Blog

04 Kor
0

Me Edi Ramën Shqipëria vend i pasigurtë, Belgjika na heq nga lista

Lajmet e këqija për Shqiperinë nuk kanë të sosur.

Në kulmin e sezonit turistik dhe në prag të diskutimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Belgjika ka vendosur ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta.

Lufta kundër krimit dhe trafiqeve, bëri që në 2012 Belgjika ta fusë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim i rëndësishëm i parapriu vendimit për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Schengen.

Por prej tre vitesh, nën qeverisjen e Edi Ramës, standardet e sigurisë kanë shkuar në zero, dhe janë ngritur në maksimum lehtësitë e mbështetja për krimin, për trafiqet, për drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, për trafikun e armëve, për grabitjet me maska.

Asnjë vend i Bashkimit Europian, asnjë vend demokratik nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku me urdhër të kryeministrit dhe ministrit të brendshem, fshihet urdhër-arresti ndërkombetar i INTERPOL, siç ndodhi në rastin e Mark Frrokut, apo ku policia ndihmon në arratisjen e Arben Frrokut të dënuar përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend, ku kryeministri zëvendëson ligjin me sundimin e bandave, ku krimi është veshur me pushtet dhe pushteti me krim.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend ku trafikantë droge, tutorë prostitucioni e përdhunues, bëhen deputetë, kryetarë bashkish, e drejtues të larte të administrates dhe policisë së shtetit.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë një vend që, me bekimin e kryeministrit dhe nën mbrojtjen e ministrit të brendshem, është kthyer në hambar droge, kufinjtë janë bërë inekzistent përballe trafikut dhe deti është pushtuar nga skafet që transportojnë drogë.

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranoje si të sigurtë nje vend ku në një pikë të rëndësishme të sigurisë kombëtare si Aeroporti, grabiten me armë miliona euro, policia refuzon të bëjë detyrën dhe pastaj gënjen, dhe kryeministri hesht, ndonëse njerëzit e tij më të ngushtë si Eno Bushi avokati i tij, janë aksionerë të firmës së sigurisë.

Heqja e Shqipërise nga lista e vendeve të sigurta mund të sjellë ndëshkim të qytetarëve shqiptarë, mund të verë në lëvizje mekanizmin e rikthimit të vizave, dhe kjo për fajin e një personi.

Për fajin e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij të tmerrshme kriminale. Për faj të Edi Ramës që hesht prej 5 ditësh pas rënies së Aeroportit të Rinasit.

Hesht sepse është i kapur.

Për turpin e tij, ministri i brendshem është angazhuar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, por sot u faktua ajo çfarë Partia Demokratike e denoncoi që të shtunen.

Përfaqësuesja e Aeroportit saktësoi sot se policia është njoftuar në kohë rekord për ngjarjen dhe se policia ishte vetëm pak metra larg vendngjarjes, por nuk reagoi.

Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta është një vendim dramatik pasi mund të rikthejë regjimin e vizave, është një kambanë alarmi pasi mund të ketë ndikim dhe në vende të tjera të BE.

Edhe më i rëndë bëhet ky vendim, kur mësohet se në listën e vendeve të sigurta janë të gjithë shtetet e rajonit, Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia. Eshtë përjashtuar pra vetëm Shqipëria.

Ky është realiteti i hidhur ku është futur Shqipëria nën drejtimin e Edi Rames. Largimi i tij është emergjence kombëtare, pasi izolimi i vendit për faj të tij sapo ka nisur.

Partia Demokratike angazhohet se sapo të marrë drejtimin e vendit, do të rikthejë standardet e sigurisë, do ti tregojë vendin bandave dhe krimit duke i shtypur me fuqinë e ligjit, që Shqipëria të rikthehet sa më shpejt në listën e vendeve të sigurta, që qytetarët shqiptarë të mos penalizohen në aspiratën e tyre historike për të lëvizur lirshëm në Europë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 4 korrik 2016

Belgjika

Read More
03 Kor
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Partia Demokratike dënon deklaratat e këshilltarit të kryeministrit grek te mbajtura në Tirane në një aktivitet të rendesishem politik, në prani të kryeministrit të vendit, Rama. Per Partinë Demokratike qëndrime të tilla që fajësojnë bashkëqytetarët tanë camë, janë të papranueshme dhe armiqësore. Qëndrime agresive si ato të këshilltarit të Cipras nuk ndihmojnë marrdhëniet mes dy vendeve dhe nuk sjellin asnjë përparim për cështjet e mbetura pezull. Në të kundërt, janë një kthim pas dhe minim i përparimit domethënës të arritur në këto vite. Partia Demokratike është gjithashtu e shqetësuar dhe dënon mosreagimin e kryeministrit Rama, i cili ishte prezent kur këto deklarata u bënë në Tiranë. Ne shpresojmë se keto qëndrime armiqësore nuk reflektojnë vizionin dhe qëndrimin zyrtar të politikës dhe qeverisë greke dhe mirëpresim distancim të Athinës nga këto deklarata.


 

 Deklaratë e Partisë Demokratike, 3 Korrik 2016

 

Read More
03 Kor
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Partia Demokratike dënon me forcë ngjarjen e rëndë në Kumanovë të Maqedonisë, ku një qytetar ka perplasur me paramendim me makinë një familje shqiptare atje ku si pasojë mbeti i vdekur Almiri 4 vjeçar. Ky është një krim i shëmtuar cnjerëzor, dhe Partia Demokratike gjendet sot pranë familjarëve të Almirit, të afërmve dhe miqve, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta. Ky krim që ka tronditur Maqedoninë e më gjërë, meriton të ndëshkohet nga drejtësia. Ligji duhet të funksionojë me ashpersi, për të mos lejuar që ngjarje të tilla të përsëriten. Partia Demokratike pret dhe kërkon drejtësi, drejtësi shembullore që ti shërbejë Maqedonisë dhe stabilitetit atje.​


Deklaratë e Partisë Demokratike, 3 Korrik 2016

Read More
03 Kor
0

Me Ramën e Tahirin, Rinasi çerdhe e korrupsionit e inkriminimit, renia e Rinasit renie e sigurisë kombëtare

Edi Rama dhe Saimir Tahiri po rreken të gjejnë përgjegjës e fajtorë larg tyre për ngjarjen e rëndë të aeroportit, por këto janë lëvizje të dëshpëruara, sepse inkriminimi i pikave kyçe të policisë nga Rama dhe Tahiri është arsyeja kryesore e rrëzimit të tmerrshëm të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare.
Siguria Kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas vitit 1997 sepse praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s.
Ky sulm me armatim të rëndë ka ndodhur pas sulmit terrorist ne Aeroportin e Stambollit, pra në një koheëkur niveli i kërcënimit dhe “gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në aeroport sipas Ramës “ishin vendosur në shkallën më të lartë”.
E vërteta është se akte te tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit.
Praktikisht kur bien Aeroportet – çfarë garancie mund të ofrojë shteti për sigurinë e jetës, pronës dhe qytetarit të zakonshëm, e me tej stabilitetit dhe sigurisë kombëtare?

