Blog

09 Qer
0

Rama e do drejtësinë për të mbrojtur veten, kriminelët dhe hajdutët e tij

Sapo e dëgjuat skizofrenin e vetëdeklaruar sepse e ka thënë vetë në intervista, që është në situatë skizofrenie midis artit dhe politikës ..

E dëgjuat pra kryeministrin që foli dhe për dëshpërimin tonë , për parti të dëshpëruar në opozitë, por nuk e di pse nxinte ky njeri, ky që ishte sot pranë triumfit. Ka kaq kohë që Rama me media të kapura apo nën presion dhe me të gjitha mjetet e tij të propagandës, po përpiqet ti fusë me dhunë në kokë shqiptarëve, se ai lideri botëror, reformatori i madh po kërkon ti shpëtojë shqiptarët një herë e mirë nga të gjitha të zezat që u kanë rënë mbi kokë. Kërkon t’i shpëtojë jo vetëm nga korrupsioni dhe padrejtësia nga papunësia mjerimi, nga varfëria, krimi e kriminelët, sidomos nga ata në parlament, qeveri e bashki, por do ti shpëtojë edhe nga sëmundjet dhe fatkqeqësitë natyrore. E dëgjuam dhe sot të thotë të njëjtat fjalë. Po që të realizojë të gjitha këto, e pengon opozita. E pengon opozita  e cila sipas tij nuk pranon të votojë reformën në drejtësi, ashtu siç e do Rama. Ja pra kush është fajtore për të gjitha vuajtjet dhe mjerimin e shqiptarëve. Po a ka shqiptar me dy fije mend në kokë, pas tre vitesh sundim të kësaj mazhorance që nuk e sheh se korrupsioni, krimi, padrejtësitë, varfëria, papunësia e mjerimi e kanë burimin vetëm tek mbrapshtitë e kësaj qeverie? Jo se nuk kanë ekzistuar më parë jo se nuk ekzistojnë kund tjetër, po këtu si askund tjetër dhe kurrë ndonjëherë është vetë kryeministri i vendit, i cili me vullnet të plotë, krimin, padrejtësitë, korrupsionin, varfërinë dhe represionin, i ka kthyer në mjete të sundimit të tij dhe i mban në këmbë me të gjitha mënyrat.

Ky kryeministër që bërtiste sot, ky pra që akuzon opozitën se nuk dashka reformën në drejtësi, atë reformë që e duan mbi 90% e shqiptarëve.

Po çfarë është kjo e shumëpërfolur reformë në drejtësi dhe çfarë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve?

Tek ky 90% i shqiptarëve jam edhe unë, janë edhe të gjithë kolegët e mi të opozitës. Jemi të gjithë ne, viktima apo jo të drejtpërdrejtë të një drejtësie, po e vërtetë është, shpesh të korruptuar e të papërgjegjshme. Janë të gjithë shqiptarët që kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi e të mos vendosë në favor të më të fortit kundër të dobëtit, të mos vendosë në favor të të pasurit kundër të varfrit, mos veprojë nën ndikimin e pushtetit, parasë dhe krimit, por të ligjit dhe të së drejtës.

Këtë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve. Këtë kërkojmë edhe ne, si opozitë.

Po Rama që na akuzon ne se nuk e duam reformën në drejtësi, çfarë kërkon ai në fakt?

Për të kuptuar këtë o shqiptarë dhe ndërkombëtarë, nuk ka nevojë të hysh në labirintet e strukturës apo arkitekturës së institucioneve të drejtësisë, sipas këtij apo atij drafti. Nuk ka nevojë të mësoni se çfarë është KLGJ-ja apo KLP-ja. Do votohen me dy të tretat apo tre të pestat.

Jo. Për të kuptuar se cila është reforma që kërkon Rama, mjafton të shihni e kuptoni konceptin që ai ka për drejtësinë,atë koncept që shfaqi edhe sot e që ka shfaqur që kur ka ardhur në pushtet. Për këtë mjafton të shihni në sy faktet dhe të vërtetën.

Cilat janë faktet?

E dëgjuat të ulëriste këtu se i vinte keq për ato nënat që iu qenkan vrarë fëmijët dhe gjykatësit e korruptuar i kanë nxjerrë vrasësit në rrugë . Po kush janë ato nëna , kush janë këta vrasës ?

Kur kjo drejtësi liron një vrasës pse ai është djali i deputetes së Ramës, kjo drejtësi funksionon, dhe kryeministri del në tribunë me deputeten që e paraqet si heroinë dhe si shembull për t’u ndjekur.

Kur kjo drejtësi liron deputetin e Ramës që qëllon për të vrarë qytetarë të thjeshtë përpara komisariatit të policisë, kjo drejtësi funksionon dhe kryeministri impenjohet që ti shpëtojë dhe mandatin deputetit të tij vrasës.

Kur kjo drejtësi lë të lirë drejtorin e policisë së Ramës dhe pse është kapur në flagrancë e denoncuar nga vartësi se ka shkelur ligjin duke fshehur të dhënat për një tjetër deputet vrasës të Ramës, kjo drejtësi prapë funksionon.

Funksionon kjo drejtësi sipas Ramës dhe kur dënon një baba fatkeq pse kërkon të rregullojë çatinë e shtëpisë për fëmijët e tij, apo kur çon drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut një tjetër baba fatkeq për 30 mijë lek të vjetra energji elektrike.

Në të gjitha këto raste e qindra të tjera të ngjashme, kjo drejtësi funksionon për Ramën.

Por, nëse drejtësia i heq mandatin Koço Kokëdhimës sepse duke shkelur ligj e Kushtetutë, ka vazhduar të grabisë shqiptarët, atëherë  ”kjo është një arsye më shumë pse duhet reformuar”.

Kur drejtësia pezullon drejtorin e policisë së Ramës dhe Tahirit sepse në mënyrë flagrante ka shkelur ligjin duke futur e më pas përdorur ilegalisht një pajisje përgjimi, atëherë kjo drejtësi është e korruptuar dhe ka nevojë për reformim.

