej baltës së rrugës e të parlamentit, sot sigurisht situata është ndryshe.

Sot situata është ndryshe, kuptohet që nga momenti kur ministri i drejtësisë sulmon SPAK-un e deri kur antarët e KLP-së numërohen sa majtas sa djathtas, kush është pro e kush është kundër qeverisë.

Sot, kur jepet një vendim gjyqësor, kur dëgjojmë për një të korruptuar a kriminel, një ish ministër a ish deputet nga qeveria e majtë në këtë rast, pyesim a e kish kaluar vettingun gjygjtari? Sikur vettingu të jetë garanci se vendimi është i drejtë.

A ka sot më shumë apo më pak influencë në gjyqësor, në vetting në drejtësi?

Kjo është pyetja që ne sot duhet ti përgjigjemi si deputet e si politikanë e ca nga ne dhe si votues të reformës në drejtësi, ca me hir e ca me pahir.

Një nga qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi ka qenë pikërisht shmangia e korporatizmit në sistemin e drejtësisë. Kuptohet, që të aplikohet ky parim duhet që institucionet e emërimeve në drejtësi të kenë parasysh etikën dhe parimet mbi të cilat u ngrit i gjithë sistemi i ri i drejtësisë.

Detyra e KLP është që të kryejë emërime sa më pak evazive që hapin sa më pak diskutime, që mendoj duhet t’i shkonin për shtat drejtësisë së re e nuk po ndodh. Sikundër gjykoj dhe besoj që emërimet në sistemin e drejtësisë duhet të përmbajnë disa kritere që shkojnë përtej kritereve teknike.

Prandaj i takon sot KLP e cila në dhjetor të 2022 kaloi një test jo të lehtë, praktika tregon që ka dëshmuar varësi politike dhe nuk e ka kuptuar akoma peshën që ka. Sikundër gjykoj që ne duhet të shohim mundësinë dhe se si mund të kontrollojmë KLP që kjo e fundit të mos jetë më kaq symbyllur ndaj problemeve që po shfaqen gjatë emërimeve në drejtësi dhe jo vetëm.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për KLGJ që duhet të mbushë boshllëqet për trupën e re të gjyqtarëve. Por, njëkohësisht edhe të jetë e kujdesshme në emërimet në gjykata, në gjykatën speciale që  ka një rol të veçantë në arkitekturën e re të drejtësisë.

Së fundi, jo për nga rëndësia dua të evidentoj një problem që e kam parë të preket shpesh edhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Në vitin 2015 kur u votua reforma në drejtësi një tjetër ndryshim ka qenë edhe decentralizimi i prokurorisë. Qe një masë, që kolegët e mi deputetë të asaj kohe dhe sot, e konsiderojnë një qasje më shumë administrative sesa një qasje politike. Por nga ana tjetër, këtu bëhet fjalë për një vendimmarrje politike.

Tani, dukshëm situata duhet të përkthehet  jo për të përforcuar apo centralizuar pushtetin por për t’i dhënë një forcë reale drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Fatkeqësisht pushteti i tij administrativ është shumë i zbehtë dhe më shumë ai duket se ka një rol dispatcher-i sesa si kontrrollor dhe si drejtues i prokurorisë.

Por nuk janë vetëm probleme si korporatizmit, situata me emërimet në gjyqësor apo dhe zhdukja e kompetencave tek drejtuesit e prokurorisë që po krijojnë probleme duke mbledhur anëtarë të një familje në një prokurori. Problem tjetër themelor është edhe mungesa e efiçencës e cila po krijon probleme jo veç në çështjet gjyqësore por edhe në hetimet.

Sot një qytetari i duhen minimalisht 10 vite për të pasur një çështje të përfunduar dhe të gjykuar në 3 shkallët, afate jashtëzakonisht të gjata që po e dëmtojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Vëmendja, me të drejtë, e qytetarëve dhe politikës mbetet te SPAK që është kurora e reformës në drejtësi. Por, askush nuk duhet të harrojë që një pjesë e hetimeve te SPAK-ut janë duke kaluar dhe tej afatit të hetimeve për çështje që përbëjnë interes të lartë publik, që po dëmton besimin e qytetarëve në sistem.

Çështje me interes të lartë publik që lidhen me vepra penale të funksionarëve të lartë publik duhet të jenë prioritare; sepse kjo ishte edhe një nga qëllimet thelbësore të krijimit të SPAK — ndëshkueshmëria e zyrtarëve që abuzojnë me detyrën, që korruptohen, që vjedhin si në rastin e inceneratorit te Tiranës.

