Blog

15 Shk
0

Frika ka vdekur, kurajo qytetare do marrë fatet e vendit në dorë

Shkodër/Lulzim Basha thirrje për bashkimin e madh të 18 shkurtit në Tiranë, mes rinisë shkodrane

“Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë, njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen, njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt”, u tha Lulzim Basha të rinjve sot në Shkodër, të mbledhur në një takim që paralajmëron mbështetjen për protestën e madhe të 18 shkurtit në Tiranë.

“Ndaj, le ta japim edhe nga Shkodra mesazhin që po dëgjohet në çdo cep të Shqipërisë. Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër, dhe se kurajoja qytetarë do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën me datë 18 Shkurt në Tiranë”, u shpreh Basha mes entuziasmit të rinisë shkodrane, e mbledhur në sheshin 2 prilli.

Kryetari i Partisë Demokratike i ka informuar të rinjtë se ai ka një projekt që siguron shanse për ta, për punësim e mirëqënie, që askush të mos e braktisë vendin por ta ndërtojë të ardhmen këtu.

Projekti i z.Basha ofron stazh të paguar për 10 mijë të diplomuar në vit, por gjithashtu do të ketë mbështetje të vecantë për idetë dhe kreativitetin e tyre, që sjellin mirëqënie dhe zhvillim.

Por që të ketë një qeverisje për të rinjtë, për qytetarët, për njerëzit dhe jo për një grusht të korruptuar qeveritarësh, duhen mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e lira e të ndershme sigurojnë ndryshimin e madh në vend.

Basha tha se garancia më e madhe e ndryshimit të Shqipërisë janë të rinjtë, dhe pikërisht rinisë i frikësohet më shumë kasta e korruptuar dhe kriminale që është në pushtet, që kërkon të ndalojë ndryshimin, duke mos lejuar zgjedhje.

Më poshtë, mesazhi i plotë i Lulzim Bashës sot në Shkodër

Erdha për këtë takim me rininë shkodranë, me demokratët shkodranë, me qytetarinë shkodrane, për t’i ftuar ditën e shtunë në orën 12:00, në bashkimin më të madh popullor që ka njohur Shqipëria në 27 vite.

Erdha për një takim por po më prisni me një manifestim madhështor që tregon se Shkodra si gjithmonë është gati t’i prijë ndryshimit dhe ndryshimi po vjen. Koha e mashtrimeve po mbaron, koha e batakçinjve po mbaron, koha e kriminelëve po mbaron. Po vjen ora e shkodranit të ndershëm, po vjen ora e shqiptarit të ndershëm.

Për katër vite me radhë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë janë braktisur, janë harrur, janë vjedhur, shkelur dhe nëpërkëmbur në dinjitetin dhe pasurinë e tyre, janë zhgënjyer nga premtimet për 300 mijë vende pune, taksa të ulëta, çmime të ulëta, energji e shëndetësi falas, që nuk u bënë kurrë realitet.

Realiteti është krejt ndryshe, një Shkodër e tërë, një Shqipëri e tërë e zhytur në depresion ekonomik për shkak të taksave të larta, çmimeve të energjisë dhe karburanteve më të lartat në rajon, e mbi të gjitha për shkak të një qeverie arrogante, hajdute dhe bërë palë me krimin.

Pasi vodhën dhe zhvatën pasuritë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pasi futën duart e tyre të gjata dhe të pista, në xhepat e çdo kryefamiljari, në çdo vatër dhe çdo shtëpi shqiptarësh, sot kanë frikë të përballen me gjykimin e qytetarëve me votë të lirë e të ndershme.

Ndaj kanë bërë pakt me krimin për të ndaluar të drejtën themelore të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ndaj kanë bërë pakt me kriminelët, me banditët për të vjedhur, zhvatur votën e shqiptarëve, por le ti themi sot nga Shkodra e të shtunën në Tiranë, që zgjedhje me banditë nuk do të ketë, që banditët, krimi, të korruptuarit, nuk do të marrin dot peng vullnetin e shqiptarëve.

Anembanë Shqipërisë ku kam qenë këto ditë, ku kam takuar njerëz, qytetarë, pensionistë, sipërmarrës e mbi të gjitha të rinj dhe të reja, kam parë dhe dëgjuar me veshët e mi, kam parë dhe kam prekur, jo vetëm mjerimin, hallet e njerëzve por edhe shpresën dhe besimin që po ngrihet si nga hiri.

Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë. Njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen. Njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt.

Me 18 shkurt nis një lëvizje e madhe popullore, lëvizje e shpresës dhe besimit se Shqipëria dhe Shkodra do të jenë ndryshe.

Se qeveria që do të vijë do të jetë një qeveri e njerëzve dhe jo një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Se qeveria që do të vijë, taksat e shqiptarëve, taksat e shkodranëve nuk do t’i bëjë rrush e kumbulla, nuk do t’i vjedhë me projekte fasada, por do t’i kthejë në punësim dhe investime, do t’i kthejë në mirësi për çdo familje shqiptare.

Se në vitin 2017, nuk mund të pranojmë e as nuk do të pranojmë më mjerim të standardeve afrikane për shqiptarët.

Se në qeverisjen që po vjen nuk do të ketë asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita anembanë Shqipërisë.

Se paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk do të vidhen dhe shpërdorohen duke i lënë spitalet pa ilaçe, shkollat pa ngrohje, duke ngarkuar me mbi faturime në kurrizin e familjeve që nuk mbajnë dot më.

Por, me taksa më të ulëta, me investime që ndihmojnë jetën e qytetarëve, do të hapim vende pune për të gjithë shqiptarët e në veçanti për rininë.

Studentët shkodranë, të rinjtë shkodranë që sot kanë vetëm një rrugë, atë të largimit nga Shqipëria, në qeverisjen e ardhshme do të kenë një vit stazh të paguar nga taksat e shqiptarëve që sot vidhen dhe shpërdorohen nga një grusht hajdutësh.

Dhe kështu, do t’i shërbejmë një ekonomie që punëson, një të nesërme të sigurt për çdo shqiptar, do t’i shërbejmë paqes sociale.

Nuk do të ketë më kryefamiljarë apo të rinj dhe të reja që zgjohen me ankth dhe bien të flenë me ankth. Shqipëria e të nesërmes do të jetë një Shqipëri e paqes, e harmonisë, e punës dhe e mirësisë për çdo shqiptar.

Njerëzit do vlerësohen sipas punës dhe meritës. Nuk do jetë Shqipëria jonë Shqipëria ku kriminelët bëjnë para dhe pushtet, bëhen deputetë dhe kryebashkiakë dhe shtypin e zhvasin qytetarët e pafajshëm.

