Blog

15 Shk
0

Pas mesazhit të USA, Rama në drejtimin e kundërt, presion gjykatës, mbrojtje korrupsionit

Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë prioritete kryesore për vendin, siç u theksua edhe dje nga Sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama po vazhdon në drejtimin e kundërt duke i bërë presion gjykatës, e duke mbrojtur korrupsionin e njerëzve të tij.

Me ndërhyrjet e tij, Edi Rama vonon zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën, duke penguar kështu drejtësinë, e duke dalë në krah të korrupsionit.

Edi Rama po përdor çdo mjet për të vonuar drejtësinë për njeriun e tij Kokëdhima, i kapur me 150 shkelje të Kushtetutës, me 150 pagesa të paligjshme financiare të parave publike për biznesin e tij.

Ja pra se si e mendon drejtësinë Edi Rama, ja çfarë drejtësie kërkon ai. Kjo është dëshmia e mbrojtjes që ai i jep vjedhjes e abuzimit kur këtë e bëjnë njerëzit e tij.

Fillimisht Edi Rama urdhëroi parlamentin të mos merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues këtë vendim të parlamentit, që në nëntor të vitit të kaluar, përmes presionit të Edi Ramës po vonohet zbardhja e tij.

Rasti Kokëdhima është shembulli i korrupsionit me fondet publike të njeriut pranë kryeministrit, është shembulli i kapjes së shtetit, shembulli i oligarkut qeveritar që qëndron mbi ligjin.

Qytetarët, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita, kërkojnë pikërisht që drejtësia të arrijë këto standarde, që të ndëshkojë raste të tilla, që njerëzit pranë kryeministrit të mos jenë të pandëshkueshëm, të mos jenë të mbrojtur kur marrin 150 pagesa nga paratë publike në shkelje të Kushtetutës.

Ky është rasti që në frymën e prioriteteve që ka vendi për luftën ndaj korrupsionit dhe reformimit të drejtësisë, në frymën e mesazhit të theksuar dje nga Sekretari Kerri, Gjykata Kushtetuese të tregojë pavarësi nga kryeministri e të hapë rrugën e drejtësisë.


Deklarata për mediat e deputetit Eduard Halimi, 15 Shkurt 2016

 

Read More
14 Shk
0

Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me sekretarin e Shtetit John Kerry

Falenderoj sekretarin Kerry që në një axhendë jashtëzakonisht të ngjeshur ndau kohë për të takuar opozitën dhe për të bashkëbiseduar së bashku mbi sfidat kryesore të Shqipërisë në këtë moment kyç për demokracinë shqiptare. Falenderimet e mia më të përzemërta për sekretarin Kerry, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për administratën e Presidentit Obama, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve.

I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike ashtu sikundër ka bërë deri më sot do të vazhdoj të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve euroatlantike të demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Dhe se ashtu si në qeverisje edhe në opozitë Partia Demokratike mbetet e përkushtuar jo vetëm ndaj këtyre vlerave, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekriminalizimit. Proces kyç për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të SHBA-ve.

Të tjera sfida të mëdha që e presin Shqipërinë kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara në rrugën drejt integrimit europian. Parakusht I forcimit të kapaciteteve të Shqipërinë për të qenë një partnere e denjë, një aleate e vërtetë e SHBA-ve, e cila jo vetëm konsumon por edhe kontribuon në sfidat e kësaj aleance, në sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit.

Duke forcuar demokracinë e brendshme është e investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit. E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht siç janë ato të Komisionit të Venecias, si dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare, çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara.

Këto ishin ndër çështjet kryesore, sigurisht pati edhe të tjera, 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike, rekordi i angazhimit tonë si në qeverisje por edhe sot në opozitë për të mbështetur objektivat e përbashkëta dhe çështje të tjera të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam edhe një herë shumë mirënjohës sekretarit Kerry që ndau kohë posaçërisht për të bashkëbiseduar  me opozitën, unë e konsideroj këtë një shenjë besimi të madh tek opozita shqiptare, tek Partia Demokratike dhe i garantoj që Partia Demokratike dhe unë do të bëjmë çdo përpjekje për të përmbyllur me sukses konsolidimin e standardeve demokratike, të shtetit ligjor në Shqipëri, për të mbyllur çdo derë instalimit të një oligarkie dhe të ti hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse për qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokatike, 14 Shkurt 2016

Read More
13 Shk
0

Shqiptarët përballen sot me tiraninë e varfërisë, krimit dhe korrupsionit

Mirëdita të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dega Shkodër,

I nderuar zoti kryetar i Partisë Demokratike dega Shkodër,

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës,

Të nderuar deputetë,

I dashur Edi Paloka nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar,

I dashur Belind, kryetari i sapozgjedhur i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, me parimin “një anëtar-një votë”,

Të nderuar miq,

Dua të shprehë gëzimin e madh me të cilin jam nisur sot për të ardhur përsëri në mesin tuaj në një ditë më të vërtetë me mot të vrenjtur, me shumë shi këtu në Shkodër, ashtu si edhe në Tiranë. Por që nuk i ndali dot e nuk i ndal dot të rinjtë e të rejat e Shkodrës në këtë manifestim, në këtë festë të demokracisë që janë zgjedhjet për kryetarin e ri të Forumit Rinor, degës Shkodër me parimin “një anëtar-një votë”.