Për t’u rikthyer dhe një herë tek pyetja e parë se kush i kontrollon sot kontrrollorët, a është dikush që e kontrrollon sot KLP-në, KLGJ-në  që të mos kthehen në organin që emëron persona në kundërshti me frymën e ligjit?

Sikundër na shtyn të mendojmë se çfarë ndodh me vendimet e tyre, se si përkthehen ato vendime sot në arkitekturën e sistemit të drejtësisë?

Dukshëm, seti i ndryshimeve kushtetuese që paraqet paketa e re e ndryshimeve ligjore që institucionet i kanë dërguar Kuvendit merret dhe me këto çështje.

Edhe njëherë parlamenti ëahtë shumë larg drejtësisë, të paktën në letra dhe në ligje, por është po ky institucion që ka në dorë kontrollin e buxhetit të këtyre institucioneve, në teori të pavarura. Ndaj është kjo forcë e portofolit, e buxhetit që ka parlamenti që duhet t’ia rrisi dhe kërkesën e llogarisë se çfarë po ndodh me betejën për një drejtësi të pa kapur nga politika, ashtu dhe nga kooperatizmi, kontrrolli nga keqmanaxhimi, nga nepotizmi, nga influencat e pandershme etj.

Sot, jo vetëm drejtuesit e institucioneve të drejtësisë por edhe çdo anëtar apo punonjës i tyre duhet të kuptojnë rëndësinë që kanë. Nuk mund të shesim fasadën e ndryshimit nëse në thelb kemi të njëjtat zakone ashtu si sistemi i vjetër. Kjo do të ishte një hipokrizi fatale për të gjithë.

Asnjë institucion drejtësie nuk ka pasur mbrojtjen, sigurinë, pavarësinë dhe super buxhetin që kanë institucionet aktuale. Asnjë institucion drejtësie nuk ka pasur mbështetjen ndërkombëtare dhe të partnerëve tanë strategjikë më shumë se sa këto 5 institucione.

Prandaj sot është jetike që të kemi rezultate konkrete, reale që çdokush të bëj dallimin dhe diferencën për një mision që ky parlament i ka caktuar këtyre institucioneve me Kushtetutë.

Prandaj, e përsëris, hipokrizi me një sistem fasadë nuk mund të bëjmë. Hipokrizi me një sistem ku pjesa më e madhe e emërimeve duket sikur janë ulur në prehrin e politikës por në të vërtetë influcohen përsëri po nga të njëtjat vese dhe zakone që influencoheshin dhe në sistemin e vjetër.

Këtë hipokrizi më së pari e nuhat media që e di më parë se ne se kush udhër arrestu ëahtë prerë. E nuhasin politikatën që flasin dhe sulmojnë SPAK-un. E nuhasin njëkohësisht dhe ministrat, ata në hetim dhe ata që do të hetohen. E nuhasin sigurisht ata që janë pushtet. A e keni vënë re që askush nga ata që kanë shkuar përpara SPAK-ut nuk mban më një funksion publik? A e keni vënë re që të gjithë çuditërisht përjashtohen, ju hiqen emërimet në momentin kur shkojnë përpara drejtësisë, madje shumë kohë më përpara?

Për mua ky është një problem shumë i madh, kjo ndarje e informacionit, kjo “transparencë” e organe e të drejtësisë me qeverinë, ky shkëmbim fluid interesas, sigurisht që është një problem që drejtësia e vjetër ia kaloi drejtësisë së re.

Nga ana tjetër, rekrutimet e gjyqtarëve me lista politike, me emërime partiake, nuk kanë arritur dot që ta ngrenë Shkollën e Magjistraturës në një nivel tjetër. Kontrolli i magjistratëve në detyrë; megjithëse pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë ka pasur me mijëra denoncime nga qytetarë dhe biznese, rastet kur  duhet të ishij marrë masa disiplinore, ato nuk janë të shumta.

Shumica e këtyre denoncimeve janë arkivuar për shkak se ka kaluar afati i parashkrimit të masës. Besoj që ILD është ngritur për këtë detyrë dhe ILD duhet patjetër që të mbështetet në këtë mision.

Se fundmi, krimet zgjedhore; unë kam qënë një ndër deputetet e vetme në këtë sallë që nuk e kam sulmuar asnjëherë SPAK-un, e kam mbështetur gjithmonë në punën e tij, ka treguar guxim por duhet të tregojë akoma më shumë, guximin që kjo sallë parlamenti nuk e ka parë akoma. Dua të përshëndes vendimin e prokurorisë speciale për hetimin e krimeve zgjedhore në kohë reale gjatë procesit zgjedhor, por fatkeqësisht akoma nuk kemi parë asnjë masë për hetimin e këtyre dosjeve. Dosja 339 dhe 184 që ka dhe ministër sot në qeveri që duhet të ishte përpara drejtësisë, fatkeqësisht nuk po hetohet.

