Blog

26 Sht
0

Basha: Për plehrat nuk mund të vendosë më qeveria, por duhet të vendosë populli

Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri qytetar të vendosë për çështje të interesit publik, jo vetëm për çështjen e plehrave. Dhe kjo nuk është më çështje e zhvillimit të një sektori , apo e një trajtimi mjedisor, është çështje e një modeli të ri shoqëror dhe politik që duam t’i ofrojmë shqiptarëve. Partia Demokratike është e vendosur të kufizojë pushtetin shtetëror dhe të fuqizojë qytetarët.

  • I kërkojmë Presidentit të Republikës mos dekretimin e projektligjit dhe kthimin e tij në Kuvend.
  • Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend.
  • Ne po shqyrtojmë edhe ushtrimin e të drejtës parlamentare për ti kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e  Kuvendit.

Ligji i plehrave nuk vjen për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, por për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave.

Kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin. A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?!

Në kushtet e sotme kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji.

 

Konferenca për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

 

Sot kryeministri i quajti qytetarët që kundërshtojnë ligjin për importin e mbetjeve sharlatanë, ndërsa ricikluesit heronj. Tre vite më parë kur i duhej të vinte në pushtet heronjtë ishin qytetarët, protestuesit që u ngritën kundër ligjit “Për importin e mbetjeve”  dhe këta qytetarë e sollën në pushtet.

Sot që është në pushtet, qëllimi i tij është pasurimi me çdo kusht. Ndaj qytetarët që ishin heronj janë bërë të bezdisshëm. Tani që është në pushtet të mençur, të ditur me integritet për Edi Ramën janë vetëm klientët e tij, janë të fortët, janë kriminelët që i sjellin para dhe vota.

Të mençur për të janë kriminelët që i ka bërë deputetë, i ka bërë kryetar bashkie, biznesmenët me katër klasë shkollë të cilëve po iu fal të gjithë Shqipërinë, kriminelët që i ka dekretuar të grabisin dhe rrëmbejnë gjithçka në pasuritë publike.

Pyetja që duhet të shtrojë çdo shqiptar është: Pse ndodhi ky ndryshim në tre vite?! Pse para tre vitesh qytetarët që kundërshtuan importin e mbetjeve ishin heronj dhe pse sot janë sharlatanë?!  Përgjigjet kanë filluar të dalin në pah.

“Open Data Albania” sapo ka publikuar një tender, një koncesion në Fier për djegien e mbeturinave i cili është hapur zyrtarisht në faqen e Prokurimit Publik akoma pa u futur në fuqi ligji.

Është maja e ajsbergut të një korrupsioni kriminal dhe mafioz që është arsyeja e vetme  pse Edi  Rama tre vite më parë bëri të anulohej referendumi duke anuluar ligjin për mbetjet dhe sot është avokati numër një i ligjit për mbetjet të cilin e kaloi në mënyrë të pabesë të enjten e kaluar.

Qëndrimi i PD është i qartë : Ne jemi kundër çdo lloj importimi të mbetjeve.

Së pari sepse ka një vullnet të qartë popullor kundër importit. Politika, qeverisja e  ushtrojnë vullnetin në emër të qytetarëve ndaj duhet t’i nënshtrohen vullnetit të popullit.Çështja e plehrave nuk është më në vullnetin e qeverisë, nuk ka qenë që prej momentin kur u mblodhën 64 mijë firma nga ata që dje Edi Rama i quante heronj dhe sot i quan sharlatanë.Çështja e plehrave është një çështje për të cilën nuk mund të vendosë më qeveria por duhet të vendosë populli.Asnjë justifikim, asnjë argument dhe asnjë arsye nuk mund të ushtrohet në shpërfillje apo në kundërshtim të këtij vullneti.

Të gjitha kushtet politike, ekonomike, sistemit të drejtësisë në Shqipëri bëjnë që importi të jetë i rrezikshëm dhe lehtësisht të futet në dorë të kriminelëve dhe mafies ndërkombëtarë të plehrave. Kjo është arsyeja e dytë.

Sot në Shqipëri ka një mungesë totale të rendit publik dhe të kontrollit nga qeveria.

Sot në Shqipëri ka korrupsion, kapje dhe kriminalizim të qeverisjes qendrore, qeverisjes lokale.

Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon. Ndërkohë nga ana tjetër në shumë vende, fqinje dhe të huaja kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar mbetjet nga këto vende drejt vendeve të tjera.

Kjo do të thotë që me miratimin e këtij ligji Shqipëria është kthyer drejtpërdrejtë në shënjestër të të gjithëve për të sjellë plehra këtu, mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, përfshi këtu shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si mafia ndërkombëtare e plehrave.

Ndaj rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi i importit të mbetjeve. Në këtë kuadër ne do të bëjmë gjithçka në aleanca me qytetarët që kjo çështje të mbyllet një herë e mirë.

Do të hedhim hapat tonë duke kërkuar:

  • Presidentit të Republikës mos dekretimin e këtij projektligji dhe kthimin e tij në Kuvend.
  • Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend.
  • Do të shikojmë të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë mund të luajnë brenda kësaj hapësire kushtetuese, për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për tu shprehur. Sepse zëri i qytetarëve në këtë çështje duhet dhe do të dëgjohet.Ndaj për këtë qëllim ne po studiojmë edhe ushtrimin e të drejtës tonë, të drejtës parlamentare për të kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e  Kuvendit.

Duhet të bëj  një sqarim të rëndësishëm. Bashkimi Europian vendos standardet e menaxhimit të plehrave dhe mbetjeve brenda vendit por Bashkimi Europian nuk vendos kushtet apo detyrimet që një vend duhet patjetër të marrë plehra nga një vend tjetër. Kjo është një gënjeshtër e pastër që Edi Rama iu bën qytetarëve shqiptarë.

Ndaj ligjet, vendimet e miratuara në fshehtësi dhe në pabesi bëhen vetëm për interesa korruptive, për interesa kriminale. Kjo është arsyeja e miratimit të këtij ligji në shkelje të plotë dhe flagrante të qëndrimit të Edi Ramës para se të vinte në pushtet, në shkelje të plotë të qëndrimit të tij me anulimin e ligjit “Për importin e mbetjeve” pas ardhjes në pushtet, në përpjekjen  tij për të asgjësuar vullnetin e qytetarëve të cilët kishin dhe kanë të drejtën e tyre të shprehen për këtë çështje.

Edhe një herë e përsëris qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë dhe asnjë sharlatanizëm i tipit që vetë Edi Rama bëri sot nuk do t’i hedhë hi syve qytetarëve.