Asnjë reagim, asnjë marrje përgjegjësie, asnjë koment nga Edi Rama, nga ky që nuk lë rast pa ndërhyrë me çdo mjet e çdo formë për çdo sebep e me çdo shkas në hapësirën publike dhe mediatike të shqiptarëve.
Kjo është heshtja e një fajtori. Fakte të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se Rinasi me Ramën është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi, një burim i madh përfitimi financiar për bandën kryeministrore, për avokatin e tij Eno Bushin që ka 25 përqind të aksioneve të kompanisë së sigurisë, për shefin e komisariatit, i afërm i ministrit të Brendshëm që kontrollon kanalet e trafikut, dhe vazhdon të qendrojë në detyrë megjithë skandalet e shumta, e me gjithë sulmin e armatosur tre dite më parë.
Ndërkohë dokumentet zyrtare kanë shuar çdo spekullim të Ramës duke konfirmuar se policia është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe rrethimit të jashtëm, dhe grabitja ka ndodhur vetëm pak metra larg nje trupe policie që nuk u vunë kurrë në lëvizje.
Renia e Rinasit, renia e sigurisë kombetare është vërtetimi i renies së çdo standardi, është dëshmi se grabitja, maskat, krimi, me Ramën e Tahirin kanë zëvendësuar rendin, ligjin, sigurinë.


Deklarata për mediat e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, 3 Korrik 2016

 

Read More
02 Kor
0

Paloka fton PBDNj: Momenti i sprovës, të mbrojmë vendin nga kapja e drejtësisë

I nderuar z.Dule

Të nderuar anëtarë e mbështetës të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut.

Është privilegj për mua të marr pjesë në këtë aktivitet të lartë politik tuajin, dhe ju sjell përshëndetjet e përzemërta të kryetarit Basha.

Në rrugën politike të këtyre viteve të demokracisë, PD dhe PBDNJ, kanë ndarë shpesh vlera të përbashkëta, më themeloret, si respekti i përkushtimi për të drejtat e njeriut, për pronën, per standardet e demokracisë.

Po ashtu kemi ndarë shpesh shqetësimet e përbashkëta kur këto parime janë cënuar nga qeveritë.

Po sot duhet ta themi, se vendi dhe qytetarët janë si asnjëherë tjetër të rrezikuar e të kanosur në dinjitetin e tyre, në themelet e ekzistencës, në parimet dhe vlerat themelore të demokracisë, nga një agresion i pashembullt i qeverisë, me paligjshmerinë, arbitraritetin e arrogancën e saj.

Mijëra qytetare kanë humbur pronat pa paralajmerim dhe në kundershtim me procedurën e rregullt ligjore.

Mijëra bashkëqytetarë janë rrasur në qeli e burgje per fajin e vetëm, varferinë e tyre, pamundësinë për të paguar dritat, apo nevojat bazike të një familjeje.

Mijëra qytetarë dhunohen cdo ditë nga korrupsioni qeveritar, nga sundimi i banditeve e të forteve të lidhur me qeverinë.

Cdo qytetar sot është nën dhunë sistematike për shkak se taksat e tyre merren me forcë deri ne qindarkën e fundit, dhe pikërisht këto para, te mundit e te gjakut, nuk kthehen asnjë ditë në shërbime apo të mira për ta, por vidhen nga Edi Rama, ministrat e oligarkët e tij.

Unë e përgezoj qendrimin që ka mbajtur PBDNJ në këtë situatë, në parlament përmes z.Dule dhe në qendrimet publike. Kritike parimore dhe me argumenta.

Por të dashur miq, rreziku që mund të sjellë qeveria, Edi Rama, është edhe më i madh.

Ai kërkon të kapë totalisht edhe drejtesinë, cka do te thotë se dhuna, arbitrariteti, korrupsioni e lidhja me krimin pas kësaj nuk do të njihnin me asnjë kufi.

Ky është një moment sprovë për vendin, për popullin për cdo qytetar të angazhuar, për cdo intelektual në vend, dhe sidomos për cdo parti politike.

Ta mbrojmë vendin nga rreshqitja në ditët më të errëta, të kapjes totale nga Rama të drejtesisë, dhe të sigurojmë me cdo kusht votën e lirë e te ndershme për zgjedhjet që po vijnë, këto janë dy shinat që do te sjellin shpëtimin, daljen nga kriza e shumefishtë. Ky është terreni i madh i vlerave e parimeve ku besoj demokratët, qytetarët e lirë të vendit, PBDNJ, e cdo forcë politike që do drejtesi të pavarur, zgjedhje të lira e të ndershme, sundimin e ligjit e respektimin e të drejtave të njeriut, kanë mundesinë, shansin, por dhe detyrimin të qendrojnë së bashku për hir te vendit, të femijëve tanë dhe të ardhmes europiane.

Ju faleminderit dhe suksese.


Fjala e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka në Kongresin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, 2 Korrik 2016

 

Read More
02 Kor
0

Rama e Tahiri fshehin fakte tronditëse për grabitjen në Rinas

Rama dhe Tahiri po mbajnë të fshehta disa fakte tronditëse në lidhje me grabitjen në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Fakte që dëshmojnë implikimin e shefave të rëndësishëm të Tahirit në këtë histori.

Fakte të pakundërshtueshme tregojnë se Policia është njoftuar nga autoritetet e Aeroportit brenda 1 minuti, pra sapo ngjarja ka ndodhur, por përgjigja ka qënë se Furgoni i Policisë ndodhet në pistë për të pritur dhe shoqëruar persona të deportuar.

Edhe pse një furgon i grupit të gatshëm gjendej aty i dislokuar, pas sulmeve të Stambollit, Policia ka arritur në vendngjarje vetëm pas 30 minutash. Dy akset e vetme nga mund të ikin grabitësit, ai nga Rinasi në Tiranë dhe Rinas-Fushe Krujë, nuk u bllokuan nga Policia në kohën e duhur.

Qeveria, Rama-Tahiri, po tentojnë të servirin të dhëna të genjeshtërta për shumën e grabitur, duke u përpjekur të zvogëlojnë përmasat e grabitjes me armë e me maska në pistën e avionave, ndërsa e vërteta është se bëhet fjalë për disa milionë euro. Burime serioze pranë bankave të nivelit të dytë flasin për një shumë rreth 10 milionë euro.

Të gjitha këto rrethana tregojnë dhe një herë fuqinë që ka marrë krimi me Ramën e Tahirin, dhe dëshmojnë inkriminim të pikave kyçe të policisë.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me intensitet të gjithë rrethanat e dyshimta e të nxjerrë përgjegjesitë nga i pari tek i fundit, për grabitjen e armatosur të Aeroportit të Rinasit që është një prej goditjeve më të mëdha të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare në vend.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 2 Korrik 2016

 

Read More
01 Kor
0

Basha: Rama, 80 mijë dollarë në mënyrë të paligjshme për një foto me Obamën, prokuroria të  hetojë

Mirëdita!

Paratë e korrupsionit dhe krimit qëndrojnë në themel të pushtetit të djeshëm dhe të sotëm të Edi Ramës.

Ky fakt tronditës për çdo vend demokratik të botës i njohur fare mirë në sytë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve tashmë u faktua para partnerëve ndërkombëtarë dhe botës mbarë.