Të dashur të rinj e të reja, në mesin tuaj ndodhen sot burra dhe gra që ndoshta veten e tyre e shohin akoma si para 25 vitesh, kur në një moshë, sa mosha juaj sot 25 vite më parë u ngritën kundër diktaturës më gjakatare, diktaturës më të egër, diktaturës më gjakatare që i zhyti shqiptarët në mjerimin më të thellë që një popull europian njohu në 50 vitet e fundit.

 25 vite më parë nuk i ndali dot diktatura e terrorit, frika që donin të ngjallnin në shpirtin e njerëzve që kishin vendosur të hidhnin tutje vargonjtë e robërisë sepse besonin, besonin në një ideal, besonin tek demokracia, besonin te vota e lirë, besonin tek vendimmarrja për veten tonë, për familjen tonë, për qytetin tonë, për atdheun tonë, për kombin tonë si njerëz të barabartë, me dinjitet. Sepse besonin që secili prej nesh ka një vlerë të pamohueshme si shpirt dhe qenie njerëzore para Zotit, para natyrës, para Kushtetutës, para ligjeve dhe se vendimet më të drejta janë ato që merren kur konsultohet i gjithë komuniteti i votuesve, qoftë kjo për lagjen, qytetin apo vendin tonë. U ngritën pra dhe përmbysën një diktaturë të armatosur deri në dhëmbë me urrejtje, me propagandë, por po kështu me tanke, me sigurimin e shtetit që përgjonte në çdo vrimë teksa bisha e plagosur jepte shpirt. Këta 22,25,30-vjeçarë të 25 viteve të kaluara i përshëndesim sot, jam i sigurtë që përshëndetjes time i bashkohet rinia e sotme e Shkodrës me nderimin e madh për sakrificën dhe veprën e tyre 25 vite më parë.

 25 vite më parë edhe një javë i kishte mbetur diktatorit Enver Hoxhës simboli i diktaturës që e shembi rinia e para 25 viteve.

Sot, vëllezër e motra Shkodra lëngon, Shqipëria lëngon sepse pas 25 viteve zigzage në demokracinë shqiptare, pas etjes për para dhe arritjen së disa stacioneve të rëndësishme. Ajo kërcënohet përsëri nga një diktaturë e re, nga një tirani e varfërisë, e korrupsionit dhe e krimit që ka instaluar sot në vend  nga oligarkia e Edi Ramës, Ilir Metës dhe kriminelëve dhe bandave të lidhur me ta. Kjo është oligarkia, sundimi i pakicës por tashmë jo si një byro politike por si një byro mafioze njerëzish të cilët duan të marrin të gjitha vendimet në emër të shqiptarëve por jo për shqiptarët, jo për interesin e shqiptarëve, jo për interesin e Shkodrës, as të rinjve dhe të rejave shkodranë, por për interesin e një grushti njerëzish që përfitojnë sot 1/3 e buxhetit të shtetit, i cili në vend që të kthehet në shkolla, në qendra shëndetësore, në shërbim, në punësim, vidhet dhe shpërdorohet nga oligarkët Edi Rama dhe Ilir Meta.

Kjo oligarki, kjo pakicë, sot mundohet të imponojë me mjete dhe forma të reja modelin e vjetër, ku vendimin nuk e keni më ju, ku vendimin nuk e kanë më qytetarët por një grusht njerëzish të cilët diktojnë se sa lekë do të jetë çmimi i naftës, të cilët  diktojnë se kur do të ndërtohet, sa do të ndërtohet dhe ku do të shkojnë paratë me të cilat do të ndërtohet.

Një grusht njerëzish që vendosin që ilaçet të mos blihen por paratë e ilaçeve t’u jepen oligarkëve e të ndahen me Edi Ramën dhe Ilir Beqëjn.

Një grusht oligarkësh që e dinë që kjo qeverisje nëse përballet me votën e lirë të qytetarit shqiptar, dihet që sot, që tani! Dhe se në themel të logjikës së vet përmes vjedhjes dhe propagandës ka shkatërrimin e votës së lirë. Themeli i demokracisë, themeli i sistemit që ndërtuam sëbashku për t’i dhënë fund mjerimit, shtypjes, propagandës, injorancës, arrogancës së 25 viteve më parë.

Po ja tek na kthehen përsëri, shtypja. Po, po shtypja, ku 38 mijë shqiptarë merren zvarrë nëpër komisariate për arsye nga më të paqenat por kryehajdutët, ata që duhet të jenë të parët prapa hekurave e para gjyqtarëve Ilir Beqës, Arben Ahmetajt, Saimir Tahirët më në krye kapobandën Edi Ramën dhe aleatin e tij Ilir Meta. Nuk i hy asnjë ferrë në këmbë.

Përmes injorancës në vendimmarrje, injorancës në komunikim publik, injorancës si themeli i qeverisjes së shtrembër dhe mbi të gjitha përmes kapjes dhe shkatërrimit të votave, të zgjedhjeve të lira.

Jua thanë komisionerët e OSBE/ODIHR-it në qershor të vitit 2015, jua tha Parlamenti Europian në shtator 2015, jua thanë vetë anëtarët e familjes së tyre politike në dhjetor 2015, se zgjedhjet e vitit 2015 ishin zgjedhje të dështuara ku oligarkia në vend që të ballafaqohet me zullumet, me mashtrimet, me dështimet e veta bëri bisht gjykimit popullor duke kapur dhe shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtën për të ushtruar të drejtën më themelore, më sovranen, të drejtë që shqiptarët kanë në demokraci, atë të zgjedhjes së qeverisë lokale e të përgjithshme me votë të lirë e të ndershme.

