Blog

06 Sht
0

Edi Rama dhe Lindita Nikolla zhysin në kaos maturantët, favorizojnë klientelën e universiteteve private

Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli.

Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve që do të duhet të hynin në universitete.

Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta.

Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit.

Maturantët nuk u orientuan për gruplëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit.

Nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve.

Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin.

Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi, do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë.

Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë.

Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë Universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Sepse ata i tradhtuan duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës.

Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën Universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private.

Sot fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë.

Eliminimi i maturës shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë.

Mungon merita.

Nuk ka asnjë rregull apo normë.

Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të Universiteteve.

Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t’i përballojnë tarifat e studimit  e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre.

Kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund.

Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më.

Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për ti dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim.

Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 6 shtator 2016

Read More
06 Sht
0

Landfilli i Sharrës dhe vdekja e Arditit, Erjon Veliaj ka kyer 7 vepra penale

Kallëzim penal në prokurori i Këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës
Partia Demokratike ka depozituar sot një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për një numër të madh shkeljesh ligjore, që sollën si rezultat humbjen e jetës së 17 vjecarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë.
Zanafilla e paligjshmërisë nis me krijimin e shoqerisë Eco Tirana, me dhënien e 49 përqind të kapitaleve një firme italiane, pa garë, pa konkurs pa transparencë, dhe më pas me kushtet e rënda të paligjshmërisë në punën që bëhej në landfillin e Sharrës, ku për të gjitha është përgjegjës, drejtuesi i Bashkisë, Erjon Veliaj.
Pas hulumtimit, ekspertët e PD kanë zbuluar të gjitha shkeljet e Veliajt, dhe ai kallëzohet për;
1- ”Shpërdorim detyre” neni 248 KP
2- “Shpërdorimi i kompetencave” neni 164 KP
3- “Punësimi i paligjshëm” neni 170/a KP
4- “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” neni 251 KP
5- “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti” neni 256 KP
6- “Përfitimi i paligjshëm i interesave” neni 257
7- “Shkelja e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankandeve” neni 258
Material shpjegues:
Trajtimi nga Bashkia e Tiranës e shoqërisë aksionere “EcoTirana”, sh.a, e cila do të ofronte disa shërbime publike, ka një sërë parregullsish dhe paligjshmërish. Paligjshmëri këto që ngarkojnë  Drejtuesin e Bashkisë së Tiranës me përgjegjësinë e konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe për shkaqet e mëposhtme:
1.Në rastin e përfshirjes së një Etniteti Publik në një shoqëri tregtare, në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duhet më parë që nga ekspertë të licensuar të përllogariten kontributet reale me të cilat Etniteti publik kontribuon në këtë shoqëri. Dhe në bazë të këtyre kontributeve të përcaktohet më pas pjesa takuese e aksioneve të Etnitetit Publik në shoqërine e krijuar. Në këtë rast, Bashkia Tiranë ka kontribuar në “Eco Tirana” sh.a, jo vetëm me shumën prej 1.989.000 lekë, por dhe me sasinë e mbetjeve urbane që prodhon qyteti, të cilat kalojnë në favor të shoqërisë së krijuar, si dhe me vënien në dispozicion të “Eco Tirana” të territorit të Landfillit të Sharrës. Pavarësisht këtij kontributi trefish të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit ka përfituar aksione vetëm për shumën e kapitalit fillestar që ajo ka derdhur në llogari të shoqërisë, dhe nuk janë përfshirë në kontributet e saj për shoqërinë tregtare, vlera e mbetjeve urbane që krijohet cdo vit dhe vlera e përdorimit të territorit të Landfillit të Sharrës nga ana e “Eco Tirana”
2.Pavarësisht se Bashkia Tiranë i është referuar nenit 33/1/d të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor” ku parashikohet mundësia e themelimit të një shoqërie tregtare nga ana e saj në bashkëpronësi, për ofrimin e shërbimeve publike, ajo me akordimin në favor të shoqërisë “Eco Tirana” që në vitin e parë të një shume prej 2.5 milonë euro, ka shkelur në mënyrë flagrante nenin 33/3 të po të njejtit ligj që e ndalon Bashkinë e Tiranës të akordojë fonde shtetërore në favor të shoqërive tregtare në bashkëpronësi dhe ku njësia vendore nuk zotëron Kapital të plotë të shoqërisë.
3.Shoqëria “Eco Tiana”, përfiton nga veprimet e kryetarit të bashkisë, pa kundërshpërblim, pronësinë dhe të drejtën e administrimit të mbetjeve urbane te riciklueshme të Tiranës për 25 vite që përbëjnë 200 mijë ton mbetje urbane ne vit. Kjo pronë e luajtshme e Bashkisë së Tiranës përbën një burim të madh potencial të ardhurash për administruesin dhe poseduesin e saj dhe kalimi i kësaj prone publike një shoqërie me aksionerë private, pa kundershperblim, përbën shpërdorim detyre gjithashtu.
Për këto arsye, shpërdorimi i detyrës nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë është konsumuar në rastin konkret jo vetëm për shkak të përcaktimit të partnerit privat që do të kryente këto shërbime në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji, por edhe për shkak të shkeljes flagrante të nenit 33/3 të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor, ku ndalohet njësia vendore të mbështesë financiarisht një shoqëri tregtare përvec rastit kur shoqëria zotërohet plotësisht nga vetë Njësia Vendore në 100% të aksioneve të saj, si dhe për shkak se shoqërisë me veprimet e të kallëzuarit, i janë kaluar prona publike si rasti i mbetjeve urbane, pa kundërshpërblim. Në rastin konkret dhe pse Bashkia Tiranë zotëron vetëm 51% të aksioneve të shoqërisë “Eco Tirana” dhe 49% të tjera një partner privat, Bashkia Tiranë i ka akorduar që vitin e parë kësaj shoqërie një shumë financiare prej 2.5 milionë Euro pa TVSH, dhe ka planifikuar ti akordojë cdo vit fonde në rritje shoqërisë “Eco Tirana”. Për këto arsye, gjykojmë se i kallëzuari ndodhet jo vetëm në kushtet e shpërdorimit të detyrës por edhe të shpërdorimit të kontributeve shtetërore.
Shkelje të tjetra:
1.Moszgjedhja nga Asambleja e Ortakëve të shoërisë “Eco Tirana” e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe statuti me detyrën për të lidhur kontratat me të tretët, krijon dyshime të arsyeshme që është një veprim i qëllimshëm i këtij organi që drejtohet nga Veliaj, për të favorizuar në mënyrë të paligjshme një tjetër subjekt tregtar që kryente veprimtarinë ricikluese dhe fitimprurëse në Landfillin e Sharrës. Sipas burimeve mediatike, ky subjekt quhej “3R”sh.a dhe kishte administrator shtetasin Edurim Teqja.
2.Moszgjedhja e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe Statuti me detyrën e garantimit të të drejtave ligjore të punonjësve të shoqërisë, si dhe thirrja publike e Erion Veliajt për punësim në aktivitetin riciklues në Sharrë, krijon dyshimin e arsyeshëm se janë kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme nga ana e organeve drejtuese të “Eco Tirana”, veprime ose mosveprime këto që kanë krijuar kushtet që në landfillin e Sharrës të funksiononte një ndërmarrje e cila punësonte në mënyrë të paligjshme subjekte të së drejtës përfshi dhe të mitur.
Për këto arsye, kërkojmë nga ju hetimin e të kallzuarit pervec vepres penale të shperdorimit të detyrës dhe mosmarrjes së masave për ndalimin e gjendjes se paligjshme, edhe për konsumimin e veprave penale të shpërdorimit të kompetencave dhe punësimit të paligjshëm, të parashikuara nga Kodi Penal Shqiptar, vepra penale këto të cilat kanë sjellë si pasojë vdekjen e një 17 vjecari në Landfillin e Sharrës.
Bashkengjitur, kallëzimi i plotë​

