Blog

20 Qer
0

Neni 88 i Venecias është themeli, s’mund të ndërtohen mure pa të

“Kjo mbledhje ka vlerën zero. Eshtë vlerë zero sepse ne kemi bërë shumë të qartë, Partia Demokratike, opozita, është shprehur qartë, pa dakordësuar themelet, që do të thotë, draftin kushtetues, është tërësisht e kotë që të ngremë mure nëpërmjet ligjesh themelore organike, ligje që duhet ta gjejnë plotësisht themelin e tyre në Kushtetutë, dhe ky draft është i pambyllur. Ky draft është ende në diskutim dhe negociim.  Siç pranohet edhe prej tyre, ka mundësi që të ndryshojë e për rrjedhojë çdo punë që bën ky komision nuk është gjë tjetër veçse veprim tjetër i njëanshëm, vetëm e vetëm për të krijuar një situatë force, në një situatë negocimi. Eshtë e papranueshme , është kundërproduktive dhe është një proces, pak të themi, antikushtetues.

Eshtë bërë shumë e qartë nga PD dhe nga opozita se pa rënë dakort për draftin kushtetues, të gjithë ligjet bazuar në një draft të një anshëm të miratuar tashmë vetëm me votat e anëtarëve të mazhorancës në këtë komision, nuk kanë asnjë vlerë. Praktikisht jemi në thyerje të atij që është dhe vendimi i parlamentit, për ta bërë me konsensus nëpërmjet një komisioni paritar, jo vetëm draftin kushtetues por edhe gjithë pjesën tjetër të reformës në drejtësi. E vetmja rrugë është, të biem dakort për çështjen e vetme, neni 88 I komisionit të Venecias, e cila ka ndikimin e saj në pika të caktuara të draftit kushtetues dhe më pas mbi bazën e kësaj, të hartojmë të gjitha ligjet.

Eshtë rënë dakort vetëm për dicka, që kushtetuta dhe ligjet do të bëhen së bashku. Kjo nuk do të thotë të bëhen brenda të njëjtës kohë. Do të thotë që pasi është mbyllur kushtetuta, të shihet me qartësi maksimale sesi ai draft i dakortësuar me konsensus do të zbatohet pikë për pikë tek ligjet organike. Për ndryshe, ekzistonte rreziku që me një kushtetutë të dakortësuar me konsensus , mazhoranca me tri të  pestat e votave që ajo i zotëron edhe në mënyrë aspak ortodokse duke peshkuar mandatet, ta c’bënte konsensusin kushtetues në favor të saj. Kjo është një pikë jo vetëm e panegociueshme por tashmë është e mbyllur,  është rënë dakort që do të funksionojë në këtë formë. Fakti që kanë miratuar një draft në mënyrë të njëanshme dhe po kështu, mbi atë draft do të bazojnë ligjet organike, nuk e bëjnë aspak këtë punë të komisionit, kushtetuese, konsensuale dhe të pranueshme. Sa më shumë do të vazhdojnë në këtë rrugën e njëanshme, aq më shumë do të përballen me qëndrimin shumë të fortë dhe parimor të shprehur tashmë dhe nga kryetari Basha në lidhje me këto veprime antikushtetuese të mazhorancës .

Ajo që është më e rëndësishmja është gjetja e konsensusit mbi atë pike, mbi nenin 88 të rekomandimit të Venecias. Nuk është një pikë e thjeshtë, nuk është thjesht një nen, është një zgjidhje sistemi. Në momentin që e zgjidhim shumë shpejt ne mund të fillojmë e të përmbyllim draftin e plotë, përfshirë dhe 7 ligjet organike me të cilët do të zbatohet ajo paketë kushtetuese. Çdo gjë tjetër është gabim”.


Reagim i nënkryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, 20 Qershor 2016

 

Read More
19 Qer
0

Përgjimi i paligjshëm, krimi i krimeve, Rama nuk do ta mbyllë dot këtë aferë

Përgjimi i paligjshëm nuk është një nga tenderat e Beqës, apo pazaret e Ahmetajt, që Edi Rama shpreson ti mbyllë me planin që ka për të kapur e për të vënë nën kontroll çdo prokuror e gjykatës.

Nuk është as një nga krimet e shpeshta të Tahirit, që Edi Rama kërkon të mbyllë duke synuar vënien nën urdhrat e tij të drejtësisë.

Eshtë më shumë se aferat e tij, se tenderat e paracaktuar, se kulla me qendrën tregtare Qemal Stafa.

