Blog

21 Jan
0

Qeveria harxhon për reklama, vendi në krizë të thellë ekonomike

Të nderuar kolege,

Nisja e sesionit  të ri parlamentar ndodh, në kushtet e krizës më të rëndë që ka përfshirë vendin,  në të gjithë sektorët,  në vitin e tretë qeverisës të Rilindjes.

Madje personalisht, prisja që sot  të na lajmëronit për dhënien me koncesion edhe të Parlamentit, tashmë që qeveria ka vetëm një prioritet në axhendën e saj  “dhënie me koncesion të cdo shërbimi, të cdo sektori, pra privatizim për pasurim, me cdo kusht , me cdo mënyrë”.

Sot Parlamenti  nis punimet me certifikimin e mëtejshëm të kësaj krize duke  vijuar traditën  me akte të paprecedentë, kur  në seancë  sillni dy akte normative për ndryshimin e buxhetit  brenda një muaji.

Nga ana tjetër. Parlamenti starton një vit, me  nivelin më të ulët të bësimit dhe vlerësimit publik.

Në këtë nisje të sesionit parlamentar, shumë përfaqësues në këtë sallë janë nën akuzë publike për korrupsion, me dosje në drejtësinë kombëtare dhe atë ndërkombëtare, janë të vënë në përgjegjësi publike për korrupsion gjigand me paratë e shqiptarëve .

 Kauza e këtij parlamenti është prej mëse dy vitesh, ngritja në system e abuzimit me taksapaguesit dhe ngritjes së shtetit oligarkik në emër të të bërit shtet,  duke përdhosur cdo praktikë dhe normë parlamentare, ligj e kushtetutë.

 Dëshmi e kësaj mënyre të të sunduarit alla Rilindje janë edhe këto ndryshime të buxhetit.

Kolegë!

Të ndryshosh buxhetin tri herë brenda një viti nuk është praktikë e amendimit të një ligji apo marëveshje rutinë, është ndërhyrje, është cënim i programit  themeltar vjetor të një qeverie, është maskim i mashtrimeve të saj,  është paaftesia për të bledhur të ardhurat e planifikuar prej vete asaj.

Ndërhyrja në buxhet, kaq  e shpeshtë , me kaq  shpërfillje, është tregues i tronditjes, i paaftësisë  dhe i kapjes së institucioneve nga interesat e ngushtë të klaneve dhe miqve tuaj.

Në vlerësimin tim, depozitimi i akteve normative për ndryshimin e buxhetit kanë  vënë  në udhëkryq pavarësinë e dy pushteteve, Ekzekutivin me Legjislativin, ku ky i fundit është kthyer në një amortizator për humorin dhe babëzinë e kryeministrit dhe qeverisë duke i marrë dhe qindarkat e bukës së gojës shqiptarëve.

 Parlamenti shihet si paradhomë e kryeministrit, ku pazaret mbyllen pa u futur në zyrë dhe vijnë e marrin fuqi ligjore me kartonat e siguruar nga paratë e krimit dhe të korrupsionit.

Madje si një  praktikë e rrezikshme parlamentare, noterizimi i  korrupsionit qeveritar e vë këtë parlament në pozitat më inferiore dhe me besueshmërinë më të ulët publike në këto 25 vite.

Parlamentit nuk i jipet hapësirë dhe dinjitet për të debatuar mbi interesin publik, por i sillen shkresurina qeveritare për ti hapur rrugë babëzisë pa fre të Ramës dhe klaneve ministrore.

A krijojnë këto akte mundësi për ti dhënë zgjidhje halleve, ekzistencializmit të mijëra familjeve në krizë për bukën e gojës?

Sigurisht që jo.

 Sikurse dhe për ju,  është e njëjta bindje që  aktet e depozituara, janë normë për korrupsion, janë ligj për  qindra tëndera abuzive, në dëm edhe më të madh të ekonomive familjare shqiptare.

Nuk mund të na i propozoni këto akte si instrumenta për zhvillimin e infrastrukturës,  investimeve publike apo përmirësimit të standarteve, në një kohë kur për të tretin vit, Shqipëria herë përmbytet në Veri, herë në Jug e herë në zemër të saj.

Dhe si e përballët  ju si qeveri këtë emergjencë kombëtare? Ku ishte kryeministri? ku ishin ministrat përgjegjës? ku ishte kryebashkiaku? Pse nuk u mblodh parlamenti?

Drejtimet që funskionuan ishin vetëm dy: solidariteti i shqiptarëve mes njëri tjetrit dhe vëmendja e pakursyer e medias që raportonte cdo orë nga tërreni.

Cfare ironie!