Shqipëria që do ndërtojmë sëbashku, do jetë Shqipëria e drejtësisë ku ç’do qytetar dhe qytetare, ku çdo i ri dhe e re, ku çdo shqiptar do ketë mundësinë që në bazë të punës dhe kreativitetit të tij, të ndërtojë, të realizojë, të sigurojë mirëqenie, të ndërtojë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, ai, ajo, dhe fëmijët e tyre. Ndërsa kriminelët dhe krimi do përballen me forcën e hekurt të ligjit. Ju jap fjalën se bandat dhe qeveritarët e korruptuar kanë vetëm një të ardhme: Përballjen me drejtësinë dhe prapa hekurave të drejtësisë.

Ata e dinë se nuk mund ta ndalin këtë ndryshim. Shpresa e vetme ka qënë ta zbrazin Shqipërinë nga ata që kërkojnë ndryshim. Në radhë të parë nga rinia.

Rinia është një rrezik i madh për krimin dhe qeveritarët e korruptuar sepse ka energjinë, idetë dhe idealizmin për t’u përballur dhe për të fituar.

Nga ky shesh historik ku Shkodra shënoi historinë e re të demokracisë shqiptare me rininë shkodrane dua t’i jap mesazhin, çdo të riu e të reje, anembanë Shqipërisë, se Shqipëria që po vjen do jetë mbi të gjitha Shqipëria e ëndrrave tuaja, Shqipëria e rinisë shqiptare.

Të gjithë bashkë, do bëjmë të mundur që ëndrrat tuaja të mos nëpërkëmben më. Që ju mos të harroheni e mos të braktiseni më kurrë.

Kurrë më nuk do harrohet dhe braktiset Shkodra. Kurrë më nuk do nëpërkëmbet e nuk do poshtërohet Shkodra.

Por që të ndodhë kjo ne duhet të garantojmë të gjithë sëbashku me forcën e bashkimit popullor, zgjedhje të lira e të ndershme.

Zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i qeverisë së korruptuar, janë fundi i bandave. Më 18 Shkurt, të Shtunën në orën 12, Shkodra dhe Vlora, Korça dhe Durrësi, Gjirokastra dhe Elbasani, Fieri, Lushnja, Kavaja dhe gjithë Shqipëria bashkohet në Tiranë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të diktuar me fuqinë e bashkimit një qeveri të qytetarëve dhe një ndryshim për jetën e ç’do shqiptari. Një ndryshim pozitiv për jetën e ç’do shqiptari.

Kjo që po nisim nuk është thjesht rruga drejt rrotacionit politik. Kjo është një lëvizje popullore që njëherë e përgjithmonë do diktojë politikën në shërbim të njerëzve, politikën në shërbim të qytetarëve.

Ndaj, le ta japim edhe nga Shkodra mesazhin që po dëgjohet në ç’do cep të Shqipërisë. Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër, dhe se kurajoja qytetare do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën me datë 18 Shkurt në Tiranë.

A do t’i prini ju? Atëherë edhe unë do i prij bashkë me ju deri në fitore.

Read More
15 Shk
0

“Shqipëria humb 11 vende prej inefikasitetit, paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë”

Opozita prej ditësh disponon raportin e fundit të “Heritage Foundation” që fatkeqësisht e vendos Shqipërinë 11 vende më poshtë sesa viti 2013. Ashtu sic biznesi e di edhe raportet ndërkombëtare shprehen të shqetësuara për regresin që po ndodh me politikat ekonomike në Shqipëri ku shqetësues mbetet borxhi i lartë publik, presioni i lartë fiskal dhe shpenzimet publike jo efikase.

Duam t’ju kujtojmë se në 15 janar të vitit 2014 Ministri i Ekonomisë Ahmetaj krenohej se “Heritage Foundation” i kishte dhënë qeverisë së Rilindjes “të parin vlerësim cilësor në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lirisë së të bërit biznes në Shqipëri”. Sipas tij në raport “përmendej pozitivisht ambicia e vendit dhe e Qeverisë Rama”. Duke qënë se ky raport i fondacionit prestigjoz ”Heritage” më qendër në Uashington është një tregues që qeveria Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm në atë kohë dhe është një mënyrë e pavarur për të matur performancën e reformave ekonomike në vend, është shqetësuese që pas katër vitesh në pushtet për shkak të politikave ekonomike të gabuara ne kemi humbur 11 vende.

Ministri Ahmetaj dhe Kryeministri Rama thonë se reformat e tyre po japin frytet pozitive. Por në realitet ne kemi ecur prapa me 11 vende!!! Reformat ekonomike të paqarta, të pamenduara e të njëanshme ndaj biznesit kanë përkeqësuar lirinë ekonomike në vend. Në muajt e fundit të qeverisjes së Rilindjes Fondacioni Heritage me qendër në Uashington thotë se Kryeministria po i le bizneseve një klimë të përkeqësuar duke e renditur vendin e 65-të nga 54 që ishte në vitin 2014.

Heritage Foundation shprehet se “sistemi gjyqësor mbetet jo efikas dhe vulnerabël ndaj ndërhyrjes së politikës”. Por ajo që theksohet si një përkeqësim i klimës së biznesit është KORRUPSIONI.

Ndërkohë që Rilindja pretendonte se e gjeti arkën e shtetit bosh, Heritage Foundation shprehet e shqetësuar se “zgjerimi i shpenzimeve qeveritare ka cuar në deficit buxhetore dhe në zgjerim të borxhit publik në vitet e fundit”.

E vetmja gjë që mund të bëjë një qeveri është t’i ofrojë biznesit një administratë efikase dhe profesionale. Por për Heritage Foundation, institucionit më me peshë në politikat e administratës së Republikanëve në SHBA, Shqipëpria ka përfunduar me një administratë që është barrë për të bërë biznes pasi sipas saj “administrata është e rrënuar nga inefikasiteti, paaftësia dhe nga korrupsioni”.

Ne mendojmë, ashtu si dhe Heritage Foundation, se liria ekonomike është e drejta themelore e çdo njeriu për të qenë zot i punës dhe pasurisë së tij.

Në një shoqëri me liri ekonomike, individët janë të lirë të punojnë, prodhojnë, konsumojnë dhe investojnë në çdo mënyrë që e shohin të përshtatshme. Liritë ekonomike janë të siguruara vetëm kur pushteti është i kufizuar. Të kesh politika ekonomike probiznes do të thotë të jesh në gjendje të kuptosh sesi krijohet pasuria, e cila nuk vjen nga urdhërat e politikanëve, por nga njerëz të lirë që punojnë sëbashku, që krijojnë, kursejnë, investojnë, blejnë e shesin, dhe të gjitha këto nën respektin për pronën dhe të drejtat e të tjerëve. Politika pro-biznes do të thotë presion fiskal i kufizuar. Do të thotë më pak qeveri më shumë liri.

Ndaj në ditën e parë të qeverisjes Partia Demokratike do të vendosë tatim fitimin për bizneset në 9% për të lehtësuar biznesin shqiptar nga taksa e komplikuar progresive e për të nxitur punësimin e rritjen ekonomike. Sepse ne e dimë se sipërmarrja e lirë është thelbi i një shoqërie që mund të ecë përpara. Kjo është politika e parë dhe më e rëndësishme për të bërë aleat biznesin. Cdo konferencë, cdo tryezë, e qeverisë me biznesin është thjeshtë Propagandë, propagandë dhe vetëm propagandë. Këto janë PPP-të e vetme që ka njohur biznesi shqiptar këto vite qeverisje.