E ndoqëm dje se me çfarë histerie e tërbimi u sulën Tahiri e Rama mbi gjyqtarë e prokurorë, për një rast mëse evident, të një krimi shtetëror, tanimë të pranuar dhe nga vetë drejtori i policisë.

Po pikërisht kjo i tërboi dhe i bëri histerikë Ramën dhe Tahirin, fakti që Çako po flet.

I kemi parë se si bërtasin në kor kur ne denoncojmë skandalet e tyre “shkoni në prokurori” thonë, por tani që prokuroria e gjykata vepruan mbi bazë të fakteve mëse evidente, u çorrën ndryshe.

Folën dje për komplot të opozitës që përdorka gjyqtarë të kapur që qenkan kthyer në sistemin e drejtësisë në mënyrë të padrejtë dhe prapë dolën bllof, si në shumë raste të tjera, sepse nëse ajo që thonë paska ndodhur, rezulton që “fajtor” të jetë gjykata e Fehmi Abdiut e cila i dha të drejtë atij gjyqtarit, pikërisht gjykata e Fehmi Abdiut dhe  KLD e Bamir ziut, njëri ish-deputet i PS dhe tjetri aleati më i ngushtë i Ramës sot. Se me aleatët e  tjerë nuk ka marëdhënie dashurie si ka me Bamirin. Aleatin tjetër e kërcënon njësoj si opozita me të ashtëquajturën reformë në drejtësi

Histeria e djeshme ishte nga paniku se Çako po flet e nuk pranon mesa duket të bëhet kokë turku. Për këtë sulen me tërbim dhe Rama e Tahiri, jo sepse janë të shqetësuar për drejtësinë, por sepse kanë frikë se ky skandal do ti marrë me vete këta të dy. Mos harrojmë që për një skandal të ngjashëm ka ikur dhe një President i SHBA-së.

Kaq besoj mjafton për të kuptuar se cfarë drejtësie kërkon Edvin Rama  dhe pse ne, pse kjo opozitë e kundërshton drejtësinë për të cilën flet Edvin Rama. Rama kërkon një drejtësi që të mbrojë kriminelët, vrasësit, trafikantët e përdhunuesit sepse kolanës së tij të deridjeshme, ku kishte vrasës në parlament, trafikantë prostitutash, trafikantë droge, iu shtua edhe Rrosh përdhunuesi, dhe sot, e patë që bërtiste këtu kundër gjyqtarit që paska liruar një përdhunuesi. Po kush është ai që e cakton përdhunuesin kryetar bashkie? Ky këtu, është. Ky është autori që përdhunuesin e bën kryetar bashkie e ndan pushtet me kriminelë të tjerë me të cilët ai ka mbushur administratën dhe ka zënë bashkitë. Kriminelë që harrojnë se sa krime kanë kryer. Kërkon të mbrojë hajdutët e tij në qeveri e Parlament, që vazhdojnë të grabisin shqiptarët duke përfituar nga postet që mbajnë dhe lidhja me Ramën.

Rama kërkon të mbrojë Rroshët, Bushët, Bardhët, Kokëdhimët, Prengët, Beqët, Frrokët e Tahirët. Kërkon të mbrojë veten.

Sa për dënimet, drejtësia i duhet për të dënuar ata që guxojnë të denoncojnë krimin dhe hajdutërinë e pushtetarëve. Të dënojë dhe mbajë nën presion dhe qytetarët e thjeshtë të cilët çdo ditë luftojnë me të zezat që i ka sjellë kjo qeveri, që nesër me dhunë e para t’ju marrë edhe votën.

Kjo është drejtësia dhe reforma që kërkon Rama e kjo është e qartë prandaj nuk ka nevojë të na tregojë askush, dimë shumë mirë ta dallojmë errësirën nga drita e diellit. Për këtë nuk do të lejojmë kurrë që satrapi të shtjerë në dorë dhe drejtësinë.

Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi e mirëqenie e këto nuk mund t’ua japë ai që i groposi, Edvin Rama.


Fjala në Parlament e Kryetarit të Grupit Parlamentar, Edi Paloka, 9 qershor 2016

Read More
09 Qer
0

Panairi i Tahirit, mungon pajisja e përgjimit, Shullazi, Habilajt, Balili, targa AA003GB

Sekretari i Aksionit Qytetar Salianji: Tahiri e ktheu panairin në frengji për të sulmuar institucionet

Partia Demokratike ka denoncuar sot bilancin e lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit. Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji ishte sot pranë panairit që ai ka ngritur në qendër të Tiranës, ku Tahiri shfaqet prej disa ditësh duke sulmuar institucionet.

“Për ditë me rradhë Panairi i Policisë që shihni këtu, nuk arriti që të ekspozonte sukseset personale të Ministrit Sajmir Tahiri. Nuk u ekspozua gjatë panairit të policisë suksesi i Ministrit Tahiri, që është mbulimi i gjithë Shqipërinë nga droga. Nuk u arrit të ekspozohej makina e famshme AA003GB e kushërinjve të ministrit e cila transportonte drogë e nuk ndalej nga policia. Nuk u arrit të ekspozohej suksesi i ministrit Tahiri për të nxjerrë jashtë kufijve të Shqipërisë Arben Frrokun, vrasësin e komisar Lamajt, nuk u arrit të ekspozohej mënyra se si ministri Tahiri arriti të nxirrte jashtë shtetit dhe ndihmoi të arratisej Balilin, apo Eskobarin e Ballkanit, baroni i drogës siç njihej për mediat ndërkombëtare. Nuk arriti të ekspozohej as kriminaliteti i lartë në vend, as gjobat dhe represioni që policia e shtetit ushtron ndaj qytetarëve”, tha Salianji.

Sekretari i Aksionit politik dënoi sulmet e Tahirit ndaj hetimit që ka nisur për përgjimin, dhe mbrojtjen që ai dhe Rama po i bëjnë krimit.