Me dt 7 janar, ditën e permbytjeve te medha, kur ashtu si të gjithë kolegët e mi të Opozitës, që shkuan pranë zonave të tyre, në mbështëtje të banorëve, si deputete e Qarkut të Kukesit, isha në fshatin Domje të Hasit, njësi vendore që qeveriset nga të majtët dhe bashkë me kryetarin e kësaj bashkie, i bëmë apel qeverisë të ndërhynte urgjent për të përmbyturit nga  vërshimet e ujit. Pleq me lot në sy ju drejtuan Ju apelin për ndihmë, ndërkohë që ju nga zyrat lluksoze paskeni qënë duke u pregatitur për devijimin e fondit rezerve për propogandën fallse/ reklamën 8 faqëshe.

Turp!

 Por në cfarë rrethanash ekonomike dhe sociale i keni sjellë sot aktet e ndryshimit të buxhetit?

 Besoj dakortësohemi të gjithë se shifrat në nivel makro dhe mikro në sektorët publikë, investime dhe të ardhura, inflacion dhe borxh i brendshëm, papunësi e rritje taksash, flasin me qartë për dështimin, papërgjegjshmërinë  dhe abuzimet marramendëse me fondet publike, per grabitjen e parave të shqiptarëve duke e thelluar skamjen deri në palcë.

Këto dy akte vijnë sot në vijim të frymës më  antihumane që ka treguar deri më tani ndonjë qeveri dhe që ka dëgjuar dhe është përballur ndonjëherë ky parlament.

Në vitin 2015 varfëria i coi shqiptarët në një kalvar vetëvrasjesh, vetflijime si pasojë e humbjes së cdo shprese.

2015-ta,  hyri në historinë tonë si viti i eksodit historik të shqiptarëve,  si shpërngulja masive e të rinjve, drejt rrugëve të Evropës, si 25 vite më parë, kur mori fund diktatura gjysëm shekullore.

Treguesit e skamjes janë tronditës, sikurse vetë panoramat bardhë e zi të mjerimit nga Jugu në Veri.

Ajo cfarë dinë shqiptarët dhe ju nuk ua fshihni dot është se;

  • Niveli i papunësise për vitin 2015 është rritur jo vetem krahasuar me vitin 2014 por edhe nga tre mujori në tre mujor.
  • Niveli i varfërise shtohet nga dita në dite ndërkohe që shumë familje janë nxjerrë me të padrejte nga skema e ndihmës ekonomike.
  • Ka rënë interesi i investitoreve të huaj per investime në vendin tone dhe kjo jo vetëm si rezultat i informalitetit por kryesisht si rezultat i taksave të larta.

Ata qe nuk lexojne vetem “The Ekonomist”, por i referohen edhe burimeve të tjera e kanë marre vesh se;

  • Sipas BB në raportin e saj të fundit “doing busines”, Shqipëria renditet e 97-ta nga 189 vende, ose 35 vende me poshtë se nje vit më parë dhe ky pozicion e klasifikon si të fundit ndër vendet e Rajonit.
  • Raporti i Forbes( dhjetor 2015) gjithashtu per klimën e biznesit, renditi Shqipërine në vendin e 109 për taksa të larta dhe në vendin e 99 për nivelin e korrupsionit.
  • Raporti HERITAGE konstaton rënie me 9 vende per lirine ekonomike në një vit.
  • 61 koncesionet e kanë zhytur Shqipërinë në të paktën 3,5 miliardë dollar detyrime.

Dhe të gjitha keto vazhdojnë ta bëjnë krenar “ liderin tonë të reformave”.

Kolegë!

Nisja e sesionit me akte normative që forcojnë sistemin e pushtetit oligarkik është një ogur i keq për muajt në vijim, si parathënie e thellimit të sigurtë të krizes.

Por shqiptaret dhe Opozita nuk mund të lejojnë më që shtëpia e sovranit të mbahet peng nga bandat e pushtetit, nga njerëzit që nuk duan pushtetin e ligjit.

 Opozita i ka hyrë një rruge pa kthim që do të jetë dhenia fund e mandatit të kesaj mazhorance të inkrimunuar, për ti kthyer shqiptarëve parlamentin që meritojnë, me deputetë që të hartojnë e miratojnë ligje në interes të shqiptarëve në interes të zhvillimit evropian të Shqipërisë.

Viti 2016 do të jetë viti i shpresës, i kthesës së madhe, viti i shpëtimit të shqiptarëve.


Fjalimi në Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmata, 21 janar 2016

Read More
21 Jan
0

Rama dhe Tahiri tradhtuan dëshmitarin e drejtësisë, favorizojnë Aldo Baren

Denoncimi në media i Arben Kices, që bëri të mundur dënimin e bandës së lushnjes që solli drejtësi për krimet cnjerëzore të Aldo Bares, është tronditës dhe tregon se si ai trajtohet si armik nga çdo hallkë e shtetit.

Në vend se dëshmitari i drejtësisë të gëzonte privilegje, sipas ligjit, ai jo vetëm është lënë në mes të katër rrugëve, pa mbrojtje e pa mbështetje, por luftta e qeverisë ndaj tij shkon deri aty sa ai nuk regjistron dot as vajzën në shkollë.

