Mirë se keni ardhur!
Të nderuara gazetare dhe gazetarë,
Të dashur bashkëqytetarë!
Sot në Kuvendin e Shqipërisë, në krye të bashkive dhe në krye të qeverisjes së vendit ka ardhur gjenerata e dytë e kriminelëve.
Gjenerata e parë ishin vetë kriminelët, vrasës, përdhunues, trafikantë. Pas largimit të shumë prej tyre, për shkak të ligjit të dekriminalizimit nga Kuvendi i Shqipërisë dhe institucione të tjera të vendit, kriminelët ose kapën politikanët, ose dërguan në Kuvend dhe në institucione të tjera të vendit bashkëpunëtorët dhe familjarët e tyre.
Në Shqipëri skandalet dhe zullumet e qeverisë nuk i bëjnë më asnjë përshtypje qeveritarëve dhe kryeqeveritarëve. Por është atentat ndaj demokracisë, ndaj shtetit të së drejtës dhe ndaj popullit që sot në Kuvend kemi Çyrbjen, kemi Xhafajn, kemi Ballën, kemi në krye të Elbasanit Qazim Sejdnin, kemi në krye të Durrësit Dakon e kështu me radhë anembanë institucioneve qendrore dhe vendore të vendit.
Politikanët e lidhur me krimin sot bëjnë ligjin, marrin vendimet, bëjnë ligjet në Kuvend, marrin vendime nëpër bashki dhe janë të paprekshëm.
Ka vetëm një mënyrë për pastrimin e politikës, të kësaj gjenerate të re dhe më të sofistikuar të kriminelëve në politikë, vetingu.
Opozita, Partia Demokratike është pro pastrimit të drejtësisë, të politikës dhe të ekonomisë nga krimi dhe korrupsioni.
Ligji për dekriminalizimin i nisur dhe i imponuar me aksione politike nga Partia Demokratike, kontributi dhe votimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, miratimi i ligjit për SPAK dhe BKH-në, janë dëshmi të qarta dhe të prera të Partisë Demokratike.
Ligji që ne sapo kemi dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë është i thjeshtë dhe i qartë, ai ka për qëllim që ministri i policisë të mos ketë lidhje me krimin, Ministri i Drejtësisë të mos ketë lidhje me krimin dhe mbi të gjitha, kryeministri i vendit të mos ketë lidhje me krimin.
Në një vend ku Ministri i Brendshëm mbron dhe ndihmon trafikantët e drogës, ministri i Mbrojtjes fik radarët për gomonet e drogës, ku ministri i Financave financon koncesionet dhe PPP-të ku pastrohen paratë e drogës dhe ku ministri i Energjisë shkëmben tenderat publikë, licencat dhe lejet për votat dhe ku kryeministri ndihmon edhe trafikantët, edhe pastruesit e parave të drogës është një vend i destinuar të shuhet. Këtë ne nuk mund ta lejojmë.
Partia Demokratike dhe shumë shqiptarë të ndershëm kanë shpenzuar shumë energji, pafund, këto pesë vite për të përzënë dhe për të luftuar kriminelët që futi në politikë, në qeverisje dhe kudo Edi Rama.Në vend që ne të luftonim për investimet e huaja, për reforma ekonomike, për reformën në shëndetësi, për reformën arsimore; na është dashur të harxhojmë kohë, energji dhe përpjekje për të pastruar kriminelët e Edi Ramës.
Çdo gjë që kemi thënë dhe paralajmëruar është provuar e vërtetë.
Së fundmi u vërtetua edhe për naivët e pandreqshëm se njerëz si Rama dhe Xhafaj të lidhur me krimin nuk mund të sigurojnë as ligj, as rend në Shqipëri. Përkundrazi, qeverisja e tyre është vënë nën kontrollin e krimit siç vërteton Shkodra, Elbasani, Durrësi dhe e gjithë Shqipëria.