Hetimet e bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe mediat prestigjioze ndërkombëtare tregojnë se Edi Rama qëndron pas një krimi të rëndë federal të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dorovitës i 80 mijë dollarëve të dhëna në një mbledhje fondesh për presidentin Barack Obama. Një akt i ndaluar nga ligji amerikan, që rreptësisht përjashton futjen e parave në fushatë nga një burim i huaj.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë bën të ditur se një shtetas shqiptaro-amerikan kishte marre 80 mijë dollarë nga një burim i huaj duke e ditur se ai do t’i derdhte ato para në fushatën elektorale…. Ai kishte shkuar në San Francisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në një event për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj,që është Edi Rama, të cilit i ishte ndaluar hyrja, por të cilit iu mundësua një foto me Presidentin,”- thuhet në deklaratën zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
80 mijë dollarë ka paguar Edi Rama për një foto.

80 mijë dollarë për një mashtrim.

80 mijë dollarë për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve.

Në rrugën e tij drejt marrjes së pushtetit Edi Rama nuk u ndal para asgjëje, nuk ngurroi të thërrasë nën armë gjithfarë kriminelësh, e nuk kurseu askënd me gënjeshtrat e me mashtrimet e tij, madje as partnerin tonë strategjik, SHBA.

Ky krim i rëndë federal i porositur dhe i paguar nga Edi Rama, tregon edhe një herë se si e nisi rrugën drejt pushtetit.

E nisi me krim, e vazhdoi me krim dhe sot sundon me krimin.

E veshi krimin me pushtet dhe pushtetin me krim.

E mbushi parlamentin me vrasës, me banditë, me trafikantë droge e me tutorë prostitucioni.
I nxori nga çdo vrimë ku ishin fshehur përdhunues, trafikantë dhe kriminelë dhe i bëri kryetar bashkish, drejtorë dhe shefa zyrash.

Por nuk mjaftoi kjo. Me një mendësi kriminale, në një shtet ku ligji dhe drejtësia nuk blihen as shantazhohen, ai guxoi të shkelë ligjet e SHBA-ve, të mashtrojë ekipin e presidentit Obama për një foto-mashtrim.

Ajo foto tregon shumë, tregon qartë mendësinë e Edi Ramës, për të cilin me paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit blihet gjithçka, qëndrohet mbi ligjin dhe mbi drejtësinë.

Kjo foto është në të njëjtën kohë prova se në  SHBA drejtësia nuk mund të kapet nga Edi Rama, as të blihet e të shantazhohet nga ai.

Drejtësia atje është drejtësia që nuk do Edi Rama.

Drejtësia që do Edi Rama është drejtësia që shantazhohet prej tij si në rastin e skandalit, megaskandalit të përgjimeve ku sulmon gjyqtarët duke i quajtur “killer”.

Gjyqtarët që dëshiron Edi Rama janë të prerjes  së zonjës Sadushi, bashkëshortes së ekspertit të Ramës e cila ktheu dje në detyrë dhe dy të fundit të krimit të tmerrshëm shtetëror të përgjimit të paligjshëm.

Drejtësia që do Edi Rama është drejtësia që shantazhohet dhe gjunjëzohet për të mos hetuar lidhjet e Tahirit me krimit, të Beqajt me korrupsionin, të Ahmetajt me pazarin e pasurive publike, të Gjiknurit me aferën CEZ, e kështu me radhë.

Në fund të fundit, drejtësia që do Edi Rama i ngjan asaj drejtësie që përfytyron e dëshiron çdo i kapur në krime e korrupsion, pra një drejtësi të njëjtë me të, ortak me të, të kapur në krim e korrupsion.

Por i ka bërë llogaritë gabim. Drejtësia në SHBA nuk shantazhohet, nuk blihet sado para të kesh mbledhur nga krimi dhe korrupsioni.

Unë sot dua t’i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorisë shqiptare që paralel me hetimet që po kryen FBI, të nisë menjëherë hetimet brenda juridiksionit shqiptar dhe sipas ligjit shqiptar për këtë rast të pastër të korrupsionit politik.

Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh?

Apo janë para ryshfeti e korrupsion?

Cili është burimi i tyre?

Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?

Sot, çdo shqiptar por dhe partneri ynë strategjik SHBA duhet ta dinë të vërtetën e këtij krimi të shëmtuar dhe të njohin kështu pa maskë, pa maskën që përdor me propagandën e tij Edi Rama.

Ai duhet e do të japë llogari për rolin dhe përgjegjësitë e tij lidhur me këtë krim për të cilin sot drejtësia e SHBA-ve përgatitet të dënojë dorasin, por jo porositësin dhe përfituesin. Sepse kjo e fundit është detyrë e drejtësisë shqiptare, është detyrë e votuesve shqiptarë.


Deklaratë për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratikë Lulzim Basha, 1 korrik 2016

Read More
01 Kor
0

Me Ramën e Tahirin, vendi pa asnjë standard sigurie, në kohën e kërcënimeve terroriste

Ngjarja e djeshme në Rinas është dëshmi e shkallmimit të çdo standardi sigurie në vend, dhe konfirmim se Shqipëria dhe shqiptarët janë më të ekspozuar se kurrë dhe më të pambrojtur se asnjëherë më parë nga krimi dhe pasojat e tij. Kjo ka ardhur nga lehtësia që krimi ka për të shkelur edhe në vende e territore që duhet të ishin të paprekshme.
Kur Edi Rama, Saimir Tahiri e kupola e tyre drejtuese në Policinë e Shtetit marrin e japin me banditë, trafikantë, gjobvënës e vrasës, prej tre vitesh, sigurisht krimi rritet dhe fiton ato përmasa si me grabitjen e djeshme, ku persona të armatosur e me maska shkuan deri tek shkallët e avionit, dhe morën me dhunë miliona euro.
Një gjë është e qartë dhe e kuptueshme për çdo shqiptar sot: pa dorën, pa bashkëpunimin e një shefi të madh, asnjë grabitës sdo të mund të bënte atë që bëri dje.
Kjo e shumëfishon alarmin për gjendjen e rendit dhe sigurisë.
Gjendja është katastrofike. Pak kohë më parë pikërisht afër Rinasit u grabitën 3 milionë euro dhe ende ska autor. Në qendër të Tiranës pranë stacionit të trenit u grabitën me armë e me maska miliona euro. Shqipëria është mbuluar nga kanabisi dhe kumbarët e drogës gjenden pranë Tahirit. Bandat po rrisin sundimin, ndërkohë që banda e bandave në qeveri numëron paratë e krimit e trafikut. Skafet me drogë nuk ndalen, bashkë me to dhe trafiku i armëve që po alarmon europën.
E gjitha kjo, në kohën kur alarmi për terrorizmin është në klumin e vet, ndërkohë që gjithë shtetet kanë marrë masa mbrojtëse, e në kontrast të plotë, në vendin tonë ka rënë çdo standard i sigurisë.
Eshtë e kotë të shpresosh sot që dikush nga klani Rama-Tahiri të mbajë përgjegjësi për ngjarjen, pasi kjo dyshe është zhveshur tashmë nga çdo normë e ndërgjegje morale.
Asnjë fjalë skanë thënë as njëri e as tjetri, edhe pse ka rënë në tokë çdo standard i sigurisë publike dhe i sigurisë kombëtare.
Por ne kërkojmë që ligji të funksionojë e përgjegjësitë të nxirren të gjitha nga i pari tek i fundit.
Ndaj, Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të kryejë një hetim të shpejtë e të plotë pasi është cënuar rëndë siguria kombëtare e vendit.
Partia Demokratike i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e të bëhet çdo analizë e të dalë çdo përgjegjësi për këtë krim të rëndë, që e ka nxjerrë vendin tonë të rrezikuar e të pasigurtë, pikërisht në kohën e kërcënimeve të mëdha të terrorizmit.