Ky rast skandaloz tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë, të Edi Ramës e Tahirit të tij, që bëjnë lloj-lloj paktesh me krimin, i ofrojnë lehtësi bandave e trafikantëve, dhe nga ana tjetër i nxijnë jetën një dëshmitari drejtësie.

Ky është modeli dhe ideja që Edi Rama ka për drejtësinë.

Kjo është një tradhëti që i bëhet shtetit, parimeve të tij, drejtësisë dhe një favor ndaj bandës së Aldo Bares.

Partia Demokratike i bën thirrje zyrave përgjegjëse të ofrojnë shërbimet që dëshmitarit i takojnë me ligj, e të mos bëhen pjesë e kësaj skeme kriminale të ndëshkimit të dëshmitarit dhe familjes së tij.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 21 Janar 2016

 

Read More
20 Jan
0

PD në Komisionin e Edukimit dhe Medias i kërkon llogari qeverisë për Çulin, arrestimin e gazetarëve dhe problemet në arsim

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Janar 2016

 

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Edukimin dhe Mediat deputetët e opozitës Luciano Boçi e Bedri Hoxha sollën në debat aktin e padenjë të Ervin Culit, drejtor i Teatrit Kombëtar, i cili personalisht dhunoi dhe nxorri jashtë salle gazetarin e kulturës të një televizioni privat gjatë vënies në skenë të një drame. Një person i tillë me një skandal të tillë nuk mund të rrije më në këtë detyrë.

Këta deputetë përcollën shqetësimin për arrestimin e paligjshëm nga policia në Shkodër në 11 janar të gazetarit Kristian Troshani, reporter në një TV lokal dhe dhunimin e z. Enver Doçi, korrespondent i Neës 24 në Burrel në Dhjetor 2015 të gjatë një konference shtypi të Ministres së Arsimit Nikolla.

Deputeti Myqerem Tafaj kërkoi shpjegime për qartësimin e procedurave mbi pranimin e maturantëve në universitete ketë vjeshtë pasi keto ende nuk jane të publikuar nga ministria; objekte shqetësimi ishin edhe kompetencat e reja të bashkive mbi kopshtet e shkollat të cilat janë të paqarta dhe pa nje bazë ligjore të miratuar si dhe roli i një agjencie britanike të njoftuar nga Rama e Nikolla, në akreditimin institucional të universiteteve.

Komisioni do të kërkojë me sqarimet përkatëse me shkrim nga ministrat e qeverisë për këto çështje, fazën aktuale edhe pse ka gjashtë muaj që maturanët kanë përfunduar testimet, Ministria e arsimit nuk ka bërë publikë praktikat përkatëse.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Janar 2016

Read More
20 Jan
0

Uroj që gjeneratat e gazetarëve të edukuar nga pedagogu Bala do të dinë ta ruajnë amanetin e tij për t’i shërbyer të vërtetës

Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e Agron Balës. Ndarja e shpejtë dhe shumë e parakohshme nga jeta na ka hidhëruar thellë, ka hidhëruar thellë kolegët e tij, komunitetin e gazetarëve, pedagogët, publicistët, ndjekësit e tij anembanë.

Në këtë ditë dua ta përkujtoj si një njeri që i shërbeu gjithë jetën e tij të vërtetës, si kumti dhe misioni i gazetarit dhe të shpreh besimin se gjenerata të tërë gazetarësh të edukuar nga pedagogu Bala do të dinë ta ruajnë amanetin e tij për t’i shërbyer të vërtetës, për t’i shërbyer me devotshmëri publikut dhe qytetarëve pavarësisht prej kostos që kjo sjell në jetën personale dhe profesionale, kosto të cilën Agron Bala diti ta përballojë me dinjitet gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër por të ngjeshur në shërbim të gazetarisë, të vërtetës dhe publikut shqiptar.

U prehtë në paqe !


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Janar 2016

Read More
20 Jan
0

Fondi shëndetësor që mbikqyret nga Beqaj, dhjetra milionë lekë abuzime

Fondi i detyrueshëm shëndetësor, mbikqyret drejtpërdrejt nga Ilir Beqa, i cili është kryetar i bordit.
Ky institucion me në krye Ilir Beqën, është zhytur në një abuzim të paimagjinueshëm dhe miliona janë vjedhur në çdo drejtim; në kancelari, bileta, udhëtime jashtë, riparime makinash, blerje karburanti, organizime aktivitetesh, madje edhe për aheng.
Inspektorët e KLSH kanë kapur një dëm ekonomik në vlerën 5 milionë lekë në zërin rregullim makinash.
Dëmi ekonomik me karburantin është 10 milionë lekë.
51 milionë lekë është dëmi nga dietat për udhëtime jashtë vendit, me fatura të parregullta dhe fotokopje.
25 milionë lekë është dëmi i konstatuar në blerje kancelarie.
5 milionë lekë janë shpenzuar për kokteje dhe darka me muzikë live, dhe lloj lloj ahengjesh.
Ja pra si qeveriset ky institucion i kësaj qeverie, që mbikqyret drejtpërdrejt nga Ilir Beqa. Qindra milionë lekë të abuzuara që përfundojnë në xhepat e qeveritarëve me një babëzi skandaloze, me një hyxhym se kush të gllabërojë më shumë.
Këto akte ku përgjegjës është kampioni i korrupsionit Ilir Beqa, janë tashmë në Prokurori.
Partia Demokratike i bën thirrje të përsëritur Prokurorisë të veprojë. Të veprojë me shpejtësi, profesionalizëm dhe vendosmëri e të dërgojë para drejtësisë pa zvarritje të mëtejshme kampionin e korrupsionit  Ilir Beqa.