 

Kallezim penal landfilli sharres


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 shtator 2016

 

Read More
05 Sht
0

Shehu:Përpara se të mendojmë për partitë tona, duhet të mendojmë për Dibrën, pasi përpara se të jemi anëtare partie jemi dibranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu morën pjesë në një aktivitet të organizuar nga socialistët dibranë. Kirurgu Bashkim Murati tha se janë rreth 200 socialist që kanë vendosur të largohen nga Partia Socialiste dhe t’i bashkohen Partisë Demokratike. Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS-së. Ata thanë se Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papune, pa bukë ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish.

Ramazan Kaziu: Unë quhem Ramazan Kaziu, kam emër dhe mbiemër.  Një mbiemër shumë të dëgjuar dhe të mirë. Ne në qoftë se po krijojmë këtë distancim dhe këtë zemërim e krijojmë se nuk është marrë me ne. Nuk na ka dëgjuar ne hiç, nuk ka qa hallet tona. Ke socialistë rrugëve pa punë, familjen pa bukë, pa asnjë mbështetje. Të lutem do të bëj një thirrje, kuptoje si të duash. Kam besim, kam shumë besim se je një djalë i zgjuar i Partisë Demokratike. Nuk të mungon asgjë, mbi të gjitha je i thjeshtë, je me këmbë në tokë. Dhe këtë besim e kam të madh që nuk do të na zhgënjesh si kryetari jonë. Data 11 të jetë një sihariq i madh për Dibrën, gjithë kombin e saj që të mos zhgënjehemi më me këto premtime boshe, jo të bëjmë Rrugën e Arbrit, jo të bëjmë rrugë të tjera, jo do të bëjmë këto asfaltime. Asfaltime elektorale që do të bëhen për 4-5 ditë dhe prishen. Shpresoj shumë që fitorja e  profesor Sherefedinit të jetë shumë e thellë. Dhe po ju them me sa e njoh unë profesorin, nuk do na zhgënjeje.

Tahir Mziu: Jam një anëtar i Partisë Socialiste, i zgjedhur disa herë në strukturat e Partisë Socialiste. Duke na premtuar kryesia e Partisë Socialiste premtime të mëdhaja edhe ne si anëtar të Partisë Socialiste dhamë kontributin tonë në maksimum.  Pasi morën kontributin tonë ata zunë karriget dhe pastaj u futën nëpër zyra dhe nuk pyetën më për organizatën e partisë, për popullin, për askënd. Kështu që duke parë që kryesia e PS-së e distancuar komplet nga anëtarët e saj edhe ne me një njeri të pabesë, të pashpresë, me gënjeshtra, edhe ne do të distancohemi nga kjo parti, nga radhët e saj. Distancimi im nga Partia Socialiste do të jetë që në këtë moment dhe teserën e saj unë… ( e gris)

Kështu që të gjithë së bashku si një trup i vetëm duhet të bashkohemi dhe ta zhdukim edhe nga radhët e shtetit që është sot sepse ky e ka shkatërruar popullin në zero, ekonomia ka rënë përtokë.  Gënjeshtrat janë shumë të mëdhaja; marrim Rrethin e Dibrës, do të bëjmë Rrugën e Arbrit, Rrugën e Abrit e stakoj, Universitetin e Dibrës ja hoqi degët, bujqësinë po ashtu përtokë, pa ujë. Kemi ujë?! Ujë s‘kemi, kështu që edhe ne … hashashi e probleme, ka shumë probleme. Po ne t’i bimë shkurt me dy fjalë siç i bie populli. Kështu që edhe ne duhet të bashkohemi të gjithë së bashku si një trup i vetëm për të shkatërruar këtë qeveri.

