Blog

14 Qer
0

Duma: Do më keni mbrojtësin kryesor të pronës dhe legalizimeve

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma shpalosi programit në zonën e ish Kënetës. Duma tha se si kryebashkiake do të jetë mbrojtësja e pronave të tyre ndërsa u shpreh plani i saj integron të gjitha ndërtimet.

“Legalizimi nuk mjafton të themi që ta lemë siç është gjendja reale. Unë mendoj që nëse zona sot ka një godinë 3 apo 4 kate dhe nëse ka mbi 50 % godina të kësaj lartësie, edhe ai që e ka shtëpinë 2 katëshe, me perspektivën e zonës që do miratohet deri në 4 kate, unë mendoj që duhet dhënë leja për 4 kate dhe kur të vijë radha le ta bëjë 4 kate, por e dimë që këtij procesi nuk do i kthehemi më dhe biem rehat njëherë e mirë. Në projektin tonë nuk ka shembje, por vetëm axhustim. Kur ju them këtë të jeni të bindur që nuk do të ketë më frikë nga pushteti. Prandaj do të më keni mbrojtësin kryesor të pronës tuaj”, tha Duma.

Shqetësimit kryesor të zonës, Duma tha se brenda një viti e 8 muaj do të zgjidhjet çështja e kanaleve dhe do zgidhet përfundimisht furnizimi me ujë të pijshëm. Po ashtu, Duma tha se do ti shpallet luftë papunësisë për të pasur së paku nje person nga çdo familje të punësuar.

“Në një vit e 8 muaj do të kemi zgjidhur të gjithë problemin e kanalizimeve kudo që e keni ju nepërmjet fondit të miratuar prej 85.7 milionë dollarësh i cili zgjidh përfundimisht problemin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe ujit të pijshëm. Papunësisë do ti bëjmë luftë frontale. Një person në çdo familje do të jetë i punësuar. Ky do të jetë rezultati absolut pas katër viteve mandat. Kushdo i ri që hap një biznes të ri dhe punëson dy veta ka taksa zero për 3 vite dhe çdo kompani që punëson mbi 10 të rinj do të ketë subvencion të paketës sigururuese nga ne”, tha Duma.

Kandidatja e djathtë u shpreh më tej se zhvillimi nuk do të jetë më vetëm beton por do të respektohen të gjithë parametrat.

“Kudo që ne shkojmë shikojmë vetëm beton tek plazhi dhe detin nuk e shikojmë askund. Ajo që do të na ndodhë në zhvillim tonë 4 vjeçar do të jetë kjo situatë ku do të respektohet bluja e detit dhe bregdeti, do respektohet gjelbërimi si një fashë e detyruar së largësisë nga deti”, u shpreh Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Do të jemi mbrojtës të pronës së qytetarëve të Kavajës

Në fshatin turistik të Qerretit, kandidati i djathtë Engjëll Cara, deklaroi para banorëve, se prioritet në këtë zonë do të jetë turizmi. Premtimi i parë i z. Cara është spastrimi i bregdetit të Qerretit nga vilat dhe gardhet qeveritare, që kanë uzurpuar plazhin e Qerretit.

” Në mënyrë të vendosur, do të largojmë gardhet qeveritare. Territori i plazhit është për banorët e këtij fshati në rradhë të parë”, tha Cara.

Më tej z. Cara u ndal tek një tjetër tematikë shqetësuese për banorët e këtij, siç është përroi i Leshniqes, i cili është i bllokuar dhe shpesh mbyt tokat e fermerëve.

“Gangrenë është bërë përroi. Në vitin e parë do të pastrojmë përroin e Leshniqes”.

Duke qenë që kjo zonë jeton me bujqësinë dhe turizmin, z. Cara, deklaroi se gërshetimi i këtyre dy elementëve do të sillte zhvillim për zonën.

“Sigurisht që kjo zonë, krahas bujqësisë ka dhe turizmin. Të dyja bashkë, gërshetimi i bujqësisë dhe turizmit. Infrastruktura për turizmin. Sistemimi dhe kontrolli i territorit janë dy gjëra shumë të rëndësishme për këtë komunitet këtu dhe për komunitetin e pjesës bregdetare që përfshin Bashkia e re e Kavajës, nga Përroi Agait deri tek Plazhi i Gjeneralit”

Në mbyllje të fjalës së tij z. Engjëll Cara, i bëri thirrje kundërshtarit të tij politik, që të mos provokojë dhe dhunojë pronën e qytetarëve të Kavajës.

“Gjej rastin këtu, Ervin Rroshit, Enver Rroshit, Artur Rroshit, Elvis Rroshit, Gent Dajës apo dajës së Gentit, ta mendojnë mirë, në momentin që bën më të voglin provokim apo dhunon pronën e çdo qytetari dhe banori të Bashkisë së re të Kavajës ta dijë mirë se më 22 drejtësia do të merret me ta”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 14 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Basha: Vendosni me votë, të ndalim të keqen, të ulim çmimin e energjisë dhe taksat, të rrisim punësimin

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi takime me banorë të Klosit dhe Bulqizës. Dëshpëruese e ka cilësuar zoti Basha përpjekjen e dyshes Rama – Meta për të diktuar përmes presionit dhe terrorit votën e 21 qershorit. Shqiptarët, tha zoti Basha e kanë zgjedhur rrugën e tyre, duke i thënë jo mashtrimit, jo terrorit, jo dhunës, do të votojnë për projektin e shpresës dhe zhvillimit.