Eshtë krimi më i rëndë i këtyre 3 viteve, krim shtetëror që cënon sigurinë kombëtare, shkel brutalisht Kushtetutën, liritë e të drejtat themelore të njeriut.

Edi Rama ia doli përmes kërcënimeve mafioze ndaj gjykatës të shpëtojë për momentin një nga hallkat e krimit, drejtorin Cako.

Po ai nuk do të mundet kurrë të lajë duart nga kjo aferë skandaloze, më e rënda e bilancit të tij të pasur me krim e korrupsion.

Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje prokurorisë dhe gjykatave, të mos bien pre e shantazhit mafioz të Edi Ramës.

Përgjimi i paligjshëm është prova e madhe e vendit.

Nga kjo varet, a do të kemi shtet ligjor, apo shtet mafioz brenda shtetit.

Do të kemi ligj, apo rregullat e mafias në fuqi.

Do të kemi demokraci e garanci për të drejtat e qytetarëve, apo sundim bande.


Deklarata për mediat e Zëdhënëses Ina Zhupa, 19 Qershor 2016

 

Read More
19 Qer
0

Rama forcon vëllazërinë e krimit, asnjë fjalë për nënkryetarin e partisë që qëllon me armë, asnjë fjalë për kryetarin e partisë që e largon nga skena e krimit

Edi Rama nuk ka ndërmend të largohet nga vëllazëria e krimit, përkundrazi po e thellon lidhjen me ta, duke i siguruar Rroshit daljen nga qelia, dhe duke u dhënë zemër banditëve të tij të shtijnë me armë në mes të qytetit ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Ndërsa kjo ngjarje e rëndë ndodh, dhe autori është nënkryetari i tij i partisë në Kavajë, i cili ikën nga skena e  krimit me ndihmën e kryetarit të partisë së tij në Kavajë, Edi Rama jo vetëm nuk thotë një gjysëm fjale, jo vetëm nuk distancohet, por u jep gajret, mbështetje e përkrahje, dhe vendos policine në dispozicion të tyre.

Kjo është një shkelje syri që Edi Rama u bën gjithë banditëve nën armë që ka në gjithë vendin, duke u treguar se është me ta, duke u treguar se ata gëzojnë plotësisht mbështetjen e tij.

Duke u treguar se vëllazëria e krimit është në fuqi.

Edhe pse i dënuar në Itali për përdhunim në grup, edhe pse ka përdorur 5 emra për krimet e tij të ndryshme në Europë, edhe pse DEA amerikane e ka kërkuar për trafik droge e pastrim parash, Edi Rama vazhdon ta mbrojë me fanatizëm Rroshin e tij.

Ende, Edi Rama nuk ka lëshuar një firmë për shkarkimin e Rroshit, kur faktet e të kaluarës së tij kriminale i di sot çdo shqiptar.

Ai ka ende kryetar partie në Kavajë një të dënuar për drogë, dhe ka edhe sot që flasim nënkryetar partie në Kavajë autorin e plagosjes së trefishtë, dy ditë më parë.

Njerëzit presin një reagim, socialistë, të majtë e të djathtë janë të neveritur e të revoltuar, dhe Edi Rama thotë se Arrigo Saki me ka nisur një mesazh.

Ky poshtërim që po u bën Edi Rama qytetarëve me bandat e tij të armatosura po kthehet në kosto shumë të lartë, dhe shefi i rilindjes duhet të përgaditet ta paguajë shtrenjtë këtë faturë.


Deklarata për mediat e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, 19 Qershor 2016

 

Read More
18 Qer
0

Banditët e Kavajës, me frymëzim, mbrojtje, imunitet e pushtet nga Edi Rama

Ngjarja e djeshme në Kavajë ku mbeti i plagosur kreu i forumit tonë rinor atje, Kid Kazazi, nuk ka aspak motive të dobëta, por lidhet drejtpërdrejt me politikën e Edi Ramës, me frymëzimin, mbrojtjen, imunitetin, pushtetin që krimi ka marrë prej tij.

Edi Rama e ka kthyer Kavajën në eksperimentin më të madh kriminal në vend, ku çdo zyrë e çdo karrige e pushtetit atje është në dorën e një bande të madhe me në krye Rroshin.