Deklarata për mediat e deputetes, Albana Vokshi, 20 Janar 2016

Read More
20 Jan
0

Mashtrimet e Çelës, për të mbuluar korrupsionin me miliona euro

Një investigim i fundit i medias, ka zbuluar se bleta punëtore e Edi Ramës, Ardian Cela, është në fakt një brumbull mashtrues.
Sic raporton media vetë shkresat zyrtare hedhin poshtë gënjeshtrat e kapobandës së OSHEE për të ardhurat në vitin e kaluar, të cilat nuk janë 59.4 miliardë lekë sa thotë bleta e Ramës, por janë 54.2 miliardë.
Ky është një mashtrim i përsëritur.
Edhe një vit më parë, është mashtruar me rritjen e të ardhurave, duke i deklaruar 16.5 miliardë lekë, kur në fakt ishin më pak se gjysma, 7 miliardë lekë.
Gënjeshtrat me miliarda lekë janë provë e vjedhjeve, e hajdutërisë, e korrupsionit, janë një përpjekje mjerane për të ushqyer propagandën e sukseseve të paqena të Edi Ramës.
Ky mashtrim bëhet nga OSHEE, nga banda e Edi Ramës që u merr jetën të pamundurve, me arrogance e me kërbaç, që shpërndan në mënyrë korruptive e klienteliste qindra milionë euro, paratë e gjakut të shqiptarëve, në xhepat e deputetëve e carapulëve të Edi Ramës.
Të dashur qytetarë ju e keni në dorë, të gjithë së bashku e kemi në dorë t’i japim fund mashtrimeve dhe vjedhjeve të OSHEE, Ardian Celës dhe shefit të tij Edi Rama, duke afruar ditën kur ai do të mbajë përgjegjësi deri më një para ligjit, për korrupsionin, dhunimin e të pamundurve, dhe vjedhjet skandaloze me paratë e gjakut të shqiptarëve.


Deklarata për mediat e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 20 Janar 2016

Read More
19 Jan
0

Komisioni i Ekonomisë, ndryshimi i aktit normativ provon evazionin dhe kontrabandën

Sot në Komisionin e Ekonomisë u diskutuan dy akte normative për ndryshimin e buxhetit.

Opozita kundërshtoi ashpër ndryshimet në aktin normativ ku reflektohet fakti që ka një mosrealizim të ardhurash prej 310 milionë dollarë për 11 mujorin. Këto të dhëna provojnë vjedhjet dhe kontrabanden në dogana e tatime, dështimin e aksionit anti- informalitet si dhe paaftësinë e administratës.
Rritja e taksave, presioni qeveritar e kerbaçi për bizneset e ndershme rezultoi në perkeqësimin e të gjithë treguesve të buxhetit.
Opozita kritioi ashper reduktimin e shpenzimeve për investime, përseri me 50 milione dollarë, që po reflektohet ne zero investime në infrastrukturë.
Rënia e të ardhurave, kryesisht të TVSH me 81 milione dollarë, tregon renien e konsumit qe reflekotohet si tek indeksi i çmimit të konsumit dhe tek ngerçi që ka kapur ekonominë.
Rënia e Shqipërisë në indeksin e Forbes dhe Doing Business, janë reflektimi me i qarte i efektit negative të politikave të qeverisë ndaj biznesit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Janar 2016

Read More
19 Jan
0

Seriali korruptiv i Beqës, qindra milionë lekë abuzime për spitalet private e klinikat jashtë

Skandalet dhe abuzimet e Ilir Beqës në shëndetësi janë të larmishme dhe në çdo fushë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për veprimtarinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2014, që gjendet në Prokurori, ka zbuluar zhvatje të milionave edhe në financimin e paketës shëndetësore për shërbime që kryhen në spitalet private.

Miliona lekë u janë dhënë spitaleve private, në mënyrë korruptive, pa zbatuar procedurat, pa zbatuar legjislacionin në fuqi (fq 43-46), pa një vendim te Këshillit Administrativ (fq 160), pra vetëm me urdhër gojor të Ilir Beqës.

Ja ku keni dokumentin e auditit.

Po ashtu, abuzime janë konstatuar edhe në rastet e dhënies së parave për trajtimet mjekësore jashtë vendit.

Kontrolli konstaton shumë raste, rimbursim i tyre është bërë në kundërshtim me vendimin e qeverisë nr 638 datë 1.10.2014.