Deklaratë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 1 korrik 2016

Read More
30 Qer
0

Skandale të tjera në shëndetësi, mikrobet po qeverisin ngado në qeveri

Jashtë kësaj salle skandale trondiëse po ndodhin. Tre skandale vetëm në pak orë…njëri më i rëndë së tjetri…Anija juaj fut ujë gjithandej… po kjo grabitja ne rinas me armë e me maska edhe pse me forca të shtuara e masa të shtuara pas ngjarjeve tragjike të Stambollit tregon se ju keni prekur fundin.

Vidhet ne mes te ditës, në mes të pistës…e askush nuk reagon. Nuk e di nëse jemi të sigurt këtu në Kuvend…Se aq shumë sa ka vjedh qeveria mund të vijnë ti grabisin edhe  ketu….

Por që hajdutët të futen deri në zonën më të mbrojtur…me armë e maska…tregon ose paaftesi totale ose bashkëpunim.

Ndaj kërkoj që Kryeministri ose Ministri i Brendshëm të vijë urgjent për të raportuar para parlamentit për ate cfarë ka ndodhur sot që do e kishin zili edhe filmat hollivudianë…

Skandali nr. 2: Edi Rama: 80 mijë dollarë për një foto me Obamën duke shkelur ligjet amerikane të financimit të fushatave…Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve (DoJ) ka njoftuar, dje, se qytetari amerikan, me origjinë shqiptare, Bilal Shehu ka pranuar akuzat e prokurorisë së Nju Xhersit se ka ndihmuar në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme për futjen e 80 mijë dollarëve nga burime të huaja si kontribut për fushatën elektorale presidenciale amerikane. Ligji elektorali i SHBA-ve i ndalon nënshtetasit e huaj të kontribojnë direkt apo indirekt në zgjedhjet amerikane të të gjitha niveleve. Zoti Rama pagoi 80 mijë dollarë vetëm për një fotografi.

Rama  shpenzon qindra mijëra dhe ndoshta miliona dollarë, çdo vit, për lobime sic raporton edhe exit.al, mbas zgjedhjes si Kryeministër ai ka vënë në shërbim të këtij qëllimi të gjitha burimet publike duke ofruar madje edhe kontrata dhe projekte konsulence për rrethin e klientëve të tij ndërkombëtarë, që nga kontrata që mbahet e fshehur me Universitetin e Harvardit deri tek kontratat në fushën urbanizimit.

Skandali nr.3, por me i prekshmi përsa na përket të gjithëve ne:

Një telefonatë shqetësuese  mora pak më parë nga një mjek, i cili raportoi se prej javësh në sallat e reanimacionit në Qëndrën Spitalore Universitare Nënë Tereza janë gjetur mbetje të bakteries Stafilokok. Mësohet se me këtë mikrob janë infektuar edhe 4 kirurgë dhe një numër i madh pacientësh. QSUT, Ministria e Shëndetësisë dhe Insituti i Shëndetit Publik janë në dijeni dhe nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje. i bëj thirrje ministrit të shëndetësisë të mos merret me letrat e koncensionit të sterilizimit, por të urdhërojë menjeherë dezinfektimin e sallave të reanimacioneve dhe sallave të operacioneve në të gjitha qëndrat spitalore.

Mikrobet po qeverisin ngado në Qeveri.

Po sa milionë është koncesioni i sterilizimit??a e mbani mend inagurimin nga Rama para disa ditësh??? E mbani mend që në quajti injorantë e që s’i kuptonim avantazhet e koncesioneve te tij fitimprurëse???

Sot frikërat tona po vërtetohen…

Plot 100 mln dollarë i dha Rama mikut të Ministri Beqaj për sterilizimin…por tani bakteret po kolonizojnë sallat kirurgjikale dhe post operatore njësoj sic edhe Ministri ka shumëzuar mikrobet e korrupsionit në cdo koncesion që ka dhënë për shërbimet shëndetësore

I nderuar Drejtues i Seancës,

kolegë deputetë,

Ratifikimi i marrëveshjes me qeverine e Republikës Federale të Gjermanisë për grantin 4.5 milion euro do të ndihmojë Korpusin Universitar të Qytetit Studenti për t’u përfshirë në projektin e rikonstruksionit, sipas parimit të eficensës energjitike, që sipas përllogaritjeve të ekspertëve parashikon të ulë me 15% konsumin e energjisë në konviktet e studentëve.

Shqipëria ndërkohë ende nuk ka përcaktuar me ligj që cdo ndërtim të bëhet ne kushtet e eficensës së energjisë, që do të ulte deri në 15% konsumin e energjisë elektrike.

Por qeveritarët tanë janë të zënë me një projekt mjaft energjik për karrigen e tyre…Me shpejtësinë e dritës, pas një check up-i të fondeve, sic dinë vetëm këta … “hodhën në erë ” spitale dhe urgjenca, duke i kthyer në ndërtesa ku nuk shpëtohen, por merren jetë !

1 – Pacientët e prekur nga HIV/AIDS

Mbrëmë emisioni investigativ “Stop” transmetoi intervistën e trishtë të një nëne që lutej të gjente në treg ilacet për të kuruar fëmijën e saj 7 vjec të prekur nga sëmundja Hiv/aids. Shqetësim i ngritur nga unë si në këtë sallë ashtu dhe në mbledhjet e Komisionit të cështjeve sociale dhe shëndetësisë, muaj më parë dhe i pasuar me një varg shkresash për të sensibilizuar institucionet shtetërore e për t iu mundësuar mjekim, të sëmurëve me hiv/aids. Ministri, atë kohë, shkulte flokët e bërtiste në foltore duke mohuar hapur të vërtetën e denoncuar në parlament se: 6 persona humbën jetën nga mungesa e mjekimit. 6 persona humbën jetën prej burokracive e neglizhencës së Ministrit. 6 qytetarë në një hark kohor prej 10 ditësh humbën jetën prej makutësisëse qeverisëse…ndaj edhe nëna lutet dihmë për kurim, të shpëtojë fëmijën e saj…sepse për fat të keq këto mjekime ajo nuk mund tí sigurojë as në treg pasi janë vetëm për përdorim spitalor, pra fati i fëmijës në duar të Ministrit.

Ja kjo shkresë, me nr prot 95, dt 23.5.2016 nga shërbimi infektiv QSUT e ka shumë të qartë atë cfarë ndodh cdo ditë në QSUT dhe spitale të tjera. Paragrafët e fundit shkojnë drejt problematikës thelbësore, drejt dëmit fizik dhe ekonomik, dhe që flet për rezistencen virale. Tashmë ata pacientë që duhet te kuroheshin me 4-5 mije dollare ne vit nuk do i dalin edhe 12-13 mije dollare mjekim ARV, duke futur edhe problemet fizike ne trupin e tyre kostoja shumfishohet pasi pas cdo patologjie qe atyre i ndodh shoqeria do duhet te paguaje edhe per hospitalizimin dhe mjekimin e komplikacioneve te tjera oportuniste qe ndodhin ne trupin e tyre. Pra dëm më viktima humane por edhe dëm ekonomik.