Dua të them se nuk kemi gjë me ricikluesit shqiptarë. E dimë që ricikluesve shqiptarë ju është rënë në qafë padrejtësisht dhe u çuan në zgrip të falimentimit, disa prej tyre falimentuan. Por dua tu them se ligji sot nuk po vjen për ju. Nuk vjen as për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, as për të krijuar vende pune. Vjen për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Dhe kjo meriton ndaljen me çdo kusht, me çdo çmim të këtij ligji dhe efekteve shkatërruese dhe helmuese që kanë për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar shqiptar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë.

Pyetje: Z.Basha, ju folët edhe për idenë e një referendumi , por çfarë do të bëjë Partia Demokratike pas ardhjes në pushtet me ligjin?

Basha: Qëndrimi ynë për këtë ligj është i qartë. Partia Demokratike është kundër këtij ligji, Partia Demokratike e ka lexuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. E lexoi edhe kur firmat u mblodhën edhe kur ligjit që ne kishim aprovuar në vitin 2013, u dekretua referendumi, do të respektohej vullneti i qyetarëve. Sot jemi në pozitat e një reflektimi të dyfishtë. Partia Demokratike dhe unë personalisht.

Dua të ndaj me ju dhe qytetarët shqiptarë një reflektim personal si kryetar i opozitës. Në kushtet dhe në dijeninë e plotë të rrethanave kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare gjykoj se ligji që ne propozuam për importin e plehrave ka qenë një vendim i gabuar. Jo vullneti. Mendoj se vullneti ka qenë një vullnet i drejtë për të disiplinuar dhe kontrolluar mbetjet e rrezikshme nga njëra anë, dhe për t’i dhënë frymëmarrje industrisë së riciklimit nga ana tjetër. Por edhe në ato kushte mendoj se levat e mafias ndërkombëtare do ta kishin bërë zbatimin e këtij ligji jashtëzakonisht problematik.

Sot kur kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin. A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?! Në kushtet e sotme kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji.

Ndaj qëndrimi që kemi sot, është edhe qëndrimi që Partia Demokratike do të mbajë nesër si mazhorancë, ndalim total të importit të plehrave.

Pyetje: Z. Basha, më dukeni si z. Rama në vitin 2013, pa i hequr asnjë presje. Dhe meqënëse jemi këtu, a mund të më thoni, përse në vitin 2011nuk e keni kundërshtuar asnjëherë ligjin e mbetjeve. Në programin e Partisë Demokratike të zgjedhjeve të kaluara nuk ka qenë kjo çështje fare. Përse nuk ka qenë kjo çështje. Ju keni deklaruar në një emision televiziv, kur ju jeni pyetur për këtë çështje, se është e pamohueshme se gjatë qeverisjes sonë 8 vjeçare, pesha e grupeve të caktuara të interesit për çështje të caktuara, kanë ndikuar në vendimmarrje të cilat jo gjithmonë kanë qenë në përputhje me interesin publik. Ligji i mbetjeve, ka qenë një nga këto raste? Nëse jo, cilat janë këto raste?

Basha: Dua të jem fare i hapur Elona me ty, me kolegët e tu dhe me ata që na ndjekin. Nuk mund të deklaroj se ligji i mbetjeve ka patur një prapavijë korruptive në kohën kur është miratuar nga qeverisja jonë.

Atë që mund t’ju them është se unë personalisht kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them se nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ. Përse? Rrethanat e diktojnë këtë. Një vend që shpall prioritet turizmin nuk mund të ketë prioritet në të njëjtën kohë importimin e mbetjeve. Duhet zgjedhje. Duhet të zgjedhim akoma më shumë kur strukturat tona shtetërore, vetë shteti ligjor, policia, doganat, gjyqësori, qeveria janë lehtësisht të korruptueshme apo të paafta apo të dobëta për ti bërë ballë presioneve të jashtëzakonshme që vijnë nga grupe të fuqishme të interesit siç është mafia ndërkombëtare e plehrave.

Pra po, ka një evoluim të qëndrimit të Partisë Demokratike dhe ka një reflektim timin personal në këtë drejtim. Ne besuam në atë moment se po vepronim në favor të interesit publik. Ngritja e mbi 64 mijë qytetarëve në këmbë ishte pa dyshim një këmbanë, një zile zgjimi për ne. Fakti që ne pranuam referendum, dekretuam referendumin ishte po kështu një shenjë e qartë se vendosëm të dëgjojmë zërin e qytetarëve.

Sot, më shumë se kurrë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri qytetar të vendosë për çështje të interesit publik, jo vetëm për çështjen e plehrave. Dhe kjo nuk është më çështje e zhvillimit të një sektori , apo e një trajtimi mjedisor, është çështje e një modeli të ri shoqëror dhe politik që duam t’i ofrojmë shqiptarëve.

Që ta kuptojnë se këtu nuk ka dy parti që luftojnë për t’i zënë vendin njëra- tjetrës, por se Partia Demokratike është e vendosur të kufizojë pushtetin shtetëror dhe të fuqizojë qytetarët.

Dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë, është pa dyshim dëgjimi i zërit të tyre, i interesit publik, siç është çështja e riciklimit. Nuk mjafton të dëgjojmë vetëm ricikluesit dhe vetëm fjala bie, grupet e ambientalistëve. Veçanërisht kur gjendemi para fakteve siç jemi sot, 64 mijë firma të mbledhura për referendumin që do të ndodhte tashmë të tradhëtuara dhe të quajtur në grup “sharlatanë”. Partia Demokratike dhe unë personalisht zotohemi të bëjmë gjithçka për të dëgjuar zërin e qytetarëve. Ky është angazhimi im, ky është angazhimi ynë dhe ky është fillimi i ri që besoj presin dhe duan të shohin qytetarët tek Partia Demokratike, tek opozita.

Pyetje: Zoti Basha, a do ti mbështesni qytetarët në protesta? Ata kanë paralajmëruar një tubim më datën 1 Tetor…

Basha: Padyshim që po. Protesta është e tyre, do të ketë mbështetjen tonë të plotë. Nuk do të ketë asnjë përpjekje për të zëvendësuar zërin e tyre. Opozita ka instrumentin e protestës, ka instrumentin e mbështetjes së protestës, ka instrumentin e ofrimit të rrugëve alternative në betejat e saj, sic do ta ofrojmë dhe në kuadrin institucional, sic e përmenda më herët.