“Po në cilën demokraci vendos presioni, në cilën demokraci vendos terrori? Vetëm në diktaturë, po diktaturë nuk do të ketë! 21 qershori është festa e demokracisë, betejën e 21 qershorit nuk e vendosin të korruptuarit, nuk e vendosin banditët. Fatin e 21 qershorit e vendosni ju me votën tuaj. Është votë për të hequr kërbaçin nga dora abuzive e qeverisë, pra është votë për punë, është votë për dinjitet. Jepjani votat platformës sonë, sepse para se të jetë platformë politike është platforma e shpëtimit, është platforma e bukës së gojës, është platforma e punës dhe dinjitetit për çdo banor e banore të Klosit dhe Shqipërisë!”

Dyshja Rama – Meta, tha zoti Basha nuk përballet dot me qytetarët të cilët i mashtruan, u morën votën dhe pastaj i varfëruan, u shkatërruan pronën dhe i detyruan të marrin rrugët e emigrimit. Premtuan 300 mijë vende pune por mbyllën mijëra vende pune, premtuan ulje taksash po i rritën ato, premtuan ulje të çmimit të energjisë po e rritën atë, – tha zoti Basha. Kjo është arsyeja, theksoi kryetari i Partisë Demokratike që dyshja Rama – Meta ka frikë nga vota e popullit, nga ndëshkimi i tyre.

“Vota juaj është ligji suprem, vota juaj është ligj i ligjit. Bëjeni ligjin me votën tuaj, në 21 qershor. Votoni për PD, votoni për uljen e menjëhershme të çmimit të energjisë me 25%, faljen e kamatë-vonesave, uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, rritjen e rrogave e pensioneve, uljen e menjëhershme me 20% përmes eliminimit të TVSH, të mallrave të shportës, të miellit, orizit, sheqerit, vajit, qumështit,  bukës, sepse kohët janë mjaft të vështira për shqiptarët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ka nevojë për shpresë e shpëtim të menjëhershëm.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Reagim  me votë, për të ndryshuar Vlorën e madhe

Genc Deromemaj, prezanton programin në Novoselë

Një takim i jashtëzakonshëm u bw prezantimi i programit për zonën e Novoselës, nga Kandidati i Aleancës Popullore për Punë e Dinjitet, Genc Deromemaj.

Takimi është çelur nga kryetari i PD-së, Dega Vlorë Moisi Meminaj, i cili u kujtoi banorëve të Novoselës, neglizhencën që qeveria dëshmoi ndaj tyre edhe në ditën e hallit, atë të përmbytjeve. Për këto e shumë të tjera ne nuk e shesim votën tha Meminaj.

Genc Deromemaj, shpalosi në detaje të gjitha prioritet për zonën e ish komunës Novoselë, nga infrastruktura te ndihmat sociale, nga Bujqëisa te strehimi, nga arsimi te shëndetësia, duke ju kërkuar këtyre banorëve votën për të ndryshuar, për të dëbuar ata që vetëm po e dëmtojnë Novoselën dhe vendin, tha Deromemaj.

Ne vijmë me alternativë konkrete, tha Deromemaj, e mbi të gjitha kemi përkushtim dhe vullnet, për këtë ai kërkoi votëbesimin.

Kandiati Deromemaj prezantoi programin edhe për Rajonin nr. 3 në një atmosferë mjaft entuziste. Ai premtoi se infrastruktura do të jetë priroitet i 100 ditëve të para. Duke nisur me rikualifikim të disa blloqeve të banimit, përshfi këtu bllokun e ish fabrikës së orizit. Deromemaj tha se taksat do t’ju kthehen qytetarëve nëpëmjet investimeve.

“Ne nuk do të bëjmë punë sa për fushatë, – tha Deromemaj, – ne do të bëjmë projekte të plota me cdo element që përkon me një rrugë të standarteve,” – saktësoi ai.

Shërbimi urban është një tjetër mangësi e madhe e këtij qyteti, pas 21 qershorit do të jetë efikas. Përpos shtimit të linjave, ndalesave do të jetë prioritare që cdo qytetar që ka ne vojë për këtë shërbim ta marrë atë në kohë.

Nga Rajoni 3 Genc Deromejaj, riftoi sërish kandidatin socialist për ballafaqim të programeve dhe alternativave. Sipas Deormemaj, ky nuk është vetëm detyrim i kësaj fushate, por është një standard që çdo aspirant për administrator i qytetit, i detyrohet qytetarëve të tij.

Në takimet në fshatrat Babiocë, Alikokë, Trevllazër, etj.Deromemaj pasi prezantoi projektet konkrete, të cilat do të japin zgjidhje problematikave që ka çdo zonë e bashkisë së re të Vlorës, ai tha se kandidati i majtë, përpos që nuk e njeh Vlorën, bën premtime që nuk qëndrojnë e s’janë kopetencë e kreut të bashkisë.

Deromemaj ka marrë garancinë nga shumë familje e banorë të këtyre zonave se këtë herë do të votojnë njeriun e punës dhe projekteve konkrete, pasi sipas tyre e majta nuk e ka ngritur gishtin për këta banorë duke i lënë në varfëri e mjerim.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

 