Janë janë evidentuar më shumë 90 milionë lekë të dhëna në klinika për trajtime që ato nuk i kryejnë, apo për trajtime që janë kryer në spitale brenda vendit (fq 44) në kundërshtim me VKM-në. Mbi 60 milionë lekë janë rimbursime për trajtime në vite të mëparshme që nuk parashikohen fare në vendimin e qeverisë (fq 45-46). Gjatë pagesave, konstaton KLSH-ja, u gjenden edhe raste rimbursimi pacientësh që nuk jetojnë më. Pra, as të vdekurit s’i kanë kursyer për të vjedhur fonde.

Një kërdi me qindra milionë lekë që shpërndahen nga Ilir Beqa në miq e klientë, sipas interesave të tij, në kundërshtim me ligjin.

Një ditë më parë, ne bëmë publike pjesën e raportit që fliste për skemën kriminale të korrupsionit me rimbursimin e ilaçeve.

Përgjigja mjerane e Ilir Beqës, nuk kishte lidhje me faktet që ne publikuam dje, ai mashtroi për uljen me 30% të çmimit të barnave, apo furnizimin e vazhdueshëm me barna të spitaleve. Prej politikave Rama-Beqaj kompani serioze jane larguar e të tjera kanë paralajmëruar largimin. E megjithatë Beqaj pranoi se edhe pse miku e klienti i tij është i ndjekur penalisht, i ka ndërprerë kontratën me Fondin për abuzime marramendëse, ai vazhdon ti japë miliona në tendera barnash spitalore.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me shpejtësi dhe në mënyrë të plotë këto akte të rënda korruptive, këtë vjedhje të parave të shqiptarëve, të provuar me fakte e me dokumenta.

Dosja është në organin e akuzës dhe nuk duhet të ketë zvarritje për të nxjerrë para përgjegjësisë këtë hajdutëri kriminale, të kryer nga kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa.

Konkluzionet e KLSH  per trajtimin e pacienteve jashte vendit Konkluzionet e KLSh për mosmiratimin e kontratave tip për financimin e paketave të shërbimeve


Deklarata për mediat e deputetes, Albana Vokshi, 19 Janar 2016

 

Read More
19 Jan
0

Reforma në Drejtësi, me konsensus e bashkëpunim të palëve

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Eduard Halimi dhe Zëdhënësja e Grupit Jorida Tabaku, të shoqëruar nga Ekspertët e Opozitës për Reformën në Drejtësi, pritën në një takim Drejtoren për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian (EEAS) Znj. Angelina Eichhorst, me të cilën biseduan rreth Reformës në Drejtësi.

Që në fillim të takimit, z. Halimi e informoi zyrtaren e Bashkimit Europian mbi qëndrimin dhe vullnetin e Partisë Demoraktike, për të kontribuar në realizimin e një Reformë reale në sitemin e drejtësisë, bazuar në standardet e Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë reformë si jetike për vendin, në funksion të ndërtimit të një sistemi drejtësie me mekanizma të qëndrueshëm që të luftojë korrupsionin, por nga ana tjetër që garantojnë pavarsinë e sistemit nga politika.

Z. Halimi ndau shqetësimin me znj. Eichhorst mbi veprimet e mazhorancës për të përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me opozitën në realizimin e kësaj reforme, si dhe rrezikun evident që ekziston për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nëpërmjet amendamenteve kushtetuese të propozuara nga mazhoranca.

Z. Halimi u shpreh se pas daljes së Opinionit Paraprak të Komisionit të Venecias, Partia Demokratike kërkoi që të bëhej një draft i përbashkët bazuar në standardet e Venecias dhe se vullneti i mirë do tregohej në rast se do respektoheshin sërish të gjitha rakomandimet e Venecias. Mirëpo, kjo ishte e pamundur, për shkak se përsëri mazhoranca ndërtoi një proces të njëanshëm dhe dërgoi për mendim final në Komisionin e Venecias një draft të njëanshëm, që shmang rekomandimet e Venecias.

Znj. Eichhorst e konsideroi realizimin e Reformës në Drejtësi si një nga prioritetet kyçe për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe shprehu gadishmërinë për të ndihmuar në këtë proces. Ajo ndau të njëjtin mendim se palët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë në realizimin e këtij procesi, sipas të njëjtin model te aplikuar gjate procesit të miratimit te akteve ligjore dhe kushtetuese për dekriminalizimin.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Janar 2016

Read More
18 Jan
0

Drejtësia e reformuar dhe e pavarur: fundi i korrupsionit dhe pazareve të Edi Ramës

Të  nderuar deputetë,

Më lejoni ta filloj me urimet e mia më të përzemërta për gjithsecilin prej jush, për familjet tuaja, për këtë grup parlamentar, për të gjithë anëtarët, mbështetësit e Partisë Demokratike, opozitës anembanë vendit dhe për të gjithë shqiptarët në nisje edhe një here të këtij sesioni të ri parlamentar, i cili starton në  kohën kur  në rendin e ditës është  reforma  në drejtësi, e nxitur dhe e mbështetur  me përparësi edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.