Edhe pse i dënuar në Itali për përdhunim në grup, edhe pse ka përdorur 5 emra për krimet e tij të ndryshme në Europë, edhe pse DEA amerikane e ka kërkuar për trafik droge e pastrim parash, Edi Rama vazhdon ta mbrojë me fanatizëm Rroshin e tij.

Faktet e të kaluarës kriminale të Rroshit i di sot çdo shqiptar, por Edi Rama e mban ende në detyrë, i jep mbështetje, e nxjerr nga burgu dhe i bën presion institucioneve për të ndalur dekriminalizimin.

Duke vepruar në këtë mënyrë, Edi Rama u jep krahë të gjithë banditëve të tij, si ai i djeshmi që lëviz lirisht me armë në brez, dhe e shkreh armën në mes të qytetit ndaj kundërshtarëve politikë.

Të gjitha këto janë motive shumë të forta, dhe e bëjnë Edi Ramën drejtpërdrejt përgjegjës për situatën e krijuar në Kavajë e kudo.

Një situatë e rënduar e një konflikti shoqëror ku banda e armatosur e Edi Ramës sundon e shtyp qytetarët e popullin.

Nëse Edi Rama nuk tërheq mbështetjen për kriminelët, nëse nuk u heq atyre pushtetin, është koha që qytetarët të marrin të gjitha masat për vetmbrojtje civile.

Nëse prokuroria dhe drejtësia vazhdojnë të gjunjëzohen para presionit të Edi Ramës, siç ndodhi me Rroshin që u kthye në shtëpi, siç ndodhi me Çakon që u kthye në detyrë edhe pse të dy përgjegjës për krime të rënda, sna mbetet tjetër vetëm t’i bëjmë thirje popullit të marrë vetë në dorë garancitë e të drejtat, dhe të sigurojë vetë jetën e tij.


Deklaratë e kryetarit të FRPD, Belind Këlliçi, 18 qershor 2016

Read More
17 Qer
0

Rama të tërheqë banditët që gjakosin qytetarët dhe demokratët, ose vetmbrojtje civile

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan në spital Kid Kazazin, kreun e FRPD Kavajë, të plagosur sot me armë nga Saimir Kurti, drejtues i Ramës në PS-në e Kavajës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Rroshit.

Duke e dënuar me forcë ngjarjen, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u shpreh se kjo ngjarje e rëndë është e nxitur tërësisht nga kryeministri Rama i cili ka veshur me pushtet banditë dhe të inkriminuar në të katër anët e vendit. Ai i bëri thirrje Edi Ramës të reagojë dhe të tërheqë kriminelët që mbështet e që u ka dhënë pushtet, ndryshe Partia Demokratike dhe qytetarët do të marrin të gjitha masat e mundshme për të garantuar jetën e për të siguruar vetmbrojtje civile.

“Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë dhe dy qytetarë të tjerë janë plagosur nga plumbat e një njeriu që ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë dhe nën shoqërimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës. Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh. Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet ti tërheqë patjetër ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrotjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tju përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetmbrojtur”, tha Ristani.

I pyetur nga mediat mbi motivet e ngjarjes në Kavajë, Ristani tha ngjarja ishte e parapërgatitur dhe se autori ka pasur mbrotjen dhe shoqërimin nga kryetari i PS-së së këtij qyteti. Sekretari i Përgjithshëm tha se situata në Kavajë është tepër e rëndë dhe e frymëzuar politikisht nga kryeministri Rama.

“Ne u njohëm me ngjarjen e cila ka ndodhur mbi bazën e provokimeve banale. Ajo që ka ndodhur është se ai ka shkuar i përgatitur me pistoletë në brez dhe siç u thashë është larguar nën shoqërinë e kryetarit të PS-së së Kavajës dhe në makinë të tij. Ngjarja është e frymëzuar politikisht ashtu siç u thashë nën shembujt e Armando Prengës. Nga veriu në jug Rama po sponsorizon dhe po nxit kriminelë të tillë për të derdhur gjak opozite dhe gjak shqiptarësh. Situatën e vlerësojmë shumë të rëndë dhe në rast se nuk ka masa të shpejta nga Rama dhe banda e tij shqiptarët janë në kushtet e mbrotjes së nevojshme dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’u përgjigjur situatës”, tha Ristani.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 17 Qershor 2016

Read More
17 Qer
0

Deklaratë e Partisë Demokratike për ngjarjen në Kavajë

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e rëndë kriminal sot në Kavajë, ku banditi i Rroshit, njeriu që Edi Rama e bëri drejtor të zyrës së Punës, drejtues të PS-së së Kavajës, Saimir Kurti, shkrehu armët duke plagosur kryrtarin e FRPD Kavajë Kid Kazazi, dhe ku ka mbetur i plagosur dhe një kalimtar.