Dhe sot ka një revansh total kundër zgjedhjeve, kundër votës së lirë që po i shtrin edhe në shtëpitë e tyre, përballë këtij modeli, përballë oligarkisë që e ka mendjen vetëm të vjedhë, vetëm të gënjejë, vetëm të mashtrojë dhe kostos së jashtëzakonshme që kjo ka për shqiptarët.

Është detyra jonë sot që të ngrihemi edhe një herë si para 25 viteve, të ngrihemi për t’i dhënë një model tjetër Shqipërisë, të demokracisë së re, demokracisë pjesëmarrëse së çdo qytetari, çdo qytetareje duke e nisur nga demokracia brenda familjes tonë, brenda shtëpisë tonë, duke e nisur me vendimmarrjen “një anëtar-një votë” për të gjitha vendimet e rëndësishme në Partinë Demokratike.

Kush tjetër përveç demokratëve  mund të ofrojë sot këtë shpresë për të çarë një rrugë të re, për një model që e kërkon sot i madh dhe i vogël, për një model që përfaqësohet më së miri nga të rinjtë dhe të rejat shqiptarë. Për modelin tek i cili investohet sot aleati ynë strategjik, SHBA dhe BE ku ata që abuzojnë me besimin popullor duhet dhe do të përballen me gjykimin popullor dhe me zgjedhje të lira e të ndershme do të largohen për shkak të votës popullore.

Për një model të ri, ku ata që abuzojnë dhe vjedhin fondet publike, ku ata që u heqin kafshatën e gojës fëmijëve të Shkodrës, nënave të Shkodrës, pensionistëve të Shkodrës për të ndërtuar vilat dhe sarajet e tyre luksoze, për privatizuar, zhvatur e  plaçkitur pasuritë e shqiptarëve, për të transferuar miliona euro jashtë shtetit do të përballen me drejtësinë e do të dënohen si armiq.

Për një demokraci, për një shtet ligjor që bashkohet rreth vlerave e normave, standardeve mbi të cilat është ndërtuar demokracia perëndimore, demokracia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian. Koha për oligarkinë shqiptare po mbaron, të bashkuar në vlera, të bashkuara në standarde qëndrojnë sot sup më sup demokratët shqiptarë, shqiptarët e lirë, SHBA, BE, oligarkë po ju vjen fundi!

Ne miratuam sëbashku ligjin për dekriminalizimin. Jemi e vetmja opozitë në Europë sot që ndonëse nuk ka numrat në Parlament as për të imponuar një veto minoritare detyroi këtë shumicë të babëzitur, të inkriminuar e të korruptuar me ndihmën e partnerëve tanë, me ndihmën e qytetarëve shqiptarë të vendosim standardin më të lartë, atë të përjashtimit të kriminelëve nga Parlamenti, nga institucionet e tjera vendore dhe ndalimit me ligj të kandidimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme.

“Por vesi del me shpirtin”, thotë populli –dhe” Ujku qimen e ndërron por zakonin se harron!”. Atë që ne u munduam ta bëjmë ligj dhe  e kemi ligj, Edi Rama po mundohet ta shpërfill me shpirt duke transferuar kriminelët nga institucionet tek partia e tij. Por si e bën këtë? Duke shtypur instrumentin e vetëm që ka një familje politike, atë të zgjedhjes me votë të lirë, atë të zgjedhjes nga anëtarët me votë të lirë e të drejtpërdrejtë të kursit, vendimeve politike dhe të njerëzve më të aftë.

Ky është ndryshimi i madh sot midis një Partie Socialiste që është katandisur në një çiflig i satrapit oriental, në një fole të personave kriminale që diktojnë çdo vendim. Dhe një Partie Demokratike që është ringritur e po ringrehet mbi normat, vlerat dhe standardet perëndimore që përbëjnë ADN-në tonë, shpirtin tonë, identitetin tonë. E ku më bukur për ta theksuar identitetin tonë perëndimor në vlera, në besime, në norma dhe në Shkodrën e lirisë, në Shkodrën e kuvendit, në Shkodrën e qëndresës, në Shkodrën e ringritjes 2015 dhe në Shkodrën që do ti prijë fitores në zgjedhjet e ardhshme.

Por parakushti i besimit të qytetarëve është besimi mes nesh, besimi mes njëri- tjetrit dhe nuk ka themel më të fortë se vota e lirë dhe e ndershme, e fshehtë dhe e respektuar për të zgjedhur drejtuesit tanë. E bëmë këtë në zgjedhjen e kryetarit të partisë, e bëmë këtë në zgjedhjen e kryetarëve të degëve me votë të lirë e të ndershme, me konkurrencë të hapur zgjodhëm kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe sot demokratët e Shkodrës nën moshën 35-vjeç do të zjgedhin me votë të lirë  e të fshehtë mes tre kandidaturash të  shkëlqyera që paraqiten për të marrë besimin tuaj.

Ata nuk vijnë për privilegje dhe nuk do të fitojnë privilegje, por do të fitojnë përgjegjësinë për të drejtuar rininë shkodrane në betejën që na pret. Sepse prap po thërrasim trumbetat e një beteje të re, betejës me oligarkinë, betejës me krimin, betejës me korrupsionin. Shikoni qartë kush tjetër përveç nesh do t’i dalë përballë? Kush tjetër përveç demokratëve do përballet dhe do të fitojë për Shqipërinë, për Shkodrën, për demokracinë? Ju dhe vetëm ju!