Përveçse një domosdoshmëri për reformimin e sistemit  të drejtësisë në vend, reforma në drejtësi është edhe një prej detyrave  më të mëdha që Shqipëria ka  për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, si hapi që duhej të kishte pasuar prej kohësh marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Angazhimi i fuqishëm i Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, si i asnjë opozite në historinë e vendit, për të dhënë kontributin  e saj  dhe çuar drejt finalizimit një reformë gjithëpërfshirëse dhe plotësisht demokratike në drejtësi, i përgjigjet pikë për pikë vizionit tonë për një drejtësi të pastruar nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nga njëra anë dhe një drejtësi të pavarur e të pakapur politikisht nga ana tjetër, që vepron në bazë të ligjit dhe vetëm në bazë të ligjit.

Për vetë natyrën e saj, për  vetë rëndësinë e saj të jashtëzakonshme  në këtë  stad të zhvillimeve demokratike në vend, reforma në drejtësi duhet të  kishte qenë e duhet të jetë një provë e madhe pjekurie, urtësie dhe largpamësie e partive politike dhe lidershipit të tyre,  një manifestim  në një shkalle të re i  cilësive dhe aftësive shtetformuese  në vendin tonë  pas njëzet e pesë viteve liri dhe demokraci.

Fjala kyçe që i përmbledh gjithë këto kërkesa ka qenë dhe mbetet fjala konsensus. Konsensus jo vetëm rreth nevojës për ta bërë këtë reformë, por para së gjithash konsenus si shprehje e  bindjes së  brendshme të  palëve për të punuar sëbashku, për t’u marrë vesh, për t’u bashkuar rreth një projekti standardeve më të përparuara demokratike për drejtësinë,  të konsultuar dhe të vulosur nga ekspertiza ndërkombëtare e Komisionit të Venecias.

E gjithë kjo pritshmëri e lartë e qytetarëve shqiptarë por edhe e partnerëve  tanë ndërkombëtarëve është sfiduar deri më sot nga banaliteti dhe qëllimet e mbrapshta të Edi Ramës dhe kupolës së tij.

Edi Rama me kupola e tij janë investuar të shfrytëzojnë defektet e sistemit dhe domosdoshmërinë e reformës për ta kapur dhe jo reformuar drejtësinë.

Edi Rama dhe kupola e tij kanë tentuar dhe tentojnë akoma të shartojnë  vullnetin amerikan, vullnetin europian për reformimin e drejtësisë me konceptet e tyre  të vjetra, me mendësinë dhe planet e tyre oligarkike, me hilet e tyre të panumërta,  që lidhen në një pikë: Kapja e drejtësisë.

E dëshmuan draftin e parë që dërguan në Komisionin e  Venecias ku morën një mësim për t’u mbajtur mend: Mësimin se drejtësia partizane si kjo që kishte dhe ka në mendje Edi Rama me kupolën e tij nuk  pranohet nga Europa demokratike. Duhej të ishin skuqur, duhet të kishin ulur kokën por nga një  vesh u hyri dhe nga tjetri u doli.

E dëshmuan sërish, për turp dhe faqe të zezë, me draftin e ripunuar parafabrikat,  të përgatitur prej tyre në mënyrë të njëanshme, ku jo vetëm nuk reflektohen vërejtjet dhe sugjerimet thelbësore  që bëri Komisioni i Venecias, por ka përpjekje për ta bërë edhe më keq.

Ne e dimë si grup parlamentar më mirë se kushdo tjetër se Edi Rama e urren konsensusin. Mandati i tij është shënuar që prej fillimit nga shkallmimi i ligjit konsensual për “Nëpunësin civil”. Por ne nuk i braktisim vlerat dhe parimet të cilat besojmë sepse i urren kundërshtari.

Ndaj ngulmuam dhe do të vazhdojmë të ngulmojmë, investuam dhe do të vazhdojmë të investohemi deri në fund për  konsensus bazuar në sugjerimet e Venecias.

Konsensusi zhduk pazaret, konsensusi zhbën shantazhet e Vilës 30 apo 31. Konsensusi që kërkon Komisioni i Venecias është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike.

Edi Rama, ky usta i pazareve dhe shantazheve me të drejtë i druhet kësaj.

Sepse drejtësia e pakapur do të ishte në ballë e jo në bisht të hetimit të aferave koruptive si vjedhja e shekullit me CEZ-in 600 milionë euro, mega-aferat me mbi 360 milionë euro koncesione dhe tendera për papulët dhe carapulët, nushët e beqët. Vjedhjet mbi 777 milionë euro në tendera, dhe mbi 400 milionë dollarë në dogana vetëm gjatë vitit që lamë pas..