Read More
13 Qer
0

Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani

Ndërkohë që po lexoja letrën e hapur të mikut dhe kolegut tim, Astrit Patozi ku ai fliste për vrasje të zgjedhjeve dhe zgjedhësve në Vorë, më bie zilja e telefonit. 
Kryetari i degës së Partisë Demokratike Delvinë, më njoftuan se drejtuesi i fushatës së kandidatit të PD-së, Pandi Zhonga është kërcënuar me jetën e tij dhe të fëmijëve nga Fatos Llalla. Ky i fundit aktualisht Drejtor i zyrës Arsimore Delvinë dhe sigurisht familjar i kandidatit nga LSI.
Terrori i njerëzve të LSI-së në Delvinë ka ditë që u prish rrjedhën normale të jetës, njerëzve të varfër të këtij qyteti. Drejtorat e emëruar nga LSI, sigurisht ish-trafikantë droge, pasi janë kujdesur të pushojnë masivisht nga puna familjet demokrate, sot janë duke drejtuar dhunimin e çdo individi që ata mendojnë se nuk i voton.
Delvinjotët ashtu si edhe sarandiotët që nuk ua kursen dhunën, presionin, largimin nga puna, pasha Koçua, janë të vendosur të përdorin votën e tyre për t’i kthyer kusurin këtyre banditëve.
Po bëjnë gjithçka për të manipuluar zgjedhjet, në Durrës, Kavajë, Vorë, Shkodër, Delvinë e Sarandë. Kanë gjunjëzuar institucionet e pavarura dhe drejtësinë, kanë blerë, korruptuar dhe dhunuar mediat, kanë trembur dhe mbyllur bizneset, presojnë administratën shtetërore etj etj. Duket sikur reja e zezë e diktaturës po mbulon vendin. Është detyra historike e opozitës dhe e Partisë Demokratike që të ringjallë frymën e protestës popullore, me votë dhe mjete demokratike për të shpëtuar vendin nga kjo mënxyrë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Po na i vrasin para syve tanë

Letër e hapur

Drejtuar:

Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani

Kryeministrit, z. Edi Rama

Kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha

Ambasadorit të SHBA-së, në Tiranë, z. Donald Lu

Ambasadores së BE-së në Tiranë, zonjës  Romana Vlahutin

Shefes së Misionit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 21 qershorit, zonjës Andrey Glover

 

Për dijeni,

Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla

Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri

Kryetares së KQZ-së, znj. Lefteri Luzi

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Nuk kisha shkruar kurrë më parë një letër të hapur dhe pata menduar se do ta ngrysja jetën pa e provuar kurrë një gjë të tillë. Por vendosa  ta bëj këtë për të ndarë me ju një problem të madh për vendin, të cilin e konsideroj po kaq të rëndësishëm edhe për publikun e gjerë. Ndaj edhe vendosa t’Ju drejtohem, duke Ju konsideruar, secili në rolin e vetë, sa përgjegjës, aq edhe të interesuar për mbarëvajtjen dhe suksesin e zgjedhjeve të 21 qershorit.

Po Ju shkruaj, jo thjesht në cilësinë e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe atë të një personi publik, i cili herë si vëzhgues (gazetar), e herë si protagonist, ka qenë dëshmitar i të gjitha fushatave elektorale, që janë zhvilluar në Shqipëri, që nga viti ‘91 e këtej. Mos mendoni se në letër është harruar kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, porse mungesa e tij këtu ka lidhje të drejpërdrejtë me thelbin e problemit.

E ndjej si detyrim t’Ju informoj, se këto ditë të nxehta të fushatës, vetëm 13 km nga qendra e kryeqytetit, është duke u konsumuar  mu para syve tanë, më së paku një krim i frikshëm elektoral. Bëhet fjalë për bashkinë e Vorës, njëra ndër më të voglat për nga popullsia, territori, por ndoshta edhe nga rëndësia, në të 61 njësitë e reja administrative të vendit, ku prej javësh dhe ditësh mbizotëron një atmosferë lufte. Aty kandidon kryetari aktual i bashkisë së Vorës, si përfaqësues i opozitës, dhe një kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka me dhjetëra prova dhe indicie, që të çojnë në përfundimin se pas kësaj klime mbytëse për zgjedhje normale, qëndron kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në krye të një operacioni gati ushtarak, ku spikat sidomos administrata shtetërore e LSI-së, që ka braktisur zyrat në Tiranë dhe është instaluar e gjitha në Vorë.

Dhe për të qenë më konkretë. Ka një presion permanent mbi votuesit e opozitës, i cili shkon nga goditjet fizike, e deri tek kërcënimet nën tytën e armëve . Por shqetësimi më i madh qëndron në faktin se policia është tërësisht e përfshirë në fushatën e njërës palë, dhe më e rënda fare, se ajo është pothuajse gjithmonë e koordinuar, dhe në shumicën e rasteve në një bashkëpunim të hapur me kontigjente të krimit të organizuar. Janë me dhjetëra rastet, kur personat kërcënohen nga individë me precedentë penalë, dhe fill pas kësaj, thirren në stacionin e policisë së Vorës apo në komisariatin nr. 6 në Tiranë. Vlen të saktësohet se policia thërret çdo natë aktivistë të opozitës, pa asnjë arsye, ose për motive nga më banalet, të cilat nuk mund të përdoren kurrë si justifikim nga një shtet ligjor. Ka të dhëna të besueshme nga burime të mirëinformuara, se është vendosur të ketë raprezalje dhe arrestime të mbështetësve të Partisë Demokratike, sidomos në ditët e fundit të fushatës.

Qytetarët e dhunuar ankohen për shefin e komisariatit nr.6, Bujar Laze, shefin e stacionit të policisë Vorë, Tonin Laska dhe inpektorin e krimeve, Përparim Zenuni, që shquhen për veprime arbitrare dhe të hapura në favor të mazhorancës. Shefi i komisariatit nr.6, i cili edhe orgjinën është zgjedhur ta ketë nga vendlindja e z. Meta, ka braktisur thuajse çdo detyrim tjetër dhe është instaluar personalisht në Vorë, ndonëse territori, që mbulon është shumë më i gjerë, dhe shtrihet edhe në bashkinë e re të kryeqytetit.