Ndaj jepini krahë energjisë, vizionit, patriotizmit, atdhedashurisë dhe profilit tuaj perëndimor. Jepini zë votës tuaj. Vendosni sot vëmendshëm por vendosi për përgjegjësinë, për sakrificën. Vendosni për Shqipërinë e nesërme që do të jetë e ndryshme nga Shqipëria e sotme. Shqipëria e nesërme nuk është ëndrra ime. Shqipëria e nesërme nuk është ëndrra juaj. Shqipëria e nesërme po vjen,  Shqipëria e nesërme është Shqipëria e standardit ta vendosim duke respektuar standardin sot këtu në Shkodër  e nesër anembanë Shqipërisë !

Urime edhe 14 degëve të tjera të Forumit Rinor që zhvillojnë zgjedhjet sot. “Një anëtar-një votë” në 15 degët në një ditë të vetme. Tradita demokratike nuk është e mirëqenë, ajo kërkon të konfirmohet, të rritet, të ujitet, të forcohet por sot kapaciteti i Partisë Demokratike, të Forumit Rinor tregojnë se tradita e vendimmarrjes me votë është kthyer në një traditë e cila nuk mund dhe nuk do të zmbrapset në shtëpinë tonë politike. Në familjen tonë politike i pari nuk është dhe nuk do të jetë kurrë kryetari, i pari është dhe do të jetë gjithmonë i pari anëtari. Në vizionin tonë i pari do të jetë qytetari. Humbja e oligarkisë, hapja e demokracisë së re do të kërkonte dhe ne do t’ia japim!

Urime dhe suksese më të mirit!

Urime anëtarëve të Forumit Rinor për të zgjedhur në këtë garë më të mirin e për t’u bërë edhe një herë pjesë e betejës tonë partinë për shembjen e oligarkisë dhe hapjen e rrugës së re të demokracisë së re, të demokracisë gjithëpërfshirëse, të demokracisë perëndimore, të demokracisë europiane dhe euro-amerikane.

Të nisë nga Shkodra !

Urime Shkodrës!

Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë Forumi Rinor!

Suksese!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konventën e FRPD-së në Shkodër, 13 Shkurt 2016

 

Read More
13 Shk
0

25 vite pas rrëzimit të statujës të diktatorit, 3 ditë aktivitete me intelektualë, protagonistë e të rinj

Me iniciativën e PD, do të mbahen ekspozita, diskutime, debate, konkurse dhe dëshmi për këtë ngjarje kulmore në rrugën e Shqipërisë drejt lirisë, drejt Europës.

25 vite pas rrëzimit të statujës të dikatorit Hoxha, pas sakrificës së jashtzakonshme të studentëve, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë vendit, sakrificë që solli lirinë e një kombi të izoluar e shtypur, Partia Demokratike do të organizojë disa aktivitete për të përkujtuar dhe evokuar mesazhet e ngjarjeve historike të shkurtit 1991.

Përgjatë 3 ditëve, me iniciativën e Partia Demokratike dhe Fondacionit për Liri dhe Demokraci do të organizohen takime me protagonistët, ekspozita dhe diskutime për të sjellë në vëmendje këtë datë të çmuar për historinë moderne të shqiptarëve, por që mesazhi i saj mbetet aktual dhe me vlerë për të rinjtë e sotëm dhe gjithë qytetarët.

Më 17 shkurt, në sallën Liria të kinoklubit në Qytet Studenti do të organizohet një aktivitet për 25 Vjetorin e Grevës së Urisë së studentëve të Universitetit të Tiranës. Disa prej protagonistëve të grevës, ish-studentë, do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në lidhje me eskperiencën e tyre të atyre ditëve të vështira.

Me 19 Shkurt, Fondacioni për Liri dhe Demokraci në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel, do të nxisë diskutime të zgjedhura nga intelektualë e protagonist të kohës, mbi rëndësinë e 20 Shkurtit.

Të rinjtë e sotëm do të përfshihen përmes konkursit të eseve, “Vendim im, angazhohem”.

Ky aktivitet quhet “Politika simbolike: Një dialog për qytetarin dhe demokracinë”, me pjesmarrës, emra të spikatur të debatit publik, si Artan Fuga, Agron Gjekmarkaj, Edmond Tupe, Flutura Açka, Fitim Zekthi, Alfred Lela.

Do të ketë tre panele me temat; 1-Dekomunistizimi dhe 20 shkurti 1991, një qasje kritike; 2-Komunikimi politik sot ose kufiri mes simbolikës dhe propagandës në politikë; 3-Instrumentet në shërbim të simbolikes: Kush, kur, sa.

Me 20 Shkurt që përkon me 25 Vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha do të organizohet një ekspozitë në Muzeun Historik ku do të shfaqet një instalacion që do të qëndrojë hapur për disa ditë, dhe po ashtu do të mbahen edhe fjalë, diskutime, debate dhe dëshmi për këtë ngjarje kulmore në rrugën e Shqipërisë drejt lirisë, drejt Europës.

Aktivitetet do të jenë të hapura për çdo qytetar.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Shkurt 2016

 

Read More
13 Shk
0

Skandali me motorat e Policisë, Tahiri merr 2 milionë e 700 mijë lekë për çdo Aprilia

Shtohen skandalet financiare të Saimir Tahirit.