Drejtësia e pakapur do të ishte në anën e Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, Bruna Mekës, Mark Brahimajt, Fluturim Cukut dhe qindra, mijëra shqiptarëve që korrupsioni, padrejtësia, arroganca e qeverisë dhe bandave të Edi Ramës ua nxin jetën përditë duke i shtyrë drejt dëshpërimit, depresionit dhe arratisë.

Drejtësia e pakapur do të ishte problem i madh për prengët, ndokët, për bushët, për roshët, për pecët, për ndonët e cubat e Edi Ramës, për kokëdhimët, tahirët, beqajt, ahmetajt e gjiknurët si dhe për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve.

Drejtësia e pavarur është me një fjalë fundi i lojës për Edi Ramën. Prandaj ai po bën çdo përpjekje që të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën.

Shqiptarët e dinë e duhet ta dinë: Ne e kundërshtojmë kapjen e drejtësisë nga  ekzekutivi  për sot dhe për nesër, për qeverinë e kundërshtarëve tanë sot,  për qeverinë tonë nesër dhe për çdo qeveri që do të vijë në këtë vend.

Ky nuk është  thjesht angazhim me fjalë. Ne kemi qenë aktivë dhe jemi bërë akoma më aktivë me vërejtjet dhe opinionet tona.

Ne po bashkëpunojmë dhe do të bashkëpunojmë intensivisht me partnerët  tanë dhe me Komisionin e Venecias për një reformë të nevojave shqiptare dhe standardeve më të përparuara demokratike europiane.

Ne jemi të vetëdijshëm se do të bënin tradhtinë më të madhe  ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë nëse do të lejonim  vënien e drejtësisë nën sundimin e pushtetit politik, pra shkatërrimin e plotë dhe përfundimtar të drejtësisë, siç e ka projektuar Edi Rama me shokë në dy draftet  e deritanishme.

Përballë qëndrimit  të vendosur dhe parimor të Partisë Demokratike, Edi Rama ka lëshuar megafonët e tij që po trumbetojnë gjithandej “si mund ta kapë ai drejtësinë kur ka vetëm 65 deputetë”!

Ne kemi  parë draftin e tyre para numrave. Drafti i tyre i padit ashiqare se nuk kanë në mendje asgjë tjetër përveç vënies së gjithë sistemit në  vartësi të kryeministrit. Nëse rrimë te numrat,  do të shohim se  me marifetet  e tyre juridike edhe zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kanë parashikuar  me shumicë të thjeshtë, pra me 36 deputetë.

Por  nuk mbaron këtu. Rama dhe Meta, kanë mosmarrëveshjet e luftës së tyre brenda llojit, në kuadrin e rivalitetit për ndarjen dhe konservimin e llokmave të pushtetit. Mosmarrëveshjet e tyre nuk kanë qenë dhe nuk janë parimore, pavarësisht veshjes së jashtme. Ata kanë treguar se merren vesh në çast, pra i bashkojnë numrat, sapo ua kërkojnë interesat e tyre, që i mbivendosen sistematikisht interesit publik.

Ne as  varemi dhe as i maturojmë qëndrimet tona në  bazë të  humoreve të tyre.

Ndaj duke ndjekur më vëmendje zhvillimet dhe si faktor përcaktues në zhvillimet politike të vendit, ne kemi zgjedhur konsensusin rreth platformës së  Venecias.

Sot ekspertët tanë në bashkëpunim me anëtarë të komisionit për Reformën në Drejtësi të cilët dua ti përgëzoj të gjithë sëbashku nën drejtimin e z.Halimi kanë përfunduar dhe paraqitur në Kuvend opinionin e opozitës që do të dërgohet zyrtarisht në Komisionin e Venecias.

Çdo forcë politike kundërshtare që mbështet në qëndrimet e saj gjithpërshirjen dhe konsensusin bazuar në opinionin e Venecias i shërben zgjidhjes, i shërben reformës dhe përshëndetet prej nesh. Qoftë PS, LSI a çdo parti tjetër.

Do të ishte absurde që ne të bënim ndryshe dhe këtu merr përgjigje edhe fushata primitive, sigurisht e instrumentalizuar sigurisht,  rreth të ashtuquajturit afrim të PD-së me LSI, meqenëse kjo e  fundit ka refuzuar, ashtu si dhe ne, draftin e njëanshëm të Ramës, dhe po kërkon konsensus dhe përfshirjen e opozitës.

Ne e përshëndesim këtë qëndrim të LSI-së. Do të donim që PS të vinte sa më shpejt te i njëjti qëndrim  si  rrugëzgjidhja e vetme për t’i hapur  rrugë reformës.

Të punojnë sëbashku për reformat e mëdha, të përqafojmë konsensusin, siç bëmë me ligjin e dekriminalzimit- kjo është një vlerë e kulturës moderne politike. Por kjo nuk do të thotë zhdukje e dallimeve politike e aq më pak pazar.

Sa i takon zgjedhjeve Partia Demokratike është përgatitur, po përgatitet dhe do të  të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta  në aleancën me të gjerë  të mundshme me elektoratin shqiptar, me partitë politike dhe faktorët e opozitarimit pa përjashtim.