Janë me qindra dëshmitarët që denoncojnë se banditë të armatosur qarkullojnë nga mëngjesi deri në darkë, me makina të blindura dhe me xhama të zinj, në të gjitha fshatrat e bashkisë së Vorës.  Madje “selinë e tyre qëndrore” e kanë pikërisht në lokalin, ku për disa ditë u vendos posteri i vetë kryetarit të Kuvendit, a thua se Ilir Meta kandidonte për kryetar bashkie. Në disa raste ata kanë guxuar të kërcënojnë edhe shtabet e kanditit të opozitës, menjëherë pas takimeve elektorale. Vetëm qetësia e këtyre të fundit e ka shmangur deri tani konfrontimin e ashpër, por mendoj se nuk ka asnjë garanci  që të mos ketë incidente të rënda në të ardhmen.

Forcat e komisaraitit nr.6, të cilat janë superaktive në ndalimin dhe thirrjen e përnatshme të aktivistëve të Partisë Demokatike, nuk vijnë as të shoqërojnë  takimet zyrtare të kandiatit të opozitës, ndonëse është detyrim i tyre të garantojnë sigurinë. Këtë nuk mund ta them për policinë e komisariitit të Kamzës, e cila shoqëron rregullisht sa herë Partia Demokratike ka takime elektorale në zonën e komunës së Bërxullit, që përfshihet në juridiksionin e saj.

Duke parë këtë përshkallëzimin dramatik të situatës para ditës së votimit, druaj shumë se më e keqja ende s’ka ndodhur, ndaj shpresoj se dikush apo disa prej jush do të bëjnë diçka për të evituar ngjarje me pasoja të rënda.

Në Vorë, Bërxull dhe Prezë ka prej dy muajsh një përfshirje jashtë çdo përfytyrimi të admistarës shtetërore në fushatë, dhe për të qenë të drejtë, ka një dispoporcion të madh në agazhimin e dikastereve dhe të autoritetve që përfaqësojnë Partinë Socialiste, në raport me ata të LSI-së. Ndonëse janë thjesht dhe vetëm zgjedhje lokale, këta të fundit janë kaq të eksituar dhe agresivë, sikur Vora të ishte Palestina e tyre. Në ballë të tyre qëndrojnë detashmentet e Ministrisë së Bujqësisë dhe ato të AKU-së, por presione të hapura bëhen mbi çdo nëpunës shtetëror, mbi mësuesit, mjekët dhe infermierët, të cilët, përveç votës për LSI-në, janë të detyruar edhe të shkojnë në takimet elektorale.

Por prapë mendoj se problemi më i rëndë qëndron në faktin se presioni dhe goditjet kryesore adresohen direkt mbi kandidatin e Partisë Demokrratike, z. Fiqiri Ismaili. Ndonëse, ne kemi pasur edhe zgjedhje të këqija dhe shumë të këqija në këtë vend, ky është një fenomen i ri, që shfaqet si risi e kësaj fushate me gjithë “shkëlqimin” e vetë në Vorë.

Arritën deri aty sa iu vërsulën biznesit të zotit Ismaili, i cili për më shumë se një muaj, është herë i bllokuar, herë i ndaluar, çdo ditë nën sulmet e policisë dhe gjobvënësve të ndryshëm me targën e LSI-së. Për të ardhur tek e paimagjinueshmja, heqja e licencës, pa asnjë arsye dhe argument ligjor. Gjatë atyre ditëve jam përpjekur të inkurajoj me sa kam mundur kandidatin që ta merrte si një shkarje emcionale të një administrate, që sillet si bandë mafioze vetëm për fushatë dhe se gjërat do të ndryshojnë pas 21 qershorit. Por së brendshmi kam menduar se nuk e di ç’do të kisha bërë, në rast se do kisha qenë vetë përballë asaj situate. Se mbyllja e biznesit, do të thotë që të t’i hedhin në kosh 23 vjet punë dhe sakrifica, dhe unë nuk di se ç’mund të të bëjnë më shumë në këtë botë, përveçse të të marrin jetën.

U desh ndërhyrja direkte e kryeminisrit, që ministri i LSI-së të zhbllokonte licencën e fabrikës së miellit dhe për kandidatin e Partisë Demokratike të kishte më në fund një frymëmarje çlirimi. Por nuk ishte e thënë, sepse vetëm një ditë më pas policia bllokoi pa asnjë arsye furgonët e shpërndarjes normale të mallit dhe LSI mediat nën kontrollin e Ilir Metës e trumbetuan atë si një kapje në flagrancë, megjithëse gjithçka ishte në përputhje të plotë me ligjin. Ndonëse gjithçka u normalizua dhe policia i liroi pas dy ditësh mjetet, askush nuk u kujtua që të paktën të përgënjeshtronte lajmin e rremë.

Tani të ndalemi pak tek roli i drejtpërdrejt i Ilir Metës në këtë histori. Të enjten denoncova në Parlament fenomenin e blerjes së votës, dhe si strateg të saj Kryetarin e Kuvendit. Për fat të keq, kjo nuk është një legjendë urbane, por një realitet i dhimbshëm, të cilin e dinë dhe e pranojnë të gjithë në Shqipëri, duke përfshirë edhe vetë LSI-në, që vetëm publikisht nuk krenohet me të. Megjithëse nuk e kisha përmendur fare Vorën, Ilir Meta më paralajmëroi që të prisja se diçka do të dilte atje. Dhe nuk vonoi shumë.

Vetëm një ditë më pas policia akuzoi kandidatin e opozitës për blerje vote, pas gjoja denoncimeve,  që kishin bërë kundër disa qytetarë të bashkisë së Vorës. Historia është e thjeshtë dhe banale. Të gjithë “denoncuesit” janë thirrur me forcë nga policia, dhe askush nuk ka shkuar me dëshirë. Që do të thotë se kanë zbatuar një urdhër dhe jo, rastësisht, më shkon mendja tek Ilir Meta. Madje dy prej tyre janë anëtarë të stafit të kandidatit të Partisë Demokratike, ndaj edhe është shumë i trashë montimi se ata paskan marrë lekë në këmbim të votës. Por puna është se këtu po humbet sensi i gjithçkaje, ku arbitrariteti dhe paligjshmëria konsiderohen gjëra të zakonshme dhe se ngjarje janë vetëm ato me të vrarë e të plagosur.