Deklarata per mediat e Sekretarit per Sipermarrjen, Besart Kadia, 15 Shkurt 2017

Read More
14 Shk
0

PD dorëzon kallëzimin penal ndaj avokates së shtetit, Alma Hicka

Partia Demokratike depozitoi sot në Porkurori, kallëzimin penal ndaj Avokates së Shtetit, Alma Hiçka.

Hicka kallëzohet për shpërdorim detyre. Hicka jo vetëm po pengon hetimin parlamentar të çështjes CEZ, por ajo është kapur disa herë edhe në konflikt interesi, duke përfituar ajo me bashkëshortin e saj në disa raste, në dëm të shtetit.

Bashkëngjitur, kallëzimi penal i depozituar sot nga PD në Prokurori.

KALLZIM PENAL ALMA HICKES

Read More
14 Shk
0

Ndryshimi po vjen. Me 18 shkurt bashkimi më i madh i shqiptarëve në këto 27 vite

Kreu i demokratëve Lulzim Basha pasditen e së hënës ndaloi në Vlorë ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit. Zoti Basha mori ide dhe sugjerime lidhur me protestën e 18 shkurtit e cila sipas tij është vetëm fillimi i një lëvizje mbarëpopullore, lëvizje që do të sjellë një ndryshim të madh në vend. Pasi dëgjoi edhe shqetësimet e të rinjve lidhur kryesisht me papunësinë, kryedemokrati Basha i ftoi vlonjatët të ngrenë njëzëri problemet e tyre përpara Kryeministrisë më 18 shkurt, ku do të nisë edhe lëvizja mbarëpopullore e cila do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.

“Sapo kam mbaruar një takim të jashtëzakonshëm me rininë vlonjate e cila është e angazhuar si asnjëherë më parë për t’i prirë bashkimit mbarëpopullor të 18 Shkurtit, që do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në 27 vite pluralizëm.

Përfitoj nga rasti ti ftoj të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e Vlorës të bëhen pjesë e këtij bashkimi. Ata që pritën më kot 300 mijë vende pune, ata që shpresuan shëndetësi falas, ata që donin të dërgonin djemtë dhe vajzat e tyre në universitete më cilësore me tarifa të përballueshme, e dinë fare mirë pas katër vitesh se vende të reja pune nuk ka, se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, dhe se të çosh fëmijët në universitet është më e shtrenjtë. Taksat janë rritur, faturat e energjisë janë më të larta, të ardhurat kanë rënë, po kështu edhe fuqia blerëse”, tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se Vlora e 2017-ës është më keq, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit i cili gëlon, për shkak të lidhjes së qeverisë me bandat.

“Sot vetëm një grusht njerëzish gëzojnë frytet e “Rilindjes”. Pushtetarët dhe kriminelët e lidhur me ta, janë pasuruar në këto katër vite, kanë vënë pasuri miliona euroshe mbi taksat, mbi gjakun, mbi djersën e njerëzve të thjeshtë.

Populli i Vlorës është i braktisur nga kryedeputeti i saj. Populli i Vlorës është më i braktisuri, më i harruari në mjerimin ekonomik, në probleme dhe në brengën e madhe, hallet e mëdha, mungesës së ndihmës ekonomike, pensioneve të pamjaftueshme, faturave të larta, mungesës së shpresës dhe mundësisë për nesër”, theksoi Basha.

Për ti dhënë fund braktisjes nga qeveria, kryedemokrati i kërkoi çdo vlonjati të mos ketë frikë të kërkojë atë çfarë i takon. Ndryshimi vjen përmes njerëzve, përmes guximit dhe lirisë dhe sipas Lulzim Bashës, rinia është motorri i çdo lëvizje madhështore.

“Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për ti thënë ndal arrogancës së pushtetit, për ti thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”.

“Nuk do të ketë votime por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë . Vlora e braktisur nuk do të jetë më e braktisur dhe e harruar por do ti kthehet vlonjatëve, do ti kthehet qytetarëve me votë të lirë dhe të ndershme. Dhe që ta sigurojmë këtë, me 18 Shkurt i ftoj të gjithë vlonjatët të jenë pjesë e bashkimit më të madh, e bashkimit më të madh të shqiptarëve në 27 vjet”.

Kreu i opozites Lulzim Basha u ndal në Vlorë për t’u takuar dhe biseduar me qytetarë të thjeshtë për problemet që hasin dhe ndau me ta thirrjen për manifestimin e tyre më 18 shkurt në Tiranë.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 14 Shkurt 2017

Read More
13 Shk
0

Avokatja e Ramës nxjerr në publik frikën nga hetimi i vjedhjes së shekullit, kërkon arrestimin e Edmond Spahos

Avokatja e shtetit, një zyrë e rëndësishme që varet drejtpërdrejt nga Edi Rama ka nxjerrë sot në mesditë një shkresë ku i kërkon policisë së Tiranës të arrestojë në flagrancë z.Spaho, sepse ky i fundit e ka thirrur të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar për cështjen CEZ.

Kjo lajthitje ka vetem një shpjegim. Avokaten e shtetit dhe shefin e saj i ka zënë tmerri.

Frika nga hetimi i kësaj cështje, përfshirja e saj direkt në këtë aferë, ka bërë që avokatja e Edi Ramës të kryejë veprime të dëshpëruara, si ky i sotmi.

Hicka ka treguar vazhdimisht se është avokate e aferës, e vjedhjes së shekullit që u është bërë shqiptarëve, me 600 milionë euro, dhe nuk ka treguar asnjë ditë që është avokate e shtetit.

Avokatja e aferës, është kapur po ashtu në konflikt interesi, pasi në mënyrë të turpshme kishte ndarë rolet me bashkëshortin e saj avokat jo vetëm në cështjen CEZ, por dhe në shumë të tjera duke sjellë përfitime për burrin dhe dëme për shtetin.

Letra e saj sot dërguar policisë është shprehje e rënies së cdo standardi, prova e arrogancës, e qendrimit mbi ligjin dhe delirit të qeverisë. Por edhe provë klinike e tmerrit të Edi Ramës nga zbardhja e Vjedhjes së Shekullit.

Kot e kanë, kjo nuk ka për ti shërbyer avokates së aferës, dhe as atyre që ajo mbron, si Rama e Gjinkuri, që të shpëtojnë nga hetimi e nga drejtësia për vjedhjen më të rëndë të bërë në kurriz të shqiptarëve.

Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal ndaj avokates së aferës për këtë akt të rëndë që ka kryer sot.