Rama-Meta janë qeveria, ne jemi opozita.

Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia

Ata janë  dështimi, ne jemi alternativa.

Ata janë fundi i kazanit të tranzicionit, ne jemi demokracia e re, demokracia normale e vlerave Europiane.

Të nderuar deputetë,

Viti 2016 është vit i intensifikimit të aksionit tonë politik për largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e reja politike.

Kjo zgjidhje, zgjidhja jonë, po rrit mbështetjen dhe jehonën e saj dita ditës,  teksa bie e s’ka të ndalur besimi se kjo qeveri mund të sjellë ndonjë ditë të bardhë.

Ky vit parashikohet të jetë akoma më i keq për ekonominë kombëtare dhe familjare të shqiptarëve.

Verdikti i ekonomisë, të cilin  e kemi lexuar drejt që prej fillimit të  mandatit të  qeverisë, është ky: Së më gjatë ta lemë në duart e bandës së hajdutëve dhe amatorëve që qeverisin vendin, aq më keq do të jetë për të gjithë ju.

Sot këtë verdikt, kanë mundësi ta dëgjojmë me zërin e një mali me prova e fakte të gjithë shqiptarët pa përjashtim: Çdo ditë  me  ketë qeveri është t’i japësh kohë korrupsionit dhe krizës së gjithanshme që ka shtrënguar e do të vijojë të shtrëngojë në darët e falimentimit, përkeqësimit dhe varfërisë shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve, shumicën e  qytetarëve.

Rama  me  bandën e tij ka kohë që nuk qeverisin. Ashtu si paraardhësit e tyre  që e mbyllën sundimin e tyre në vendin me të varfër të  planetit duke blerë dekorata ndërkombëtare të mirëushqyerjes dhe mirëqenies, ashtu edhe pasardhësit e tyre, në mënyrën më  cinike, janë lëshuar të blejnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë autolëvdata dhe dekorata kallp  alla ahmetaj.

Së fundi dhanë qindra milionë lekë që të vetreklamohen si reformistë në revistën  e njohur “The Economist”, për t’ia lexuar pastaj popullit sikur këtë  vendim të lartë për Ramën dhe Ahmetajn e paska vetë revista!

Nuk do të ngrinim zërin për këto para po të ishin dhënë për të reklamuar resurset turistike të vendit a diçka të ngjashme. Por këto para të hedhura në erë kot, për mashtrim të opinionit publik përveç abuzimit të paturpshëm Rama, Ahmetaj, Beqja, Tahiri dhe banda e 40 hajdutëve me radhë, i besojnë si indulgjenca dhe zgjasin dyfish dorën e korrupsionit dhe abuzimeve. Ajo që e pëson gjithnjë ekonomia. Ata që  pësojnë janë gjithmonë qytetarët.

Ne kemi bërë e do të bëjmë çmos ta largojmë këtë qeveri. Ky është misioni i opozitës, ky është misioni i qytetarëve.

Me  të drejtë njerëzit  thonë: Rama-Meta e kanë mbushur kupën,  por çdo të sillni ju, cili është programi juaj?

Kemi kohë që avancojmë pjesë të alternativës tonë në opozitën që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë.

Dje, ka marrë formë programi paraprak që do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me grupin parlamentar së pari dhe pastaj me grupet e interesit.

Programi i Partisë Demokratike i përgatitur nga departamentet e Partisë Demokratike me ndihmë të vyer dhe te shquar të partnerëve tanë dhe partive simotra është oferta për shqiptarët që parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimulim ekonomik, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.

Taksat e ulëta, zbritje e TVSH-së në nivelin 15 përqind, futja e taksës së sheshtë më të ultë në Ballkan në nivelin 9 përqind, janë disa nga elementët e bërë tashmë publikë, elementë që do ta japin ekonomisë kombëtare dhe familjare impulset e shumëpritura pozitive dhe do të sigurojnë rritje ekonomike, punësim dhe paga më të larta.

Deri në fund të muajit do të bëhet edhe konsultimi final me ekspertë dhe specialistë të fushës, për t’i pasuruar më tej këto dokumenta me ekspertizën dhe idetë më të mira. Dhe në muajin shkurt, programet e përgatitura nga secili prej 22 departamente në Partinë Demokratike do t’i nënshtrohen diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo mendimi, qëndrimi dhe opinioni të vlefshëm.

Më pas  programi i ri i Partisë Demokratike, alternativa jonë për qeverisjen e re do të shpallet e do të diskutohet me qytetarët anembanë vendit.

Le të nisemi pra të nderuar anëtarë të grupit parlamentar në detyrën tonë për reformën konsensuale në drejtësi, për largimin e qeverisë së dështimit, korrupsionit dhe inkriminimit dhe për një vit të shpresës së re për mbarë shqiptarët.

Faleminderit !


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 18 Janar 2016

Read More