Për dy ditë rresht policia mbajti të rrethuar ndërmarrjen e z. Ismaili, ndonëse nuk kishte asnjë shkresë apo urdhër prokurori për një veprim.  Madje sot në orët e mesditës vetë shefi i komisariatit nr.6, tentoi ta shoqëronte forcërisht kandidatin e opozitës, ndonëse nuk kishte asnjë mandat për këtë. Unë personalisht e konsideroj si përpjekje për ta arrestuar Fiqiri Ismailin në mesin e fushatës dhe nuk kam asnjë garanci që kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Dhe ky është një standart i panjohur dhe i padëgjuar më parë në Shqipëri, edhe pse ne kemi pasur zgjedhje të këqija dhe shumë këqija në të shkuarën. Që do të thotë se është goditur edhe vetë liria e një force politike apo një personi për të kandiduar, dhe sipas meje ky është fundi i një rendi demokratik.

Kjo që po bën LSI dhe qeveria me Vorën, është njësoj sikur dikë ta përdhunojnë, dhe menjëherë pastaj përdhuesi të akuzojë prenë e vet se e ka lënduar.

Kam bindjen e plotë se këto inskenime të ulëta, të cilat janë aq ta trasha, sa nuk mund të kenë asnjë ndikim tek zgjedhësit, bëhen vetëm për një arsye. Që të jutifikojnë “qametin” e ditës së votimit, me shpresën se kur ka akuza të ndërsjellta, nuk merret shumë vesh se kush është agresori dhe kush është viktima.

Kandidati i opozitës në Vorë po kandidon me kryetarin e Kuvendit, ministrin e Bujqësisë, gjithë pjesën e LSI në pushtet, që nga niveli më i lartë e deri tek zyrtari më i ulët, me policinë e shtetit, dhe sikur të mos mjaftonin këto i kanë vënë përballë edhe banda të rrezikshme kriminale, jo vetëm nga zona, por edhe të thirrura për ndihmë nga territore të tjera të Shqipërisë. Pyetja është a mund të flitet më për zgjedhje nën këtë trysni?

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Unë nuk kam as tagrin, por as informacionin e plotë për të trajtuar të gjithë problematikën në shkallë vendi të këtyre zgjedhjeve. Kam shumë lajme të këqija, të publikuara ose jo, që tregojnë se ka plot qytete dhe fshatra të Shqipërisë që ndodhen nën presion të paparë nga mazhoranca. Uroj shumë që situata kombëtare të mos jetë kaq dramatike sa në Vorë. Por jam shumë i bindur, që edhe sikur Vora të kishte qenë një rast i izoluar, dhe jo pasqyra e vërtetë e këtyre zgjedhjeve, kjo letër sërish ia vlente. Aq e rëndë dhe e papranueshme për një vend normal është sistuata atje.

Ndaj edhe do të kërkoja nga secili prej Jush, në përputhje me detyrimin dhe përgjegjësitë e veta, por ndoshta edhe nga të gjithë bashkë, të bëni diçka për ta ndalur marshimin e së keqes, që po vringëllin armët e krimit vetëm 13 km larg qendrës së Tiranës. Unë as e di, dhe as dua t’ia di për arsyet e këtij eksitimi të kryetarit të Kuvendit dhe të LSI për të “pushtuar” me çdo kusht Vorën. Mund të jetë edhe një bast apo inat tavoline, por ndoshta edhe interesa të mëdha dhe aftgjata politike apo biznesi për Ilir Metën. Është e tmerrshme ta mendosh se këto janë zgjedhje lokale, që sido të dalin, nuk e ndryshojnë raportin e forcave qeveri-opozitë. Përfytyro se çfarë mund të bëjnë këta në zgjedhjet politike, kur në një farë mënyre, garojnë  direkt për karriget e tyre?

Ndaj, na ndihmoni që të paktën të ketë më shumë “sy” dhe më shumë dëshmitarë në Vorë. Kjo vlen jo thjesht për zonjën Glover dhe për mediat e Shqipërisë, por ndoshta edhe për vetë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Unë e kuptoj se zgjedhjet janë të rëndësishme në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe se përfaqësuesit e Partisë Demokratike duhet të jenë kudo, ku ka qendra votimi. Por ndoshta është më mirë të kemi më pak diku tjetër, por të jemi si akund tjetër në Vorë. Jo se duhet fituar patjetër një bashki, por se duhen mbrojtur zgjedhjet dhe njerëzit, aty ku kërcënimi është më i madh. Dhe ajo që druaj më shumë është “pushtimi” i territorit nga bandat e krimit për të mos i lejuar njerëzit e votojnë. Se për të tjerat, megjithëse janë të rënda, nuk do t’ia dalin kurrë.

Në Vorë, po na i vrasin para syve tanë. Jo vetëm zgjedhjet, por edhe zgjedhësit, ndonëse ende nuk ka gjak.

(Me shpresën se kam bërë gjënë e duhur, jo thjesht për të çliruar veten nga një detyrim moral dhe politik.)

Me shumë respekt

Astrit PATOZI

Deputet i Kuvendit të Shqipërisë


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Basha: Me votën e 21 qershorit do ta heqim lakun nga fyti i shqiptarëve do kthejmë shpresën, punën dhe dinjitetin

21 qershorin kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar si ditën e shpresës së madhe, të daljes nga kriza, të qytetarëve të Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Këtë shpresë e dëshmojnë qytetarët që po mbushin çdo ditë sheshet të cilët vijnë me vullnet të lirë dhe jo të kërcënuar me vendin e punës.