“Për 2 ditë me radhë u arrit që ky panair të kthehej në frengji, nga ku Ministri filloi të sulmonte pas asnjë kulturë institucionale, pa asnjë parim të qeverisjes së mirë, gjykatës dhe prokurorë të cilët e kanë vendosur sot ministrin Tahiri si të akuzuarin kryesor për pajisjen e përgjimit e cila edhe ajo nuk u ekspozua në këtë panair. Ndaj Edi Rama dhe Sajmir Tahiri nuk e duan reformën në drejtësi sepse në rastin më të parë, në momentin më të parë që u vu në provë për ti hapur rrugë drejtësisë, për ti lënë që drejtësia të thotë fjalën e fundit ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe Ligji, Edi Rama dhe ministri i vet i akuzuar sot për përgjimin e ambasadorëve, të mediave, të krerëve më të lartë të shtetit, për një skandal me përmasa të mëdha shtetërore, pengon hetimin, pengon drejtësinë, i bën kërcënime mafioze gjykatësve”, u shpreh Salianji.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 9 qershor 2016

 

Read More
08 Qer
0

PD ka treguar fleksibilitet të plotë, ja komunikimi që tregon se modeli i vendeve të rezervuara është propozuar nga ndërkombëtarët

Sot jemi para jush për të bërë transparencë mbi një numër faktesh të cilat faktojnë katërcipërisht fleksibilitetin e plotë të Partisë Demokratike ndaj gjithë procesit të negociimit, diskutimeve dhe dialogut jo vetëm me palët politike por mbi të gjitha edhe me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me paketën kushtetuese të ndryshimeve për sistemin e drejtësisë.

Gjatë këtij procesi kemi pasur zhvillime të cilat na kanë çuar deri në pikën fundore, ku në këto momente e vetmja pikë që na ndan është çështja themelore që garanton mos kapjen e sistemit të drejtësisë, që është modeli me të cilin do të emërohen zyratrët  më të lartë të sistemit të drejtësisë.

Sot, ne do t’iu paraqesim një numër faktesh dhe provash që dëshmojnë qendrimin fleksibël të PD mbi bazën e propozimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS dhe së fundmi edhe nga Komisioni i Venecias.

Këtu kemi një email të datës 10 shkurt që është emaili me të cilin na janë paraqitur ne opozitës, qoftë në nivelin politik, qoftë në nivel ekspertësh, një numër zgjidhjesh, propozimesh nga OPDAT dhe EURALIUS, në lidhje me modelin e emërimit të zyrtarëve të lartë në sistemin e drejtësisë. Janë një numër alternativash, që përfshijnë ndër to edhe mdoelin e vendeve të rezervuara. Me propozimin e partnerëve ndërkombëtarë na u dha mundësia që ne të përzgjidhnim nje prej këtyre modeleve, ai që garantonte më së miri, atë që kërkonte Komisioni i Venecias që në dhjetor, përfshirjen substanciale të opozitës në procesin e emërimit të këtyre zyrtarëve dhe përfaqësimin e opozitës në organet kolegjiale në sistemin e drejtësisë.

Midis modeleve të paraqitur nga ekspertët e OPDATIT dhe EURALIUS-it dhe të mbështetura edhe nga nivelet politike të partnerëve ndërkombëtarë ajo që zgjodhi PD ishte pikërisht modeli i vendeve të rezervuara, me modelin ku dy anëtarët jo gjyqtarë ose jo prokurorë zgjidhen nga propozime profesionistësh të përzgjedhura nga partitë e mazhorancës dhe dy kandidatura do të zgjidhen nga partitë e opozitës, dhe anëtari i pestë i cili zgjidhet nga shoqëria civile do të zgjidhet me shumicë prej 3/5 nga Parlamenti për të garantuar konsensusin maksimal.

Pra siç e shihni, ky është modeli, është ekzakt edhe në grafikë  i paraqitur nga partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS për këtë zgjidhje. Ky është propozimi i bërë në datën 10 shkurt nga këta partnerë dhe në datën 27 shkurt nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, zoti Eduard Halimi, në një përgjigje zyrtare mbi këtë propozim i përgjigjet OPDAT-it dhe EURALIUS-it duke zgjedhur në mënyrë specifike modelin e vendeve të rezervuara atë që ju paraqitëm më përpara, duke iu thënë që ky ishte modeli më i përshtatshëm, modeli më i thjeshtë, ai që garantonte përfshirjen substanciale dhe përfaqësimin e opozitës në organet e sistemit të drejtësisë dhe ishte sistemi më i thjeshtë dhe më pak i komplikuar dhe më pak i korruptueshëm.

Më pas, këto kanë vijuar me raportin final të Komisionit të Venecias i cili në mënyrë shumë specifike përcakton e zezë me të bardhë në paragrafin 17, në footnote nr4, ku thuhet që; kandidatët që do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve të mazhorancës dhe lista e kandidatëve të opozitës, nga kjo listë e kandidatëve të mazhorancës do të përzgjidhen 3 dhe nga lista e kandidatëve të opozitës do të përzgjidhen dy. E shkruar e zezë mbi të bardhë, propozim i Komisionit të Venecias si një nga modelet për zgjidhjen e kësaj çështjeje thelbësore që garanton mos kapjen e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca qeverisëse. Në paragrafin 88, gjithashtu të këtij raporti, në mënyrë specifike konsakrohet nga Komisioni i Venecias nevoja që të garantohet përfaqësimi i opozitës në këto organe kolegjiale.

Në vijim të gjithë kësaj, në datën 21 Prill, pra pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, eskpertët ndërkombëtarë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it bëjnë një komunikim të fundit me ne duke përcaktuar qartë se të vetmet propozime që ata kanë janë 2; njëri është i vendeve të rezervuara, i përzgjedhur nga Partia Demokratike si dhe një sistem propocional votimi kompleks me potencial të madh bllokimi dhe i korruptueshëm, i përzgjedhur nga maxhoranca dhe aleatët e saj.