Ora e llogaridhënies po vjen. Me #18Shkurt nis një rrugë e re, nis rrëzimi i arrogancës e delirantëve të qeverisë dhe kthimi i pushtetit tek qytetarët.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 13 Shkurt 2017

Read More
13 Shk
0

Është koha e qytetarëve, 18 shkurti protesta më e madhe që ka parë Shqipëria

Lulzim Basha me qytetarët e Kavajës; thirrje për bashkimin e madh populllor të 18 shkurtit në Tiranë

“Koha e qytetarëve po vjen, dhe nuk ka forcë ta ndalë”, tha sot Lulzim Basha në një takim në Kavajë. Basha theksoi se Kavaja është qyteti i parë që vrau frikën dhe u ngrit kundër regjimit komunist, qyteti i parë që luftoi për liri, dhe nuk meriton të sundohet sot nga një i dënuar për përdhunim dhe trafik droge. Duke gjetur mbështetjen e qytetarëve të Kavajës për protestën e madhe të 18 shkurtit, Basha u shpreh se nuk kthehemi nga kjo betejë pa fitore. Dhe fitore është sigurimi i votës së lirë, dhe me anë të votës së lirë të vijë në pushtet një qeverisje për njerëzit për qytetarët. “Pushteti u kthehet qytetarëve”, tha Basha duke bërë thirrje për bashkimin e madh popullor me 18 shkurt në orën 12 në Tiranë.

 

Më poshtë, fjala e Bashës sot me qytetarët e Kavajës

 

“Kam ardhur me një emocion të veçantë sot në Kavajë. Kam takuar të rinjtë e Kavajës, qytetarët e Kavajës, për t’i ftuar në protestën më të madhe, manifestimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, bashkimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, me 18 Shkurt në ora 12:00 në Tiranë.

Ky emocion i madh nuk është vetëm për shkak të mikëpritjes, të ngrohtësisë të cilën më pritën të rinjtë dhe qytetarët e Kavajës, por është edhe për vetëdijen se këtu në Kajavë, në këtë komunitet, në këtë qytet të jashtëzakonshëm, 27 vite më parë qytetarët u ngritën dhe vranë frikën, vranë frikën dhe rrëzuan mitin e një diktature 50 vjeçare.

Ky është një qytet i madh, me një zemër të madhe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, shpirti i një komuniteti që u ngrit i pari, sfidoi terrorin, sfidoi frikën dhe me kurajo e mposhti atë. Ata që për 50 vjet e sunduan Shqipërinë me gënjeshtra, me mashtrime, me frikë, me terror  dhe me varfëri kurrë nuk ia falën Kavajës këtë.

Ata donin me çdo kusht ta poshtëronin Kavajën, t’ia ulnin kokën, ndaj vendosën t’i vënë në krye një fytyrë, një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me kavajasit e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me Josif Budon apo me Indrit Carën, dy heronjtë e fundit të Kavajës, njëri hero i demokracisë, tjetri hero i lirisë kombëtare.

Ai nuk ka asgjë të përbashkët me dhjetëra-qindra intelektualë, profesorë, pedagogë, menaxherë, juristë, ekonomistë, historianë, njerëz të artit dhe të kulturës, e të sportit me të cilët Kavaja krenohet dhe këtë krenari ia ka falë gjithë Shqipërisë.

Elvis Rroshi është pasqyra vetëm e Edi Ramës. Elvis Rroshi dhe Edi Rama janë vëllezër siamezë, pa Edi Ramën, nuk ka Elvis Rrosh dhe pa Elvis Rroshin nuk ka Edi Ramë.

Sot jemi të gjithë bashkë këtu për t’i thënë të gjithë qytetarëve të Kavajës se kjo nuk është betejë e partive politike, por është beteja e gjithë qytetarëve të bashkuar për t’i thënë jo varfërisë, papunësisë, për t’i thënë jo arrogancës dhe poshtërimit. Për t’i thënë po, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, e përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeverie që mendon për qytetarët, për Kavajën, për Shqipërinë.

Protesta e 18 Shkurtit do të jetë bashkimi më i madh që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë për të drejtat e tyre, për dinjitetin e tyre, për liri, për demokraci.

Në ballë të kësaj proteste do të jetë rinia. Në ballë të kësaj proteste do të jetë qytetaria. Në ballë të kësaj proteste do të jenë vlerat më të mira të Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë, që nuk pranojnë më të përfaqësohen nga rroshët me shokë, por që kanë vendosur që fatin e tyre me zgjedhjet të lira e të ndershme t’ia besojnë bijve dhe bijave më të mira të Kavajës e të mbarë Shqipërisë.

Dua t’i garantoj sot nga ky shesh se kryetari i ardhshëm i bashkisë së Kavajës dhe përfaqësuesit e ardhshëm të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë, për Partinë Demokratike, do të jenë përfaqësuesit e vlerave më të mira të popullit të Kavajës e të rinisë së Kavajës.

Ndaj që t’i hapim rrugën përfaqësimit të vlerave të vërteta të Kavajës, le të bashkohemi në protestën më të madhe që ka patur Shqipëria në 27 vite.

Le t’i themi me zërin e bashkuar atyre që kanë refuzuar ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, atyre që  kanë braktisur qytetarët, atyre që i kanë vjedhur, kërcënuar e nëpërkëmbur qytetarët se koha e tyre ka mbaruar, se koha e qytetarëve po vjen dhe nuk ka forcë ta ndalë.

Të gjithë bashkë ngrihemi më 18 Shkurt më orën 12:00 në Tiranë.

 

Pyetje nga TCh: Si e shpjegoni popullaritetin e Elvis Rroshit?

 

Basha: Populli i Kavajës i përçmon ata që i veshën Kavajës imazhin e përdhunuesit dhe trafikantit të drogës. Populli i Kavajës nuk i pranon këto vese, i përbuz këto vese. Populli i Kavajës është populli që vrau frikën i pari, është populli që u ngrit i pari për liri e demokraci. Qytetarët e Kavajës i dhanë heronj luftës së fundit çlirimtare në Europë, luftës së Kosovës. Qytetarët e Kavajës janë qytetarë fisnikë.

Kjo është një qeverisje e korruptuar që e ka lidhur fatin e vet me fatin e banditëve si Elvis Rroshi,  i cili, sot, përkundër ligjit vazhdon të ushtrojë funksionet e kryetarit të bashkisë. Përse i duhet Edi Ramës, Elvis Rroshi?

I duhet sepse i trembet votës së lirë dhe të ndershme, sepse i trembet gjykimit me votë nga populli i Kavajës, i trembet gjykimit me votë nga qytetarët e Shqipërisë.

Por unë i garantoj sot qytetarët e Kavajës se do të jem në ballë të kësaj beteje derisa të kemi një qeveri për qytetarët, një qeveri që garanton lirinë, dinjitetin, demokracinë, punësimin dhe zhvillimin e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë.