“Klithma e varfërisë nuk kërkon lëmoshë por kërkon zgjidhje, kërkon punë, kërkon dinjitet, kërkon një të ardhme me shpresë, klithma e varfërisë ka bashkuar si asnjëherë të djathtë e të majtë. A mos vallë të majtët ia panë hajrin kësaj qeverie, a mos vallë të majtët kanë më shumë mundësi për punësim, a mos vallë të majtët paguajnë më pak fatura energjie, a mos vallë të majtët paguajnë më pak taksa, a mos vallë jetojnë më mirë të majtët se të djathtët në Shqipëri?! E vërteta është se të djathtë e të majtë, kjo qeveri po na çon drejt greminës, drejt rrokullisjes, drejt përkeqësimit sepse rritën taksat, sepse rritën çmimin e energjisë sepse rritën çmimin e naftës. I vunë duart në fyt ekonomisë, shkaktuan papunësi, shkaktuan mjerim, thelluan varfërinë.

Në këtë ditë zgjedhjesh vijnë vërdallë e s’dinë se çfarë thonë. Gjysmën e kohës e kalojnë me estradë, a thua se jetojnë jo në vendin e një mijë e një halleve por në vendin më të lumtur në botë. Në fakt për veten e tyre ashtu jetojnë, jetojnë në ishullin e pasurisë dhe luksit që kanë vënë sepse për veten e tyre janë në drejtimin e duhur sepse për veten e tyre sapo erdhën në pushtet shpenzuan miliona për të rregulluar zyrat e tyre, orenditë e tyre, pastaj shtëpitë e tyre, pasuritë e tyre, rrugët që i çojnë në shtëpitë e tyre. Të gjitha këto para u morën nga xhepat tuaj e ju, ne, qytetarëve nuk na u dha asnjë shërbim, nuk na u hap asnjë vend pune.

Nuk flasin për varfërinë, por vetëm shajnë e baltosin opozitën, kryetarin e opozitës, kandidatin dhe kryetarin e ardhshëm të Bashkisë, Ilir Krosi, dhe kandidatët tanë kudo.

E bëjnë këtë sepse nuk kanë çfarë t’i thonë shqiptarëve, e bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje t’u ofrojnë shqiptarëve, nuk kanë zgjidhje t’ju ofrojnë dibranëve. Oferta e tyre e vetme është ta kapin edhe pushtetin vendor, siç e kapën pushtetin qendror, siç i kapën institucionet e pavarura, ta kapin e ta marrin për vete, sepse këta shtetin e duan vetëm për pushtetin e vetes së tyre, jo për ju ,qytetarë të Dibrës e të Shqipërisë, duan kontrollin me çdo kusht” -theksoi zoti Basha.

Rama-Meta, tha zoti Basha e duan pushtetin vendor për vete, tu shërbejnë interesave të tyre dhe jo qytetarëve të cilët pasi i mashtruan dhe u morën votën dy vjet më parë i braktisën e sot kërkon tua marrin me 20 a 30 mijë lekë, me një thes miell apo me kërcënime.

“E duan Dibrën ta përdorin si një çiflig dhe kur të vijë dita e votimit t’ju blejnë me një grusht lekë, sepse këta kujtojnë, se varfëria që shumëfishuan në Dibër, në ditën e shtunë do të jetë për shitje, këta kujtojnë se dinjiteti që nëpërkëmbën do blihet me një thes me miell të shtunën. Nuk e dinë që Dibra nuk shitet për një thes me miell, se varfëria që shkaktuan nuk është për shitje, se varfëria që shkaktuan është mallkimi i tyre, është ndëshkimi i tyre.

Vota juaj për Partinë Demokratike vëllezër dhe motra është votë për paketën tonë të emergjencës kombëtare, për paketën tonë të shpëtimit, për uljen me 25% të çmimit të energjisë, për faljen e kamatvonesave, për uljen e taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për kthimin e listës së ndihmës ekonomike të gjithë familjeve të hequra me të padrejtë që vuajnë për bukën e gojës nga padrejtësia dhe pashpirtëria e kësaj nisme. Është oferta e heqjes së TVSH-së, pra uljes me 20% në mënyrë automatike të miellit, të orizit, të vajit, të qumështit, të vezës, të bukës, dhe mishit si emergjencë për familjen në nevojë. Do të marrë fund me votën tuaj ky diskriminim ku buka, sheqeri, mishi, nafta, janë më të lira në anën tjetër të kufirit, pse, sepse qeveria i merr këto para për veten e saj. Ju votoni në 21 qershor që këto para të mbeten në xhepat tuaj.

Këta i njohën vetes të drejtën për të ngritur taksat kur u votuan për t’i ulur ato, këta i njohën vetes të drejtën për të ngritur çmimin e energjisë me pabesi, kur u votuan për t’i ulur ato, por i gënjen mendja se kur të flasë populli, siç do të flasë populli i Dibrës dhe gjithë Shqipërisë më 21 qershor se mund ta injorojnë votën tuaj, se mund ta injorojnë zërin tuaj. I gënjen mendja, sepse vota e popullit është ligji i ligjeve është ligji më i shenjtë në demokraci.

