Fjala e z.Kosova në takimin përmbyllës të fushatës në Njësinë 10
Të dashur miq
Ky shesh, ky entuziasëm flet shumë.
Jam i lumtur të jem mes jush, dhe sa më shumë shprehni mbështetjen tuaj, aq më shumë rritet përgjegjësia ime që të jem në shërbimin tuaj nesër, të bëj gjithçka për të përligjur këtë entuziasëm, këtë mikpritje që më bëni.
15 qershor sot.
Pas 6 ditësh kemi takimin tjetër të rëndësishëm. Në kutinë e votimit.
Eshtë një ditë e historike miqtë e mi, dhe ju do të bëni një ndryshim të madh në Tiranë.
Ne duam të jetojmë demokracinë çdo ditë, dhe ky është momenti.
Projekti im është transparenca, integriteti, ndërshmëria, lufta ndaj korrupsionit, dhe komunikimi i përditshëm dhe i drejtpërdrejtë me ju. Do të pyeteni për çdo gjë. Bashkia është pushteti juaj.
Eshtë shumë e thjeshtë.
E kam thënë edhe më parë. Unë nuk hyra në këtë garë që të bëhem qytetari i parë. Nuk hyra që të krijoj një distancë me ju. Unë vij nga ju, nga kontakti i përditshëm me ju, jam një nga ju, dhe do të jem një qytetar si ju. Nuk ka hierarki e ndarje mes nesh.
I djahtë, i mjatë, i qendrës, i paparti, kushdo qofsh, banor i këtij qyteti, kudo ku banon, në njësinë 10, në njësinë 9, në fshat apo në qytet, në gjithë territorin e Tiranës, po e them sot këtu se; je partneri im. Konsideroj çdo qytetar të barabartë në të drejta e përgjegjësi dhe do jem çdo ditë në krahun e secilit për të shërbyer.
Unë kam një projekt konkret me pesë pika kyçe, prioritete që kanë lindur nga komunikimi i përditshëm me qytetarët.
Ujë 24 orë, shkolla të reja e përmirësim i atyre ekzistuese, rrugë e trotuare, qytet të pastër e higjenik, ulje taksash për biznesin dhe krijimi i vendeve të punës.
Programi është i detajuar, i hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë të fushës. Tirana sipas meje nis tek dera e shtëpisë. Ndërhyrjet do të ndikojnë në cilësinë e jetës në rrugën e në lagjen tuaj.
Programi është pjesë e kontratës tonë, dhe duhet ta dini miqtë e mi se nuk kam pranuar të vendos atyre gjëra të parealizueshme. Që në këtë moment ka nisur marrdhënia jonë e re.
Unë e di se ju nuk keni vuajtur për të parë e dëgjuar premtime. Madje keni dëgjuar më shumë se sa duhet sidomos dy vite më parë. Problemet e vuajtjet vijnë nga fakti se këto kthehen ne letra e retorikë. Po unë nuk jam pjesë e kësaj bote politikanësh. Kam treguar se kur vendos objektiva, e caktoj standarde, unë u rri punëve mbi kokë, dhe asgjë nuk më ndalon ti çoj gjërat deri në fund.
Kam prezantuar në njësinë tuaj planin e detajuar pak ditë më parë, siç kam bërë në çdo zonë të Tiranës. Ju kam ftuar, dhe ju ftoj sërish, mbani shënime dhe më kërkoni llogari. Kërkoni llogari, rrisni pretendimet e drejta që keni, mos heshtni. Unë mirëpres cdo kërkesë, cdo ankesë, dhe mirëpres edhe protestën tuaj, nëse ju shkelen të drejtat.
Ju ftoj ta konsideroni buxhetin e Bashkisë si buxhetin e familjes tuaj. Bashkë do ti bëjmë llogaritë. Do të dini në çdo moment se sa shpenzuam, për cfarë i shpenzuam, ku shkuan paratë. Në dritë të diellit, në transparencë të plotë.
Unë e kam parë në çdo ditë të kësaj fushate, e kam kuptuar se ju e keni marrë vendimin për të sjellë në Bashki një menaxher të sprovuar, që nuk harxhon asnjë minutë të kohës për kalkulime politike, për interesa miqsh, e për karrierë.
Unë besoj pafund, se Tirana e ka pritur kandidatin me integritet. Tirana e ka pritur kandidatin që për 35 vite në kontakte të përditshme me qytetarët nuk ka pranuar të marrë një herë të vetme, diçka të vetme, në këmbim të shërbimit.
Tirana e ka pritur ofertën e ndershmërisë. Sepse tiranasit janë të ndershëm, janë punëtorë, kanë dinjitet. Tirana do punën e jo fjalët.
Kjo është lidhja më e fortë që kam unë me qytetarët e mi. Kjo është lidhja që do të mbajë bashkë. Nuk ka çmim që e prish këtë lidhje mes meje dhe banorëve të Tiranës. Thjesht ka ardhur momenti që këtë marrdhënie të fortë që kemi, ta zyrtarizojmë. Ta sjellim në fuqi me 21 qershor.
Lidhja jonë është e vërtetë, nuk ka nevojë për spote e postera që bëhen me paratë, mundin e djersën tuaj. Fitorja jonë është e përbashkët.
Pas 5 ditësh.
Të majtë e të djathtë
Burra e gra
Të rinj e të reja
Për Tiranën e punës e jo të fjalëve
Për Tiranën me ujë 24 orë
Për Tiranën e gjelbër e higjenike
Për Tiranën me taksa të ulëta
Për Tiranën me rrugë e trotuare
Për qytetin tonë të mrekullueshëm
Ju faleminderit
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Qershor 2015
Read More