Nga kjo betejë, nuk kthehemi pa fitore. Nga kjo betejë nuk kthehemi pa garantuar lirinë e votës tuaj, që zëri juaj të dëgjohet dhe asnjë qytetar i Kavajës të mos jetë më i braktisur, i harruar, i nëpërkëmbur dhe i poshtëruar.

Bashkë më 18 Shkurt për liri, për demokracinë, për Kavajën, për qytetarinë!”

 

Read More
12 Shk
0

Më 18 shkurt! Të bëjmë Shqipërinë që kërkon dhe meriton rinia, të shanseve dhe meritës

Kryedemokrati Lulzim Basha bisedon me profesionistët e rinj

 

Kreu demokrat Lulzim Basha këtë paradite, bashkëbisedimin me të rinjtë e zhvendosi në nivel profesionistësh. Zoti Basha hapi dyert e selisë për të diskutuar me të rinjtë profesionist të fushave të ndryshme, të cilët i parashtruan kryedemokratit Basha problemet e tyre.

Zoti Basha e nisi takimin me një mesazh të thjeshtë: Rinia e bashkuar i jep shqiptarëve shpresë.

 

“Ka shpresë për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri  me ato rregulla, për të cilat sot shqiptarët ikin nga Shqipëria drejt Europës.Rregullat e mundësive për të gjithë dhe konkurimit të ndershëm. Nëse ndërtojmë të njëjtat rregulla këtu, rinia nuk ka përse ikën. Për këtë duhet hapja, konkurenca dhe lufta kundër së keqes” – tha Lulzim Basha.

 

Zoti Basha i kujtoi pjesmarrësve se është vetë produkt i hapjes së Partisë Demokratike.

 

“Dua që të mos më shihni sot këtu si kryetar i PD-së, si kryetar të opozitës, por si një produkt të hapjes, një hapjeje të dyfishtë. Kur u hap Shqipëria mua m’u dha mundësia të shkoja në një vend perëndimor, në Holandë ku edhe mora botëkuptim, formim mbi vlera europiane ku nderohej puna ime pavarësisht se nga vija. Aty kuptova themelin e një shoqërie të lirë që vlerëson individin për atë c’ka ai arrin të bëjë. Më pas ishte hapja e Partisë Demokratike që më dha mundësinë të bëhesha pjesë e saj në vitin 2005”.

 

Lulzim Basha theksoi për të rinjtë se e ardhmja është në duart e tyre dhe askujt tjetër:

 

“Ne duhet të japim një mesazh se e ardhmja është në duart tona dhe të askujt tjetër. Eshtë në duart tuaja dhe të mijëra e mijëra të rinjve të tjerë”.

 

Zoti Basha i ftoi të gjithë të bëhen bashkë më 18 shkurt, jo për të, jo për Partinë Demokratike por për të ngritur zërin për problemet e tyre dhe për të ardhmen e familjeve të tyre:

 

“Ky bashkëbisedim po ndodh pak ditë para protestës së 18 Shkurtit e cila është protestë mbarëpopullore me synimin që tejkalon objektivat e çdo partie politike, me qëllimin për të shkundur shoqërinë nga letargjia dhe mosreagimi ndaj së keqes. Kështu duhet të japim besim se duke u ngritur të gjithë, duke u bashkuar të gjithë për të drejta, për vlera, për norma mbi të cilat ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë, nuk ka të keqe që mund të na ndajë. Nuk ka kastë të korruptuarish apo të inkriminuarish që mund t’i bëjë ballë bashkimit qytetar”.

 

Gjatë bashkëbisedimit z. Basha u dha përgjigje dhe komentoi çështjet kyresore qe ngritën profesionistët e rinj.

Basha u shpreh se taksa progresive ka patur efekte shkatërruesë mbi shtresën e mesme, që janë edhe njerëzit për të cilët Shqipëria ka më shumë nevojë.

 

Para disa ditësh doli një statistikë për numrin e madh të mjekëve që po largohen nga Shqipëria. Kjo gjendje kërkon një sistem fiskal të ri. Taksa e sheshtë ndihmon jo vetëm sipërmarrësit por edhe shtresën e mesme. Taksa e sheshtë 9 përqind, si pjesë e paketës fiskale të programit tonë, do t’i rikthejë shtresës së mesme mundësinë të gëzojë frytet e djersës së vet dhe ta motivojë më shumë.”

 

Ai u shpreh se biznesi duhet të jetë aleat, por qeveria nuk mund të bëhet njësh me të. “Po u ul biznesi me politikanin, humbet qytetari. Po u ul ministri apo kryeminsitri me biznesmenin në skuta të erreta, shanset janë të gatuajnë dicka kundër konsumatorit, kundër sipërmarrësit kundër qytetarit dhe punëmarrësit. Flas për partneritet i cili synon produkt në interes publik, të rrisë punësimin përshembull. Si mund ta rrisim ne atë? Ne kemi një zgjidhje. Skema ime bazohet në praktikat më të mira gjermane dhe europiane. Ofrojmë 10 mijë stazhe për ti krijuar studentëve një kontekst ku të hedhin hapat e parë për tu përfshirë në tregun e punës dhe për të konkuruar. Asnjë prej jush nuk kërkon lëmoshë, të gjithë keni kërkuar vetëm shanse të barabarta.”

 

Më tej Basha theksoi se:

“Qeveria do që ta mbajë Shqipërinë këtu ku është, kështu siç është. Me pamundësi për shumicën, me luks dhe pushtet për një pakicë absolute. Mënyra për ta mbajtur kështu siç është, është që më 18 Qershor, mos të kemi zgjedhje, mos të kemi zgjedhje, edhe sikur të bëhen votime. Duan pra t’i diktojnë shqiptarëve jo më një demokraci, por një kakistokraci, sundimi nga më të këqinjtë, hajdutët, gënjeshtarët dhe kriminelët. Ndaj 18 Shkurti është padyshim një ditë me rëndësi për këdo që e ka ndarë mendjen të qëndrojë dhe jo të largohet nga vendi i tij, të qëndrojë dhe t’i rrisë këtu fëmijët e tij apo të saj dhe mos ta braktisë vendin. Eshtë dita ku të gjithë shqiptarët e braktisur, të mashtruar, të zhgënjyer, të zemëruar, te ngrihen e të mos pranojnë më keqqeverisjen.

Keq qeverisja ka krijuar dy botë, botën e shumicës dërmuese të shqiptarëve nga më të pamundurit deri tek ata me mundësi të mira ekonomike, por që nuk kanë asnjë mundësi të ndërtojnë jetë dinjitoze, ku respektohet dinjiteti i tyre dhe botën e një grushti që ka gjithçka, ligjin, pasuritë, taksat, tenderat, koncesionet dhe burimet njerëzore të vendit, të cilët po na sjellin fatkeqësi të panumërta për hir të pushtetit dhe pasurisë së tyre. Përplasja e këtyre dy botëve mund dhe do të ketë një përfundim, në Shqipëri si kudo në botën e civilizuar, fitoren e shoqërisë shqiptare, fitoren e shqiptarëve të bashkuar.