Kjo do të jetë prova e lakmusit për sistemin e ri të drejtësisë, ata që sot i sulmojnë ata institucione, a do të shkojnë dot nesër përpara tyre?

Read More
03 Kor
0

Kush është dosja që Gazment Bardhi përmendi në Kuvend që i shërbeu Prokurorit të Përgjithshëm për t’u promovuar?

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u shpreh se Prokurori i Përgjithshëm ka marrë bekimin e mazhorancës, vetëm pasi provoi se është besnik i familjes kryeministrore dhe hodhi në erë një dosje të tërë.

Bardhi veçoi procedimin me nr.335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i cështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”.

Cilës çështje i referohet Gazment Bardhi dhe cili është personi i paidentifikuar rreth 45 vjeç, mbetet për t’u sqaruar.

Read More
03 Kor
0

Gazment Bardhi: Vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido

Kreu i i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në Kuvend shprehu kritika ndaj sistemit të drejtësisë në vend, ku tha se kjo e fundit po shërben si institucioni i qokave dhe ndereve, dhe nuk po i ofron qytetarëve reformën e premtuar.

Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD:

Drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta, as me rekomandime e as me këshilla në këtë sallë. Kështu e kam mbyllur fjalën time ekzaktësisht një vit më parë, ku njëlloj si sot miratonim rezolutat për institucionet e drejtësisë. Ka kaluar një vit dhe për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të bëjmë sikur rekomandojmë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vazhdojnë të bëjnë sikur punojnë. Kjo është tashmë një histori e njohur prej 32 vitesh – ashtu sic i njohur është edhe fakti që në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, kanë statusin të paprekshëm.

Ishte kjo drejtësia që ne donim të shëmbnim kur miratuam Reformën në Drejtësi me 140 vota në vitin 2016. Kërkuam të shëmbnim drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë e ndërhyrjeve politike, drejtësinë që ulte kokën përpara të paprekshmëve. Sot pas 8 viteve me keqardhje të thellë mund të themi që ende nuk ja kemi dalë.

Ne vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, vazhdojmë të kemi drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike, vazhdojmë të kemi drejtësinë që ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të mbuluar lirimin e paligjshëm të Saimir Tahirit, shpall në media pa ndodhur ende arrestimin e Vangjush Dakos.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar Arben Ahmetajn, pret sinjale publike nëpër studio nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ai jep sinjale se e ka lëshuar, prokurorët marrin kurajon jo vetëm ta hetojnë, por mundësisht edhe ta denigrojnë.

Në vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën këmbët e Kryeministrit, pret ti shkojë në sallë Ambasadorja Amerikane që të mos emërojë drejtues të SPAK një të preferuar të Edi Ramës, por dikë tjetër që ishte i vetmi që nuk pranoi ti shkojë si vartës Kryeministrit në zyre, kur ky i fundit tentoi të hapte konkursin kryeministror për të përzgjedhur ai vetë drejtuesin e SPAK.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke vecuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i cështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjec me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”.

Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetutese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabintetit të Elisës, ka një standart për bordin e ushqimeve dhe një standart për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë.
Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi. Ajo do jetë drejtësia juaj, por jo drejtësia që prisnin qytetarët. Ajo do jetë drejtësia e Kryeministrit, por jo drejtësia e qytetarit të zakonshëm. Ne do vazhdojmë me rekomandime, ato do vazhdojnë me qoka e ndere.
Gjatë këtyre ditëve ne jemi duke punuar disa ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi. Opozita është përfshirë në atë proces që në nisje, me bindjen e plotë që Reforma në Drejtësi duhet të ecë përpara, duke u përpjekur të shpëtohet aq sa mund të shpëtohet. Edhe në atë proces, unë dhe kolegët e mi jemi dëshmitar sesi institucionet e reja të drejtësisë më shumë kishin merakun sesi të rrisnin kompetencat e tyre, dhe jo sesi ti shërbenin më mirë qytetarëve.

Dua të jem fare i qartë; opozita mbështet dhe do të mbështesë cdo ndryshim që rrit eficencën dhe efikasitetin e sisitemit të drejtësisë. Por ne nuk do të mbështesim asnjë rol të shtuar të Prokurorit të Përgjithshëm; asnjë lehtësim të rregullave të hyrjes në sistemin e drejtësisë; asnjë favorizim apo lehtësim për anëtarët e KLP/KLGJ apo institucioneve të reja, që kërkojnë privilegje të shtuara për vehten.

Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që mendonin dhe besonin se kjo reformë do i jepte fund pandëshkueshmërisë, do të siguronte barazinë para ligjit, dhe do i hiqte përfundimisht statusin “të paprekshëm” një grushti njerëzish që kontrollojnë qeverisjes dhe ekonominë e vendit. Për të arritur këtë qëllim, vota jonë do të jetë gjithmonë pro. Por vetëm për këtë.

Qytetarët duhet të fillojnë të marrin mbrapsht besimin që investuan tek Reforma në Drejtësi, duhet të shohin që ato që deri dje gëzonin statusin “të paprekshëm” të ndjejnë frikën e asaj që quhet drejtësia e re. Koha është tani, sepse nesër është shumë vonë.

Read More
03 Kor
0

Tabaku i drejtohet PS: Lini pasdore ndryshimet në Reformën në Drejtësi dhe sillni me procedurë të përshpejtuar ligjin e kanabisit

Pjesë nga fjalimi i deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në Parlament:

Së dyti, sot ne diskutojmë raportet e inst të drejtësisë që ka interes. Ne të gjithë e përdorim drejtësinë si retorikë të ditës, sot I kemi përfaqësuesit në parlament për të na dëgjuar se kush janë shqetësimet tona. Ju kujtoj që nga shtatori I vitit të shkuar iinstitucionet e drejtësisë kanë paraqitur disa propozime dhe kërkesa në lidhje me ndryshimet.

Janë bërë 8 vite që është ndryshuar kushtetuta dhe miratuar paketa e ligjeve. Siç edhe kuptohet ka pasur probleme që lidhen si me zbatimin, me influencën politike, me shkollën e magjistraturës, me hapësirën që hapin këto inst me politikën.

Opozita ka qenë e hapur që të diskutojmë jo me listë dëshirash por me ndryshime që janë në një farë mënyre akomodim I interesave të individëve të caktuar. Por ne duhet të flasim për çfarë ka nevojë kjo drejtësi e re për të funksionuar? Ne po mbyllim sesionin dhe nuk jemi gati për të miratuar paketën e ndryshimeve të tjera në reformën në drejtësi.

Së treti, është prezantuar një ligj nga qeveria për kanabisin mjeksor. Për mua, nuk duhet në mënyrë absolute që të lihet për dy javët e fundit dhe të miratohet në seancën e fundit në parlament. Nëse ka diçka të nevojshme ky parlament është nevoja e ndryshimeve të paketës së reformës në drejtësi. Çfarë mund të bëjmë ne ndryshe? jo arnime! Si mund ta përmisojmë sistemin?

Paraqitja e ligjit për kanabisin mjeskor dhe heqja nga portal I diskutimit public për ta sjellë shepjt në parlament  pa I dhënë hapësirë as shoqërisë civile, as grupit të interest, donatrëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për mua lë dyshime. Në emër të PD kërkoj që mos ta nisim diskutimin mbi këtë ligj. Mos na vendosni përpara përgjegjësisë që të bëhen seanca maratonë ndërkohë që parlamenti ka qëndruar për muaj bosh pa shqyrtuar asnjë ligj.

Read More
03 Kor
0

“I uroj mirëseardhje Presidentit Clinton”, Tabaku: Do kish qenë e udhës të përshëndetej nga Kuvendi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i ka uruar mirëseardhje ish-Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, i cili viziton Shqipërinë ditën e sotme.

Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku u shpreh se do ishte më normale që Parlamenti t’i uronte mirëseardhje.

“E para, në emër të PD dua t’i uroj mirëseardhjen Presidentit Clinton në Tiranë. Ai ka bërë shumë për Shqipërinë, për kosovën, për shqiptarët ashtu sicc ka thënë; Ne fituam luftën, koha që jut ë fitoni paqen.

Do kish qenë normale që ky parlament t’I uronte mirëseardhjen por edhe kjo vizitë po trajtohet si një vizitë private” – u shpreh Tabaku.

Read More
01 Kor
0

KANDIDATI LULZIM BASHA, TAKIM ME DEMOKRATËT E KORÇËS

Në vijim të garës për kreun e ri të Partisë Demokratike, kandidatët në garë po vijojnë fushatën, e cila do të përmbyllet në 29 korrik 2023 me zgjedhjen e Kryetarit të ri të PDSH-së sipas parimit një anëtar një votë.