Këto janë komunikimet elektronike të Partisë Demokratike me parnerët ndërkombëtarë për propozime që më pas janë të reflektuara në raportin e Komisionit të Venecias. Në bazë të ofertës së bërë, kemi zgjedhur në mënyrë transparente modelin e vendeve të rezervuara si modeli më i thjeshtë, më i qartë, më funksional që garanton më shumë se kushdo moskapjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë. E kemi komunikuar këtë në mënyrë transparente e në mënyrë të vazhdueshme që nga shkurti i këtij viti dhe pikërisht mbi bazën e këtij qendrimi të bërë publik nga PD, ka vazhduar edhe negociimi. Siç e bëri të qartë edhe në përfundim të takimit të datës 6 qershor, kryetari i Partisë Demokratike, çështja e modelit për emërimin e funksionarëve të organeve kolegjale në sistemin e drejtësisë është çështja e e fundit dhe e vetme që ndan palët për të përmbyllur me sukses paketën e ndryshimeve Kushtetuese edhe për ta bërë gati atë për votim në Parlament. Edhe në takimin e datës 6 Qershor ne kemi bërë në mënyrë të detajuar, transparente, gjatë atij takimi, propozimet tona konkrete duke detajuar modelin e vendeve të rezervuara, model i cili nuk gjeti asnjë kundërshtim principial, por ashtu siç ju e dini, kryeministri doli më pas me një deklaratë të shkruar e të përgatitur më përpara, duke thënë që takimi dështoi. Edhe pse opozita fare qartë tregoi gadishmërinë për të vazhduar dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë që garantonte maksimalisht moskapjen nga maxhoranca kurdoqoftë të organeve kolegjale.

Këto fakte të bëra tashmë publike, të cilat do të jenë në dispozicion të medias, vërtetojnë edhe njëherë fleksibilitetin maksimal të Partisë Demokratike e cila në procesin e dialogut dhe të konsensusit ka bërë hapat e saj përpara për të gjetur pikat e takimit, të gjitha çështjet e tjera tashmë edhe me negociimin e partnerëve ndërkombëtarë të mund të konsiderohen të zgjidhura dhe e vetmja çështje është kjo. Eshtë shumë e thjeshtë, fare e qartë, që i vetmi që e pengon zgjidhjen përfundimtare është kryeministri i cili nëse vendos të zgjedhë, jo modelin e propozuar nga PD, por modelin e propozuar nga Komisioni i Venecias, OPDAT-it dhe EURALIUS, i vë vulën përfundimtare zgjidhjes dhe përgatitjes për aprovim të paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi. E gjitha mbetet në vullnetin e kryeministrit për të qënë vullnetmirë e për ta mbyllur këtë proces dhe jo për të ndjekur rrugën demagogjike për ta çuar reformën në drejtësi drejt dështimit nëpërmjet një zgjidhje që siç e propozon, ai garanton kapjen e plotë të organeve kolegjiale nga ai. Këto emaile dhe prova do tu vihen në dispozicion dhe do të jenë publike në websitin e PD për të qënë të aksesueshme dhe plotësisht transparente për të gjithë publikun.

Faleminderit!


Deklarata për mediat për mediat e nënkryetarit të Komisionit të Drejtësisë, Oerd Bylykbashi, 8 Qershor 2016

Foto1-Emali i dates 10 shkurt foto2-modelet e zgjedhjes se propozuar nga nderkombetaret foto3-Modeli i vendeve te rezervuara te propozuar nga nderkombetaret Foto4-Emaili i dates 17 shkurt 2016 Foto5-Pergjigja zyrtare e PD per propozimin Foto6-Detajimi i pranimit te propozimit nga PD Foto7-Emali i dates 20 prill Foto8-Rikonfirmimi nga nderkombetaret i propozimit te tyre per modelin e vendeve te rezervuara

Read More
08 Qer
0

Përgjigja e Kryeministrit për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka

Letra për nënkryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka

Read More
08 Qer
0

Ekonomia në rënie me çdo tregues, Rama mburret sërish

I njëjti kryeministër që thotë nuk ka përgjime të paligjshme, ndërkohë që përgjime të paligjshme ka pasur, i njëjti që thotë s’ka trafik droge, kur droga ka mbuluar vendin, i njëjti që tha Elvis Rroshi nuk është dënuar asnjëherë, kur ai ishte dënuar më shumë se një herë, deklaroi sot në një retorikë 40 minutëshe se ekonomia qenka mirë.

Madje ai sulmoi me tone kërcënuese edhe bizneset që mund të kenë ankesa.

Ndërkohë, faktet për ekonominë janë këto:

Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur se besimi ka rënë me 4.83 pikë, dhe 65 përqind e të anketuarve janë shprehur se klima për biznes është e pafavorshme ose shumë e pafavorshme.

Më parë Dhoma Gjermane e Tregtisë denoncoi korrupsionin e taksat e larta. Konsumi ka pësuar rënie në rekorde historike.

Eksportet dhe investimet janë në rënie, dhe këto tregues janë ekonomia e vendit.

Asnjë investitor i huaj nuk ka shkelur në këto tre vite, madje investitorët po largohen. Kryeministri vazhdon të krenohet me TAP-in dhe Hidrocentralin e Devollit, të dyja punë të nisura nga qeveria e mëparshme.

Konkurenca është eleminuar, vetëm nëse je mik i Ramës e klanit të tij të ngushtë përfiton tendera e fonde publike.

Kjo është ekonomia e Ramës dhe Ahmetajt të cilët vazhdojnë të flasin me “do të”, a thua se nuk ishin këtu këto 32 muaj, a thua se nuk janë ata shkaktarët e krizës së thellë.


Deklaratë e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, 8 qershor 2016

Read More
08 Qer
0

Basha: Dua t’i bëj një thirrje sot Edi Ramës nga kjo sallë, të votojë Reformën në Drejtësi, kështu siç e kemi rakorduar tashmë me opsionet e paraqitura dhe të rakorduara me Venecian. Është gati. Eja votoje. Mos e blloko integrimin siç e ke bllokuar më përpara

 

Kush nuk ngrihet kundër presionit politik të qeverisë ndaj drejtësisë për megaskandalin e përgjimeve nuk është naiv por bashkpërgjegjës.