Ne do t’i japim këto zgjidhje. 21 qershori është dita kur ne do të hapim rrugën e zgjidhjeve konkrete për qytetarët. Ju jap fjalën, këta dy zgjidhje kanë, të pranojnë votën tuaj, të pranojnë ofertën tonë për të ulur taksat, për të ulur çmimet, për t’i çuar paratë për punësimin e shqiptarëve. Nëse nuk pranojnë, , ju jap fjalën këtu para jush, para Zotit, se nuk do të pres më asnjë ditë, nuk ka më kohë për të pritur, ne do ta heqim lakun nga fyti i shqiptarëve, ne do t’ia heqim kërbaçin nga dora. Dibra që ia hoqi kërbaçin nga dora Hajredin Pashës, do t’ua heqë edhe bandave të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Do t’i ulim taksat, do t’i ulim çmimet, do të punojmë natë e ditë që ju të keni punësim, të keni paga dinjitoze, të keni shpresë, të keni dinjitet këtu në Dibrën tonë, në Dibrën fisnike, në Dibrën time, në Dibrën e fitores”- theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Basha: Me votën e bashkuar, të djathtë e të majtë t’i hapim rrugë ofertës së shpëtimit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin elektoral në Mat. Për gjashtë javë me radhë, tha zoti Basha  qeveria Rama-Meta është përpjekur me çdo instrument, t’ju mpijnë këtë padurim, për të larguar të keqen por fitorja e qytetarëve shqiptarë në 21 qershor nuk mund të ndalet. Ka ardhur dita, dita e madhe e vendosjes me votë, dita e llogarisë, dita e bilancit.

“Ne ju shohim në sy vëllezër e motra, ne kemi ndjekur problemet tuaja, ne kemi ndierë dhimbjen tuaj, dhimbjen që sëmbon në shpirtin e mijëra e mijëra kryefamiljarëve të papunë, të burrave që u dridhet buza para fëmijëve se nuk kanë të ardhura për të nxjerrë bukën e gojës, të grave kryefamiljare të cilat nuk kanë se si të mbyllin muajin, të qindra, mijëra të rinjve të pashpresë që i janë rikthyer emigracionit.

Këto janë gjëmat e qeverisjes Rama-Meta. Në kohë krize rritën taksat, këta e bënë, rritën faturat e energjisë në kohë krize, këta e bënë, këta ngritën kërbaçin dhe morën me pahir qindarkën e fundit, kacidhen e fundit nga xhepi i të pamundurve ndërkohë që i falën CEZ 600 milionë euro nga paratë tona, nga paratë tuaja.

Kanë rritur taksat, kanë rritur akcizat, kanë rritur çmimin e energjisë. Shqiptarët paguajnë sepse kanë ngritur kërbaçin, i fusin duart në fyt të pamundurve për 30 mijë lekë i çojnë në burg, i çojnë drejt vetëvrasjes por paratë nuk përfundojnë në arkën tonë. 150 milionë dollarë i mungojnë arkës sonë. Pse? Ju kemi paguar, shqiptarët kanë paguar por nuk ka asnjë qindarkë që të kthehet në vende pune. 150 milionë dollarë të taksave tona janë vjedhur, shpërdoruar nga oligarkia e babëzisë, oligarkia e korrupsionit, nga dyshja Rama-Meta dhe skorta e banditëve të tyre.

Me votën tonë të bashkuar, qytetarë të Matit, të djathtë e të majtë do t’i japin një mësim për t’u mbajtur mend mashtruesve që nuk mbajtën asnjë premtim por shkuan në drejtimin e kundërt. A e shikoni si bredhin nëpër Shqipëri e flasin për lloj lloj gjërash por asnjë fjalë për papunësinë, për varfërinë, asnjë fjalë për çmimet e taksat që kanë rritur.

Janë bërë gazi i botës duke sulmuar opozitën, duke sulmuar kandidatët tanë. Pse na sulmojnë? Sepse u kujtojnë premtimet që dhanë para jush dhe nuk i mbajtën. Kanë alergji nga premtimet e tyre, kanë alergji siç kanë alergji gënjeshtarët nga gënjeshtrat e tyre por ora e llogarisë po vjen megjithatë. Bashkë me llogarinë që do japin para popullit, ata janë inferiorë sepse nuk kanë ofertë para jush, sepse në ishullin ku jetojnë jo vetëm që nuk kuptojnë e nuk ndiejnë problemet tuaja por nuk ofrojnë as zgjidhje për këto probleme” – theksoi zoti Basha.

Qeveria Rama – Meta nuk përballen dot me qytetarët që i kanë mashtruar dhe varfëruar. Ora e llogarisë po vjen tha zoti Basha, duke ftuar të gjithë banorët e Matit t’i bashkohen ofertës së shpëtimit të PD për ulje taksash, për ulje të çmimit të energjisë, stimulimin e bizneseve për të hapur vende të reja pune, subvencione për fermerët dhe ndihmë ekonomike për të pamundurit.

“Ju nuk dilni dot përpara popullit, se e dini që keni gënjyer. Por keni një shans të fundit për të korrigjuar politikën e lakut në fyt, sepse ky shesh dhe çdo shesh tjetër në Shqipëri, jua kanë thënë vendimin e tyre, shqiptarët do ta heqin lakun nga fyti, shqiptarët do t’i ulin taksat, shqiptarët do ta ulin çmimin e energjisë me votën e 21 qershorit.

Nuk ka më kohë për të pritur, nuk ka më kohë për të humbur. Në greminë po e çojnë ekonominë. Në greminë po e çojnë Matin, në greminë po i çojnë të djathtë e të majtë. Vetëm për veten e tyre janë në drejtimin e duhur. Për veten e tyre kanë ndërtuar dhe rindërtuar zyra, kanë ndërruar orendi, kanë ndërtuar vila e kanë vënë pasuri, por Shqipërinë e shqiptarët, familjet tuaja, ekonominë tuaj, e kanë çuar drejt greminës.