Bashkim Murati: Kam punuar me të vetmen arsye që edhe mendoja që PS-ja dhe aleanca e majtë po të fitonin do të kishin një kontribut dhe një vlerë shumë të madhe për t’i dhënë këtij vendi një impuls përpara dhe për ta çuar Shqipërinë tonë europiane në nivele të kënaqshme ekonomike dhe politike. Dibra është e penës, është e fjalës, është e besës, është edhe e pushkës. Nuk është Dibra ajo që udhëhiqet nga njerëz pa nivel dhe pa arsim, siç ka ai deputetët socialistë dibranë. E dimë kush janë deputetët socialistë dibranë?! Injorantë janë! Kjo është arsyeja pse unë grisi teserën e Partisë Socialiste dhe bashkëngjitëm Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Suksese!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se  zgjedhja e Edi Ramës për të mos qeverisur me socialistët, për të mos qeverisur me shqiptarët e ndershëm, por për të qeverisur me krimin, kriminelët,  dhe një grusht oligarkësh që i zhvasin pasuritë e shqiptarëve është arsyeja pse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje.

“Të gjithë e dini që Muharrem Rama, për të cilin ju shprehët respektin si profesionist, nuk ka dalë  si kandidat i PS, por ka dalë si pjesë i një allishverishi që dorëzon automatikisht me letër 50% të pushtetit të bashkisë Dibër me klanet e errëta të krimit. Dhe ju e dini nga përvoja juaj se nesër ku 50% do të jetë 60%, e 70%, e 80%, derisa pushtetin lokal në Dibër ta kenë kapur përfundimisht krimi, bandat e ta përdorin për interesat e tyre, për pasurimin e tyre, për drogën e jo për socialistët dibranë e as për demokratët dibranë, për asnjë dibranë të ndershëm.

A ka shqiptarë demokratë apo socialistë që nuk bashkohet rreth nevojës për të dekriminalizuar politikën?!

Unë besoj se shqiptarët bashkohen rreth kësaj vlere të madhe të gjithë, pa ndryshim, të djathtë apo të majtë.

A ka shqiptarë që nuk bashkohet rreth vlerës bazë të një demokracie që janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku vota e çdo qytetari hidhet pa frikë, pa intimidim, pa shitblerje e numërohet pa hile?!

Unë besoj se të djathtë dhe të majtë bashkohemi rreth këtyre vlerave.

Por sot këto vlera janë më të kërcënuara, më nën kërcënim se kurrë më parë. Ju këtë e dini fare mirë.

Ndaj unë ju mirëpres sot në familjen tonë politike, jo thjeshtë e vetëm socialistë por si shqiptarë. E ju them kini besim se vlerat që na bashkojnë janë më të forta se sa veset që bashkojnë ata që sot kanë uzurpuar pushtetin. Sepse shumica dërmuese e shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, mendojnë si ju, mendojnë si ne dhe ky bashkim është çelësi i fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Banda është më e izoluar se kurrë. Ata e dinë që ju kanë tradhtuar. Ata e dinë që ju kanë zhgënjyer. Ata e dinë që nuk kanë bërë asgjë për ju. Shpresa e tyre e vetme është mashtrimi, siç erdhi këtu dhe mashtroi përsëri për Rrugën e Arbrit , shpresa e tyre e vetme është pakti me krimin, siç kanë bërë me Bashkinë e Dibrës. Gjithë bastin e kanë vënë që krimi dhe kriminelët do të detyrojnë dibranët, ku me hir e ku me pahir, të kthejnë votën e tyre kundër vetes e fëmijëve të tyre.

Më lejoni që t’i kthejmë një përgjigje sot këtu nga ky takim i çiltër socialistësh e mbi të gjitha shqiptarësh e dibranësh.  A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë Dibrën?! A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë popullin e Dibrës?! A do t’ia dalin ti mashtrojnë përsëri e ti poshtërojnë sërish socialistët e Dibrës, e dibranët pa dallim?!”- theksoi zoti Basha.

Lulzim Basha e bëri të ditur dhe në këtë takim se aleanca e tij dhe e Partisë Demokratike për të ndryshuar realitetin e hidhur në të cilin ndodhet vendi është me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, pa dallim bindjesh politike.

“Kam ardhur sot tu them e tu jap fjalën sot, doktor Muratit, z. Kaziu, z.Mziu se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, midis aleancës mes një tufë horrash dhe hajdutësh për të ardhur në pushtet dhe aleancës me socialistët e ndershëm për të ndryshuar Shqipërinë, ka zgjedhur dhe do të zgjedhë gjithmonë aleancën me shqiptarët e ndershëm dhe me socialistët e ndershëm. Këtu qëndron forca e ndryshimit, ndryshimit të vërtetë që do të funksionojë për ju dhe jo për një grusht njerëzish që mendojnë vetëm për pasuritë e tyre”, -theksoi zoti Basha.

Kandidati për kryetar Bashkie, Sherefedin Shehu theksoi se  përpara se të mendojmë për partitë tona më shumë duhet të mendojmë për Dibrën, pasi përpara se të jemi anëtarë partie jemi dibranë. Dibrën mund ta ndryshojmë duke patur një aleancë me qytetarët e Dibrës dhe jo mbështetjen e vetëm një partie politike.

Sherefedin Shehu: Për mua ishte një surprizë që të ndodhesha këtu përpara këtyre përfaqësuesve, këtyre njerëzve që në radhë të parë kanë Dibrën, por natyrisht që kjo përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushatë që kemi nisur.