  • Nëse ka një model që ofron më shumë garanci kundër kapjes politike se ky që ne kemi zgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias, jemi gati ta diskutojmë dhe ta pranojmë. Por nuk mund të pranojmë e nuk do të pranojmë  asgjë më pak sesa garancitë që ofron modeli që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias.
  • I bëj thirrje të heqë dorë nga presioni i vazhdueshëm kundër drejtësisë sa herë që nisin çështjet e korrupsionit ndaj qeveritarëve.I  bëj thirrje në veçanti të ndalë presionin ndaj Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë për skandalin e skandaleve atë të përgjimit dhe të largojë menjëherë nga detyra  Saimir Tahirin. Duke dhënë kështu provën minimale se ka interes në një hetim të paanshëm dhe  të plotë dhe jo në  ndalimin e  hetimit, sepse e dyta nuk do të ishte thjesht mbrojtje e Saimir Tahirit, por do të ishte vetë denoncimi i Edi Ramës si porositësi i këtij skandali. Heshtja për këtë skandal  nuk është naivitet por është bashkëpërgjegjësi.

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në konferencën:“KORRUPSIONI DHE TRANSPARENCA: NJË MODEL PËR SHQIPËRINË” organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD), në bashkëpunim dhe mbështetjen e Institutit Republikan Amerikan (IRI)

Mirëmëngjesi!

Më lejoni ta nis me një falënderim për Fondacionin për Liri dhe Demokraci, zotin kryetar i bordit, anëtar të bordit, drejtorin ekzekutiv.

Ky është një aktivitet i përbashkët i Fondacionit për Liri dhe Demokraci të Partisë Demokratike, i Institutit Ndërkombëtar Republikan të Partisë Republikane Amerikane, me pjesëmarrje natyrisht të deputetëve dhe funksionarëve të Partisë Demokratike. të shoqërisë civile, në veçanti të organizatave të cilat në këto vite janë marrë me çështjen e transparencës dhe korrupsionit. Dua t’i falënderoj nga zemra për interesin që kanë treguar këtë mëngjes, dy ditë para nisjes së Kampionatit Europian dhe dy ditë pas përfundimit të takimit të shumëpritur dhe pa rezultat midis kryeministrit dhe kreut të opozitës.

Jemi midis dy momenteve, njëri sportiv dhe tjetri jo dhe aq sportiv, por interesi i pjesëmarrësve në këtë takim tregon atë që dimë të gjithë ne se korrupsioni dhe transparenca janë dy probleme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dua të përshëndes dhe drejtuesit e Institutit Republikan për vëmendjen e veçantë që i jepni këtij problemi kaq të mprehtë, jo thjesht për opozitën, por për Shqipërinë, për shqiptarët, për qytetarët, për biznesin, për median.

Sot jemi në kryeqytetin e një vendi, qeveria e të cilit vitin e kaluar ka harxhuar plotë 80 milionë dollarë për zyra, karburante, bileta avionësh, orendi, perde, dhe i kërkon llogari opozitës se me çfarë parash do të financojë 20 milionë euro që është kostoja e mbulimit nga shteti të të gjithë familjeve në nevojë ekonomike për energjinë deri në 300 KW në muaj.

Nëse shteti shqiptar u thotë familjeve në ndihmë ekonomike, atyre që marrin maksimumi 68 mijë lek të vjetra se këto lekë do ti keni për bukë dhe çfarëdo ushqimi tjetër, dhe se faturën e energjisë deri në 300 KW do ta marrim ne përsipër, kjo kushton 20 milionë dollarë. PD ka premtuar, ne e kemi premtuar, unë e kam premtuar se do ta bëjmë realitet, familjet në ndihmë ekonomike deri në 300 KW do të kenë pagesën e energjisë dhe të faturës së ujit nga buxheti i shtetit. Pse qeveria tregohet e habitur apo na akuzon ne për propagandë? Sepse nuk ka mjaftueshëm transparencë për të nxjerrë hapur para shqiptarëve se kjo qeveri harxhon 4 herë më shumë për zyra, makina, karburant, bileta avionësh. 14 milionë dollarë vitin e kaluar vetëm për bileta avionësh. Nuk ka transparencë, ndaj bëhet propagandë me atë që në fakt nuk duhet të jetë çështje propagande, por të jetë çështje politikëbërje e përgjegjshme midis dy kundërshtarëve politikë. Këtë ofrojmë ne, çfarë ofroni ju? Jo, ne nuk ofrojmë gjë, por këta gënjejnë se nuk thonë se sa lek bëjnë. Ja që bëjnë 20 milionë dollarë, 4 herë më pak se ç’harxhuat ju për zyrat.

Jemi në kryeqytetin e një vendi ku qeveria në dy vitet e fundit ka dhënë koncesione në shëndetësi që detyrojnë taksapaguesin shqiptarë të paguajë plotë 2 milionë euro në muaj për shërbime që nuk i shohin kurrë. Të famshmin check-up dhe sterilizimin, ndërkohë që Onkologjiku nuk ka ilaçe për të sëmurët rëndë. Ndërsa një herë në dy javë shohim tek Spitali i Traumës se nuk ka as antibiotikë dhe as medikamente anestezie, në spitalin që ekziston për operacione. Këto janë pasojat e korrupsionit, këto janë pasojat e mungesë së transparencës dhe llogaridhënies.

Një shoqëri është e detyruar të dëgjojë dy orë në ditë, live në televizion, kryeministrin duke bërë propagandë në një media të kapur, të manipuluar, të blerë, të kërcënuar dhe të shantazhuar përmes pronarëve të vetë. Ku sa herë një gazetar apo redaktor ka guximin të nxjerrë skandalet e qeverisë, përballet me një rrebesh që vjen pas furtunës mbi kokat e pronarëve. Problemi sigurisht nuk është media, problemi nuk janë as gjyqtarët, as prokurorët, problemi është korrupsioni politik. Në saj të korrupsionit politik korruptohet media, në saj të korrupsionit politik, shantazhohen e vihen nën presion gjyqtarët dhe prokurorët dhe s’kemi drejtësi të drejtë dhe sipas ligjit. Megjithatë, PD, ka qëndruar fuqishëm dhe ka treguar me vepra, jo me propagandë boshe, jo me fjalë, gatishmërinë e saj për reformat që do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien dhe mbi të gjitha, sundimin e ligjit.