Sikundër u vërtetua paralajmërimi ynë, se krimi tashmë qëllim kryesor pastrimin e parave përmes kontratave qeveritare për punë publike dhe kapjes së sektorëve të ekonomisë.
U vërtetua po kështu paralajmërimi ynë se kriminelët do të fillojnë përplasjen dhe luftën mes tyre për pasuri dhe kontroll territori dhe do ta kthejnë Shqipërinë në një vend të destabilizuar nga krimi jashtë kontrollit qeveritar, ku nuk kursehen as jetët e pafajshme.
Shembujt konkretë janë para syve tuaj; Shkodra, Elbasani, Mamurrasi dhe ngjarje tronditëse e ditës së djeshme asgjësimi me snajper i informatorit të policisë në Memaliaj, janë dëshmi e qartë se falë bashkëqeverisjes së Edi Ramës më krimin, shteti ka rënë, Shqipëria qeveriset nga bandat dhe bosët e krimit të organizuar.
Që kjo situatë të marrë fund, nuk mjafton thjesht dhe vetëm vetingu i politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin, një aksion i fuqishëm politik dhe një aksion i fuqishëm popullor janë të domosdoshëm për një përballje dhe fitore të shoqërisë mbi krimin e lidhur me politikën dhe pushtetin e bërë njësh me krimin.
Por hapi që hedhim sot është tejet i rëndësishëm në materializimin e platformës së Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar, opozitës së bashkuar shqiptare për t’i dhënë fund një orë e më parë bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin dhe për të çliruar Shqipërinë dhe qeverisjen nga krimi.
Pyetje: Kryeministri Rama si dje përmes një statusi në “Fb” ashtu edhe sot në Asamblenë e PS-së është shprehur i gatshëm për të pranuar nismën e propozuar nga Partia Demokratike dhe opozita, për ndryshime Kushtetuese sa i përket vetingut, kësaj radhe jo vetëm në gjyqësor dhe polici, por edhe të politikës, madje duke filluar edhe nga vetë ai. Kur presim të shohim negociata me kryeministrin apo të bashkëpunoni për nismën tuaj kushtetuese?
Basha: Ligji është negociuar një herë. Dua që shqiptarët ta kenë të qartë, ky ligji është negociuar një here, sepse është ligji identik me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që është miratuar me konsensus të 140 votave.
Gjuha e ligjit është identike, po ta merrni dhe shikoni është e njëjta gjuhë që është votuar për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk ka mbetur asgjë për t’u negociuar. Negociatat bëhen për të arritur një gjuhë të dakordësuar, ne e kemi bërë dakordësimin, e kemi miratuar të njëjtin rregull, i njëjti rregull për gjyqtarët dhe prokurorët. Çfarë kemi propozuar? Të shtohen subjektet, pra të përfshihen politikanët. Kjo ose votohet ose rrëzohet. Ne do e votojmë pro. Opozita ka marrë një vendim në Elbasan që është materializuar në amendamentet kushtetuese që janë depozituar sot, për ta votuar pro. Ramën pyeteni, nëse do e votojë pro, apo jo. Ai ka vetëm një detyrë, të mos e pengojë, të mos e bllokojë në Parlament, ta sjellë neë seancë, për votim, ku ne do të marrim pjesë për të votuar pro vettingut për politikanët.
Pyetje: Rama përmes një statusi, si dje, edhe sot, në Asamblenë e PS-së tha se do ta votojë. Është shprehur i gatshëm.
Basha: Ku është pyetja?
Pyetje: A do të uleni së bashku në një tryezë z. Basha?
Basha: Me falni se ndoshta kërkon një përsëritje. Propozimi i opozitës për vettingun e politikanëve është identik me propozimin dhe dispozitën që Edi Rama, Fatmir Xhafa, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, kanë votuar për gjyqtarët prokurorët, madje edhe policët dhe gardistët. Çfarë propozojmë ne? Që i njejti rregull të vlejë dhe për politikanët. Çfarë ka këtu për të negociuar? Propozimi është depozituar: duhet apo nuk duhet vetting? Këtë duhet të thotë Rama në vend që të bëjë propagandë. Ne do të shkojmë për ta votuar pro! Ramën pyeteni; A do të votojë pro, apo kundër vettingut për politikanët.