“Përvec faktit që vëmendjen e sollën ata të shkretët që ndrruan jetë, por për tu qarë hallin janë këta që janë në jetë.”- më shkruan një miku im mjek.

Në shkresën nr prot 2726/3 dt 27.5.2016 Drejtoresha e QSUT siguron që furnizimi i plotë me barna për këta pacientë do të bëhet Brenda dt 9 qershor 2016, por sot që ne flasim, vetëm parti të vogla kanë mbërritur në QSUT të cilat kanë mbaruar ndaj edhe në disa paciantë vazhdon mjekimi i cunguar i cili mund tu kushtojë edhe shëndetin edhe jetën!!!

Mjekët janë ata që ju duhet të përballen si me presionin e pacientëve të cilëve nuk mund t’ju sigurojnë ushqim e ilace, ashtu edhe me presionin e Ministri i cili në mënyrë të ligë shpesh i detyron të përballen edhe me akuzat publike!!! Të vendosësh mjekët dhe profesionishtët përballë publikut për aferat e panumërta korruptive me sponsor, miq e klientë. …Vetëm një mendje e mbrapshtë mund ta bëjë këtë gjë!!

Të nderuar kolëge, dua të ndalem në një rast tjetër skandaloz të denoncuar nga HashtagAlbania dhe Shëndet +.

Bëhet fjalë për barin Fludara i cili përdoret për të sëmurët me leucemi.

Fludara prodhohet nga firma Sanofi-Aventis. Në bazë të ligjit, bari duhet të importohet vetëm nga distributorët e autorizuar nga firma prodhuese.

Por nuk ndodh kështu. Në listën e barnave të rimbursuara të vitit 2015, pothuaj të gjitha barnat me leje importi (me një vlerë të konsiderueshme) dhe që përdoren kryesisht për sëmundje të rralla dhe serioze dhe të rënda si leucemi etj e që janë më cmimë shumë të larta iu dhanë firmës së mikut të ministrit.

E gjithë procedura e importimit të barit Fludara, aq të nevojshëm për të sëmurët me leucemi, skandaloze dhe e korruptuar. Kjo procedurë është dëshmi e qartë se si funksionon ky shtet!!! Cdo hallke e procesit: nisur nga Ministri, AKBPM, Komisioni i cmimit të barnave, drejtoria e Farmaceutikës në MSH, Fondi Sigurimeve të detyrueshme shëndetësore…të gjitha agjensitë shtetërore janë vënë në dispozicion të interesave klienteliste e jo të qytetarëve.,

Miku i Beqës, që mori lejen e importit në shkelje të ligjit, dhe iu bë gati në kohë rekord rimbursimi nga Rama me VKM, edhe pse nuk kishte bërë deklarim të cmimit (procedurë që zhvillohet para miratimit të cmimeve të barnave). tashmë jo vetëm që do ta sillte me një çmim katastrofik, por do të duhej ta kërkonte këtë bar nëpër bodrumet apo depot e lindjes, sepse në perendim nuk e merr dot.

Për Ramën dhe Beqen, nuk ka rëndësi as cilësia, e as siguria e barit…as data e skadencës, as ku e si është prodhuar…sepse për ta nuk ka rëndësi shëndeti i qytetarëve, e rëndësishme në këtë aferë është vetëm % e fitimit. SA më lirë, aq më mirë, aq më shumë para në llogaritë bankare të dyshes Rama – Beqa.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe me listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2016: edhe pse disa firma janë ofruar për të sjellë disa nga këto barna dhe kanë deklaruar cmimet, përsëri, Ministri me makinacionet e tij duke kompromentuar procesin e deklarimit të cmimeve ka nxjerrë “fitues ” ortakun që ndan lekët.

Duke qenë se Firma në fjalë  kishte qëllim parësor fitimin dhe jo furnizimin e tregut me barna jetike, kur nuk i gjente me pazar të lirë në Turqi ose nuk kishte gjendje nëpër magazine e linte tregun pa barna për periudha të gjata. Ndaj, për muaj të tërë në treg mungonte jo vetëm fludara, por edhe barna të tjera që kurojnë leuceminë (Hydroksyurea). Per muaj të tërë tregu ishte bosh. Por Marrëveshja e kompanisë me Beqen ishte e qepur: Kontrata Fond i Sigurimeve të detyrueshme shëndetësore– importues nuk do kontrollohej, nuk do monitorohej…. Garancia ishte dhënë: Mungesa në treg e barit nuk do hetohej

Një tjetër SKANDAL shënohet në këto praktika: nuk është respektuar Kontrata fond – importues farmaceutik.

Kapitulli penalitetet

Pika 7

Për Mungesa në tregun farmaceutik për më shumë se një muaj të alternativave të para të barnave, importuesi paguan kushtin penal prej 500 000 lekësh dhe merren masa për heqjen e atij bari nga lista.

Asnjë masë e marrë për kompanitë për barnat që mungojnë në treg.

Bashkëqytetarët tanë, burra e gra, fëmijë, të mitur e të moshuar që vuajnë nga leuqemia ishin në dorë të zotit. Pa trajtim.

Për gati 5 muaj ka ndodhur çdo ditë ky krim.

Dhjetëra bashkqytetarët tanë vuajnë nga sëmundjet e gjakut. Sëmundje të rënda. Vuajnë familjet e tyre. Janë rrënuar ekonomikisht. Shpirtërisht, sepse kanë humbur besimin. Një dramë e madhe.

Po kjo me gjithë të sëmurët. Me gjithë pacientët në vend. Që janë kthyer në bekim për Ministrin. Janë bërë biznes  fitimprurës. Kavie ku ata nxjerrin qindra milionë euro.

Ndaj i këtkoj KLSH:

  • Hetimin e procedurave për importimin e Fludarës dhe dëmin ekonomik të shkaktuar
  • Hetimin e procedurave të dhënies së lejeve të importit që nga marsi 2014 dhe dëmi ekonomik i shkaktuar.

NDaj edhe një herë sot, i bëj thirrje Prokurorisë të bëjë:

  1. Hetimin e të gjitha lejeve të importit të dhëna që nga viti 2014
  2. Hetimin e cmimeve për barnat me leje importi (hetimi të shtrihet nga origjina e importit e deri në Shqipëri)
  3. Hetimi i dhënies së autorizimit për tregëtim për të gjitha këto barna (përfshirë certifikatën e origjinës, certifikatën e analizave, kushtet e trasportit dhe ruajtjes etj)
  4. Hetimi i procedurave të ndjekura për miratimin e cmimeve të barnave dhe të listës së barnave me rimbursim të vitit 2014, 2015 dhe 2016 (për barnat me leje importi)
  5. Hetimi i urdhrit të ministrit për modifikimin e rregullave të tenderit (viti 2014) dhe gjithë procesit të importit criminal parallel që krye më pas. (përfshirë rastet e humbjes së jetës së pacientëve nga mjekimi me barna të fallcifikuara me altuzan dhe avastin)

3 – Kontrata e Fondit me Farmacitë:

E ndërkohë që nuk respekton asnjë pikë të kontratave të lidhura me këto depo, Ministri ka urdhëruar miratimin e tipit të ri të kontratës më farmacitë në të cilën janë vendosur kritere në shkelje flagrante me legjislacionin në fuqi. KËshtu, Ministri po përgatit mbylljen dhe falimentimin e shumë farmacve sigurisht për ti hapur rrugë ndonjë afere tjetër abusive me përmasa shumë më të mëdha…vetëm nga kriteri antiligjor i largësisë prej 20 metrash (farmaci – QSH) e përcaktuar në kontratë, rrezikojnë të mbyllën qindra farmaci, qindra familje që do mbeten pa një pagë e pa të ardhura….