Këtu një nga reformat më të rëndësishme është reforma në drejtësi. Ku jemi me reformën në drejtësi? Ne jemi gati. Të hënën opozita pranoi të gjitha sugjerimet e faktorit ndërkombëtar me mbështetjen e Venecias për një paketë ndryshimesh kushtetuese e cila do ti hapë rrugën reformës në drejtësi. Për një reformë që nuk e mbron, por që e ndëshkon korrupsionin. Të hënën opozita dha garanci se është e gatshme të votojë këtë paketë. Kryeministri, mazhoranca që pretendon dhe përdëllehet ditë për ditë për drejtësinë e refuzoi. Refuzoi një zgjidhje jo nga PD, por nga OPDAT, nga EURALIUS dhe nga Venecia. E refuzoi sepse nuk përputhet me konceptin e tij për drejtësinë. Cili është koncepti i tij për drejtësinë? E patë edhe dje, kur prokuroria nis hetimet për skandalin e skandaleve, çështjen e përgjimeve, ky çohet dhe kërcënon prokurorinë. Njësoj siç kërcënoi Gjykatën Kushtetuese kur dha vendimin për Kokëdhimën. Ky është koncepti i Edi Ramës për drejtësinë. Ose vendimet siç i do Edi Rama, ose përndryshe dru mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Po kjo s’mund të jetë kurrë drejtësia që meritojnë shqiptarët dhe drejtësia që fut Shqipërinë në Europë. Kurrë! Pra në këtë moment po ekspozohemi me një problem tektonik fondamentale. Qeveria do një drejtësi të kapur dhe të nënshtruar politikisht. Qeverisë nuk i intereson një drejtësi e pavarur, e pandikuar e cila të hetojë korrupsionin, të hetojë krimin e në veçanti kur është me lidhje qeveritare, apo skandalet dhe megaaferat, si CEZ, apo  ARMO-s i cili është në gatim e sipër, apo skandali i skandaleve, ai i përgjimeve. Sot që flasim, kryeministri po ushtron presion mbi Gjykatën e Apelit për të lënë Haki Çakon, kokën e turkut, për ta rikthyer në detyrë, sepse Haki Çako i pezulluar dhe drejtori i Operacionales në arrest shtëpie, janë një kërcënim i vërtetë se e vërteta do të zbardhet.

Kërcënimi i djeshëm i Kryeministrit nuk bëhet për llogari të Saimir Tahirit. Jo, jo është një akt i pastër vetëmbrojtje. Asnjë shqiptar nuk e beson se një skandal i përmasave të tilla mund të kryhet pa dijeninë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë e shefit të ekzekutivi . Pra është një investim i drejtpërdrejtë vetëmbrojtjeje.

Sesa larg është gati të shkojë kjo qeveri, ky kryeministër për të shprehur të vërtetën dhe për të mos bërë drejtësi e kemi parë dhe po e shohim. Pyetja shtrohet çfarë jemi gati të bëjmë ne ? Së pari dua t’i bëj një thirrje sot nga kjo sallë të votojë Reformën në Drejtësi, kështu siç e kemi rakorduar tashmë me opsionet e paraqitura dhe të rakorduara me Venecian. Është gati eja votoje. Mos e blloko integrimin siç e ke bllokuar më përpara.

Së dyti t’ia bëj të qartë atij dhe kujtdo tjetër që përkundet në ëndrra diabolike, naive apo të papërgjegjshme se opozita ka pranuar një nga versionet e Venecias, që ofron mekanizmat e moskapjes politike. Këto garanci i pranojmë,  nëse ka garanci më të mëdha jemi gati t’i diskutojmë. Asgjë më pak se kjo nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë. Kjo nuk është çështje që i takon opozitës. Kjo është çështje që i takon qytetarëve shqiptarë.

Përgjimi nuk është çështje e opozitës është çështje e çdo qytetari që është dhunuar në të drejtat e tij kushtetuese të privatësisë, gazetarë, bankierë, biznesmenë apo diplomatë. Është çështje e sigurisë kombëtare. Nëse ne nuk qëndrojmë për këto vlera, kush do të qëndrojë?!

Pra, mungesa e transparencës padyshim është nëna e korrupsionit dhe korrupsioni politik është nëna e korrupsionit në drejtësi. Jo e kundërta. Korrupsioni në drejtësi është shkak, pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit politik. Prandaj dhe korrupsioni politik meriton një përgjigje masive dhe kjo përgjigje masive jepet më së miri në një proces të lirë e të ndershëm votimi. Kemi insistuar dhe insistojmë për votimin biometrik dhe elektronik që do të thotë automatikisht edhe numërim elektronik.

Ashtu si dielli është dizifektanti më i mirë, transparenca është dizifektanti më i mirë kundër korrupsionit. E transparenca që ofron një sistem biometrik dhe elektronik votimi dhe numërimi i jep fund jo të gjithë problemeve, por një pjese të madhe të problemeve të zgjedhjeve shqiptare, në veçanti të zgjedhjeve të fundit. Ku pamë një sistem të perfeksionuar, klinik  të shitblerjes së votës, të kërcënimit të votuesve, të korruptimit dhe shantazhimit të administratës zgjedhore, të mbledhjes së kartave të identitetit, të votimit të dyfishtë, manipulimit me listat, presionit ndaj numëruesve deri në  thyerje e mbushje kutish. Probleme të cilat mënjanohen, zgjidhen përmes votimit elektronik dhe biometrik. Sigurisht kush ka interes tek e para, s’mund të ketë interes tek dyta. S’jemi naivë, por ky është një kusht i domosdoshëm për  zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mosplotësimi i të cilit, lë një shteg të hapur,  rrëzimin e kësaj qeverie e zeëvendësimin me një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ja pra ku ndodhemi në raport me korrupsionin, transparencën në Shqipëri. Sot provat tregojnë qartë se kem një qeveri të painteresuar për reformën në drejtësi që garanton moskapjen e drejtësisë dhe një drejtësi që lufton korrupsionin dhe krimin dhe një opozitë që tashmë është plotësisht e rakorduar me propozime që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë dhe Komisioni i Venecias. Kjo është e vërteta, të tjerat janë broçkulla, pavarësisht se nga vijnë.