Për mua përgjigja ndaj kësaj pyetje është fare  e thjeshtë, le të nisim së bashku me 18 Shkurt një lëvizje popullore e në krye të kësaj lëvizje popullore të jeni ju, ajka e shoqërisë shqiptare, intelektualë, pedagogë, menaxherë, shtresa e mesme dhe bashkë me ju, të gjithë qytetarët shqiptarë, opozita në ballë sigurisht, për ti thënë këtij pushteti që ka humbur çdo legjitimitet, se nuk do të pranojmë zgjedhje të vjedhura. Përmes zgjedhjeve  të lira dhe të ndershme do të sjellim një qeveri të qytetarëve, me pushtet të kufizuar, e cila nuk mbyt por ofron mundësi dhe shpresë për të gjithë, duke filluar me rininë shqiptare”.

 

Lulzim Basha dëgjoi me vemdnje shqetësimet, idetë, kerkesat dhe propozimet e profesionistëve të rinj:

Adriatik Lapaj, anëtari i shoqërisë civile dhe avokat, foli për rëndësinë dhe përgjegjësinë sociale të intelektualëve shqiptar, të cilët sipas tij nuk kanë dhënë kontributet e mundshme për vendin e tyre por janë treguar tepër pragamtistë. Duke e vlerësuar opozitën si një aset të vlefshëm të një vendi përmes të cilit vjen edhe ndryshimi, Lapaj i drejtoi një kërkesë Zotit Basha. “Ju keni përgjegjësinë dhe shansin historik të ktheni modën e vlerave, e jo më atë të gangove me zinxhir floriri në qafë. Parlamenti duhet të jetë arena e vlerave dhe ju e keni këtë shans historik. Ju lutem mos e digjni.”

 

Brenton Kotorri, anëtar i organizatës APPA, u shrpeh se duke u bërë bashkë dhe duke pasur mundësi mund të arrihet ndryshimi – “Pushteti i ne njerëzve është më i madh se njerëzit e pushtetshëm”.

 

Faola Hodaj, e diplomuar në Gjermani dhe sot drejtuese e një organizate të shoqërisë civile, gjithashtu pedagoge në universitet, tha se arsyeja përse vendosi të kthehej në Shqipëri ishte detyrimi qytetar dhe përgjegjësia e seicilit për të dhënë kontribut në vendin e tyre.

 

Për Rudina Hajdarin me rëndësi është rikthimi i energjisë dhe shpresës për të gjithë qytetarët shqiptarë.

 

Uran Derri, i diplomuar për financë kontabilitet dhe juridik, aktualisht sipërmarrës, thirrjen ia drejtoi pjesmarrësve por edhe sipërmarrësve shqiptarë. “Ne po marrim vetëm shtrëngim të biznesit, mungesë transparence dhe rritje korrupsioni ndryshe nga cfarë na u premtua përpara katër vitesh. Unë ftoj të gjithë sipërmarrësit e lirë dhe të drejtë të mbështesin politikat fiskale të PD dhe të bashkohen në 18 shkurt kundër kësaj padrejtësie, sepse kjo nuk është politike por padrejtësi”.

 

Pedagogu i universitetit të arteve për pikturë dixhitale dhe tekntikat e grafikës dhe dizajnit, Harri Aleksi, nga të parët pedagogë të një fryme të re të mësimdhënies për këtë lëndë bashkëkohore, kërkon investim në arsim për të pasur kushte europiane në mësimdhënie.

 

Resana Vekshari ka studiuar në unviersitetin e Stambollit për ekonomi dhe financë. E punësuar në sistemin bankar privat, duke e identifikuar veten me shtresën e mesme intelektuale të shoqërisë, Resana thotë se pavarësisht se punon fortë, shteti e cënon përmes taksave, duke nisur me atë progresive.

 

Taulant Kullolli ka studiuar në Universitetin e Verones, sot pedagog ne Universitetin e Durrësit ‘Aleksandër Moisiu’ e konsideron veten si pjesë e atyre shqiptarëve, të cilët duke u shkolluar jashtë vendit, kanë paguar faturën e një pune e cila ende nuk po merr asgje në shkëmbim.“Në shoqërinë tonë mbretëron frika. Migrimi tregon se në këtë vend po kthehet frika dhe si përfaqësues të shtresës së mesme, duhet ta ngremë zërin dhe të përpiqemi të shembim një qeveri e cila nuk ka mbajtur premtimet e saj” – tha Kullolli.

 

Egon Loli, një nga themeluesit e medias “Pa Fokus”, tha se liria e fjalës mbetet themel i shoqërisë së lirë që zhvillimin e mbështet mbi meritokraci e jo kolektivizmin e mendimit, kolektivizmin politik apo edhe atë të sjelljes. “Komunikimi është shndërruar, nga funksioni për të përcuar mesazh, në një funksion fasadë. Kur kushtetueshmëria është e rrëzuar, sigurisht që fasada mediatike do të mbulojë thyerjen e kushtetueshmërisë” – tha Loli –“ Sa i përket protestës, mendoj se duhet të protestojmë pikë së pari për lirinë e fjalës më 18 shkurt. Dua ta mbyll me një citim të Biblës, pavarësisht nëse besojmë ose jo, baza e saj është merita dhe e drejta: Nëse zoti është me ne, nëse e drejta është me ne, atëherë kush është kundër nesh?”

 

Kryetari demokrat Basha, në përgjigje të citimit të marë nga Bibla, tha se Zoti, e drejta dhe fati gjithmonë ndihmojnë guximtarët dhe ata që guxojnë ta mposhtin frikën. “Dhe askush nuk e di më mirë se shqiptarët – tha Kryetari-  është detyra jonë t’ia kujtojmë njëri-tjetrit. Të ma kujtoni dhe t’ua kujtoj, t’ia kujtojmë të gjithë shqiptarëve”. Basha shpjegoi se askush nuk e ka provuar më shumë në kurriz këtë sesa shqiptarët se çfarë ka bërë e keqja në këtë vend kur shumica nuk guxonte të fliste dhe çfarë pasojash ka patur kjo për vendin tonë, për njerëzit, për breza të tërë.

 

Aida Maho, e diplomuar në London School of Economics, sot kosnulente ligjore tha se ky takim është një tregues se mundësia, forca dhe kapaciteti ekziston ndaj duhet vetëm më tepër organizim dhe frymë skuadre.

 

Për Ergis Eskiun, pedagog mjekësie në Tiranë dhe Elbasan, shëndetësia falas në Shqipëri është inekzistente. “Kam kërkuar punë në QSUT pasi u diplomova dhe i kërkova vend pune për një shërbim të cilin shteti nuk e siguron. Shëndetësia falas nuk ekziston është mashtrim, të thuash populizëm është pak, sepse është mashtrim. Jam ndeshur me dy gjëra, e para kanë tentuar të më korruptojnë, që unë të paguaja 5 mijë euro për një vend pune që e refuzova. Edhe herën e dytë që u interesova më thanë të vazhdoj punën në privat pasi mirë jam aty, e skam c’e dua shtetin”.