Pyetje: Zoti Basha, ju si kryetar i opozitës, sa garanci jepni që ky propozim, kjo nisëm ligjore të mos jetë thjeshtë propagandë politike për faktin se edhe në vettingun në gjyqësor u angazhuat pothuajse në një ditë dhe më pas edhe vetë opozita e ka cilësuar si një process të dështuar. Dhe vettingu në politikë është shumë më i vështirë se në gjyqsor.
Basha: Përgjigjet ndaj kësaj pyetje jepen nga statistikat e dekriminalizimit dhe nga çfarë ndodhi me dekriminalizimin. Në dokumentet që do t’ju shpërndahen, do të shikoni qartë që janë dhjetëra e qindra funksionarë të lartë që janë larguar nga detyra për shkak të Ligjit të Dekriminalizimit. 6 deputetë janë larguar, 3 janë dorëhequr, 13 janë nën hetim, një kryebashkiak i shkarkuar, tre nën hetim, 45 drejtues të lartë të larguar, 110 zyrtarë të tjerë të niveleve të dyta janë larguar, 35 këshilltarë bashkiakë të shkarkuar, 21 këshilltarë bashkiakë të dorëhequr, 18 kandidatë për deputetë të larguar, 5 gjyqtarë të dorëhequr dhe 89 nëpunës lokalë të larguar për shkak të dekriminalizimit. Dispozita që ne paraqesim, i jep përgjigje transformimit të marrëdhënies midis qeverisë dhe krimit. Në fazën e parë Edi Rama solli kriminelët, trafikantët, përdhunuesit dhe vrasësit në Kuvend, poste drejtuese dhe në Bashki, tani i ka zëvendësuar me politikanë të lidhur me krimin dhe bashkëpunëtorë apo familjarë të kriminelëve. Ky Ligj, Vettingu për Politikanët, e pamundëson, që këta njerëz, që politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin, të vazhdojnë të bëjnë ligje në Kuvend, t’u bëjnë ligjin shqiptarëve. Pra, dekriminalizimi ka pasur sukseset e veta, ka detyruar autorin e kriminalizimit të ndryshojë strategji. Kjo është përgjigjia ligjore, kushtetuese që opozita sjell, alternative, për ta pastruar politikën nga politikanët e korruptuar dhe të liodhur me krimin. Dhe të jeni të sigurtë se me kalimin e këtyre dispozitave kushtetuese, nuk do të ketë asnjë hapësirë për politikanët e lidhur me krimin, të vazhdojnë detyrat e tyre si deputetë, ministra apo drejtues të lartë të shtetit apo pushtetit vendor.
Pyetje: Kryeministri u shpreh i gatshëm që do të votojë vettingun në politikë, por tha që këtë do ta bëjë drejtësia shqiptare. Sipas jush kush duhet ta bëjë vettingun e politikanëve?
Basha: Drejtësia dënon dhe çon në burg politikanët e lidhur me krimin, politikanët e korruptuar që kanë zhvatur pasuritë publike. Ky është roli i drejtësisë së reformuar. Dhe këtu është edhe problem i Edi Ramës me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë politikanët e lidhur me krimin dhe politikanë të korruptuar. Ndërsa vetting si pjesë e dekriminalizimit i largon ata nga istitucionet. Janë dy proçese paralele. Vetting i politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin ndërpret mandatet e deputetëve të lidhur me krimin, e kryebashkiakëve të lidhur me krimin, e drejtuesve të lartë të qeverisë, të shtetit, të kryebashkiakëve të lidhur me krimin dhe natyrisht që drejtësia ka për detyrë t’í përballë me ligjin dhe në bazë të ligjit t’i dënojë dhe t’i çojë aty ku e kanë vendin. Janë dy proçese paralele dhe nuk ka asnjë keqkuptim përveçse ata që duan të kenë keqkuptime. Propozimi është i thjeshtë dhe i qartë. Vetting për politikanët e lidhur me krimin, largim të menjëhershëm të politikanëve të lidhur me krimin nga institucionet. Ndërprerje të mandatit dhe pamundësinë për të garuar apo për t’u emëruar në detyra të larta shtetërore. Projekt-ligji është në Kuvend, teksti është identik me të gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe gardistëve, janë të njëjtat norma juridike, pra negociatat për tekstin janë kryer dhe janë votuar nga të dyja palët. Tani ka ardhur koha të shprehen, poo se jo. Pro apo kundër vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.