 

Fjala e kandidatit, Lulzim Basha me demokratët e Korçës:

Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.

Të lirë nga hijet e së shkuarës, kemi përgjegjësinë të japim një model te ri në politikbërjen e vendit. Me Aleancën Qytetare për Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.

Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejpërdrejt e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin.

Projekti ynë politik, pjesë e së cilës është dhe Platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Bashkë kemi mundësinë ta ndryshojmë këtë realitet dhe të çlirojmë potencialin e jashtëzakoshëm që ka Shqipëria!

Read More
30 Qer
0

KANDIDATI PËR KRYETAR, LULZIM BASHA, TAKIM ME STRUKTURAT E PD TË DEGËS NR. 2 NË TIRANË

Kandidatët në garë për Kreun e Partisë Demokratike po vijojnë fushatën, e cila do të përmbyllet në 29 korrik 2023 me zgjedhjen e Kryetarit të ri të PDSH-së sipas parimit një anëtar një votë.

 Kandidati LULZIM BASHA ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike të degës nr. 2 në Tiranë.

Fokusi i platformës tonë për ndryshim është tek e ardhmja, për t’u kthyer shqiptarëve besimin te vota dhe politika dhe për ta kthyer Partinë Demokratike në alternativën qeverisëse që shqiptarët meritojnë.

Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.

Sot ne kemi përgjegjësinë të japim një model tjetër në politikbërjen e vendit, që ka në fokus shpresat dhe ëndrrat e njerëzve, jo hallet e pak politikanëve.

Aleancë Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:

Listat e hapura;

Vetting-un e politikanëve;

Votën e diasporës;

Kufizimin e mandateteve.

Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, duke i dhënë çdo shqiptari fuqinë për të ndërtuar të ardhmen që meriton!

Read More
29 Qer
0

TAKIMI ME STRUKTURAT E DEGËS NR. 8 NË TIRANË, I KANDIDATIT PËR KRYETAR, LULZIM BASHA

Kandidatët në garë për Kreun e Partisë Demokratike po vijojnë fushatën, e cila do të përmbyllet në 29 korrik 2023 me zgjedhjen e Kryetarit të ri të PDSH-së sipas parimit një anëtar një votë.

Partia Demokratike do modernizohet, do hapet dhe do bashkohet rreth vlerave. Një parti ku do të vlerësohen kontributet e do të jetë e hapur për të rinjtë dhe të gjithë ata që ndajnë të njëjtat vlera me ne dhe që duan ta ndryshojnë Shqipërinë bashkë me ne.

Ndryshimi që kemi nisur në radhët tona, me vendime sa të vështira por po aq historike, është provë e gatishmërisë sonë për t’u përmirësuar, si instrumenti i vetëm që shqiptarët kanë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Përballja e gjatë dhe e vështirë brenda familjes sonë politike duhet të marrë fund, pasi koha provoi se ndihmon vetëm kundërshtarin tonë politik dhe duhet të përqëndrohemi tek hallet dhe problemet e shqiptarëve.

Ne nuk mund të humbasim kohë duke mbajtur kokën mbrapa, ndaj zgjasim dorën e bashkëpunimit ndaj kujdo që sot sheh nga e ardhmja dhe që e ka të qartë se rrugët e vjetra nuk të çojnë askund.

Në rrugëtimin tonë kemi zgjedhur të qëndrojmë pranë aleatëve dhe miqve të çmuar të shqiptarëve, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe. Bashkë me ta dhe në aleancë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshim, ne do ta çlirojmë vendin nga sundimi i oligarkëve politikë dhe ekonomikë, do të heqim nga supet e shqiptarëve zgjedhën e sundimit të njëshave, zgjedhën e kastës tridhjetvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e mbajtjes dhe mbrojtjes së pushtetit personal.

Vizioni ynë është demokracia pjesmarrëse, kontrolli dhe balancimi i pushteteve, përfshirja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e spacialistëve, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e ofertës politike, që na mundëson të federojmë gjithë faktorët opozitarë rreth projekteve dhe ideve që bashkëndajmë, në një kontrast të qartë me qeverisjen e korruptuar. Si alternativa më e mirë e jo si e keqja më e vogël.

Aleancë Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të çbejnë ato të 2008-ës, do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.

Read More
29 Qer
0

FJALA E KANDIDATIT PËR KRYETAR, LULZIM BASHA, ME STRUKTURAT E PD NË DEGËN 4 TË TIRANËS

Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.

Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!

Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.

Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.

Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në. Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt.

Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfluktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.

Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, tekas shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë.

Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë.

Read More