Por protesta do të ketë mbështetje të fuqishme. Pse? Është bërë e qartë tashmë që ky është një shtet, kjo është një qeveri që i shërben vetëm interesave të klientelës së ngushtë dhe, për këtë  është e gatshmë të dëmtojë interesat e gjithë shqiptarëve, siç është rasti i plehrave, siç është rasti i drogës, siç është rasti i maturantëve. Çdo vendimi kësaj qeverisje  bëhet për ti marrë shumicës së qytetarëvem taksa të drejta, akses dhe për të favorizuar një grusht klientësh të kësaj qeverie. Prandaj aleanca me qytetarët dhe në vecanti,  protesta qytetare janë një ndër veglat, instrumentet e domosdoshme të përballjes me këtë rregjim.

Nuk bëhet fjalë më, për një demokraci as përfaqësuese, pjesëmarrëse jo që jo, por bëhet fjalë për një rregjim që merr vendime kundër shumicës, kundër zotimeve që ajo ka marrë në pabesi sic është rasti i mbetjeve, në shkelje të ligjit siç është rasti i maturantëve, në dërrmim të ligjit siç është rasti i drogës dhe çdo protestë e e qytetarëve ka patur , ka dhe do të ketë mbështetjen tonë.

Pyetje: Ju thatë që kryeministri Rama e ka marrë këtë vendim për shkak të interesave mafioze, por nuk thoni cilët janë mafiozët në këtë mes dhe përse duhet të besojmë fjalën tuaj dhe të mos besojmë që edhe ju keni marrë të njëjtin vendim për shkak të interesave mafioze në 2011?

Basha: Së pari, për këtë të dytën që the ne, vendosëm të dëgjojmë zërin e qytetarëve, aprovuam referendumin. U aprovua referendumi dhe ne vendosëm ti bindemi zërit të qytetarëve. Kishte një kontekst tjetër, ku synimi i qeverisë ishte për të disiplinuar procesin e ardhjes së  importit të mbetjeve. Këtu ka një kontekst tjetër. Këta njerëz që i quan sharlatanë firmosën për mosardhjen e mbetjeve, këta njerëz që i quan sharlatanë  firmosën të drejtën për referendum, Edi Rama erdhi dhe u tha; nuk ka nevojë për referendum, unë do ta anulloj. Pas tri vitesh po lëpin atë që pështyu, po pret në besë qytetarët. Pyetja që unë shtroj, që është pyetje dhe pastaj induksion logjik është, pse e bën këtë. Dhe është një pyetje edhe për ju. Pa dyshim që ne si opozitë kemi ngritur dhe vazhdojmë të ngrejmë denoncimet tona mbi bazë indiciesh dhe faktesh.  Fakti  i fundit sapo erdha këtu në këtë sallë dhe me siguri do të keni mundësi ta hulumtoni ne konferencën tuaj për shtyp, është ky tenderi i  Fierit, tani që bëhet akoma pa hyrë në fuqi ligji. Kemi faktetë tjera të cilat kanë dalë në sipërfaqe e që meritojnë hulumtim si afera e plehrave në Marok.

PD po i shqyrton të gjitha në bazë të fakteve, të dhënave që po publikohen,  e do të publikohen dhe do ta ndjekim me prioritet të madh këtë se bëhet fjalë për helmimin e njerëzve.  Bëhet fjalë për helmimin e tokës , ambjentit ushqimit dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Ju ftoj po kështu, juve si media,  ndonëse në situatë jashtëzakonisht të vështirë të cilën e di shumë mirë, të vazhdoni të bëni punën tuaj, për të sjellë në vëmendje të qytetarëve të gjitha ato indicie, prova dhe fakte që vërtetojnë të vetmen arsye se pse,  Edi Rama në tri vite, ndryshoi 180 gradë. Heronjtë i quan sharlatanë dhe sharlatanët i bëri heronj.

Pyetje: Z Basha, në lidhje me çështjen e Fierit, unë i pashë dokumentat dhe bëhet fjalë për një koncension për mbetjet urbane të qytetit të fierit dhe jo të importuara, edhe për të prodhuar energji. A jeni ju dakord për të stimuluar industrinë e mbetjeve që në burim në Shqipëri?

Basha: Kjo nuk është pyetja që shtrohet sot. Pyetja është; a është ky impjant një pararendës i impianteve të tjera të cilët nuk do të bëjnë vetëm djegien e mbetjeve urbane të cilat janë katasfrofë.

Shko shiko Gjanicën ta shikosh se ku është situate me mbetjet urbane në Fier. Shko shiko deltën e Semanit dhe shikon se ku është situata me mbetjet në Fier. Do jem vetë sot në Fier. E kam parë sa herë kam qënë aty, qytetarët e kanë një problem të jashtëzakonshëm. Shikoni mbetjen e naftës që derdhen në lumenjtë e Fierit.

Problemi është: ky impiant a do të djegë edhe mbetje të cilat do të importohen në Shqipëri?! Me pretekstin e ligjit që sapo u miratua, por në shkelje të ligjit që sapo u miratua duke mbyllur syrin dhe duke mbyllur veshin, siç e mbyll syrin dhe veshin kryeministri Rama kur futet makina e Emiljano Shullazit me armë dhe e blinduar në Durrës. Siç e mbyll sot syrin Saimir Tahiri dhe Edi Rama kur kalojnë tonelatata e drogës nga Durrësi. Keni ju siguri që kjo nuk do të ndodhë?! A mund të besojnë qytetarët se kjo nuk do të ndodhë?! Ky është shqetësimi. Kjo është çështja. Ky është problemi. Dhe për këtë, qendrimi ynë është fare i qartë: ndalim i plotë i importit të mbetjeve.


 

Konferencë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 26 shtator 2016

Read More
26 Sht
0

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Ngjarje jashtë mase tronditëse ajo mbrëmë në Kamëz, ku pas një aksidenti humbi jetën në detyrë, polici Ervin Haxhiaj. Dua të ngushëlloj nga zemra familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, dhe uroj shërim sa më të shpejtë për dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha.

Duke kërkuar hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes, dua të shpreh shqetësimin e thellë për pasigurinë në rritje, në cdo drejtim në vendin tonë si pasojë e shthurjes totale të sigurisë dhe rendit.

Nuk kalon një ditë e vetme pa një viktimë në rrugët tona, pa një përplasje me armë, apo një vrasje për shkak të drogës. Duhet një reflektim, duhet zgjidhje, vendi meriton rend dhe siguri.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 26 shtator 2016

 

Read More
25 Sht
0

Droga, alternativa e Ramës për vendin, merr një tjetër jetë

Një tjetër vrasje me motiv drogën ka ndodhur mbrëmë.