 

Besmir Semanaj, ekspert i teknologjise se informacionit u shpreh se problemi më i madh është eksodi masiv ku plot 200 mijë persona janë larguar nga Shqipëria. “Shoqëria jonë është sëmurë nga varfëria, frika dhe vrasja e shpresës. Cdo sëmundje ka shërim dhe 18 shkurti është ilaci i parë i kësaj shoqërie. – tha Semanaj – Në 18 shkurt të vrasim frikën pasi nëse jemi krah për krah dhe ecim në rrugë të drejtë, askush nuk ka cfarë na bën. 18 shkurti është ilaci i parë i kësaj shoqërie”.

 

Aktivisti i shoqërisë civile, njëkohësisht gazetar, Aulon Kalaja e quajti opozitën si aleaten më të afërt të shoqërisë civile. “Shoqëria civile mund ti nisë kauzat por është politika ajo që i con deri në fund”- tha Kalaja. “Kisha një propozim për ju për protestën. Sëbashku me aktivistë të tjerë të shoqërisë civile kemi menduar që në 18 shkurt jo vetëm do jemi në protestë por do të bëjmë një spektakël me të gjitha pankartat që kemi pasur në protestat e mëparshme, betonizimit të Durrësit, betonizimit të parkut të Liqenit apo kundër mbetjeve”. Në përfundim, Aulon Kalaja i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë kryetarit Lulzim Basha: “Për ju është më i rëndësishëm 18 shkurti, apo 18 qershori?”

 

Zoti Basha i ftoi edhe një herë të gjithë, të bëhen bashkë më 18 shkurt, jo për të, jo për Partinë Demokratike, por për të ngritur zërin për problemet e tyre dhe për të ardhmen e familjeve të tyre, për të hapur rrugën e një ndryshimi të madh për vendin, kthimin e pushtetit tek qytetarët.

 

 

Read More
11 Shk
0

Pushtetarët duan ta mbajnë Shqipërinë siç është, të ruajnë pasurimin dhe pushtetin, qytetarët duan ndryshimin

Lulzim Basha me të rinjtë e Durrësit. Me 18 shkurt nis rruga për zgjedhje të lira, për ndryshimin e madh, për kalimin e pushtetit tek qytetarët

 

-Partia Demokratike është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin, durrsakët dhe shqiptarët nga buza e greminës ku i ka sjellë “Rilindja” e mashtrimeve. Por që të ndodhë kjo, duhet që durrsakët e shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lire, e të pa kërcënuar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen në 18 Shkurt.

 

-Kështu askush nuk ka pse të largohet më nga Durrësi e nga Shqipëria, për mungesë shprese dhe mundësie. Në këtë mënyrë, fati i çdo qytetari do të përcaktohet nga vetë ata sepse me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin një qeveri që qeveris për ta dhe jo për xhepat e një grushti hajdutësh dhe banditësh.

 

-Ata marrin koncesione qindra milion dollarëshe, rinia rri rrugëve. Nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqipëria do ndryshim. Ndryshimi vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rinia është gati për të garantuar që zëri i atyre që sot nuk dëgjohen, të kumbojë më 18 Shkurt dhe, me 18 Shkurt do kumbojë zëri i shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

 

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës sot në Durrës

 

Më ka ftuar sot Forumi Rinor i Degës së Durrësit në përgatitjet që po bëjnë për protestën mbarë popullore të datës 18 shkurt.

 

Bashkë diskutuam për gjendjen ku është katandisur Durrësi e në veçanti rinia e Durrësit. Ky qytet i cili ka një histori mijëra vjeçare me të cilën krenohet e gjithë Shqipëria, ka një qytetari të rrallë, Durrësi i gëzimit të verës me të cilën ne shoqërojmë gjithmonë kujtimet tona, ne që s’jemi durrsakë, që mezi prisnim që të  vinim këtu, sot është një qytet i depresuar psiqikisht, ekonomikisht dhe në çdo rrafsh tjetër.

Në Durrës si kudo në Shqipëri, shpresa dhe mundësia për të nesërmen është vrarë nga një kastë e korruptuar që shikon vetëm xhepat e vet dhe ka braktisur interesat e qytetarëve të Durrësit, ka braktisur interesat e durrsakëve. Nuk i shërbehet më as punësimit, as infrastrukturës, as shëndetësisë, as arsimit, i shërbehet vetëm xhepave të Vangjush Dakos dhe bandës kriminale që e solli dhe e mban në pushtet. I shërbehet vetëm xhepave të Edi Ramës dhe banditëve me të cilët mendon se do të diktojë zgjedhjet e ardhshme.

 

Ndaj sot, ne do t’i japim një mesazh gjithë qytetarisë durrsake, gjithë durrsakëve, e në vecanti të rinjve. Një mesazh jo përmes patriotizmit fals dhe retorikës boshe apo gënjeshtrës, por përmes zgjidhjeve konkrete që unë dhe Partia Demokratike kemi e do të vëmë në jetë për rininë me anulimin e ligjit për arsimin e lartë, me investime në Universitetin e Durrësit dhe gjithë sistemin arsimor të Durrësit. Me mundësinë për mijëra të sapo diplomuar durrsakë që të kryejnë stazhe njëvjeçare me pagesë nga buxheti i shtetit, në këtë mënyrë, të aftësohen e të bëhen pjesë e tregut të punës. Me taksa të ulëta, me rritje të investimeve publike që hapin vende pune dhe me shpenzime sociale që të rrisim pensionet dhe t’i japim ndihmë ekonomike gjithë familjeve që kanë nevojë për të.

 

Partia Demokratike është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin dhe durrsakët nga buza e greminës ku i ka sjellë “Rilindja” e mashtrimeve të 300 mijë vendeve pune, të shëndetësisë falas dhe abuzimeve të velës së betonit 6 milion dollarë, të ajrit që ndotet, të Durrësit që përmbytet, të shëndetësisë që nuk funksionon. Por që të ndodhë kjo, duhet që durrsakët të shprehin vullnetin e tyre të lirë e të pa kërcënuar, e të pa mashtruar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen në 18 Shkurt.

 

Në këtë mënyrë askush nuk ka pse të largohet më nga Durrësi e nga Shqipëria, për mungesë shprese dhe mundësie. Në këtë mënyrë, fati i çdo qytetari do të përcaktohet nga vetë ata sepse me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin një qeveri që qeveris për ta dhe jo për xhepat e një grushti hajdutësh dhe banditësh.

 

Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me banda dhe kriminelë. Nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me politikanë të korruptuar, por do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse shqiptarët nuk do të falin askënd që dëshiron të mbajë peng Shqipërinë duke mbajtur peng zgjedhjet. Askush nuk do ta gëzojë as edhe një ditë vetme një pushtet të tillë.