Përveçse e ka paracaktuar fituesin e tenderit për 73 motora të Policisë, Tahiri është kujdesur që fitimi i klientit të tij, të jetë marramendës.

Që në krye, Tahiri ka përcaktuar si fond limit për blerjen e këtyre motorave shumën 1 miliardë e 39 milionë lekë.

Nga kërkimi, në faqen zyrtare të Aprilias, se një motorr i vitit 2014, me 750 kuaj fuqi, kushton 7400 euro, ose rreth 10 milionë lekë një. Sipas kësaj llogarie do të mjaftonin 730 milionë lekë për të blerë 73 motora të këtij lloji.

Por Saimir Tahiri është treguar dorëlëshuar me taksat e shqiptarëve, dhe ka ofruar  300 milionë lekë më shumë për këtë tender.

Kriteret janë qendisur në mënyrë të atillë që tenderin ta fitojë klienti i tij, duke përjashtuar këdo që mund ti gjente më lirë këto motora jashtë Europës.

Kështu në garë mbeti vetëm Edmondi SHPK, që u shpall fitues, me ofertën 928 milionë lekë.

Siç e shihni nga ekrani, një motor i tillë kushton në internet 10 millionë lekë.

Por për Saimir Tahirin kushton 12.7 milionë lekë një.

Pra llogaria është shumë e qartë.

Përfitohen, më saktë vidhen 2 milionë e 700 mijë lekë për çdo motor.

Për 73 motora, me një dorë Tahiri ndan 197 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve.

Kjo llogari bëhet duke marrë parasysh çmimin me pakicë të motorit, 10 milionë lekë. Por kur dikush merr 73 copë, atëherë çmimi ulet shumë, dhe sigurisht norma e fitimit të Saimir Tahirit rritet akoma më shumë.

Tahiri po vazhdon të thellojë aferat korruptive me blerjet e Policisë, duke bërë edhe më shumë krenar shefin e tij Rama.

Ai ende nuk i është përgjigjur pyetjes publike, që iu bë në “top story”, se çfarë e lidh me Emiliano Shullazin.​


Deklarata për mediat e zëdhënëses, Ina Zhupa, 13 Shkurt 2016

 

Read More
12 Shk
0

PD me Sekretariat për Aksionin Qytetar, Basha emëron Salianjin

Kryetari i Partisë Demokratike emëroi Ervin Salianjin, Sekretar për Aksionin Qytetar.

Ky sekretariat do të jetë në funksion të qytetarëve, zërit të tyre dhe nxitjes së tyre për mobilizim dhe aksion kundër arrogancës qeveritare, korrupsionit dhe padrejtësive.

Zoti Salianji vjen nga një​ përvojë në këtë drejtim, ku si koordinator i Partisë Demokratike dhe drejtues i Departamentit për të Drejtat e Njeriut ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe problematikat e tyre.

Ervin Salianji ka përfunduar studimet e larta për Drejtesi dhe aktualisht po perfundon doktoraturën në të drejtë publike/kushtetuese. Në vitet  2011-2014 ishte avokati i qytetit te Tiranes. Ne vitin 2013 u emërua koordinator për çështjet ligjore në Partine Demokratike. Z. Salianji është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe ishte kandidat për kryetar të Forumit Rinor të PD.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Shkurt 2016

Read More
12 Shk
0

Materniteti i Korçës në gjendje skandaloze, mungojnë gjërat më bazike

Deputetët Çirici dhe Papa shohin nga afër kushtet dhe dëgjojnë shqetësimin e qytetarëve

Deputetët Eleni Qirici dhe Gjergj Papa ishin sot në materinitetin e Korçës, ku zotëron kriza, degradimi i shërbimit, për shkak të braktisjes nga shteti. Paisjet janë tejet të amortizuara, mungesa e ilaçeve është e theksuar dhe nënat e reja me foshnjet janë në rrezik për marrjen e infeksioneve të ndryshme.

Deputetët demokratë diskutuan me pacientet shqetësimet për blerjen e ilaçeve madje dhe atyre më bazikë si dhe për kushtet tejet të rënda të dhomave dhe sallës së lindjes.

Deputetja Eleni Qirici tha pas vizitës tha se gjendja në maternitet është e mjerueshme dhe pa shpresë.

“Pikërisht në vendin ku lind jeta, mashtrimet e ministrit, kryeministrit, për shëndetësi falas dhe rilindje të sistemit dalin krejt zbuluar. Mjekët dhe infermierët këtu punojnë në kushte skandaloze dhe përvec kësaj ata janë nën trysninë e vazhdueshme për ti zëvendësuar me emërime militantësh”, tha zonja Qirici.

Në materinitetin e Korcës është ulur ndjeshëm numri i lindjeve nga vitit në vit, për arsye të rënies së besimit tek sistemi i shëndetësisë, cka I detyron qytetarët të gjejnë mundësitë e trajtimit në spitalet greke.

Prej disa ditësh deputetët e PD vijojnë denoncimet nga terreni të gjendjes së mjerueshme të sistemit shëndetësor, ndërsa Ilir Beqa dhe Edi Rama e kanë kthyer këtë sektor në biznesin më të madh fitimprurës për veten dhe klientelën e tyre.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Shkurt 2016

Read More
12 Shk
0

Tahiri, korrupsion 1.1 miliardë lekë me uniformat e policisë

 

 

Pas uniformës së re të policisë që prezantoi Tahiri, fshihet një korrupsion prej 1.1 miliardë lekësh.