Viktima që u gjet i pajetë sot, është vëllai i administratorit të Kacinarit, i emëruar nga kryetari i Edi Ramës në Bashkinë e Mirditës, i cili e kishte kthyer banesën në magazinë droge, ku policia gjeti 424 kilogram kanabis me destinacion Greqinë.

Droga kalonte në Greqi pikërisht nga fshati Shëndëli në Sarandë, ku ka ndodhur vrasja.

Kjo është viktima e 6 e drogës, e këtyre muajve. Këto janë pasojat dramatike të alternativës së Edi Ramës për shqiptarët, që është kanabisi.

Kanabisi, alternativa e Ramës për vendin, kanabis voice alternativa e Ramës për rininë.

Edi Rama dhe Tahiri e tij e mohojnë dhe thonë se në Shqipëri ska drogë, por mediat më të rëndësishme të Europës raportojnë të alarmuara për kanabisin shqiptar, për përkeqësimin e situatës dhe për ngarkesat e përditshme që kalojnë kufirin.

Kanabisi vjen nga malet edhe përmes lumit, kanabisi ka zënë toka, pyje, kodra, ka zënë shtëpi e magazina, kanabisi po vret në Sarandë, Dukagjin, Korçë, Tepelenë, Vlorë, Kolonjë, e prapë Edi Rama thotë se s’ka drogë në Shqipëri, dhe se degën e fundit e kapi ai në një studio televizive.

Ky biznes kriminal me futjen masive, me shtrirjen masive, po sjell tension social, agresivitet tek të rinjtë, dhe pasiguri ekstreme.

Edi Rama dhe karteli i tij po fitojnë miliona euro, mbi rrënimin e vendit, mbi rrënimin e shoqërisë.

Kjo është një e keqe me të cilën shqiptarët s’mund të pajtohen. Është koha për një reflektim të thellë, për reagim popullor për ta ndalur rënien e Shqipërisë në këtë greminë.

Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e Sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, 25 shtator 2016

Read More
24 Sht
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Do të donim shumë që ky trafikanti te ishte në prangat e policisë duke dhënë sqarime edhe për aludimet miqesore të ministrit Tahiri. Por siç ka ndodhur deri tani çuditërisht trafikantet i shpëtojnë policisë. Flagrant është rasti i baronit të drogës Balilajt që shetit i lirë dhe nën mbrojtjen e Tahirit në Sara​ndë.

Nuk mund të fshihesh pas aludimesh dhe akuzash kaq ordinerë ti që je përgjegjësi kryesor i kthimit të vendit në hambar drogë dhe njeriu qe u jep mbrojtje të drejtperdrejtë trafikanteve të drogës, gjobvënesve dhe kriminelëve.

Sot në fakt po prisnim reagim tend ose të kryeministrit për kërcënimin që i është bërë Prokurorit të Përgjithshëm. Thuhet se kërcenuesit janë miqtë e tu.

Urojmë dhe shpresojmë që institucionet përgjegjëse ta zbardhin sa më parë këtë ngjarje të denjë për vendet ku sundon mafia dhe krimi.

Në rast se mendoni se me shpifje do ti mbyllni gojën opozitës, jeni të dështuar. Beteja totale kundër krimit, drogës dhe lidhjeve tuaja dhe të Edi Ramës me kartelin, sapo ka nisur.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 24 shtator 2016 

Read More
24 Sht
0

Rama ndërron bletët, po doganat e tatimet mbeten koshere korrupsioni

Edi Rama vendosi të ndërrojë bletët e tij punëtore në Tatime e Dogana, po këto institucione në këto tre vite mbeten dhe do vijojnë të jenë koshere të evazionit, korrupsionit dhe militantizmit partiak, të punësimit me listë sipas influencës së deputetëve dhe ministrave.

Pavarësisht nëse quhen briseida, elisa, apo vasilika, tatimet e doganat janë në dispozicion të klaneve të pushtetit dhe zgjedhjeve që po vijnë.

Vetëm për Gushtin rreth 35 milion dollarë i munguan arkës së shtetit, duke qënë gropa më e madhe e bërë në një muaj të vetem në vitet e fundit.

35 milionë dollarë të vjedhura, që nuk shkojnë për rrugë, shkolla, ndihmë ekonomike, por përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve të tyre.

Taksat në dogana dhe tatime po kthehen në një pazar ku negociohen rryshfetet për të dërguarit e Ramës, dhe nuk shihen si detyrim ligjor.

Megjithë shkallën e lartë të evazionit, Rama nuk ndërron model, dhe në vend se bletët e tij të mbajnë përgjegjësi, i gradon më tej ato duke i bërë zëvendësministre.

Ndërkohë, vjedhjen në dogana e tatime e mban sërish nën kontroll, në duar të sigurta duke ua besuar këshilltareve të tij.

Ndryshimet e Ramës janë thjesht një makiazh, po vjedhja dhe hajdutëria në tatime e dogana nuk ndryshon.


Deklaratë e Këshilltarit të PD për Ekonominë, Dorjan Teliti, 24 shtator 2016

Read More
24 Sht
0

Shqipëria e mbytur në kanabis, Europa në alarm, Rama thotë s’ka drogë

Gazeta më e rëndësishme greke, Kathimerini shkruan se Klement Balili, i konsideruar nga CNN si eskobari i Ballkanit, feston çdo natë lirshëm në Sarandë, edhe pse është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Mediat italiane çdo ditë raportojnë ngarkesa droge që mbërrijnë nga Shqipëria me skaf apo në rrugë të tjera. Vetëm sasia e kapur në muajt gusht-shtator në Itali, e raportuar nga mediat, është 12 ton drogë. Drogë e rritur, e kultivuar, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria drejt Italisë. The Economist, revista lider në botë shkruan se situata e drogës në Shqipëri është përkeqësuar. Pista e avionëve të drogës 1.8 kilometra është ndërtuar në mes të vendit, Lumi Zezë ka habitur dje banorët e Fushë Krujës se është mbushur me kanabis që vjen nga kodrat. Me gjithë këto fakte, me gjithë këto ngjarje të përditshme, Edi Rama dhe Tahiri i tij thonë se në Shqipëri nuk ka drogë, dhe se degën e fundit e sekuestruan ata në një studio televizive. Dhe shfaqet edhe më i paturpshëm drejtori i Policisë, Cako, i cili deklaron se monitorimet nga ajri tregojnë se nuk ka kanabis në vend. Duke u tallur me shqiptarët dhe me partnerët italianë, me Guardia di Finanza, e cila është çdo ditë në aksion duke kapur drogë shqiptare që mbërrin në brigjet e shtetit fqinj. Pra pasi mbuloi Shqipërinë me kanabis, Edi Rama ka zgjedhur ta mohojë atë. Po shqiptarët e dinë, e shohin çdo ditë, dhe po e vuajnë këtë rrënim të vendit nga droga, nga droga që mbyt ekonominë e ndershme, shfrytëzon tokat dhe burimet, që sjell vrasje e hasmëri, që kap pushtetin, drejtësinë, që shkatërron votën e lirë. Dhe shqiptarët po reflektojnë e do të bashkohen për ta ndalur këtë të keqe. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 24 shtator 2016