 

Ndaj bashkohemi të gjithë më 18 Shkurt në Tiranë, jo për një parti politike, jo vetëm për një axhendë politike, por për qëllimet e mbarë shqiptarëve. Ndryshim sepse kështu nuk çohet më jeta. Ndryshim, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ata që nuk duan ndryshim, duan ta mbajnë Shqipërinë kështu se për ta është mirë. Ata ndërtojnë vela 6 milion dollarëshe dhe fusin 3 milion në xhepat e tyre, me beton.

 

Ata marrin koncesione qindra milion dollarëshe, rinia rri rrugëve. Nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqipëria do ndryshim. Ndryshimi vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rinia durrsake është gati për të garantuar që zëri i atyre që sot nuk dëgjohen, të kumbojë më 18 Shkurt dhe, me 18 Shkurt do kumbojë zëri i shumicës dërrmuese të shqiptarëve që sot nuk dëgjohen për shkak të propagandës dhe mashtrimit qeveritar.

Shqiptarët e braktisur nga qeveria do të marrin fatin e tyre në dorë. Shqiptarët e braktisur nga qeverisja do të diktojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes  zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë i garantoj ata se do të kenë një qeverisje të qytetarëve një qeveri të qytetarëve, një kryeministër të qytetarëve.

 

Read More
11 Shk
0

8 ton drogë kalojnë në Durrës, grabitje në rrugë, banesa e kudo, Edi Ramës nuk i bëhet vonë

Grida Duma për kaosin që ka pllakosur vendin. Mblidhemi bashkë më 18 shkurt për të ndalur krimin

Krimi, pushteti i krimit po dominon rrugët, po dominon shtëpitë, po dominon edhe aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit, edhe portin e Durrësit.

8 tonë drogë kanë kaluar në portin e Durrësit duke bërë sikur nuk i ka vënë re njëri, por në fakt realiteti s’mund të jetë kurrë i tillë.

8 tonë drogë nuk mund të kalojnë pa i dalluar askush por kalojnë me bekimin e shefave, të cilët sigurisht në këtë aferë dhjetëra miliona euro kanë marrë pjesë e tyre.

Në aksin Tiranë-Rinas, në pikun e trafikut janë vjedhur me grabitje të armatosur jo pak por tre milionë euro.

Mbrëmë kryeqyteti pësoi një tjetër grabitje me armë në një supermarket.

Në Elbasan një karburant u grabit me armë, një shtëpi u grabit me armë.

Çfarë ndjejnë qytetarët?

Pasiguri, jo rend, jo siguri për jetën e tyre dhe asgjë tjetër e cila mund t’i mbrojë.

Ku është rendi? Ku është qeveria?

Sigurisht në këtë tablo në të cilën të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë që e drejta e tyre për rend, për siguri dhe për tu mbrojtur eshte dhunuar, del Tahiri i Ramës që na thotë se e kanë fajin gjithë të tjerët.

E ka fajin shoqëria, e kanë fajin kalimtarët, e kanë fajin edhe populli, e ka fajin kultura.

Në fakt mund ta ketë fajin edhe videoklipet, u ka bërë thirrje edhe artistëve e këngëtarëve të mos përdorin armë nëpër videoklipet e tyre, por ata nuk kanë asnjë faj.

Populli e kupton qarte se kjo eshte pergjegjesi e Rames, dhe se atij nuk i bëhet vone për sigurinë dhe rendin e qytetarëve.

Jemi sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve realitetin e përmbledhur të një kaosi, të një kaosi i cili nuk është një kaos i pazot, por është një kaos i dirigjuar që krimi dhe pushteti të dominojë jetën e shqiptarëve.

Shqiptarët e dinë që legjitimiteti dhe e drejta e tyre për të qenë të sigurt në jetën e tyre të përditshme është një e drejtë themeltare.

Shqiptarët e dinë kete dhe per kete arsye mblidhemi me 18 shkurt të gjithë bashkë e ngrihemi të gjithë bashkë. Jemi përballë një vendimi të madh që më 18 Shkurt të fillojë një erë e re në të cilën shteti i krimit dhe shteti kundër qytetarëve duhet të rrëzohet.

 

Read More
11 Shk
0

Gratë, pjesë vitale e vendimit të madh të 18 shkurtit

Vokshi: Rama pasaradhës i diktaturës, të tregojë kush ekzekutoi poetin Havzi Nela.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u takua me drejtueset e LDG- se Lezhë, Mirditë dhe Kurbin nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit në Tiranë për të rrëzuar qeverinë dhe për të cuar Shqipërinë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme !

Vokshi:  “Nga Tirana nis një lëvizje popullore pa kthim , e cila do të përfundojë vetëm me largimin e kësaj qeverie të korruptuar, antisociale , të lidhur me krimin  e organizuar. Sot qeverisemi nga kriminelë.  Pushteti duhet t’u kthehet qytetarëve. Edi Rama erdhi në pushtet me vota të blera. Ndaj e mbushi Shqipërinë me hashash, sepse kërkon paratë e drogës që të blejë votat në zgjedhjet e ardhshme. Lezha dhe e gjithë Shqipëria duhet të bëhen barrikadë përballë kësaj organizate kriminale,që varfëroidhe gjysmën e popullësisë. Me politikat korruptive në arsim, të rinjtë dhe te rejat e talentuar ngelën pa shkollë. Me shkatërrimin e administratës , gratë profesioniste u hoqën nga puna dhe u përndoqën politikisht. Gratë kryefamiljare dhe viktimat e dhunës u lanë pa mbrojtje sociale dhe ligjore. Pensionistët i detyruan të hapin procese gjyqësore për të vërtetuar vitet e punës në diktaturë. Afro 30 % e popullësisë emigroi prej varfërisë dhe për arsye sigurie. Rama me axhendën e korrupsionit vodhi buxhetet publike, rriti taksat dhe cmimet, falimentoi biznese dhe monopolizoi sektorë strategjikë. Ndaj të ngrihemi të gjithë bashke në 18 shkurt në portestën e pandalshme: qëllimi final, pushteti t’i kalojë popullit, kjo është demokracia!”

Deputetja Vokshi e quajti hipokrizi propagandën e Kryeministrit me historitë e ish sigurimit të shtetit. Vokshi tha se Rama është pasardhës i atij regjimi dhe i kërkoi  të tregojë se kush firmosi për ekzekutimin  e poetit Havzi Nela.

Vokshi: I bëj kërkesë Edi Ramës që bashkë me dosjen e Musine Kokalarit të hapë edhe dosjen e Havzi Nelës dhe të tregojë se kush ka firmosur për ekzekutimin e tij.

Në takimin e znj. Vokshi me strukturat e Lidhjes Demokratike të Gruas të degëve Lezhë, Mirditë dhe Kurbin mori pjesë edhe deputetja e Mirditës Albina Deda, e cila theksoi gjëndjen e vështirë ekonomike të mijëra familjeve dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë dhe vajzat në këto zona të braktisura nga qeveria për hakmarrje politike.

Read More