Janë aferat pas këtij akti antiligjor që e bëjnë Ministrin tu cojë letra gjykatësve e tu kërkojë të jetë edhe ai vetë në sallën e gjyqit duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi ta.

  1. Ministër, larg duart nga gjykatat dhe prokuroria!!!

Larg duart nga Drejtësia!!!

Refuzimi i listës së check up:

Ilir Beqaj dhe Edi Rama vazhdojnë të mbajnë të fshehur një prej aferave më të mëdhaja të këtyre tre viteve, koncesionin 120 milionë euro për mikeshën dhe sponsoren e tij.

Edhe pse janë 120 milionë euro të shqiptarëve që i jepen donatores së Edi Ramës për një shërbim që nuk e justifikon këtë shumë, edhe pse që ditën e parë e deri më sot, ky proces është shoqëruar vazhdimisht me skandale, me analiza që kanë çuditur dynjanë, edhe pse Vilma i merr paratë ndërkohë që këtë shërbim nuk e marrin as 20 përqind e grupmoshës për të cilën është planifikuar, sërish shefi i rilindjes dhe kampioni i korrupsionit Beqaj, nuk pranojnë të japin asnjë të dhënë.

Që në shkurt të këtij viti, si kryetare e komisionit parlamentar të shëndetësisë, me shkresën nr prot. 614 dt 18.2.2016 i kam kërkuar zyrtarisht ministrit të shëndetësisë dhe Fondit Shëndetësor të Detyrueshëm informacion të detajuar dhe statistikor në lidhje me ecurinë e check up si dhe listën e personave që kanë kryer check-up-in, përfshirë grupmoshën, dhe ndarjen sipas njësive vendore. Shkresës me nr prot 1268, dt 13.04.2016 Drejtoresha e Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ju përgjigj cuditërisht që nuk e dispononin këtë informacion, duke e adresuar cështjen të Ministria e Shëndetësisë. Shkresa nr 1783/1 dt 9.5.2016.

Në dt 27.05.2016 i kam kërkuar informacion të detajuar në lidhje me listën e qytetarëve që kanë kryer check up Ministrit Beqaj. Por z. Beqaj me urdhër të Ramës refuzon të na vërë në dispozicion këtë informacion. Pra, Qeveria refuzon ti japë Parmalentit informacionin e nevojshëm për monitorimin e aplikimit të politikave qeveritare.

Nuk e jep këtë informacion Ilir Beqaj, nuk bën transparencë Edi Rama.

Pse?

Shumë e thjeshtë.

Kjo listë do i nxirrte ata zbuluar, do të shfaqte  hapur një prej krimeve më të mëdha që kanë bërë në këto tre vite duke ndarë me miken e donatoren e tyre jo pak, plot 120 milionë euro.

Kjo listë do të tregonte të vërtetën e mashtrimit të madh me check-up, mashtrim që Edi Rama e bëri edhe mbrëmë në shfaqjen televizive të radhës.

Aty do kuptohej në të vërtetë se merren paratë sikur e bën kontrollin e gjithë grupmosha e shqiptarëve nga 40 deri në 65 vjec, ndërkohë që në realitet vetëm 20 përqind e kanë marrë këtë shërbim.

Kjo është një vjedhje e hapur, një hajdutëri me gjënë më të shtrenjtë, shëndetin e qytetarëve.

Ndaj futën në lojë edhe Komisionirerin për Mbrojtjen e të dhënave. i cili me shkresën nr 637/1 dt 7.6.2016 i vjen në ndihmë Ministrit, në shkelje të ligjit e në tejkalim të përgjegjesive të tij, duke i thënë që ky informacion nuk mund të jepet pasi është sensitive. E tërë Qeveria në këmbë me urdhër të Ramës për të mbuluar vjedhjen më të madhe në shëndetësi.

Ekipi i Ramës po bllokon cdo informacion për koncesionet në shëndetësi duhe ushtruar presion mbi institucionet e pavarura, mbi prokurori e gjykata. Me shantazh dhe propagandë miliona euro shkojnë cdo ditë në llogaritë bankare të sponsorve që mbajnë në këmbë korrupsionin në këtë vend.

Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama nuk e do reformën në drejtësi.

Ndaj Edi Rama do ta kapë e ta kontrollojë drejtësinë.

Sepse një drejtësi e pakapur do çonte direkt në bankën e të akuzuarve Ministri për këtë korrupsion skandaloz.

Të nderuar kolegë,

Dje pata rastin të takohesha me një mikeshë të hershme të Shqipërisë, znj. Jakab, Drejtoreshë Rajonale e OBSH. Në mënyrë të qëllimshme MSH nuk bëri asnjë përpjekje për të realizuar takimin e Komisionit me znj. Jakab, taki i kërkuar nga vetë ajo. Fatmirësisht, ishte insistimi i saj për tu takuar me ne, për të dëgjuar edhe opnionet tona, ndaj edhe njoftimin për vizitën dhe kërkesën e saj për takim nuk e morën nga Tirana, por nga Taxhikistani.

Ndërkohë që Ministri dhe Kryeministri kishin përgatitur për të, një teatër mjeran, krejt jashtë realitetit ku cdo pacient ishte i lumtur për shërbimin, që na solli ndër mend kohën e Enverit …

  • I kishin treguar njësitë e Mamografive por nuk e kishin informuar që deri më sot asnjë grua nuk ka marrë përgjigje për mamografine , bërë… – Mbase edhe kanë humbur jetën në pritje të tyre..
  • E kishin cuar për cizitë në Qendrën shëndetësore n Shkozet për të parë check up e më pas në spital të Durrësit për të parë se si pacientët evidentuar në check up, mjekoheshin në spital dhe ishin shumë të lumtur më shërbimin mjekësor…të gjithë të përzgjedhur me kujdes e të vënë në rolet përkatëse për tí treguar drejtoreshës së OBSH, një mikeje të mirë të shqipërisë, një realitet të gënjeshtërt.
  • Por pse nuk e cuat drejtoreshën e OBSH në Qendrën shëndetësore në në shkallnur, zonë elektorale e ministrit. Por gjatë vizitës në Spitalin e Durrësit harruat ti tregonit problemet e mëdha me barna e infrastrukturë të spitalit, harruat tí tregonit që spitali prej javësh kryen vetëm ndërhyrje emergjente se nuk ka mjekime për raste normale…
  • Apo, pse nuk e cuat të onkologjiku ditën e herceptinës për pacientët për të parë ajo vetë se qindra pacientë cdo ditë, me shpresë e lutje ndaj zotit rrezikojnë cdo ditë shëndetin e tyre për shkak të mungesës së barnave e trajtimit. PSe nuk i treguar që pajisjete kobaltit dhe akseleratori nuk ka funksionuar disa ditë javën që shkoi…
  • Me atë rast Mund ti kishit treguar drejtoreshësh dhomën e relaksit ku mund edhe ti viit pak muzikë pacientëve anipse nuk i kuronit me ilace apo nuk i bëni tjatrimet e nevojshme. Muzika do i shërojë e shpëtojë jetën…apo tí tregonit edhe prioritetin që ju keni vënë për trajtimin psiko social, duke pushuar të githë ekspertët e trajnuar me vitë thjesht për arësye politike…dhe ato që kanë mbetur i këni vëne në shërbim roje duke ju degraduar figurën e tyre…

Të nderuar kolegë,

ministri i korruptuar është futur në rol dhe “cift” me kryeministrin po luajnë aktin e fundit të tragjikomedisë “Hajdutja e bukur”, një vepër e shkruar nga dramaturgu i njohur, Ruzhdi Pulaha, mesazhi i të cilës ishte denoncimi korrupsionit, që autori e personifikon me një “killer” të shqiptarëve dhe shtetit të tyre !