Read More
23 Sht
0

Basha: Përgëzoj Statkraft për investimin, realizoi vizionin dhe programin e Partisë Demokratike

Sot është një ditë përgëzimi për kompaninë Statkraft e cila ka përfunduar veprën e parë të projektit “Hidropower Devoll”në hidrocentralin e Banjës. Është një ditë përgëzimi për një kompani e cila në vitin 2009, falë vizioni, planit dhe programit të qartë të qeverisë së Partisë Demokratike për energjitikën në vend, u kthye në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri, në një sektor strategjik, siç është sektori i energjitikës.

Ky vizion që përfshinte taksat e ulëta, kushtet e përshtatshme për investitorët e huaj, sigurinë për ta dhe shpalljen e energjisë si prioritet absolut, bëri të mundur që Statkraft dhe partnerët e tyre të vinin në Shqipëri dhe të merrnin përsipër një ndër projektet energjitike më të mëdha në Europë.

Bashkë me përgëzimet dua të shpreh sot edhe mirënjohjen, edhe krenarinë tonë të ligjshme se kjo vepër do të përmirësojë situatën energjitike në vend dhe mbi të gjitha ka punësuar gjatë viteve të ndërtimit mijëra qytetarë shqiptarë. Po kështu, dua të shpreh kënaqësinë që pjesa e kontratës koncensionare e firmosur me qeverinë shqiptare të Partisë Demokratike për ndërtimin e një rrjetit rrugor si pjesë e koncensionit, sot është materializuar me një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar për qytetarët, për banorët e zonës përreth hidrocentralit, kryesisht të bashkisë së Gramshit.

Devolli, bashkë me projektin tjetër të firmosur nga qeveria demokrate atë të TAP-it, kanë mbajtur gjallë investimet e huaja në vend edhe gjatë 3 viteve të qeverisjes Rama të cilat kanë qenë vite shkretëtire sa i përket investimeve të huaja dhe zhvillimit të ekonomisë.

Kjo konfirmohet nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë të cilat tregojnë qartë se në 6 mujorin e parë të këtij viti investimet e huaja kanë rënë edhe me 10 % më pak sesa 6 mujori i vitit të kaluar.

Sot, Edi Rama u mburr sikur të ishte noter province sepse i paska rregulluar kontratën investitorit.

Se sa investime ka bërë Edi Rama e dinë të gjithë. I thoni Edi Ramës të zbresë volumin e investimeve të “Hidropower Devoll”, të zbresë volumin e investimeve të TAP-it dhe të na tregojë sa është shifra e investimeve që ka sjellë në Shqipëri në këto 3 vite.

Është 10 herë herë më e vogël vit për vit se sa viti më i keq i investimeve në 8 vite paraardhëse. Dhe pse vjen kjo?!

Sepse ai është përkujdesur dhe ka mbështetur vetëm investimet e klientëve të tij që po zaptojnë gjithcka nga veriu në jug, nga bregu i detit në majat e maleve.

Investimet e tij të vetme janë fasadat, gjysma e parave të të cilave përfundojnë në xhepat e klientëve të tij. Dhe bumi i investimeve të tij është droga, është kthimi i Shqipërisë në një plantacion gjigand droge.

E vetmja gjë që do të kishte qënë e pamundur pa Edi Ramën është  kthimi i Shqipërisë në një hambar droge dhe lidhja e paktit me mafien e plehrave.


Deklarata per mediat e kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, 23 Shtator 2016

Read More
23 Sht
0

Veliaj ndjek interesat e klientelës, lagjet po rrënohen

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot gjendjen e rëndë të infrastrukturës në njësinë bashkiake numër 2, në një zonë shumë të populluar sic është ajo pranë Liceut Artistik. Veliaj ka prioritet pasadat dhe planet kleinteliste dhe jo komunitetin e nevojat e tij.

“Ndërkohë që Bashkia e Tiranës po shpenzon paratë publike për të ribërë Sheshin Skënderbej, siç mund ta shihni rrugët dhe rrugicat në njësinë bashkiake nr 2, janë lënë në gjendje të mjerueshme. Qytetarët përballen çdo ditë me pluhur, me baltë, cka po vështirëson jetën e tyre të përditshme dhe shkakton edhe dëme financiare me shkatërrimin e mjeteve të tyre pasi këtu kalojnë çdo ditë prindër që çojnë fëmijët në shkolla dhe me ardhjen dimrit kjo situatë do të vështirësohet. I bëjmë thirrje personave përgjegjës në Bashkinë e Tiranës që të marrin masa, të vendosen në vend të këtyre banorëve dhe të rishikojnë prioritet që kanë. Ne si këshilltarë të PD, do të qendrojmë në krah të qytetarëve deri në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Argyrina Jubani.

“Ajo që ka ndodhur është që kanalet janë rihapur nga e para. Në vend që të bëjnë punën, ne shohim tendera të stisura të cilat do merren me rimbylljen e rrugës, apo për ta hapur prap, abuzime pa fund. Kjo ka ndodhur në rrugët e kësaj lagje. Banorët i kanë bërë peticione bashkisë pasi janë vërtet të lodhur nga kjo situatë. Ne si këshilltarë do të jemi në çdo cep të qytetit pranë çdo qytetari”, tha Mateo Spaho.