Në këto kushte i bëj thirrje të gjithë atyre që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë këto 25 vite për një Shqipëri europiane, euroatlantike, demokratike, të hapur dhe të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës që të na ndihmojë  përsëri. Heshtja nuk është naivitet por është bashkëpërgjegjësi. Shqipëria do të ketë një reformë  në drejtësi. Nëse kjo qeveri e zhytur deri në fyt në korrupsion dhe krim nuk do të ketë guximin t’ia japë, ne bashkë me qytetarët shqiptarë do t’ia japim.

Jam gati të deklaroj dhe një herë sot se në qëndrojmë të hapur për një marrëveshje konsensuale, bazuar vetëm dhe vetëm mbi parimet dhe modelet e ofruara nga faktori ndërkombëtar, të sanksionuara nga Komisioni i Venecias për një drejtësi të pakapur që lufton dhe nuk mbron korrupsionin  në nivele të larta dhe se për këtë Partia Demokratike është gati të investohet me sinqeritet dhe gatishmëri. Partia Demokratike e dëshiron këtë reformë siç dëshiron  integrimin europian të vendit. Ndaj dhe një herë i bëj thirrje kryeministrit, mazhorancës, të bëhen gati të votojnë bashkë me ne paketën kushtetuese dhe ligjet kushtetuese, ashtu siç i kemi rakorduar,  jo sipas tekave dhe kapriçiove, por sipas garancive që ofrojnë.

Edhe një herë i përsëris se nëse ka një model që ofron më shumë garanci kundër kapjes politike se ky që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias, jemi gati ta diskutojmë dhe ta pranojmë. Por se nuk mund të pranojmë e nuk do të pranojmë asgjë më pak sesa garancitë që ofron modeli që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias.

I bëj thirrje të heqë dorë nga presioni i vazhdueshëm kundër drejtësisë sa herë që nisin çështjet e korrupsionit ndaj qeveritarëve e i  bëj thirrje në veçanti të ndalë presionin ndaj Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë për skandalin e skandaleve atë të përgjimit dhe të largojë menjëherë nga detyra  Saimir Tahirin. Duke dhënë kështu provën minimale se ka interes në një hetim të paanshëm dhe  të plotë dhe jo në  ndalimin e  hetimit, sepse e dyta nuk do të ishte thjesht mbrojtje e Saimir Tahirit, por do të ishte vetë denoncimi i Edi Ramës si porositësi i këtij skandali.

Unë i uroj suksese panelit që do të vazhdojë këtë aktivitet. I kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimeve të mia nuk do të jem në gjendje ta ndjek këtë panel, por jam i sigurt që do të jetë shumë frytdhënës dhe syhapës si për ata që do ta ndjekin përmes mediave dhe ashtu për personalitetet e pranishëm në këtë sallë që japin kontributin e tyre, nga përgjegjësi të ndryshme që kanë marrë në këtë shoqëri dhe që unë i inkurajoj pavarësisht se shpeshherë mund të jemi në anët e ndryshme të llogoreve politike. Për ne ajo që ka më shumë rëndësi është transparenca  dhe lufta kundër korrupsionit dhe çdokush që kontribuon në këtë drejtim është një aleat natyral i Partisë Demokratike.

Ju faleminderit!


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 qershor 2016

 

Read More
08 Qer
0

Rama e Tahiri sulm kriminal drejtësisë, në panik nga hetimi i përgjimit të paligjshëm

Saimir Tahiri i kapur nga paniku i arrestimit për shkak të krimit që ka kryer, përgjimi i paligjshëm, është hedhur në një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë.

Ai sulmoi ashpër sot gjykatësin që miratoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sulmoi dhe organin e akuzës.

Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.

Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë  gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin.

Ky presion kriminal ndaj gjykatës së Apelit tregon edhe një herë përse ata nuk e duan drejtësinë sipas Venecias, por e duan të kapur.

Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë duke dëshmuar se cila është drejtësia, prokuroria dhe gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre.

Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë, dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze.

Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera euroatlantike, në Tiranë, të dënojnë sulmin e hapur të Edi Ramës kundër hetimit të këtij krimi të rëndë të sigurisë kombëtare dhe i kërkojmë të shprehen e të prononcohen në favor të hetimit të pavarur, të pandikuar politikisht, në favor të hetimit të plotë të kësaj afere skandaloze.


Deklaratë e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 8 qershor 2016

Read More
07 Qer
0

Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme

Edi Rama ka sulmuar sot Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme.

Edi Rama duhej sot ti kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta beje edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar, dhe do të përdorej pa autorizimin e Prokurorit.

Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet.

Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror.

Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme.

Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund.


Deklarata për mediat e Partisë Demokratike, 7 Qershor 2016

 

Read More
07 Qer
0

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti në një takim ministrin e jashtem grek Nikolaos Kotzias

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti në një takim ministrin e jashtem grek Nikolaos Kotzias

Z. Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie. Por kryetari i Partisë Demokratike nenvizoi dhe faktin se në marrëdheniet midis dy vendeve ka cështje të mprehta që duhen trajtuar pa paragjykime dhe me kurajo për të gjetur rruget e zgjidhjes përmes një dialogu dhe veprimi të sinqertë mes dy palëve.

Zoti Basha shprehu shqetësim se prej tre vitesh ka shumë retorike dhe propagandë por nuk ka asnjë veprim konkret nga ana e dy qeverive në zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull.

Ceshtja e statusit absurd të ligjit të luftes, trajtimi i të drejtës së popullatës Çame si e drejtë themelore e njeriut, të drejtat pronësore të shqiptarëve në Greqi dhe cështje te tjera të mbetura pezull midis dy vendeve meritojnë të trajtohen e zgjidhen sa më parë duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian.