Pyetje: Zoti Basha, që ta kuptojmë më mirë. Ju kërkoni që të nisni një proçes të ri, atë të vettingut në politikë, pa u mbyllur më parë vettingu në drejtësi. Kemi ende të bllokuar Shkollën e Magjistraturës. Ju sapo keni bërë publik një nismë të re dhe thoni nuk ulem me Edi Ramën pasi nisma është e njëjtë me atë të vettingut në drejtësi. Por ama nga ana tjetër edhe mazhoranca ka prej sesionit të shkuar që ju thotë, hajde ulemi të zhbllokojmë Shkollën e Magjistraturës dhe opozita as nuk pranon që të çojë një propozim që të zhbllokohet kjo Shkollë, madje as nuk pranon të ulet me Edi Ramën. Çfarë do të bëni z. Basha? A lexohet kjo si frikë për t’u ulur me Edi Ramën? A duhet patjetër që opozita t’ia bëjë si fakt të kryer mazhorancës? Nuk është e mirë që të uleni, të mbyllni një proçes siç është ai i drejtësisë? Të hapim një proçes të ri?
Basha: Së pari, opozita ka paraqitur një platformë për Reformën në Drejtësi, ku besoj që gjithësecili prej jush ka qenë i pranishëm në këtë sallë kur unë e kam bërë atë publike. Nuk është e vërtetë që ne nuk kemi paraqitur propozime. Ne kemi paraqitur propozimin tonë për Reformën në Drejtësi. Pikë. Çështja që parashtrojmë sot është vettingu i politikanëve të lidhur me krimin. Njerëzve të faktuar si bashkëpunëtorë të krimit organizuar që bëjnë ligje në Kuvendin e Shqipërisë, që ndajnë paratë publike, që japin tendera dhe konçesione banditëve të dënuar për drogë, anëtarëve të bandave kriminale dhe, si rezultat i këtij bashkëpunimi të hapur, kësaj bashkëqeverisje me krimin, Shqipëria po degradon dita ditës.
Dje, u vra infomatori i policisë më snajper. Sa duhet të presim që të humbasin jetën e të vriten rrugëve për shkak të kapjes së Ministrisë së Brendshme nga krimi i organizuar? Për shkak të Kuvendit dhe mazhorancës nga krimi i organizuar? Për shkak të kapjes së kryeqeveritari nga krimi i organizuar. Sa kohë duhet të presim.
Pyetja është retorike se nuk pres të më thoni ju, sepse është e qartë besoj për ju dhe për çdo shqiptar se kjo çeshtje nuk pret. Kjo është një emergjencë kombëtare. Kjo është është arsyeja pse ligji është depozituar sot.
Ne do ta votojmë pro, Edi Rama ka për detyrë vetëm mos ta bllokojë, mos ta pengojë dërgimin në seancë plenare ku ne do të shkojmë dhe do të votojmë pro. Dhe ka për detyrë t’ju përgjigjet ju nëse ai do ta votojë pro apo kundër vettingun e politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Pyetje: A na duhet më parë të kemi një drejtësi të pakapur dhe të fortë? A duhet më parë opozita të japë kontributin e saj për të përfunduar reformën në drejtësi?
Basha: Opozita është tërësisht e angazhuar për një drejtësi të pakapur politikisht. Dënimi i politikanëve do të bëhet nga drejtësia!