“Unë jetoj tek kjo rrugë këtu. Rruga u shtrua njëherë dhe pas 3 javësh u prish prap për kanalizimet. E shtruan më pas me çakull por përsëri erdhi bashkia dhe e prishi. Nuk e marrim vesh se çfarë bëjnë se këto janë taksat tona. Një shi dhe këtu mbushet lagja me ujë”, u shpreh një banore e zonës.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 23 Shtator 2016

Read More
22 Sht
0

Kamerat e sigurisë, duhet vullnet politik për të parë krimin dhe drogën

Kamerat e sigurisë, me siguri janë biznesi i radhës që keni projektuar.
Janë milionat që i keni ndarë që tani me klientin tuaj.
Ne jemi pro cdo mase që rrit sigurinë publike, nuk ka asnjë dyshim për këtë.
Por kamerat e sigurisë nuk do të ndihmojnë për të parë në sy realitetin që po kalojmë.
Për të parë këtë realitet duhet vullnet politik.
Duhet vullnet politik për të ndalur drogën që ka pushtuar vendin, cdo fshat të Republikës.
Nuk bëjnë punë kamerat që do të regjistrojë e do të shohë Saimir Tahiri.
Duhet vullnet politik për të parë këtë realitet, se vetëm dje ndodhi një vrasje tjetër pikërisht për konliktet që po sjell droga, kanabisi, mbjellja e parcelave anembanë vendit.
Vrasje qe fshihen nga Saimir Tahiri sikur ka ndodhur për motive të tjera, kur në fakt, konfliktet jane për arat me kanabis.
Jeni duke futur një spiral konfliktesh e hasmërish mes shqiptarëve. 6 viktima ka këto muaj për shkak të drogës. 10 ditë më parë ndodhi vrasja në Dukagjin. Ne Tepelenë, në Korcë, në Vlorë kanë humbur jetën këto muaj nga rivaliteti e përplasja e zonave të influencës për kanabisin.
Tensioni social është rritur. Dhuna është shtuar. Dhe agresiviteti i bandave tuaja, i kartelit të drogës është në shkallën maksimale.
Nuk guxojnë fshatarët të shkelin në parcela, pyje e livadhe sepse rrezikojnë jetën nga bandat e armatosura që ruajnë drogën.
Duhet vullnet politik për të parë realitetin, për të mbikqyrur e ndalur krimin.
Duhet vullnet politik për të ndalur skafin me 1 tonë drogë. Ekzistojnë kamera në porte, mund të vini edhe të tjera, por nëse droga është e lidhur me pushtetin, nëse bandat janë kushërinj, nipa, klientë, atëherë, asgjë nuk do të bëjë punë.
Do ta shpëtonin vallë kamerat investitorin amerikano-libanez nga rrahja barbare, që e detyroi të braktiste Shqipërinë.
I ikën vendit tonë 450 milionë dollarë investim, 1200 vende pune. Kjo ndodhi në mes të ditës, dhe ju kishit informacion se biznesmeni ishte kërcënuar. Kërkohet vullnet politik për të ofruar siguri e garanci.
Po ju nuk e keni këtë vullnet politik. Garanci e siguri ofroni vetëm për bandat, për trafikantët.
Nuk është shprehur akoma kryeministri i vendit për këtë ngjarje të rënda, që është një prej goditjeve më të mëdha në ekonominë tonë. Largimi i këtij investitori, pas dhunimit brutal, mos mendoni se do të kalojë lehtë. Shqipëria penalizohet jo vetëm për atë investim të munguar tashmë, por edhe për pasojat që do të sjellë kjo.
Cili investitor do ta ketë në planet e tij vendin tonë pas kësaj ngjarje. Cili investitor do të kërkojë të vijë këtu, kur merr vesh se si u dërrmua në mes të ditës në një aks kombëtar një biznesmen i huaj, dhe kryeministri i vendit nuk tha një fjalë të vetme as ditën e ngjarjes dhe as ditën kur ai deklaroi largimin nga Shqipëria.
A do të ndalonin kamerat blerjen e votës, një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve që ndodhi së fundmi në Dibër.
Jo aspak nuk do ta ndalonin.
Se kjo kërkon vullnet politik. Vullnet politik do të thotë të mos shkosh në shtëpitë e njerëzve e tu blesh votën, do të thotë të mos i kërcënosh me vendin e punës, do të thotë të mos e vësh shefin e komisariatit shef të shtabit elektoral, do të thotë të mos luash me ndihmën ekonomike të të pamunurve.
Të gjitha këto i bëtë në Dibër dhe unë jam dëshmitar si shumë kolegë të tjerë në këtë sallë.
Ju sot krenoheni me një degë kanabis që konfiskoni në një studio televizive e me ca kotele që shpëtoni në rrugë. Ky është bilanci juaj, ndërkohë që mediat raportojnë se i kërkuari nga policia e gjysmën së Europës, që CNN e quan eskobari i Ballkanit, Klement Balili pra, feston gjithë natën në një dasëm në një hotel në Sarandë.
Krenoheni me një degë e me dy kotele, ndërkohë që karteli i drogës ka ndërtuar pistë avionësh në zemër të Shqipërisë.
Krenoheni me një degë hashashi dhe me dy kotele, kur keni braktisur qytetarët i keni lënë në mëshirë të fatit.
Krenoheni me një degë hashashi e me dy kotele, kur në mes të Tiranës për pak humbi jetën një 17 vjecar nga dhuna, dhe pak kohë më parë një i ri vdiq nga plumbat e kallashnikovit në Pogradec.
Aksidentet janë shtuar dhe cdo ditë kemi një viktimë në rrugë.
E si të mos mjaftojë kjo kronikë e zezë, përditë shtohet skamja e varfëria, papunësia e mungesa e shpresës.
Nuk ka asnjë dyshim se ky është realiteti që ju kërkoni.
Shqipëria e varfër, shqiptarët e varfër është realiteti që ju intereson. Sepse kështu sundoni më kollaj, kështu rrisni pushtetin e drogës dhe të trafikantëve, dhe kështu në fund mendoni se do ta blini më lehtë votën për të mbajtur karrigen.
Ju po e coni vendin, qytetarët dhe shoqërinë në cep të ringut dhe po e godisni nga të gjitha anët.
Kjo shtypje e ka një kohë. Nuk mund të zgjasë pafundësisht. Populli do ngrihet një ditë. Ua them me plot bindjen se nuk ka shoqëri që duron kaq shumë padrejtësi, kaq shumë sundim bandash.
Kur populli të ngrihet, sdo tiu shpëtojnë dot as trafikantët, as kamerat e sigurisë.


Fjala ne Kuvend e deputetit Alban Zeneli, 22 Shtator 2016

Read More
22 Sht
0

Ja pse PD voton kundër ligjit të plehrave

Me anë të këtij akti të fundit që po diskutojmë sot, Edi Rama po përgatitet për riciklimin e parave të korrupsionit, duke e ekspozuar Shqipërinë edhe para rrezikut të mbetjeve të rrezikshme, kush e di edhe ato radioaktive! Përtej paaftësisë profesionale të Kryeministrit që askush s’e dyshon më pas 3 vjetësh në Qeverisje, ky akt dëshmon imoralitetin politik të kryeministrit rilindas i cili vetëm pak vite më parë, (të gjithëve na kujtohet), atëherë opozitar, bërtiste e uluriste kundër importit të po këtyre plehërave.