Këto akte të përsëritura agresioni, dhune dhe gjakosje me armë ndaj drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike janë pasojë e kriminalizimit të pushtetit nga Edi Rama.

Këto janë armët dhe plumbat e kriminelëve në pushtet të Edi Ramës, të cilët janë thirrur prej tij pikërisht për për të dhunuar, plagosur e gjakosur opozitën dhe qytetarët.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të marrë nën kontroll hetimin, e të parandalojë të gjitha përpjekjet që po bën policia me urdhër të Edi Ramës për të lehtësuar e ndihmuar autorin e krimit.

E paralajmërojmë sot Edi Ramën, të heqë dorë nga mbështetja e krimit dhe kriminelëve dhe nga përpjekjet për ti mbrojtur ata nga dora e ligjit, në të kundërt Partia Demokratike do t’i bëjë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të saj të marrin të gjitha masat për vetëmbrojtje civile kundër krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim.


Deklaratë për media e Partisë Demokratike, 17 qershor 2016

 

Read More
17 Qer
0

Pajisja e përgjimit pranë zyrave kryesore të Tiranës, Rama kërkon me çdo kusht të mbyllë çështjen

Ndërkohë që Edi Rama ka rritur presionin ndaj drejtësisë, përmes kërcënimeve kriminale, duke tentuar mbylljen e çështjes së përgjimeve të paligjshme, fakte të reja kanë dalë në dritë nga ky skandal.

Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e Elbasanit, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës.

Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cënimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur.

Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama e pengon hetimin, pse e riktheu Çakon në detyrë duke shantazhuar në mënyrë mafioze gjykatën.

Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama bllokon drejtësinë, pasi krimi ka ndodhur dhe ai është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë aferë.

Zbardhja e ngjarjes, zbardhja e plotë e përgjegjësive do të ishte goditja fatale ndaj Edi Ramës, ndaj ai po përdor të gjitha format e presionit e kërcënimit kundër gjykatës dhe prokurorisë.

Por ky krim i rëndë shtetëror peshon më shumë se e ardhmja e fati personal i një njeriu.

Ndaj duhet hetuar e zbardhur deri në fund.

Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje Prokurorisë së Republikës, të mos tërhiqet nga presionet e kërcënimet banditeske, po ti shkojë deri në fund kësaj çështje, që krime të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë.

Nga kjo varet, a do të kemi shtet ligjor, apo shtet mafioz brenda shtetit.

Do të kemi ligj, apo rregullat e mafias në fuqi.

Do të kemi demokraci e garanci, apo sundim bande.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 17 qershor 2016

Read More
17 Qer
0

Aferat e Veliajt, Gjykata e detyron të japë informacion

Olli përshëndet vendimin e Administratives që e urdhëron Veliajn të zbatojë ligjin

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë fituar gjyqin me Erion Veliajn në lidhje me mosdhëninen e informacionit, dhe një vendim i gjykatës administrative e detyron kryetarin e Bashkisë të zbatojë ligjin, të informojë këshilltarët për çdo kërkesë që ata kanë.

“Ashtu sikundër ju kemi bërë me dije, prej më shumë se 2 muajsh kemi qenë të detyruar si rezultat i teatrit absurd të z.Veliaj, për të fshehur çdo informacion, jemi detyruar ti drejtohemi Gjykatës Administrative. Me vendimin e saj na dha plotësisht të drejtë dhe, për fat të keq detyron kryetarin e Bashkisë që të respektojë dhe zbatojë ligjin. Besoj se ky analfabetizëm institucional është krejtësisht i patolerueshëm dhe i panevojshëm. Të detyrohen të kërkojnë nga gjykatat që të zbatohet ligji, të nenit 51, pikën 3, që këshilltari ka të drejtë të informohet me kërkesën e tij për gjithçka dhe në çdo kohë nga kryetari i bashkisë, besoj se është totalisht absurde. Por, për fat të mirë, jo vetëm të këshilltarëve, por për fatin e mirë të qytetarëve, vendimi i Gjykatës nuk i lë asnjë ekuivok kryetarit në detyrë të bashkisë, por të zbatojë në mënyrën më rigoroze, ligjin”, u shpreh kreu i këshilltarëve demokratë, Leonard Olli.