Të nderuar qytetarë,

të gjithë bashkë nuk duhet të ndalim për asnjë cast së denoncuari aktet kriminale në shëndetësi.

Ndaj e duan drejtësinë me çdo kusht.

Ndaj duan të emërojnë vetë prokurorët e gjykatësit.

Sepse ndryshe nuk do ti gëzojnë dot paratë e këtij korrupsioni në shëndetësi, që është hiç më pak se një genocid.

Kjo nuk është drejtësi, kjo është padrejtësia e “Qoftëlargut”, por Dita e llogaridhënies po afron, Amin !


Fjala në Kuvend e deputetes Albana Vokshi, 30 Qershor 2016

 

 

Read More
30 Qer
0

Paratë vidhen, shqiptarët vuajnë varfërinë dhe terrorin qeveritar

Të nderuar qytetarë! Të nderuar kolegë!

Shqipëria prej muajsh edhe vitesh (tre jo pak), që prej zgjedhjeve të vitit 2013 po përjeton ditë të zeza. Aspak nuk do ta kishin besuar shqiptarët para kësaj kohe se ky realitet që po përjetojnë sot do të ishte nje realitet i tyre.

Kudo varfëri, papunësi, terror shtetëror, dhunë, kanabis, padrejtësi, korrupsion, vjedhje e pamëshirshme e parave tuaja me shifra marramendese që as mund të mbulohen as mund të justifikohen. Ku jane paratë e shqiptarëve? Ku shkojnë ato? Vetëm për këtë vit u keni zhvatur shqiptarëve 919 milionë euro që nuk gjenden se ku janë. 919 milionë euro të cilat mund të kishin mjaftuar për të mos u prerë dritat të pamundurve, rritjen e ndihmës ekonomike dhe pse jo edhe të disa pensioneve.

Ku janë paratë e shqiptarëve?

A shkojnë ato për rrugë? Rrugë skemi parë që të ndërtohen madje as ato që kanë qenë në ndërtim e sipër. Jo vetëm që s’kemi parë rrugë por tmerri i shqiptarëve kësaj kohe janë aksidentet automobilistike që ndodhin jo çdo ditë por çdo orë. Murëmbajtëse që happen për të favorizuar bizneset duke rrezikuar jetë, duke marrë jetë, dy të mitur humbën jetën aty. Shumë njerëz të tjerë kanë humbur jetën ose janë dëmtuar. Një pjesë e mirë e tyre as që raportohen. Mbarë opinioni u trondit nga ajo ngjaje dhe ajo që e shton tronditjen e thellë sidomos për familjen e atyre fëmijëve është se nuk ka asnjë të dënuar, asnjë person në ndjekje penale, përgjegjës për fatkeqësinë, pavarësisht shkeljeve të rënda dhe favorizimeve të dokumentuara edhe në media, nga vetë mediat tuaja. Vazhdojnë shqiptarët të vuajnë mungesën e sinjalistikës në rrugë apo të paguajnë gjoba qesharake makinash. Policë që i sheh të mbajnë bllokun e gjobave sikur mbajnë teserën e partisë. Respekt për policët e ndershëm.

Ku janë paratë e shqiptarëve?

A shkojnë ato për kopshte, shkolla? Kopshte që na torturojnë fëmijët. Kopshte pa leje në mes të Tiranës që dhunojnë pa mëshirë të mitur ndërsa varfësisë i jeni sulur me këmbë e me duar për t’ua marrë shpirtin të mjerëve. Nënë me pesënjakë që arrestohet për dritat, i priten dritat, invalidë e të moshuar në shtëpi pa drita duke vështirësar lëvizjen, të qënin. Si të lëvizësh në errësirë? Një nënë më thanë qëndronte jashtë shtëpisë nga mungesa e dritave, gjithë ditën në rrugë deri sa vente ora për të fjetur. Fëmijët e djalit të saj invalid dhe të ve, janë çuar në jetimore sepse në këto kushte, pa drita, pa pagesë invaliditeti ajo s’mund të kujdeset për to. I  kam takuar disa herë ata fëmijë më parë, janë dy vajza, dy vajza plot dritë për jetën, plot gëzim, pavarësisht humbjes së nënës, pa kursim i kanë përqafimet, janë  të dashura. Por sot, janë në jetimore prej jush. Sot, me lajmin që kanë përfunduar në jetimore, nuk e di nëse do të ketë mbetur më ajo dritë në sytë e tyre.

Gjithë Shqipëria, populli mbarë u trondit nga ashpërsia dhe brutaliteti me të cilin goditej një fëmijë. Tek ky kopshti juaj. Tek ky pa leje. Tek ky për të cilin ministrja jonë e “urtë” e arsimit deklaroi se meqënëse kopshti ishte pa leje nuk ishte përgjegjësi e saj dhe as e shtetit duke tronditur sërish me deklaratat e saj. Çfarë ti thuash kësaj budallallëk me dashje apo pa dashje. Keni zgjedhur një zëvendësministre që bën libra nga mëngjesi në darkë për dhunën, nuk pushon duke dalë nëpër media “për dhunën”. Ja pra dhuna mu në mes të Tiranës. Me dijeninë tuaj. Nga abuzimet tuaja. Nga mungesa e përgjegjësisë suaj. Nga dashakeqësia juaj për të bërë favore e punësime të pamerituara.

E dini se çka ndodhur sa herë që ka pasur raste të identifikimit të dhunës tek fëmijët. Terror. Terror ndaj punonjësve të ndershëm dhe asnjë masë për fëmijët. Në vend që të merren me mënyrat se si i bëjnë punësimet nëpër qëndrat që kujdesen për fëmijë, nëpër kopshte, nëpër shkolla ku punësojnë jo vetëm të paaftë por njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me edukimin e fëmijës si dhe të kujdesit ndaj tij. Në vend që të tregojnë një vëmendje maksimale në këtë drejtim i shfrytëzojnë këto situata për të kërcënuar punonjësit e aftë dhe të ndershëm më kërcënime për largim nga puna. Kjo ka ndodhur. Në vend që të merren me abuzuesit, të paaftët, për ti ndëshkuar ata, merren me të aftët, ata që ndershëmrisht janë aty dhe që janë të vetmit që kontribuojnë realisht për fëmijët.