Me shumë interes lexova mbrëmë fjalimet e Ramës dhe kolegëve të tjerë të PS të para 3 vitëve… dhe mendova që fjalim më të mirë për sot s’do kisha vec të lexoja atë cka ato kanë thënë aso kohe vetë Rama, Bare etj.

Por unë nuk do ju lexoj të gjithë fjalimin, por do ju citoj vetëm një paragraph të asaj cfarë thoshte Rama?? Po jau citoj:

“Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria, të dobëta në tandarde dhe të paafta për të kontrolluar kufijtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave kombëtare.”

Përvec imoralitetit politik të këtij akti, nëse e përkthejmë në gjuhën e politikës së ditës Rama opozitar (para se të vinte në pushtet) ka akuzuar Kryeministrin Rama duke e etiketuar “mafjoz”!! Opozitari Rama akuzon sot Ramën Kryeministër se po punon kundër interesave të kombit të tij.

Kryeministri Rama sot ka dy rrugë:

  • E para, t’I kërkojë ndjesë qytetarëve shqiptarë e të tërhiqet nga ky draft ligj;
  • E dyta, të dalë këtu e të pranojë publikisht që është i kapur nga mafja e plehërave, që është pjesë e atyre interesave të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombit tonë!!!

Të nderuar qytetarë,

  • Kur në Shqipëri ngrihen pista ilegale avionësh…që transportojnë drogë me lejen dhe nën mbrojtjen e pushtetarëve… kur kjo Qeveri nuk kontrollon dot territorin e vendit, pse duhet të shpresojmë që nuk do lejojë të hyjnë mbetje të rrezikshme në Shqipëri??
  • Kur Shqipëria është mbuluar nga Kanabisi, që vec sytë e drejtorit të policisë dhe shefave të tij nuk e shohin…. si mund të mendojmë që kjo Qeveri do kontrollojë plehrat që do importohen???
  • Kur qytetari i varfër arrestohet për një rregullim catie, dhe kriminelët shtëtisin lirshëm në mes të Tiranës, në mes të ditës…si mundet të shpresojmë që importi i plehërave apo helmeve të ndryshme nuk do na dëmtojë, mjedisin, shëndetin, ekonominë??? Të na rrezikojë jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë???
  • Kur të gjitha raportet e ndërkombëtarëve ngrenë me shqetësim korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e administratës a mund të shpresojmë që mbetjet do kontrolloheshin në 3 pikat doganore ashtu si duhet?
  • Kur një nënë në pritje të momentit të lumtur të lindjes së foshnjës së saj, humbet jetën për shkak të sistemit të kalbur e tërësisht të korruptuar shëndetësor që Rama – Beqaj me shkumë kujdes e ngritën; kur 6 pacientë me HIV/AIDS humbin jetën për shkak të mungesës së barnave; kur fëmijët me leucemi nuk kurohen prej neglizhencës së Ministrit të shëndetësisë; kur te onkologjiku pacientët edhe sot nuk marrin terapinë e duhur se mungojnë medikamentet përkatëse; kur matërnitetit të Burrelit sot i vihet dryni për mungesë mjeku gjinekolog….si mundet pra të shpresojmë që ky Kryeministër dhe kjo qeveri nuk do mbyllin sytë e të lejojnë futjen e mbetjeve të rrezikshme, për jetën e qytetarëve…..

Thuhet, se jo pak por 4 milionë euro kanë paguar te kryeministri lobuesit e importit të plehrave. Në Shqipërinë ku Rilindja qeveris, po largohen me dhunë investitorët e mëdhenj, seriozë Glaxo, Actavis, Bankers, koncesionari gjerman i aeroportit Rinas, Omnis…etj. që do hapnin mijëra vende pune në shumë sektorë… ndërkohë që po lejohen bizneset mafioze të kazanit të plehrave të Ramës.

Por rreziku është akoma më i madh se ai që dihet e që mendohet. Mjafton ti referohemi librit “Gomorra” të Savianos, për të kuptuar se kush merret dhe kush e zotëron biznesin e plehërave. …Biznesi i plehrave është i rrezikshëm e problematik edhe në shtetet me të zhvilluara e më të konsoliduara në botë, jo më në Shqipëri ku qeveria është e kapur nga krimi dhe bandat, ku qeveria është e paaftë për të kontrolluar territorin e mbuluar nga kanabisi, ku administrata është e paaftë të kontollojë importin e plehërave, e ku as shqëria civile nuk ka as tagrin e as mundësinë e as përgjegjësinë për të kontrolluar e monitoruar importin e plehërave… Nuk dimë në detaje mbi amendamentin e LSI pasi negociatat më shumë se 5 orë kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit dhe jam e sigurt që kanë shkuar përtej importit të plehrave, por nuk mendojmë që është detyrë e Shoqërisë Civile të bëjë atë cka ka premtuar dhe është votuar të bëjë një qeveri. Shoqëria civile përmban specialistët dhe ekpsertët më të mirë të cdo fushe, por ajo duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj si “ëatchdog” i politikave qeveritare.

Tashmë është e qartë, pse Rama po investon në infrastrukturën aeroportuale duke i siguruar mafies eksportin e drogës në rrugë ajore, ujore dhe tokësore. Ky udhëtim pritet së shpejti të bëhet biznes përfitimi “vajtje-ardhje”. Avionët nuk do të bëjnë rrugë bosh, së shpejti ngarkesa import mund të jenë mbetjet e rrezikshme. Për krimin s’ka sovranitet, kufijtë janë thyer nga paratë e drogës dhe plehrave!

Të nderuar qytetarë,

Po cfarë ndodh me procesin e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri??? Kush pra është ana tjetër e medaljes??? Ku shkojnë, si përpunohen dhe riciklohen plehrat???

Pak javë më parë një histori tronditëse u zbulua nga gazetarët investigativë. Pak minuta larg zyrës së Kryeministrit, zëvëndësi i tij në Bashki, Erion Veliaj shfrytëzonte rreth 50 fëmijë edhe të moshës 10 vjec në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë.

Një fëmijë vetëm 17 vjec, i punësuar në të zezë në këtë landfill u masakrua. i ndjeri Ardit Gjoklaj dyshohet se humbi jetën aksidentalisht, por të padiskutueshme janë faktet se qëllimisht rrethanat u fshehën, dhe trupi i fëmijës u trajtua në mënyrë cnjerëzore, duke shkelur edhe kodet e shqiptarëve, atë më të shenjtin, të respektit për kufomën.