Ky është momenti kur unë dhe PD duhet të mendojmë dy herë për Dibrën dhe jo një herë siç thonë të gjithë që do të bëjnë më të mirën për të. Dhe sot po kuptojmë të gjithë më shumë, meqë këtu flitet më shumë për Dibrën, flitet për interesa që shkojnë përtej partive politike. Natyrisht të gjithë biem dakord, që ne përpara se të jemi anëtarë të partive politike ne jemi qytetarë të Dibrës dhe përpara se të mendojmë për partitë tona, më shumë duhet të mendoojmë për Dibrën. Dhe PD ma dha këtë mandatim për të kërkuar detyrën e kryetarit që bashkë me ju të ndryshojmë Dibrën. Por Dibrën mund ta ndryshojmë vetëm duke qenë së bashku, duke pasur një aleancë me qytetarë të Dibrës dhe jo vetëm  mbështetjen e një partie politike. Koalicioni i Partisë Demokratike është rritur, por këtë të sotmen e shikoj edhe si zgjerim të aleancës së saj me qytetarët dhe e shikoj si një nisëm, si një fillim të ri për ndryshimin e Dibrës sot dhe të Shqipërisë nesër. Dhe Dibra do të qeveriset nga kjo aleancë e të gjitha fushave, por edhe të gjitha aspekteve politike. Çdo gjë që është për Dibrën do të dalë përtej kornizës politike dhe kjo është garancia që unë kam për ju. Ne do t’i rikthejmë Dibrës së bashku dinjitetin. Ne do t’i rikthejmë Dibrës universitetin.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 5 Shtator 2016

Read More
05 Sht
0

Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha në aktivitetin e organizuar nga qindra socialistë që vendosën ti bashkohen Partisë Demokratike

Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra dibranë,

Zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra shqiptarë,

Të nderuar qytetarë të Dibrës me kontribut politik në Partinë Socialistë të Shqipërisë,

U jam shumë mirënjohës që më keni ftuar sot në këtë takim tuajin, të socialistëve dibranë dhe vij me zemër të hapur për të biseduar me ju dhe për të ndarë me ju të gjitha çështjet dhe problemet që ju shqetësojnë, të gjitha hallet që na bashkojnë dhe mbi të gjitha zgjidhjet që do të na bashkojnë nesër për t’u dhënë këtyre halleve rrugën e zgjidhjes, rrugën e vërtetë të ndryshimit, të ndryshimit për ju dhe jo për kryetarët e partive.

Ndaj me lejoni ta nis me një falënderim nga zemra për kontributin tuaj politik ndër vite. Po, po! Si kryetar i Partisë Demokratike nuk kam asgjë tjetër në zemrën time, për çdo socialist dhe socialiste dibrane, për çdo socialist shqiptar anembanë vendit që ka kontribuar me zemër në partinë e tij apo të saj politike duke shpresuar dhe besuar se kështu do të kontribuonte për një ndryshim pozitiv për vendin e tyre, për Shqipërinë tonë të përbashkët.

Nderimi maksimal për të gjithë ata që i bashkohen çdo force politike edhe kundërshtarëve tanë historike, Partisë Socialiste të Shqipërisë për sa kohë që i bashkohen që me kontributin tuaj, me djersën tuaj të ballit, me sakrificën tuaj dëshironi të sillni një ndryshim pozitiv për familjen tuaj, për komunitetin tuaj, për atdheun dhe kombin tonë të përbashkët, për Shqipërinë.

E kam refuzuar dhe refuzoj çdo stigmatizim që ka për qëllim përçarjen e shqiptarëve. Unë besoj thellë në zemrën time se çdo kush që i përvishet thellë politikës me çiltërsi, me sinqeritet dhe me motive të vërteta politike kontribuon në përparimin e vendit. Dhe po kështu besoj se demokratë e socialistë të cilët e shikojnë politikën jo si një instrument për të bërë plaçkë por si një instrument për të ndryshuar Shqipërinë, meritojnë nderimin e gjithkujt dhe sigurisht kanë nderimin tim si qytetar dhe kryetar i opozitës.

Mund të jemi siç kemi qenë këto 25 vite në dy anë kundërshtare të politikës por bashkohemi patjetër në disa vlera bazë që kanë të bëjnë me identitetin tonë si njerëz në radhë të parë, si shqiptarë, si prindër, si familjarë, si qytetar që shpresojnë dhe dëshirojnë që e nesërmja të jetë më e mirë dhe jo më e keqe se e sotmja.

A ka shqiptarë demokratë apo socialistë që nuk bashkohet rreth nevojës për të dekriminalizuar politikën?!

Unë besoj se shqiptarët bashkohen rreth kësaj vlere të madhe të gjithë, pa ndryshim, të djathtë apo të majtë.

A ka shqiptarë që nuk bashkohet rreth vlerës bazë të një demokracie që janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku vota e çdo qytetari hidhet pa frikë, pa intimidim, pa shitblerje e numërohet pa hile?!

Unë besoj se të djathtë dhe të majtë bashkohemi rreth këtyre vlerave.

Por sot këto vlera janë më të kërcënuara, më nën kërcënim se kurrë më parë. Ju këtë e dini fare mirë.

Unë e di çfarë ju ka sjellë në këtë sallë. Unë e di se çfarë na bashkon sot në këtë sallë. Një hall i madh që ka kapur jo vetëm Degën e Partisë Socialiste Dibër por  Partinë Socialiste anembanë Shqipërisë dhe këto janë aleancat, jo tuajat si socialistë i thjeshtë por të atyre të përfitojnë nga pushteti, të krerëve tuaj me persona me rekorde kriminale të cilët diktojnë nga mëngjesi deri në darkë se kush do të punësohet, si do të punësohet, se kush merr tenderat, se kush bën emërimet, madje edhe se kush emëron kandidatët për kryetar bashkie.

Sepse të gjithë e dini që Muharrem Rama, për të cilin ju shprehët respektin si profesionist, nuk ka dalë  si kandidat i PS, por ka dalë si pjesë i një allishverishi që dorëzon automatikisht me letër 50% të pushtetit të bashkisë Dibër me klanet e errëta të krimit. Dhe ju e dini nga përvoja juaj se nesër ku 50% do të jetë 60%, e 70%, e 80%, derisa pushtetin lokal në Dibër ta kenë kapur përfundimisht krimi, bandat e ta përdorin për interesat e tyre, për pasurimin e tyre, për drogën e jo për socialistët dibranë e as për demokratët dibranë, për asnjë dibranë të ndershëm.