Olli shprehet se Veliaj nuk jep informacion, për shkak të aferave korruptive që ka kryer në një vit në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Ai ka frikë nga transparenca, sepse transparenca që do të bëjë ndaj çdo vendimmarrje dhe menaxhimit dhe administrimit të bashkisë, do të provojë skandalet e tij, aferat e tij korruptive me klientët e pushtetit personal, apo të kryeministrit Rama. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi, në mesnatë, vendimin për ngritjen e çmimit të biletës, ka frikë nga transparenca Erjon Veliaj dhe prandaj nuk u konsultua me qytetarët për këtë veprim që e ka detyrim ligjor. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi në kundërshtim me ligjin paketën fiskale, pa e konsultuar fare me grupet e interesit, dhe sot më shumë se kurrë biznesi po vuan këtë paketë shkatërruese që i ka çuar ata në prag falimentimi. Ka frikë nga aferat korruptive të klientëve të betonit prandaj nuk bën transparencën e ndërhyrjes brutale tek liqeni artificial apo të betonizimit të sheshit Skënderbej, apo edhe të kullës me stadium që për fat të keq ka filluar të ndërtohet duke rrënuar një trashëgimi kulturore historike në zemër të Shqipërisë”, tha Olli.  Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj ka marrë notën 4, në vlerësimin që u është bërë për periudhën një vjeçare të qeverisjeve vendore, në raport me transparencën me publikun.

“Nuk besoj se ka bilanc më negativ se kaq. Nuk besoj se aferat korruptive të tij do t’i mbulojë duke mos dhënë informacion. Me këtë rast i them kryetarit të bashkisë, që të mos hezitojë e të mos ketë aspak frikë të përgjigjet, sepse me dëshirën e tij ose jo, opozita në Këshillin Bashkiak do të bëjë të pamundur për të zbardhur aferat. Vetëm pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shpërdorime të rënda të detyrës në ndërhyrjen në Unazën e Vogël dhe në të drejtat esenciale të njeriut sikundër kishin të bënin me çështjet e dëmshpërblimeve nga ndërhyrjet apo prishjet e banesave. Kjo është arsyeja që z.Veliaj nuk bën transparencë. Do të përballet me gjithçka sepse në fund të fundit kemi bërë një betim dhe kemi detyrimin moral dhe ligjor ndaj çdo qytetari të Tiranës, të mbrojmë me çdo kusht interesin publik”, deklaroi Olli.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 17 qershor 2016

 

Read More
16 Qer
0

Basha: Ditë kritike për vendin, Rama dëshmoi se cila është drejtësia që ai do

Me presione, sulme, kërcënime kriminale, Edi Rama ia doli të përcaktojë dy vendime gjykate, që lidhen me dy prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes së tij, janë përgjimet e paligjshme dhe inkriminimi I pushtetit.

Çako u kthye në detyrë, ndërsa Rroshi në shtëpi.

Edi Rama i vuri gjykatat përballë dy zgjedhjeve.

Nga njëra anë ishte zgjedhja për të zbatuar ligjin, por kjo me një kosto të madhe për çdo gjyqtar, pasi menjëherë do të niste linçimi, do të niste hetimi policesk e antikushtetutes. Nëse zbatohej ligji, Edi Rama do futej me brutalitet në familjen e tyre. Pra shkurt, do ti ekzekutonte ata publikisht.

Zgjedhja tjetër ishte të merrej një vendim si ky i sotmi, për të qenë në rregull me Edi Ramën.

Nuk jam këtu për të kontestuar vendimet e gjykatave.

Por për të denoncuar dorën mafioze të Edi Ramës që i përcaktoi këto vendime.

Sot është një ditë kritike për vendin.

Kritike sepse garancia për të patur një hetim të pavarur, të plotë, një zbardhje të plotë të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm, ka rënë.

Nuk lejon hetim Edi Rama sepse është vetë i përfshirë, është vetë drejtpërdrejt me kufjet kriminale në vesh, duke përgjuar politikanë, deputetë, biznesmenë, përfaqësues të medias.

Ja ku kemi arritur. Krimi pranohet, nga vetë Çako, dhe ngaTahiri, por hetimi, drejtësia nuk pranohet, nuk lejohet.

Pse? Sepse Edi Rama është i përfshirë dhe zbardhja e kësaj çështje është fundi i tij i turpshëm.