A po sugjeroni që deri sa drejtësia të dënojë politikanët e korruptuar, politikanët e lidhur me krimin të vazhdojnë të bëjnë ligjin në Shqipëri? Nuk besoj se po sugjeroni këtë!
A ka shqiptar që të thotë sot: t’i mbajmë në Kuvend dhe në bashki, në qeveri, deputetët, ministrat, kryebashkiakët e lidhur me krimin deri sa të reformohet drejtësia e t’i denojë?
Drejtësia do të bëjë detyrën e saj, ne kemi detyrën tonë para qytetarëve. Detyra jonë është që këta politikanë t’i nxjerrim një orë e më parë nga institucionet. Me të njëjtën normë, me të njëjtat parime që po nxirren gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët nga sistemi.
Pyetje: Çfarë ndodh nëse kryeministri Rama nuk do ta votojë projektligjin ashtu siç ju e keni përgatitur dhe të kërkojë ndryshime ose propozime të reja? A po kërkoni që ky projektligj të miratohet ashtu siç ju e keni hartuar?
Basha: Edhe njëherë dua ta bëj të qartë për ju që edhe ju t’ua bëni të qartë qytetarëve, në qoftë se ju lejojnë t’ua bëni të qartë, sepse disa prej mediave u përfshinë në një fushatë keqinformimi mbrëmjen e djeshme- t’jua bëni të qartë qytetarëve se ligji është identik si ligji për gjyqtarët dhe prokurorët, por janë shtuar politikanët.
Pra, Edi Rama nuk ka pse mos ta votojë këtë ligj. Qeveria nuk ka arsye se pse mos ta miratojë dhe nuk ka arsyje pse ta shtyjë, sepse si do ta shpjegojë Edi Rama që një polic i thjeshtë, një roje në shërbim në një fshat të thellë të Shqipërisë i nënshtrohet këtyre rregullave ndërsa politikanë, ministri i tij i brendshëm nuk i nënshtrohet.
Si mundet që një polic i thjeshtë ta humbë vendin e punës se rri me kriminelë, ndërsa ministri ta mbajë vendin e punës dhe të rrijë me kriminelë!
Pra, nuk ka asnjë arsye të mos e miratojë. Natyrisht se çfarë do të bëjë do ta zgjedhë Edi Rama. Ne do të bëjmë të gjithë llojet e presioneve që të miratohet e të zbatohet sa më parë.
Një gjë është e qartë për ne: Një organizatë, një institucion ku bën pjesë Çyrbja, Xhafa, Balla dhe vetë Rama, nuk mund të jetë një vend ku bëhet ligji dhe ku mbrohet drejtësia dhe demokracia.
Edhe ligjin e dekriminalizimit nuk e deshi, a e mbani mend? Shqiptarët e mbajnë mend: nuk e deshi dhe pasi e miratuam u përpoq të mbronte kriminelët që i kapte ligji. Një për një! Ka nevojë t;i marrim me erma? Ju kujtohen?
Ia dolëm për ligjin e dekriminalizimit edhe kësaj rradhe do t’ia dalim. Ligji i dekriminalizimit pati sukseset e veta.
Edi Rama ka transformuar marrëdhënënien me krimin, duke sjellë politikanë të lidhur me krimin dhe bashkëpunëtorë dhe familjarë të krimit në isntitucionet shtetërore. Vettingu për politikanët do t’i japë fund edhe kësaj forme të re të bashkëpunimit të qeverisë me krimin.
Pyetje: A jeni konsultuar me faktorin ndërkombëtar lidhur me këtë projektligj?
Basha: Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe shumë produktiv me faktorin ndërkombëtar, tashmë jo thjeshtë në rrafshin e ndarjes së shqetësimeve të thella për destabilizimin e Shqipërisë nga krimi, por edhe në rrafshin e hartimit të një alternative se qartësisht Edi Rama dhe qeveria e tij jo vetëm nuk janë më një alternativë e pranueshme dhe e besueshme, por përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e Shqipërisë dhe të rajonit.