Halli që na ka bashkuar këtu është pra futja e krimit në politikë, roli gjithmonë e më i madh i krimit dhe i bandave në politikë.

Si Parti Demokratike dhe si opozitë ne kemi bërë një betejë të madhe e të vështirë që çoi në miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Por shqiptarët e dinë fare mirë se ligji që nuk zbatohet ka zero vlerë. Ndaj sot ne bashkohemi jo vetëm me këtë hall, problem të madh por edhe me zgjidhjen që duhet t’i japim këtij halli, me vullnet të madh politik, me bashkim të madh.

Përçarja e shqiptarëve i vlen një grushti oligarkësh, kusarësh dhe kriminelësh të cilët të babëzitur po marrin pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga buxheti i shtetit, tenderat korruptivë, koncesionet tek pasuritë, mineralet, bregdeti, zhvillimin. Duke lënë shumicën dërrmuese të shqiptarëve demokratë e socialistë, pa dallim, para alternativave të zymta të varfërisë, të burgut apo të emigracionit. Kjo është e vërteta.

Ata që i frynë përçarjes, ata nuk duan tja dijne per shqiptaret që kerkojne zgjidhje për situatën e rëndë ku ka ardhur vendi si rezultat i keqqeverisjes. ATa fusin diçka në xhep ditë për ditë, diçka që nuk ju takon, diçka që iu takon shqiptarëve të ndershëm, iu takon dibranëve të ndershëm, diçka që iu takon socialistëve të ndershëm.

Kështu, përmes përçarjes kanë ecur në këto tre vite duke zaptuar, kapur më shumë pushtet, më shumë pasuri, më shumë të ardhura për veten e tyre. Ndërkohë që shqiptarët, demokratët, socialistët varfërohen dita-ditës, humbasin shpresën dita –ditës, humbasin vendet e punës dita-ditës, humbasin influencën e tyre dhe pyesin: Ku është kontributi ynë? Ku është sakrifica jonë?

Jam i sigurtë që këtë pyetje e keni bërë shpesh me njëri-tjetrin sepse e di që gjatë kësaj fushate socialistë të panumërtë më kanë çuar mesazhe mua, Sherefedin Shehut, stafit tonë, duke shprehu revoltën e thellë me atë që e konsiderojnë  plan për t’ia dhuruar Dibrën si plaçkë bandave.

Dhe jemi bashkuar për të mos ia dorëzuar Dibrën bandave, por për ta mbajtur Dibrën për dibranët punëtore e të ndershëm e për ta çuar përpara me djersën e ballit dhe me mencurinë që karakterizon këtë trevë e dibranët anembanë, përpara Shqipërisë.

Të bashkohemi pra jo vetëm në hall por të bashkohemi edhe në zgjidhje. Të bashkohemi në zgjidhje sot për Dibrën e nesër për Shqipërinë.

Unë respektoj kontributin tuaj si socialistë dhe besimin se përmes kontributit tuaj politik do të ndryshonit Shqipërinë. E respektoj edhe pse e kemi bërë këtë me dy anë të kundërta të politikës. Sepse politika me zemër të bardhë, me synime të pastra është një instrument ndryshimi.

Por politika që përdor njerëzit, përdor militantët për të kapur pushtetin dhe pastaj e ndan pushtetin si plaçkë me një grusht hajdutësh e kriminelësh, politika që e trajton dhe e ndan Dibrën si plaçkë me një grusht banditësh dhe kriminelësh nuk është zgjidhja jonë, nuk është zgjidhja juaj e nuk mund të jetë kurrë zgjidhja e asnjë dibrani, asnjë shqiptari të ndershëm.

Ndaj mirëpres këtë akt të madh kurajoje qytetare dhe politike që tregoni sot si socialistë, si socialistë.

Jam shumë i prekur sepse mund të kishit zgjedhur një rrugë tjetër, atë të heshtjes. Mund të kishit zgjedhur rrugën e nënshtrimit ndaj tutelës së krimit që po mundohet t’ju vejë në qafë me emrin e Muharrem Ramës, pas të cilit ju e dini fare mirë që vetëm interesat e socialistëve dibranë nuk qëndrojnë.

Por ju zgjodhët të flisni, të flisni me zë të lartë sot që nuk është vonë e të bashkoheni në një kuazë e cila me të vërtetë na bashkon e nuk na ndan demokratë e socialistë dhe jo është: Kauza e një kryetari bashkie për Dibrën dhe dibranët, që do t’ua kthejë Dibrën dibranëve e do të punojë për Dibrën e dibranët, kauza e Sherefedin Shehut.

Ju punuat në fushatë, ecët, vrapuat, derdhët djersë sepse besuat që do të vinte ndryshimi por ndryshimi nuk erdhi. Ndryshimi erdhi vetëm për një grusht njerëzish që u pasuruar mbi kurrizin dhe djersën tuaj, që kanë kapur sot të gjithë pasuritë e vendit. Shumë prej jush janë të papunë. Shumë prej jush janë përbuzur dhe poshtëruar nga pushteti për të cilin punuat dhe u rropatët. Pse vjen kjo?! Sepse pushteti ka vendosur ta ndajë tortën me një grusht njerëzish. Sepse Edi Rama ka vendosur që ti ndajë të gjitha tenderat publikë me një njeri në Dibër, me Sadri Abazin. E tani do që ti dhurojë bashkinë një grushti tjetër njerëzish të cilët vijnë me stema partiake por që në fakt përfaqësojnë interesa kriminale. Interesat e hashashit, interesat e zhvatjes së Dibrës dhe dibranëve. Këtë gjë ju nuk mund ta pranoni. Asnjë njeri me dinjitet nuk mund ta pranojë këtë, socialist, demokrat apo çfarëdo qoftë.