Asnjë transparencë, asnjë informacion për procesin, për tenderimin.

Kriteret teknike u përcaktuan sipas profilit të fituesit të paracaktuar.

Uniforma fituese u shpall nga Tahiri përpara se vendimi të botohej në fletoren zyrtare.

Asnjë e dhënë kush është dizanjuesi, pse u zgjodh ai, cili komision dhe si u bë vlerësimi.

Mendimi i vetë policisë, i ekspertëve nuk është marrë në konsideratë.

Sipas ligjit, vetë drejtoria e Policisë duhej të kishte nisur këtë procedurë, sipas kërkesave dhe nevojave të saj.

Nuk gjendet i pasqyruar askund mendimi i specialistëve të fushës për sa i përket cilësisë së veshjes, por as për emblemën e simbolet që janë vendosur.

Vetëm Saimir Tahiri e veglat e tij e dinë se kush është personi i kontraktuar.

Një aferë e pastër korruptive, ku 1.1 miliardë lekë doroviten duke i ndarë me klientin e ministrit.

Paratë e shqiptarëve trajtohen si të ishin portofoli privat i Tahirit.

Ky ministër që po bën krenar shefin e tij dhe në lëmin e korrupsionit, nuk e ndjen si detyrim të respektojë ligjin dhe procedurën, as të japë llogari.

Ashtu siç nuk u përgjigj edhe mbrëmë, kur publikisht në sytë e shqiptarëve u pyet në “top story” për lidhjen e tij me Emiliano Shullazin.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 12 Shkurt 2016

 

 

Read More
11 Shk
0

Nuk mund të ketë Byro Hetimi nën varësinë e kryeministrit

Sa për sqarim se koka e derrit e bëri çorbë derri se i intereson në atë punën e byrosë së hetimit. Po është e vërtetë që ne kemi kërkuar me këmbëngulje që të vijë në Parlament draft projektligji i dakortësuar midis palëve dhe palët janë opozita mazhoranca dhe specialistët amerikanë të cilët jo vetëm kanë insistuar për këtë draft por dhe kanë qenë dhe motori i kësaj pune. Këtu na u tha nga ky kryeministër dhe pastaj nga ata që vendos ky të dalin në media se nuk do tëketë projektligj në parlament për Byronë e hetimit derisa  të vijë përgjigja e Venecias. Ndërkohë e kemi thënë dhe u lexua dhe u citua sot disa herë që ne kemi thënë pikërisht , projektligji që është dakortësuar me amerikanët dhe me mazhorancën,  do të ketë dhe vendimin e Venecias brenda atë, që është marrë ndërkohë sepse Venecia e ka dhenë një përgjigje për Byronë e e Hetimit  dhe përgjigja është e qartë sic e dha dhe Gjykata Kushtetuese.

Nuk mund të ketë Byro Hetimi nën varësinë e kryeministrit. S’ka rëndësi si e ka emrin dhe si delegohet kjo varësi tekj ministri i brendshëm apo tek dikush tjetër. Nuk mund  të ketë byro hetimi nën varësinë e kryeministrit apo ministrave të tij dhe kjo është logjikë e thjeshtë. I bie që Sajmir Tahiri të hetojë Edi Ramën apo Edi Rama të hetojë Edi Ramën. Nuk besoj se ka shqiptarë kaq naivë të mos e kuptojnë se cdo të thotë kjo , pa i hyrë asaj pjesës tjetër dëshirës të madhe të Edi Ramës për të marrë cdo institucion të drejtësisë në dorë. Pra e kemi kërkuar këtu dhe cfarë ndodhi. Pasi na u tha që nuk vjen  projektligji pa ardhur përgjigja numër 2 e Venecias, papritur u mblodhën mbrëmë dhe miratuan një projektligj, por cilin projektligj ? Jo atë për të cilin flasim ne. Absolutisht jo. Bënë një hile alla Rama të trashë dhe neveritëse  dhe kaluan projektligjin që këta deshën dhe tashti na thonë: hë e doni ju?Dje ne e miratuam jua sollëm pse nuk e kaloni.

Është lojë për kokë derra,  për corbë derrash por ne këtej nuk i themi derrit dajë. Kështu që nuk mund ti themi atij projektligji që kanë miratuar këta dje me emër tjetër, është i njëjti projektligj me ca rifinitura që e hodhi poshtë Gjykata kushtetuese dhe nuk e  pranoi Komisioni i Venecias. Kjo është e vërteta e atij projektligji që këta kanë gatuar dje dhe po e përsëris këtë, ne nuk mund ta pranojmë . dhe një herë ne derrit dajë nuk i themi dhe këtë corbë derrash të kryekokëderrit  ne nuk mund ta pranojmë.


 

Fjalimi në Kuvend i kreut të Grupit parlamentar, Edi Paloka, 11 Shkurt 2016

 

Read More
11 Shk
0

Për byronë e Ramës dhe koncesionet e tipit Rrapaj

Byroja u propozua nga kryeministri si një organ ku drejtorin e caktonte Ministri i Brendshëm i tij, u padit në Gjykatë Kushtetuese dhe u rrëzua. Gjykata Kushtetuese nuk ishte e vetmja që rrëzoi një akt që ndërhyn në autonominë e prokurorisë si organ i akuzës së republikës.