Anulimi i ligjit të luftës, është një çështje e rëndësishme theksoi zoti Basha jo vetëm për shkak të përceptimit, por veçanërisht të problemeve në lidhje me sekuestron konservative për pronat e qytetarëve shqiptare, veçanërisht atyre Çamë.​


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Qershor 2016

Read More
07 Qer
0

Basha: Largimi i Tahirit i hap rrugë një hetimi të plotë dhe të pandikuar të skandalit të përgjimit

I kërkoj Prokurorisë të mos ndalen me koka turku por të hetojë urdhëruesin e përgjimit të paligjshëm 
Mirëdita të nderuar përfaqësues të medias,​

Të dashur bashkëqytetarë,

Në qeverisjen e njëmijë e një skandaleve ka një skandal që del mbi gjithë të tjerët dhe ky është skandali i përgjimeve, i cili përveç të qenit një krim i madh dhe monstruoz është edhe një cenim i qartë dhe shkelje flagrante e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Ky skandal që është denoncuar nga opozita prej disa muajsh dhe për të cilin kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hetim dhe transparencë për hetimin, sot ka dalë në dritë.

Gjykata ka dhënë masë sigurie për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako përmes pezullimit dhe ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të Operacionales dhe Përgjimeve.

Hapa padyshim që unë i inkurajoj, që tregojnë integritet nga ana e Prokurorisë, por që nuk janë të mjaftueshëm. Kryeprokurori i vendit, prokurorët e çështjes, duhet ta dinë qartë qëndrimin tonë. Ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për interesin esencial të vendit, sigurinë kombëtare. Ne nuk do të pranojmë që njeriu në krye të këtij operacioni të pistë të vazhdojë të mbetet në detyrë.

Ndaj inkurajojmë me forcë hetimin e shtrirë dhe të plotë të të gjithë personave përgjegjës që kulmojnë në zinxhirin urdhërdhënës me Saimir Tahirin.

Në çdo vend me standardin minimal demokratik një Ministër i Brendshëm që kapet duke futur në mënyrë të paligjshme një pajisje të paligjshme përgjimi do të kishte ikur, do të ishte larguar, do të ishte në dispozicion të drejtësisë.

Në shtetin e Edi Ramës që betohet dhe përbetohet për një drejtësi të reformuar, Ministri i tij i Brendshëm i kapur në flagrancë, i kapur nga skandali në skandale, jo vetëm nuk ikën por i bën presion Prokurorisë, saboton hetimin.

Ndaj ne kërkuam përmes seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe kërkojmë transparencë. Por Edi Rama i është shmangur deri më sot përgjegjësisë direkte politike që ka për të pezulluar dhe larguar ministrin e Brendshëm, që është politikisht përgjegjës për skandalin e përgjimit, që është -dhe faktet nuk kanë si të mos tregojnë në qoftë se hetohet me paanësi – vetë urdhëruesi i kësaj afere.

Pse e mban me thonj Saimir Tahirin, Edi Rama edhe pse hetimi ka nisur? Maja e policisë në përgjegjësinë direkte të Saimir Tahirit është pezulluar, kjo mund të nënkuptojë vetëm diçka, implikimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit në këtë aferë.

Nëse është kështu, dorëheqja e tij nuk mjafton, largimi i Kryeministrit një orë e më parë është domosdoshmëri.

Por, hapi i parë është dhe duhet të jetë firmosja nga Edi Rama e pezullimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, largimi i tij nga detyra. Hapi i dytë, largimi i Ministrit të Brendshëm dhe hapi i tretë, deklarimi para shqiptarëve, se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se është gati që këtë çështje t’ia nënshtrojë plotësisht drejtësisë dhe prokurorisë pa pengesa politike, pa presion ndaj hetimit.

Sigurisht si çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, edhe unë kam dyshime të mëdha se Edi Rama do ta bëjë këtë. Edi Rama i trembet një hetimi të pavarur dhe përgjegjësive politike që do të nxjerrë në raport me skandalin e përgjimit.

Ndaj, edhe dje, edhe sot, ngurron të japë konsensusin e tij për një projekt drejtësie të pavarur dhe të pakapur politikisht. Ndaj pengon çdo reformë që do të mundësonte që në skandale të tilla drejtësia të vepronte paanësisht dhe pa pengesë. Një drejtësi e tillë, sigurisht është problematike.

Një hetim që nis dhe nuk pengohet nga kryeministri, një krim shtetëror që ndodh dhe dorëzimi i autorit nuk pengohet nga kryeministri, është pa dyshim një realitet me të cilin Edi Rama nuk mund të përballet. Këtë ne e dimë dhe kjo nxjerr qartë mentalitetin e tij se pse do drejtësinë nën kontrollin e tij, nën vartësinë politike.

Por sot dilema e tij për një drejtësi të kapur politikisht ekspozohet fuqimisht përballë këtij skandali, ku duket qartë se operacioni i paligjshëm, antikushtetues dhe i anti-sigurisë kombëtare të Tahirit, ka vënë në përgjim drejtues të lartë të shtetit, të partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit dhe bankave.

Ka ekspozuar shtetin brenda shtetit, një bandë mbi ligjin dhe shtetin, me rregullat e veta mafioze dhe interesat e veta kriminale. Ndaj sot kërkojmë me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit nga detyra, si parakusht për largimin e çdo pengese që i është vënë përpara prokurorisë në hetimin dhe  zbardhjen e plotë të këtij krimi.

Dhe kjo nuk është një kërkesë për një kundërshtar politik të kapur në krim por një kërkesë e ligjshme për të siguruar kushtet për drejtësi të besueshme dhe objektive, të pa influencuar dhe të aftë për të zbardhur këtë skandal të paprecedentë.

I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të çështjes të bëjnë gjithçka sipas ligjit dhe brenda ligjit dhe të mos ndalen me koka turku. Hetimi i plotë i Saimir Tahirit, hetimi i plotë i përgjegjësive të tij për këtë skandal, është ajo çfarë presin shqiptarët, është ajo çfarë pret opozita, institucionet e pakapura të shtetit dhe faktori ndërkombëtar.

I bëj thirrje Edi Ramës të largojë Saimir Tahirin nga detyra një orë e më parë.


Deklaratë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 7 qershor 2016

 

Read More