Ne e kuptojmë fare mirë dhe unë e kuptoj fare mirë zemërimin tuaj. E kuptoj edhe paralajmërimin e z Kaziu. Kam ardhur sot tu them e tu jap fjalën sot, doktor Muratit, z. Kaziu, z. Mziu, se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, midis aleancës mes një tufë horrash dhe hajdutësh për të ardhur në pushtet dhe aleancës me socialistët e ndershëm për të ndryshuar Shqipërinë, ka zgjedhur dhe do të zgjedhë gjithmonë aleancën me shqiptarët e ndershëm dhe me socialistët e ndershëm. Këtu qëndron forca e ndryshimit, ndryshimit të vërtetë që do të funksionojë për ju dhe jo për një grusht njerëzish që mendojnë vetëm për pasuritë e tyre.

Zgjedhja e Edi Ramës për të mos qeverisur me socialistët dhe për të mos qeverisur me shqiptarët e ndershëm, por për të qeverisur me krimin, për të qeverisur me kriminelët, për të qeverisur me një grusht oligarkësh që i zhvasin pasuritë e shqiptarëve është vetë problemi. Është arsyeja pse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje.

Dhe kjo është një zgjedhje e Edi Ramës. Është zgjedhje e tij t’ia dorëzojë Bashkinë e Dibrës përmes një emri fasadë, krimit dhe bandave. Është zgjedhje e Edi Ramës që ti dorëzojë Lezhën Arben Ndokës.  Është zgjedhje e Edi Ramës që ti dorëzojë Laçin Armando Prengës dhe Artur Bardhit. Është zgjedhje e Edi Ramës që të bëjë pakt me krimin dhe kriminelët, jo me qytetarët dhe as më socialistët.

Kërkon kurajo të madhe ta kuptosh e të ngrihesh kundër kësaj zgjedhe me pasoja fatale për vendin. Ju e keni dëshmuar këtë kurajo. Ndaj unë ju mirëpres sot në familjen tonë politike, jo thjeshtë e vetëm socialistë por si shqiptarë. E ju them kini besim se vlerat që na bashkojnë janë më të forta se sa veset që bashkojnë ata që sot kanë uzurpuar pushtetin. Sepse shumica dërmuese e shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, mendojnë si ju, mendojnë si ne dhe ky bashkim është çelësi i fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Banda është më e izoluar se kurrë. Ata e dinë që ju kanë tradhtuar. Ata e dinë që ju kanë zhgënjyer. Ata e dinë që nuk kanë bërë asgjë për ju. Shpresa e tyre e vetme është mashtrimi, siç erdhi këtu dhe mashtroi përsëri për Rrugën e Arbrit , shpresa e tyre e vetme është pakti me krimin, siç kanë bërë me Bashkinë e Dibrës. Gjithë bastin e kanë vënë që krimi dhe kriminelët do të detyrojnë dibranët, ku me hir e ku me pahir, të kthejnë votën e tyre kundër vetes e fëmijëve të tyre.

Më lejoni që t’i kthejmë një përgjigje sot këtu nga ky takim i çiltër socialistësh e mbi të gjitha shqiptarësh e dibranësh.  A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë Dibrën?! A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë popullin e Dibrës?! A do t’ia dalin ti mashtrojnë përsëri e ti poshtërojnë sërish socialistët e Dibrës, e dibranët pa dallim?!

Përgjigjen po e shohim në çdo takim që organizojmë me kandidatin tonë, me Sherefedin Shehun, kandidatin më cilësor që ndonjë forcë politike ka prezantuar në këto 25 vite pluralizëm. Përtej fjalëve, zgjedhja e Sherefedin Shehut është me akte, me vepra, respekti që ne kemi për Dibrën dhe dibranët dhe garancia se nesër Bashkia e Dibrës, e pasnesër Shqipëria do të qeverisen ndryshe. Jo në bashkëpunim me krimin, jo në bashkëpunim me injorancën, jo në bashkëpunim me hajdutët, por në bashkëpunim me shqiptarët e ndershëm pa dalli partiak, demokratë e socialist, të djathtë e të majtë së bashku.

Më lejoni ta mbyll me një konstatim që nuk besoj se është politik por i vërtetë. Ju këtu përfaqësoni veten tuaj por ju e dini se përfaqësoni shumë e më shumë. Përfaqësoni qindra, mijëra votues socialistë të cilët janë ngopur me premtime boshe, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës me mashtrime, të cilët janë varfëruar e poshtëruar më shumë në këto 3 vite kur partia për të cilën punuan ka qenë në pushtet por që kanë qenë në pushtet vetëm një grusht oligarkësh dhe hajdutësh, jo socialistët e ndershëm. Ju përfaqësoni një shpresë të mijëra votuesve socialistë se 11 Shtatori do të jetë dita kur me votën tuaj dhe me bashkimin e votës tuaj do ti çoni një sinjal të fuqishëm pushtetit, pushtetarëve të sotëm dhe pushtetarëve sot e tutje, siç tha z Kaziu, se nuk mund të tallen me njerëzit se nuk mund të tallen me popullin, se fati i Dibrës dhe i familjeve tuaja, fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve, kurrë nuk mund të jetë në dorë të krimit dhe as në dorë të hajdutëve, as të mashtruesve, veçse kur kjo ndodh, ju ngriheni dhe merrni fatin tuaj, fatin e familjeve tuaja dhe fatin e Dibrës në dorën tuaj.