Media të tjera raportojnë që Arditi nuk ishte viktima e parë. Para Arditit një tjetër person ka humbur jetën në landfill, por kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë. Një grua 49 vjeçe, nënë e dy fëmijëve është vrarë aksidentalisht nga mjetet e kompanisë “3R” vetëm 8 muaj më parë. Sipas dëshmive shoferi i kamionit ka qënë i dehur, ndërsa përgjegjësit e blenë heshtjen e familjarëve. Varfëria, lufta për mbijetesë i detyroi të ulin kokën familjarët e të ndjerës e të pranojnë para në këmbim të heshtjes së tyre…

Kryebashkiaku Veliaj ju premtoi punë me standarte dhe sigurime…por këto ngjarje dhe dëshmi të tjera vërtetojnë se Sharra është kthyer në një zonë skëterre, Sharra është kthyer në “zonë vdekjesh”.

Rama përmendi Elbasanin, por nuk guxoi edhe sot të prononcohej për Sharrën pasi e vërteta e Sharrës është tronditëse dhe dramatike. Investigimi kurajoz i ndërmarrë nga Drejtoresha e Lajmeve në të një TV, Alida Tota bashkë me stafin e saj zbuluan që:

  • Në landfilldin e Sharrës, administruar nga Bashkia e Tiranës dhe Firma 3R, (sic e përmenda më lart) shfrytëzoheshin 50 fëmijë, duke filluar nga mosha 10 vjeç;
  • Ky shfrytëzim do të vazhdonte edhe sot nëse nuk do të humbte jetën Arditi 17 vjeç, që punonte në landfill turn i tretë;
  • Veliaj në një dëshmi televizive post – produksion, të montuar nga zyra e tij e shtypit u bëri thirrje qytetarëve të punësoheshin ne landfill pasi do të punojnë me kontrata dhe siguracione. Por e vërteta është, se i zhytur thellë në korrupsionin e plehrave lejoi të shfrytëzoheshin fëmijë, gra dhe burra, të cilët u trajtuan si skllevër, pa kontrata dhe pa siguracione. Sipas dëshmive në investigim, një pjesë e grave janë larguar me dhunë nga landfilli pa marrë asnjë pagesë për punën e bërë;
  • Portali hashtag.al ka nxjerrë në dritë një fakt tjetër tronditës: të dhënat zyrtare, të Inspektoriatit të Punës, dëshmojnë që 124 qytetar punonin në të zezë, pa kontrata, pa sigurime, pa asnjë standart në landfillin e Sharrës; (http://ëëë.hashtagalbania.com/index.php/2016/08/25/ekskluzive-thellohet-skandali-te-pakten-124-vete-punuan-si-klandestine-ne-landfillin-e-sharres/)
  • Veliaj dhe kryetari socialist i Peqinit, i kërkuar nga drejtësia por që mbrohet nga Edi Rama, nuk kishin siguruar asnjë kusht higjieno-sanitar;
  • Në landfill nuk respektoheshin kushtet teknike të sigurisë në punë. Riciklimi kryehej nga punonjësit pa pajisjet mbrojtëse dhe s’merrnin as trajnime për sigurinë teknike.

Po ku ishin institucionet përgjegjëse per verifikimin e kontratave, kushteve e standarteve në Landifllin e Sharrës?

Ku janë institucionet për mbrojtjen e grave? Po agjencia për mbrojtjen e femijëve?

Shfrytëzimi i 50 fëmijëve në Landfill-in e Sharrës, vetëm 10 minuta larg zyrës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe 8 minuta nga zyra e shefit të tij Rama është dëshmia e kapitullimit të institucioneve shtetërore.

Pse kjo censurë???

Cfarë fshihet në landfillin e Sharrës???

Pse hesht Rama??

Pse hesht Veliaj

Pse hesht Ministri Klosi???

Sot, nga kjo foltore, dua t’i bëj thirrje Prokurorisë të thellojë hetimet për këtë krim shtetëror, për të cilin kanë edhe një provë të pakundërshtueshme, një investigim mediatik të lenë në gjysmë të rrugës, pas shkarkimit nga puna të Drejtoreshës së Lajmeve, znj. Tota. Kryeprokurori duhet të rinisë punën, aty ku gazetarët e ndërprenë për shkak të censurës.

Të nderuar kolegë,

Parlamenti nuk mund, nuk duhet të votojë ligjin e blerë nga mafja në zyrën e Ramës për mbulimin e vendit me mbeturina dhe mbetje te rrezikshme. Jashtë kontrollit është gjithcka në këtë sipërmarrje të paligjshme të Qeverisë. Këtu institucionet i janë dorëzuar krimit dhe askush nuk mund të mashtrohet më se kjo palo qeveri do të kontrollojë nga do i hyjnë plehrat.

Unë, jam kundër këtij pr.ligji, jo aq për ligjin në vetvete se me ndonjë amendim e në konsultim të gjerë me shoqërinë civile mund të bëhej i mirë. Po Unë nuk kam besim te Qeveria ime. Unë nuk kam besim te Kryeministri i vendit tim. Unë nuk kam besim që një ligj i blerë nga mafja do jetë i mirë për fëmijët e mij për fëmijët tuaj, për fëmijët e shqiptarëve. Unë nuk kam besim që rama nuk do ti hapë rrugë të gjitha mbetjeve të rrezikshme e helmeve nga vendet fqinje apo ato të Europës.

Grupi Parlamentar i PD shpreh votën Kundër ligjit për importin e plehrave! Këtu dua të sqaroj që nuk jemi kundër biznesit privat. Nuk duam as t’u heqim bukën e gojës atyre që jetojnë duke punuar në këto biznese…por Grupi Parlamentar i PD i thotë JO ‘Mafies së Pleherave’ dhe ‘Bandës në Pushtet’.

Grupi Parlamentar i PD është kundër këtij pr.ligji sepse kjo qeveri është e kapur nga krimi dhe bandit, kjo Qeveri është e paaftë për të kontrolluar territorin e kanabizuar tashmë, ndaj jemi të bindur që është e paaftë të kontollojë importin e plehërave.

Partia Demokratike i thotë JO ligjit të plehrave, se bespjmë që ky është interesi më i mirë për të gjithë shqiptarët; ky është interesi më i mirë për familjet tona; ky është interesi më i mirë për fëmijët tanë!!!

Sepse ne, Demokratët e duam Shqipërinë të pastër dhe ekologjike.

E duam Shqipërinë pa mbetje të rrezikshme.

E duam Shqipërinë të bukur e turistike.


Fjala në Kuvend e deputetes Albana Vokshi, 22 Shtator 2016

Read More