Pyetje: Kryeministri Rama në fakt u shpreh i gatshëm të bëjë vetting për vete, për gruan, për kunatin, për ju, për kunatin tuaj e me rradhë. Pse thoni se ky është një refuzim nga ana e kryeministrit?
Basha: E para nuk kam thënë për asnjë moment se çfarë është ajo që po bën Edi Rama. Natyrisht për mua është propagandë, por mëqë më pyetët është propagandë e pastër. Tani nuk është më koha të flasim, por të veprojmë. Ligji është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe ne do ta votojmë dhe jemi pro këtij ligji. Pyeteni Edi Ramën është pro apo Kundër! Kjo e ndan shapin nga sheqeri.
Pyetje: Zoti Basha, ju tashmë keni prezantuar një platformë, por që me fillimin e sesionit të ri parlamentar keni bojkotuar Kuvendin. Si do vijojë në vazhdim raporti me maxhorancën? Do të vazhdoni të bojkotoni seancat dhe komisionet?
E dyta: Ju paralajmëruat që përveçse ligjit nuk mjafton por duhet dhe duhet organizuar një aksion opozitar dhe popullor. Po përgatiteni për këtë dhe kur do të ndodhë?
Basha: Përgjigja për të dytën është: Po. Natyrisht ne do të ju mbajmë të informuar në mënyrë të vazhdueshme, siç kemi bërë deri më sot.
Për të ju kthyer të parës, ne po bëjmë ligjin. Opozita, pesë ditë nga nisja e sesionit ka çuar ligjin në Parlament. Ky është lajmi!
Ne po bëjmë ligje.
Jemi ne që kemi propozuar vettingun për politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Kjo është në interes të njerëzve, kjo është në interes të popullit. Do të përpiqemi ta miratojmë këtë ligj në Kuvend.
Nuk duam ta bojkotojmë Kuvendin, por duam ta pastrojmë Kuvendin menjëherë. Kjo është e rëndësishme. Pastaj se çfarë dinamike do të marrin zhvillimet politike, kjo varet natyrisht edhe nga faktorë jashtë vullnetit të opozitës, që kanë të bëjnë me vullnetin e një pale në këtë process, që është pjesa kryesore e problemit dhe që është qeveria e lidhur me krimin.
Pyetje: Në qoftë se kjo nisëm do të miratohet, keni marrë parasysh se mund të largohen edhe bashkëpunëtorët tuaj?
Basha: Kjo është një pyetje pa pikë lidhjeje, sepse ky ligj vjen si vullnet i përbashkët i Partisë Demokratike, i aleatëve tanë, i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një sërë partish të tjera opozitare joparlamentare. Pra, ky ligj bëhet për t’i dhënë shqiptarëve një elitë politike të palidhur me krimin.
Ky ligj bëhet për t’i shërbyer shqiptarëve, sikundër u bë dekriminalizimi për t’i shërbyer shqiptarëve. Në qoftëse mendoni se Partia Demokratike ulet të bëjë ligje për veten e vet apo për bashkëpunëtorët e kryetarit, e keni gabim.
Ka një parti tjetër që ka marrë peng Parlamentin, ka marrë peng qeverinë, ka marrë peng Shqipërinë për Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij kriminalë.
Pyetje: Unë do të kisha një kuriozitet në aspektin teknik të saj që propozoni ju. Ligji që u miratua për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve përcaktoi një numër të saktë prej 802 prokurorë dhe gjyqtarë, ka një vlersim PD, sa është numri I politikanëve që do të përfshihen në vetting?
Basha: Po, ligji i ka të qarta edhe rangjet dhe përmes rangjeve ju mund të bëni transparente edhe shumatoren se sa funksionarë shtetërorë do të përfshihen. Padyshim, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e kabinetit të Këshillit të Ministrave, krerët e institucioneve Kushtetuese dhe ligjore të vendit dhe kryebashkiakët e vendit. Pra i gjithë skalioni i parë I politikës do të përfshihet në vettingun e politikanëve të lidhur me krimin dhe politikanëve të korruptuar sipas amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë.