Ishte opozita si edhe zëra të ndryshëm brenda mazhorancës përfshirë edhe në komisionin e sigurisë. Meqë ishte punuar me aleatët amerikanë dhe qëllimi do të lipsej të kish qenë i mire, përkrahja nuk u ndërpre. Në deklaratën që mbaj mend nga ata ishte që do të ripunohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përsëri e hartuan në mënyrë të njëanshme, përsëri në shkelje të saj. E treta ndërhyrje, koment, këshillë është ajo që vjen nga Komisioni i Venecias. Pika 11 e raportit i cili thotë: Byroja Kombëtare e Hetimit nëse do të ketë një të tillë, do të lipsej të shkruhej në Kushtetutë dhe në çdo rast të evitonte drejtimin e jashtëm nga qeveria. Por çfarë ka ndodhur si me draftin e parë si me draftin e dytë, si me draftin e tretë, si me atë që Sajmir Tahiri e lexoi këtu, drejtorin e Byrosë e emëron Ministri, e emëron qeveria. Dhe, pyetja është: A bie dakord Edi Rama me opinionin e Komisionit të Venecias. Sepse vërtetë para një jave tha ta çojmë atje, kur pozicioni i raportit të ndërmjetëm është i qartë. Kur një pozicion kaq i qartë në një institucion me juristë eminentë nuk ndryshon, siç mund të ndryshojë pozicionin e vetë një ministër apo një deputet, përgjigjia që unë do të doja të kisha dëgjuar nga Kryeministri por edhe nga mëkëmbësit e tij, në këtë pikë e cila është shprehur si pozicion i qartë i opozitës, a ishte dakord, nuk mund të ishte para mesit të dhjetorit sepse atëherë sapo erdhi opinioni i Venecias, por në gjysmën e dytë të muajit po në janar? Këtë përgjigje ne nuk e morëm. Morëm vetëm lojëra që ne ramë dakord, në fakt çfarë kanë shkruajtur është e njëjta që ka qenë përpara. Prandaj e kam humbur shpresën që ta dëgjoj këtë çështje prej tyre, por është e mira që këto gjëra të bëhen të qarta të paktën për sa kohë themi se opinioni i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi ka vlerën e një udhëzuesi.

Eshtë një projekt-ligj që lidhet me kompanitë shtetërore, që mbahen shtetërore në një numër të vogël të tyre sepse dhënia tek privati për shkak të natyrës së sipërmarrjes, të fushës së veprimit të tyre, për shkak të kapaciteteve rregullatorë të mangët të shtetit në këtë fazë të zhvillimit të vendit, lipset të ruhet dhe ka shumë të tilla. Do të ndalja fjalën time ndoshta në vëmendjen tuaj te OSHEE-ja që ka një buxhet të madh, e ka sepse e paguajnë njerëzit korentin. Duhet ta themi se është korrekte që ajo faturë të paguhet e plotë, është një detyrim. Nuk kemi qenë dakord që të përdoret burgu si mjet për të shtrënguar njerëzit që janë në pikë të hallit. Nuk mund të biem dakord që t’i degdisimin njerëzit në vetëvrasje dhe në burg, për një tel të lidhur në një qebaptore, që detyrojnë prindin e fëmijëve që ta lidhte për ti bërë vaksinën fëmijëve.

Megjithatë të ardhurat janë rritur jo sa thotë OSHEE-ja, kontestohet nga palët e treta buxheti i saj, por nqse janë rritur, si shfrytëzohen këto? Bëri një tender OSHEE-ja për godinë të re, 99% e fondit limit, e mori një mik i hershëm sipërmarrës i Edi Ramës. Kur u pyet nga opozita se si i dhe një fond limit të tepruar për një godinë, aq mjaftonin për të ndërtuar 2 shkolla të mesme, përsëri e mori me 99.99% të vlerës, reagimi i OSHEE-së ia kaloi edhe harbutësirë që ka shefi i gjatë në këtë sallë. I kujtoi opozitës paguani faturat se ju erdha me inspektorë. Skandal nga një ndërmarrje shtetërore që ka punën e vet po ta shikosh në parim. Dhe, të tilla kanë vazhduar me radhë deri në një moment që na intereson se nuk ka të bëjë vetëm me paranë publike që shpërdorohet, po ka të bëjë me një vlerë më të thellë se paraja që është e drejta e shprehjes dhe forma e saj më e rëndësishme, e drejta e medias.

Në qeverinë e shkuar kemi dëgjuar kritika nga opozita, kritika për reklamat shtetërore. Në fakt janë problem jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Akuza e parë që ngriti Edi Rama, kundër një anëtari të qeverisë së shkuar, ishte ajo që lexoi në zyrën e saj Mimi Kodheli. Për reklamat e dhëna nga paraardhësi i saj. Edhe Rama vetë tha të dënohet në facebook, pastaj tha ma keqpërdorën, nuk isha unë. Ajo që zonja ministre nuk ka sqaruar është pse 1 vit më vonë e tërhoqi akuzën?

E kam ngritur disa herë këtë çështje dhe nuk kam dëgjuar shpjegime. Do të isha i interesuar të dija ndoshta ka pasur të drejtë sepse nuk ishte e informuar, sepse pati një ndriçim të momentit, sepse zbuloi disa të vërteta të tjera por nuk i përgjigjet dhe ky është një nga problemet që s’përgjigjet pa paragjykuar përmbajtjen e përgjigjes. Dhe nuk e di ju që mblidheni të hënën në grup parlamentar a i bëni këto pyetje?