Rroshi, me 5 emra e me 5 dënime, i kërkuar edhe nga DEA amerikane për trafikdroge e pastrim parash, është njeriu i Edi Ramës, modeli i tij për drejtimin e bashkive.

Ai duhet lënë i lirë, ndryshe çdo gjyqtar do ishte përballur me hakmarrjen primitive të Edi Ramës.

Sot Edi Rama e dëshmoi me dy akte konkrete, se cila është drejtësia që ai do.

Një drejtësi që i bindet.

Një drejtësi që dëgjon zërin e tij, e kthen atë në vendim.

Një drejtësi që lexon statuset e tij në facebook, dhe orientohet prej tyre.

Një drejtësi që nuk heton krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës.

Këtë drejtësi do ai. Asnjë lloj tjetër.

Edi Rama do një drejtësi që mund të veprojë kundër kujtdo, përveçse kundër aferave të tij, kundër krimeve të tij, kundër bandës së tij në pushtet.

Imagjinoni për një moment, sikur ai ti bëjë zap gjykatat dhe prokurorinë, me draftin që ka në dorë.

Imagjinoni të marrë krejtësisht në dorën e tij fatin, karrierën e çdo gjyqtari dhe prokurori në vend.

Imagjinoni një moment që të mos jetë më vetëm kryeministri që ua ka bërë ferrë jetën qindra, mijëra shqiptarëve por edhe kryeprokurori, kryehetuesi dhe kryegjyqtari i Shqipërisë.

Drejtësia që do të kishim, do të ishte një skuadër me jurist të bindur, ku peshorja e të drejtës do të zëvendësohej me kandarin e interesave të Edi Ramës.

Kurrë nuk ka për ta patur Edi Rama këtë pushtet të paligjshëm.

Me planin që ka për ta kapur drejtësinë, me ndërhyrjet kriminale, me përcaktimet e vendimeve prej tij, siç ndodhi sot, Edi Rama është duke provokuar thellë qytetarët.

Kjo nuk është thjesht një çështje e opozitës. Por ka të bëjë me sundimin mafioz të një bande, e cila asnjëherë nuk mori votën për të bërë këtë që po bën.

Kjo është një aventurë e rrezikshme që do të çojë Ramën në përplasjen e pashmangshme me popullin, me opozitën, me çdo qytetar në vend që nuk dëshiron qeveri mbi ligjin, që nuk mund të pranojë që Edi Rama qenka i pahetueshëm, i pagjykueshëm, i paprekshëm për krimet dhe korrupsionin e tij.

Asnjë bandë, asnjë trafikant, asnjë përdhunues, asnjë vrasës, asnjë prej atyre që kanë krah, me të cilët sundon aktualisht, nuk do ta ndihmojnë dot në përplasjen me popullin.

Kjo është e sigurtë.


Deklaratë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 16 qershor 2016

 

Read More
16 Qer
0

Vendimet për Çakon dhe Rroshin, Rama shton presionin ndaj gjykatave

Edi Rama ka shtuar presionin e tij kriminal ndaj gjykatave sot, duke kërkuar të mbyllë skandalin e përgjimeve, të rikthejë në detyrë Cakon dhe po ashtu të nxjerrë të lirë Elvis Rroshin.

Presioni dhe kërcënimet kriminale të Ramës ndaj gjykatave kanë ardhur në rritje prej ditësh dhe sot kanë njohur kulmin, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë për masën e sigurisë për Cakon, dhe gjykata e Tiranës do të vendosë për masën e sigurisë për Rroshin.

Cako dhe Rroshi janë personazhet kulminante të dy prej krimeve më të rënda të Edi Ramës, që janë përgjimet e paligjshme, dhe inkriminimi brutal i pushtetit.

Me shantazhet e paprecedenta ndaj gjykatave, Edi Rama kërkon të mbyllë skandalin e përgjimeve të paligjshme, pasi është vetë i përfshirë.

Rama është në duart e Cakos, i cili do të flasë e do të tregojë nëse Edi Rama nuk i siguron paprekshmëri.

Presioni që po ushtron për Rroshin, është përpjekja e tij për të mbajtur trafikantët e banditët, e për të penguar dekriminalizimin.

Partia Demokratike i dënon me ashpërsi këto kërcënime kriminale ndaj gjykatës dhe i kërkon institucioneve të drejtësisë të vendosin të pandikuar nga Rama dhe të ndikuar vetëm nga ligji.


Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, 16 qershor 2016

Read More