Pyetje: Për të qenë të qartë, vetingu që ka kërkuar Partia Demokratike, parashikon vetëm kalimin në vetting për lidhjet me krimin, apo edhe kalimin në vetting të të gjithë klasës politike edhe për sa i përket pasurisë, sipas komponentëve të parashikuar edhe në vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët?
Basha: Që të mos ju lë asnjë dyshim, po e lexoj paragrafin e ligjit fjalë për fjalë:
“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë, drejtues apo aëntarëve të institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës, terminologji që është përdorur, edhe për dekriminalizimin, edhe për ligjin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Subjektet e parashikuara dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar bazohen në deklaratën për figurën dhe në prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja”.
A duket i njohur si tekst? Sepse është i njëjti tekst si për gjyqtarët, si për prokurorët, i votuar nga Rama, Xhafa dhe Balla me shokë. “Deklarata mund të përdoret si provë në këtë proces dhe në asnjë rast tjetër në ndonjë proces penal” – është vazhdimi i të njëjtit tekst si në vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët.
“3. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakt me persona të krimit të organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra dhe subjekti ka detyrimin për t’u mbrojtur. E njëjta teknikë si për gjyqtarët dhe prokurorët.
- Nëse subjekti i përmendur në pikën 1, nuk e dorëzon në kohë deklaratën apo përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra dhe subjekti ka detyrimin për t’u mbrojtur. i njëjti mekanizëm si për gjyqtarët dhe prokurorët.
5 – dhe po i përgjigjem pyetjes tuaj – kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë, sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra. “
Pra qartësisht politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar janë subjekt i ligjit, janë subjekt i vettingut.
Pyetje: Zoti Basha, ju tashmë e keni dërguar ligjin në parlament dhe prisni miratimin e mazhorancës, por mbasë ky vendim mund të zgjasë. Ndërkohë që janë edhe punë të tjera që duan ndërkohë bashkëpunimin tuaj dhe të mazhorancës, siç është reforma zgjedhore. Ky është një komision që u shty edhe për gjashtë muaj, por ekziston një shqetësim, sepse zgjedhjet lokale po afrohen. Si do vazhdojë raporti juaj me mazhorancën?
Basha: Do të keni një informacion të hollësishëm për këtë dhe për çdo çështje tjetër që ka të bëjë me aksionin politik. Sot vëmendjen do ta mbajmë tek vettingu i politikanëve, largimi i politikanëve të lidhur me krimin, shporrja e tyre nga institucionet dhe nga jeta politike dhe publike e shqiptarëve, që të mos bëjnë më ligje dhe të mos marrin më vendime për shqiptarët.
Pyetje: Zoti Rama ka deklaruar se ka ngarkuar kryetarin e grupit parlamentar dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për të kontaktuar me ju, lidhur me këtë propozim. Nuk e di, nga dje deri më sot, a ka patur një kontakt mes dy palëve?
Basha: Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë kontakt jashtë procedurës parlamentare që është vënë në lëvizje sot. Opozita dhe Partia Demokratike me depozitimin e projektligjit që mbart firmat e Partisë Demokratike, aleatëve tanë, Lëvizjes Socialiste për integrim, prandaj po ua them qartë dhe prerë, koha për të dredhur bishtin mori fund gjysëm ore më parë. Edi Rama ka për detyrë që t’ju përgjigjet ju dhe shqiptarëve, do të votojë pro apo kundër vettingut për politikanët. Nëqoftëse do të votojë pro, ligji është në Kuvend, me të njëjtën gjuhë si ligji për gjyqtarët dhe prokurorët. Ne do të votojmë pro. Ai ka vetëm një detyrë, mos ta vonojë asnjë moment, ta sjellë menjëherë në seancë, ne do të shkojmë në seancë e ta votojmë atë.
Ju faleminderit!
Read More