Përsa më takon mua, dua tu jap fjalën sot dibranëve e nga Dibra gjithë shqiptarëve, se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, kurrë në asnjë moment nuk e kanë vënë në dyshim e nuk do ta vëmë në dyshim, edhe në javët dhe muajt që do na çojnë në zgjedhje të përgjithshme, midis zgjedhjeve dhe aleancave me krimin dhe kusarinë për hir të pushtetit dhe zgjedhjes së aleancës më të gjerë me shqiptarët punëtorë e të ndershëm, pavarësisht bindjeve politike, zgjedhim gjithmonë këtë të dytën; aleancën me qytetarët e ndershëm, me shqiptarët e ndershëm, me dibranët e ndershëm, me socialistët e ndershëm. Ndaj, mirë se vini në këtë përpjekje të përbashkët. Rruga nuk ka për të qenë e lehtë por është rruga e së vërtetës. Kemi të vërtetën në anën tonë. Kemi të drejtën në anën tonë. Kemi faktet në anën tonë. Kemi shpresën në anën tonë dhe me Zotin para do t’ia dalim.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha në aktivitetin e organizuar nga qindra socialistë që vendosën ti bashkohen Partisë Demokratike, 5 Shtator 2016

 

Read More
05 Sht
0

Rama thellon aferën, i jep Carapulit edhe 870 milionë lekë për zyrat e hajdutit të OSHEE

Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi aferën e rregullimit të zyrave të OSHEE, ku Carapuli, ndërtuesi personal i Edi Ramës, kapi këtë tender si fitues i paracaktuar, edhe pse operatori i dytë në garë u paraqit me 740 milionë lekë më pak.

Mori carapuli tërë fondin limit, 4.5 miliardë lekë, për rregullime zyrash, që do të mjaftonin për të bërë dy godina të reja nga fillimi.

Pas një viti, Edi Rama i bën dhe një dhuratë tjetër ndërtuesit të tij personal, i jep shtesë kontrate edhe 870 milionë lekë të tjera, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e gjakut të shqiptarëve.

870 milionë lekë të tjera për të të njëjtën punë, në të njëjtën aferë të pisët korrupsioni.

870 milionë lekë janë 580 pensione në qytet, 1055 pensione në fshat, janë 1270 pagesa papunësie.

Por janë para që ndahen, plackiten prej Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, ndërsa popullit i mbetet burgu, varfëria, emigracioni.

E gjithë shuma për carapulin, për të rregulluar zyrat e bandës së OSHEE që lë në errëzirë, fut në burg, dhe merr dhe jetën e të pamundurve, shkon në 5 miliardë e 400 milionë lekë.

5 miliardë e 400 milionë lekë merr me një të rënë të lapsit ndërtuesi personal i Edi Ramës, për të regulluar godinën e një prej hajdutëve më të medhenj të Edi Ramës, Celës së OSHEE.

Ky është sundimi i korrupsionit, i hajdutëve, i zhvatësve të parave të shqiptarëve.

Eshtë koha për tu bashkuar, është koha që qytetarët ta ndalin këtë maskaradë.

Shqipëria nuk meriton të trajtohet si plackë.

Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e zëdhënëses, Ina Zhupa, 5 shtator 2016

Read More
05 Sht
0

Pas denoncimit me foto e video, Edi Rama vazhdon të mbrojë parcelat me kanabis 2 km larg Rinasit

Pas denoncimit dy ditë më parë nga kjo foltore, me prova, me foto e me video, për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama heshti.

Dhe tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq.

Pse?

Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit.

Të gjithë kanë dijeni, nga operativi i zonës, tek polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë, tahiri, Rama; por e fshehin, e ruajnë, dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg.

Pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyre në një pjesë të parcelës. Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet, edhe në këtë moment që flasim.

Ky është sundimi i bandës së drogës në vend.

Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës i cili është në krye të skemës së 30 përqind të përfitimit.

Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët, e nga kumbarët në qeveri.

Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë.

Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 5 shtator 2016

Read More
04 Sht
0

Shehu: Kriminale kërkimi i votës në këmbim të ndihmës ekonomike

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë të fshatrave Selishtë, Hurdhë Muhur dhe Fushë Muhur. Zoti Shehu u njoh me shqetësimet e banorëve për presionin që u bëhet, “votë në këmbim të ndihmës ekonomike” dhe me faktin që ndihma ekonomike u është hequr familjeve në nevojë dhe u është dhënë personave me lidhje me pushtetin. Kandidati për kryebashkiak duke e konsideruar kriminal këtë fakt theksoi me me drejtimin e Bashkisë prej tij listat e ndihmës ekonomike do të jenë të shpalluara publikisht dhe ndihma do t’i shkojë atij që ia jep ligji, pra që ka nevojë.

“Ndihma ekonomike përdoret për vota. Ndihma ekonomike përdoret për presion. Ndihma ekonomike nuk paguhet  në kohë. Të gjitha këto janë abuzive. Ndihmën ekonomike vëllezër ua jep ligji, jo kryetari i bashkisë . ju garantoj se listat e ndihmës ekonomike do ti keni të shpallura atje në murin e njësisë administrative, që secili të shohë sa merr dhe kush e merr ndihmën ekonomike, që ndihma ekonomike të shkojë tek ai që i takon”, tha Shehu.

Infrastruktura, ujësjellësi dhe kanalizimit ishin po ashtu në qendër të bashkëbisedimit të zotit Shehu me banorët. Kthimi i administratës në punë për t’u shërbyer qytetarëve të Dibrës është domosdoshmëri, tha zoti Shehu i cili nënvizoi se sot ata marrin vetëm rrogën.