Për të mos ju larguar edhe njëherë dhunës e cila po na i vret fëmijët dhe për të cilat  kryeministri, ky që kemi ne, ky që kanë shqiptarët, deklaroi se janë raste të zakonshme. Në fakt janë të jashtëzakonshme, janë kritike janë tronditëse. Turp është për këdo që e konsideron çdo rast të dhunës një rast të zakonshëm. Dëshiroj të pyes të dy ministritë e linjës,  Z. Klosi dhe Znj. Nikolla. Megjithëse ju shpesh i kaloni këto diskutime në memecëri. Çfarë u bë me fëmijën e dhunuar?  Çfarë bëtë më fëmijën e dhunuar. Cila është ndihma e ofruar nga shteti pasi shteti është edhe përgjegjës për gjëndjen e këtij fëmije? A e dini që prindërit kanë apeluar për ndihmë pasi trajtimet janë të shtrenjta dhe unë mund t’ua konfirmoj se trajtimet me psikologë, psikoterapia që I nevojitet këtë fëmijë dhe logoterapia për të cilën ka nevojë fëmija kushton. Seancat kushtojnë nga 25 në 40 mijë lekë njëra dhe fëmija duhet të ndjekë 6 deri në 8 seanca në muaj? Cila është pra ndihma apo iniciativa konkrete që ka marrë shteti në këtë rast që edhe të na bindni në këtë mënyrë se nuk është përgjegjësia dhe as dashakeqësia juaj. Cila është ndihma që u keni dhënë të gjithë fëmijëve të tjerë që janë dhunuar. Cila është strategjia dhe ndihma konkrete e ministrisë për këta fëmijë. Ju kujtoj se dhuna nuk prodhon vetëm dhunë. Ajo është burimi I gjithë të këqijave.

Ku janë paratë e shqiptarëve. A i keni investuar ato në shkolla. Anjë shkollë skemi parë. Madje keni mbyllur disa prej tyre. Z. Klosi pasi morët në dorë menaxhimin e arsimit professional çka duhet të jetë një kompetencë vetëm dhe vetëm e ministrisë së arsimit. Ku janë paratë e arsimit professional? Ku shkojnë dhe përse sa herë që pyes për to rruga më çon tek po i njëjti emër apo të njëjtët pak emra.

  1. Klosi cila është nevoja që kanë sot shqiptarët për dekoderat. Për çfarë ju duhen ato kur shumë prej tyre nuk kanë as drita as televizorë në shtëpitë e tyre. Të paktën jo ata shtresës së cilës ia morët paratë. Që ta dinë dhe qartësohen edhe qytetarët. U janë paratë e ndihmës ekonomike dhe u janë dhënë për dekodera. Një ironi sa qesharake aq edhe e trishtë.

Ku janë paratë e shqitarëve?

A kanë shkuar ato për shëndetësinë?

Nuk ka mjekë në fshatra. Nuk ka infermierë. Nuk ka ndihmë të shpejtë. Nuk ka kushte në qëndrat shëndetësore. As më minimalet. Më pickoi gjarpri më tha dikush. E këto pickime janë të shpeshta në këtë periudhë dihet. Mu desh të udhëtoja  nga fshati im deri në Lushnje duke rrezikuar seriozisht jetën. Për një kontroll tensioni një e moshuar duhet të udhëtojë nga fshati i saj në tre të tjerë pasi nuk ka infermierë e jo më pastaj mjek në fshatin e saj. Për urgjenca më mirë të mos flitet. Jemi në dorë të zotit thonë banorët nëpër fshatra.

A kanë shkuar paratë e shiptarëve për pensionet, për invalidët, për njerëzit me aftësi ndryshe. Me kujën dhe propagandën e turpit u deklarua se janë rritur pensionet e 1992-1996. Këta njerëz janë nga 85 në 89 vjeç sot. Më thoni sa është shifra e kësaj grupmoshe që jeton ende. Sa pra konkretisht është rritja e sa I ka kushtuar buxhetit. Atij buxheti që e vidhni me thasë e u jepni me pikatore detyrimet qytetarëve apo rritjet sikurse keni deklaruar.

 A kanë shkuar ato ato për zhvillimin e turizmit? Turizmi ne dite te zese. Ndotje e tmerrshme ne zonat turistike. Energjia qe pritet ore e pas ore në këto zona. Energji e munguar sjell edhe mungesen e ujit ne keto zona. Pushues pa uje e pa drita. Si ne kohe lufte. Qytetaret qe mbahen me turizmin investojne gjithe vitin vetem per keto tre muaj e ne fund ju I lini pa gje , braktisur, keq e me keq.

Të nderuar kolegë. Kam shkuar shumë shpesh në Dumre në këto kohë. Është e bukur Dumreja me liqenet e saj të panumërta. Një perlë e vërtetë. Zemra e Shqipërisë. Edhe qytetarët janë të butë e zemërmirë, mikëpritës, punëtorë. Nga mëngjesi në darkë arave. Punojnë në bujqësi, në blegtori. Punojnë gjithë ditën punojnë. Në ara. Në vapë, në shi, në baltë. Sakrifikojnë familjarisht, edhe më shëndetin madje. Mbjellin kryesisht duhanin. Me paratë e tij mbahen. Më atë jetojnë. U është premtuar gjatë qeverisjes suaj se jo vetëm që nuk do të kenë pengesa për ti marrë paratë por se edhe çmimi do të rritet. Gënjeshtër.

Sot e më shumë se një vit ata ende nuk kanë marrë paratë e duhanit që ekultiojnë vetë dhe me paratë e të cilit jetojnë. Kudo ku kam shkuar në Dumre ky ishte shqetësimi i tyre themelor. Nuk kanë me se të ushqehen. Me to jetojnë. Asnjë presion dhe asnjë masë mbi firmën e grumbullimit të duhanit të tyre. Kulmi ishte kur rreth tre javë më parë kolegu im Z. Ulqini e disa titullarë të tjerë të pushtetit vendor nën presionin e qytetarëve të asaj zone dhe si për të ndjekur vijësisnë e propagandës zyrtare doli në median lokale ku i garantonte qytetarët se në vetëm pak ditë do ti marrin paratë e duhanit. I garantonte. I siguronte.

Sot e një vit nuk i kanë marrë paratë. Tallen me ne më thanë. Nuk i besojmë. Na gënjeu. Nga 5000 lekë të vjetra që ishte çmimi për një kg para vitit 2013 sot ka shkuar nga 3  mijë deri në 1500 lekë të vjetra megjithëse na u premtua rritje. Edhe këto nuk i marrim. Vijnë na gënjejnë e ikin. Sa për të marrë votat. Pastaj nuk duken më. Askush nuk ka ardhur nga shteti të na ngrejë apo japi një zgjidhje për gjithë zonën. z Ulqini qytetarët e Dumresë presin nga dita në ditë paratë nga djersa e tyre të duhanit. U keni premtuar se do ti marrin. Kur do ti marrin Z. Ulqini. Ju lutem jini konkret dhe i sinqertë se nuk ju besojnë më. As kur dolët në media nuk ju besuan se e dinin që ishte thjesht një propagantë e juaja për të mos i nxjerr në protesta. Një urdhër kryeministror. z Ulqini dua ta mbyll me një mesazh që më kanë dhënë qytetarët e Dumresë nga ky shqetësim. Duan paratë ose ndryshe nuk jeni më i mirëpritur në ato zona.


Fjala në Kuvend e deputetes Arbjola Halimi, 30 Qershor 2016

Read More