Të ndalemi tek reklamat, OSHEE me miliona të vjelura, me të drejtë por edhe në shumë raste me të padrejtë, dhe pa marrë para prej atyre që janë figura ekonomike të mazhorancës, ndërkohë që Qamili nga Lushnja vret veten në burgun e Rrogozhinës. Çfarë bëjnë me këto para? Masivisht në të gjitha televizionet reklamë për OSHEE. Reklama ndodh në botën e ekonomisë së lirë. Kjo video që shfaqet në të gjitha ekranet, me përjashtim të RTSH-së më duket, nuk ka asnjë informacion konkret dhe të dobishëm për përdoruesit apo për publikun e gjerë. Nuk është rasti i OSSHE-së që është monopol, sepse nuk ka asnjë kompani tjetër që çon korentin e përdoruesve, ajo mund të blejë nga prodhuesi, pra të dyja rastet janë në shkelje të hapur jo vetëm normave dhe praktikave të mira, por edhe të ligjeve të shtetit sepse në fund të fundit i shpërdoron ato para për të cilat Qamili nga Lushnja vrau veten në burgun e Rrogozhinës.

A ka ndonjë vlerë kjo përveçse të blejë mediat, edhe ato që nuk janë kapur, edhe ato që nuk janë shtrënguar dhe ato që mund të thonë një grimcë të vërtete për t’i mbyllur gojën, atë pjesë që i ka mbetur hapur. Për të mos folur për skandalet, për të mos folur për abuzimet, për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë dhe sociale të vendit si pasojë e qeverisjes së Edi Ramës.

z.Gaçe foli për konçesionet të dobishme për këtë vend, partneritete private-publike dhe përmendi rastin e Kakomesë ku do të ndërtohej një resort i madh. Bie dakord me të, është një mangësi që nuk u bë dhe pati një lëvizje Hugo Chavez ku ajo figurë ka shkuar sa me një palë sa me një palë tjetër. Janë të tilla koncesionet që bën qeveria Rama. Të marrim kocensionin për TVSH, kam patur mundësi të lexoj një raport të hartuar nga specialistët e tatimeve dhe Ministrisë së Financave. Në 95 faqet e para del qartë se një konçension i tillë është i panevojshëm dhe i padobishëm, në 5 faqet e fundit kuptohet që thonë se biem dakord që të konçensionohet vjelja e TVSH-së mbi masën 11% ku ndodhet Shqipëria dhe nuk është keq krahasuar me rajonin. Për këtë konçension e kishte fjalën z.Gaçe për të mbrojtur një gjë që mediat e pavarura nga opozita e sjellin lidhjen me familjarët e kryeministrit sepse rasti i parë është një rast ku investon privati dhe ka një risk për të mbuluar deri diku nga shteti. Në këtë rast, nëse kjo kompani Honk Kongase që supozojmë se do të fitojë garën bashkë me partnerët lokalë nëse nuk e rrit asnjë qindarkë vjeljen e TVSH-së, nuk pëson asnjë problem, nuk ka humbje që është kategoria e rriskut tek sipërmarrësi, përkundrazi shteti e paguan 847 mijë dollarë. Kujtoja që ishte shpërblim i njëhershëm dhe me kaq merr fund. Dikush që i kishte lexuar më mirë se unë termat e referencës, 847 është vetëm për një vit, vitin tjetër nëse nuk e rrit me asnjë qindarkë vjeljen e TVSH-së, merr 847 mijë dollarë të tjera. Këto janë konçensione që deputetë të mazhorancës dalin këtu për t’i mbrojtur.

Rasti i tretë është një deklaratë e Edi Ramës që më ka pëlqyer shumë tek Neës 24 me Eni Vasilin që e pyeste për konçesionet, që e pyet çdo gazetar që i qëndron besnik zanatit, dhe tha që i kanë marrë, tregoi edhe emrat, nuk shpjegoi pse i marrin 99.99% fondet limit. Ta lëmë mënjanë këtë. Tha nuk mund të lejoj që një njeri që është kërkushi përmes tenderave dhe konçesioneve të shtetit të bëhet biznesmen i madh. Atëherë vijmë tek faktet. Ilir Rrapaj është një personazh i njohur për deputetët e Partisë Socialiste. Për Ministrin, ka dyshime, sepse kur e pyetën i thanë: E njeh Zotërinë? Jo nuk e njoh, kur i treguan gazetarët foton me të tha, ah po e kam takuar në Itali. Kush është Ilir Rrapaj, një person që ka dalë me Edi Ramën në fotografi në Pallat të Brigadave, aty ku jep pritje Kryeministri dhe Presidenti dhe ku priten presidentë e kryeministra kur vizitojnë Shqipërinë.

Edi me Rrapajn, dorën në qafë së fundmi i njohur 40%. Duhej një djalë nga Vlora në Peruggia jeton më duket, ka një kompani që është 1 mijë Euro kapital, është tek pullë, me një të punësuar, dhe merr 40% të një konçensioni 100 milionë dollarë. A është e mundur të përputhet ajo që tha Edi Rama që nuk mund të marrë dikush që është kërkush në ekonomi, pa patur një sipërmarrje të besueshme, pa patur një përvojë në atë fushë të marrë 40 milionë dollarë nëse ky konçension do të shkojë deri në fund. Po pra, ja që është e mundshme me këtë qeveri.


Fjalimi në Kuvend i deputetit Genc Pollo, 11 Shkurt 2016

Read More