“Ne do të rikthejmë administratën në shërbimin tuaj. Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve prioritet do të ketë zona, siç është zona juaj, Selishta, Zall Dardha, Reçi dhe Lura të cilat janë akoma të paasfaltuara. Ndërmarrja e Ujësjellësit në Peshkopi ka jo pak, ka 50 veta dhe nuk ka njerëz që vijnë për të zgjidhur problemet e furnizimit apo problemet e funksionimit të këtij sistemi.  Kjo ndërmarrje do të ketë njerëz nga ju që çdo ditë të kontrollojë funksionimin e sistemit”, tha Shehu.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 4 Shtator 2016

Read More
03 Sht
0

Shehu: Gjiknuri e Ahmetaj të japin llogari para dibranëve për aferën korruptive me hidrocentralin e Skavicës

Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë në Arrëz, Katund i Ri, Hotesh dhe Lishan i Epërm.  Kandidati Sherefedin Shehu theksoi ndër të tjera se për Peshkopinë është një fyerje ardhja e ministrave Gjiknuri dhe Ahmetaj, të cilët pas rritjes se çmimit të energjisë dhe presionit me faturat abuzive janë përgjegjës direkt për korrupsionin e hidrocentralit të  Skavicës.

Duke parashtruar programin për bashkinë, zoti Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jetë prioritet.

“Në bashkinë e Peshkopisë ka mundësi që edhe me buxhetin ekzistues edhe me ndërmarrje, makineri që ka bashkia dhe që nuk varen nga dëshira e kryeministrit sepse ky kryeministër nuk ka vullnet dhe dëshirë ta mbështesë Dibrën, të realizojmë projekte që duken të vogla por që për ju janë shumë të rëndësishme.

E para, të kryejë shërbimet e domosdoshme për qytetarët, mbledhjen e mbeturinave.

Problemi i dytë, është sistemi i kanalizimeve.  Do të largojmë ndotjen nga fshati dhe do të mbrojmë Drinin nga ndotja. Përmirësimi i sistemit të vaditjes dhe në pranverën e vitit të ardhshëm sistemi ekzistues do të jetë plotësisht efecient, i gatshëm për t’ju shërbyer ju.

Ndërsa problemi tjetër është sistemi i ujit të pijshëm. Këtej në zonën e Sinës ne kemi filluar një projekt të madh me Bankën Gjermane për Zhvillim, ky projekt tani do të vijë të zbatohet edhe në zonën tuaj”, theksoi kandidati Sherefedin Shehu.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 3 shtator 2016

 

Read More
03 Sht
0

50 mijë rrënjë kanabis 2 km larg Rinasit, hedhin poshtë propagandën e Ramës me korrje-shirje

Edi Rama e ka nisur tahirin e tij në ca shfaqje qesharake me të cilat po talllet i madh e i vogël, nëpër disa kodra ku gjoja bëhet nami ndaj drogës.

Kanë marrë pjesë në këto shfaqje edhe gazetarë, dhe deputetë të rilindjes.

Cdokush e di se këto aksione janë sa për shfaqje, janë selektive dhe prekin vetëm ata që nuk e kanë paguar haracin 30 përqind.

Ja pse.

Kemi këtu foto, dhe pamje filmike të të paktën 6 hektarëve me kanabis, në zemër të vendit, në Larushkë, 2 kilometra larg aeroportit të Rinasit.

Video në ekran gjithashtu tregon afërsinë me pistën e Rinasit, nga ku ngrihen avionët.

Raportohet se këtu janë të paktën 50 mijë rrënjë, të mbjella krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Krujë, partner dhe sponsorizues i tij, me inicialet, F.D. Shtëpia që duket ngjitur, është e një punonjësi të policisë, shërbëtor i kryetarit të Bashkisë, Bushi, me inicialet K.L. Dhe shefi operatoriv i zonës, e ka banesën e tij 1 km larg këtij plantacioni me drogë.

Kjo drogë mbillet, kultivohet me sistem vaditje të sofistikuar, ruhet nga punonjësit e shtetit, dhe mkiqyret drejtpërdrejt nga kryetari i Ramës në Bashkinë e Krujës, Bushi i famshëm i proceduar nga policia italiane për trafik lëndësh narkotike.

Këto foto dhe pamje janë marrë dy ditë më parë.

Si ky hambar droge ka me qindra në gjithë vendin, sepse zotërohen nga të paprekshmit, nga miqtë e Edi Ramës, nga bandat e lidhura me të.

Ky është sundimi i vendit me drogë e trafikantë.

Shqiptarët duhet të ngrihen e të bashkohen kundër këtij regjimi krimi e droge.

Shqipëria meriton punë të ndershme, rend e siguri.

Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 3 shtator 2016

droge e mbjellur (1) droge e mbjellur (2) droge e mbjellur (3) droge e mbjellur (4)

Read More
03 Sht
0

Pas 3 vitesh korrupsion e varfëri, të rinjtë shqiptarë të parët në botë që duan të braktisin vendin

Pas 3 vitesh qeverisje të Edi Ramës, të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë dhe në botë për dëshirën për të braktisur vendin.

Ky raport tronditës bëhet i ditur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Organiza Ndërkombëtare e Punës, tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15 -29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria.

Në raport thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht  nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe e besimit për të gjetur një punë.

Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet cdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plackisin asetet publike e paratë e shqiptarëve.

300 mijë vendet e punës të premtuara nga Edi Rama 3 vjet më parë, jo vetëm janë harruar por mijëra të papunë janë shtruar si pasojë e taksave të larta, pasigurisë, mbylljes së bizneseve, dhe arrogancës së pushtetarëve.

Të vetmet vende pune në qeverisjen e Edi Ramës dhe me bekimin e tij janë ato të kultivimit dhe ruajtjes së hashashit për llogari të një grushti banditësh dhe qeveritarësh.

Të rinjtë shqiptare nuk e meritojnë këtë model që ofron Edi Rama, nuk e meritojnë këtë vrasje të shpresës.

Rinia duhet të bashkohet, të ngrihet e të marrë fatet e vendit në dorë.

Largimi nuk është zgjidhja.

Shqipëria mund të ofrojë punë, shpresë e të ardhme për rininë.

Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.


Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa

Grafiku i ILO

Read More