Ne do ta ndalim këtë marrëzi, do ta ndalim me votë, do ta ndalim më 21 qershor. Të gjithë së bashku nuk ka forcë që na ndalon, nuk ka forcë që na bllokon. Presionet ndaj aktivistëve dhe mbështetësve tanë nuk do të funksionojnë. Nuk do të funksionojë as emërimi i atyre që duhet të japin llogari për grabitje bankash në poste të larta në policinë e Burrelit. Policë të Burrelit, mos merrni urdhra të paligjshëm nga njerëz që duhet të jenë para drejtësisë, e jo me uniformë. Njihen me emër mbiemër, i njeh Partia Demokratike, i njeh Lulzim Basha, i njeh Uashingtoni, i njeh Brukseli, do të japin llogari ata, distancohuni prej tyre.

Le t’i japim pra thellësi fitores së Matit, le t’i japim frymën e entuziazmit që shoh në këtë shesh në çdo cep të kësaj krahine historike, le t’i themi kundërshtarëve tanë, votuesve të zhgënjyer të 23 qershorit, se për uljen e taksave, se për rritjen e rrogave, se për uljen e çmimeve ne nuk jemi kundërshtarë, jemi vëllezër dhe motra, bashkohuni me ne vëllezër dhe motra, bashkohuni me ne, ndaleni planin djallëzor të shkatërrimit të pushtetit lokal, ndaleni marrëzinë, hapini rrugët e të mirës o njerëz të mençur, votues të mençur të Matit e të gjithë  Shqipërisë!” – theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More
13 Qer
0

Taksat e qeverisë mbyllin bizneset dhe shtojnë gratë dhe vajzat e papuna

Në një takim me gratë e Beratit, përfaqësuese të komunitetit rom, punonjëse të fasonerisë dhe gratë e strukturave të Partisë Demokratike kryetarja e LDGSH njeherësh kryetare e Komisionit parlamentar të Çështjeve Sociale, tha se kjo qeveri, ky kryeministër diskirminon gratë dhe nuk ka projekte zhvillimi për to.

Duke iu drejtuar grave të shtresave në nevojë znj. Vokshi tha:

“Ju jeni më të goditurat në heqjen e ndihmës ekonomike, më së shumti ju nuk ju jepet shansi për punësim dhe për mbështetje. Më thoni sa prej jush ka përfituar nga zbatimi i ndonjë  projekti këtu në bashki prej 15 vitesh në Berat, apo nga Ministria e Punës. Sa prej jush ka marrë strehim nga banesa sociale?  Pse duhet t’ju pritet drita dhe uji të cilat janë elementet bazë për jetën. Kurrsesi ju nuk doni që të mos i paguani,por nuk mundeni sepse me çfarë do të mbani frymën gjallë?
Sot si nënë dhe si grua dua t’ju jap një porosi. Mos i lejoni që ta blejnë varfërinë tuaj  me 50 mijë lek apo me dy tri thasë miell. Pas kësaj lëmoshe është hakmarrja, është përçmimi. Mendoni për dinjitetin tuaj të cilin e siguron vetëm punësimi. Dhe me kandidatin tonë ju do t’ju hapet dera dhe zemra e bashkisë që të përfitoni punësim në shërbimet e bashkisë në biznesin privat. Në çdo hap të zbatimit të programit të tij do të ketë mbështetjen e deputetëve të opozitës dhe timen veçanërisht si kryetare e Komisonit të Çështjeve sociale.  

Në takimin me gratë në një biznes fason znj. Vokshi tha se sistemi i taksave është rrënues dhe ka mbyllur e vijon të mbyllë  me mijëra vende pune. Sot jetojmë kohën e falimentimit të biznesit nga  taksat e tatimet, të cilat janë të larta dhe që nuk përfundojnë as në arkën e shtetit por në arkën e xhepit. Afro 15 mijë biznese të mëdha e të vogla sipas vetë të dhënave të tatimeve nuk po shlyejnë dot detyrimet sepse nuk kanë të ardhura. Ndërsa qeveria me kryeministrin Nastradin thotë se hapen përditë qindra biznese të reja.

Znj. Vokshi tha se Kandidati Mahmutaj si të gjithë kandidatët e tjerë të djathte do të ulë në 30% taksat e tarifave vendore për ti dhënë frymë biznesit. Bashkia e re do t’i jape fryme turizmit të qytetit, shpallur trashëgimi e UNESCO-s dhe punësimi i grave do të jetë proritet.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

 

Read More
13 Qer
0

Bandat e armatosura të PDIU e qeverisë në Peqin, valë dhune nga frika e humbjes së zgjedhjeve

Jam këtu për të denoncuar një valë dhune e presioni që po ushtron kandidati i PDIU dhe i mazhorancës në Peqin, dhunë që arriti kulmin dje pas mitingut përmbyllës të jashtëzakonshëm që bëri Partia Demokratike me praninë e kryetarit Lulzim Basha.

Entuziasmi i opozitës dhe qytetarëve të Peqinit që shprehën masivisht gadishmërinë për të mbështetur ofertën tonë dhe kandidaturën time, si dhe denoncimi i inkriminimit të politikës që spikat veçanërisht në Peqin me përfaqësuesit e PDIU, ka tërbuar kundërshtarët dhe banditët e tyre të cilët janë lëshuar rrugëve duke kërcënuar e dhunuar, deri në përdorimin e armvëve, siç është rasti i plagosjes së rëndë të vëllait të Komunës Karinë, mbrëmë në darkë.

Kjo foto tregon qartë, se si është qëlluar dje me armë vëllai i kryetarit të Komunës Karinë, pikërisht nga njerëzit e kandidatit të PDIU.

Gjithashtu, janë kërcënuar hapur kryetari i Partisë Demokratike për komunën Gjocaj dhe Komunës Përparim.

Po ashtu, këto banda po kërcënojnë çdo ditë mbështetës të opozitës.

Ky rrjet banditësh e kriminelësh pranë PDIU që lëvizin me makina e të armatosur edhe me kallashnikovë, që janë shtrirë në gjithë Peqinin, më kanë kërcënuar edhe mua në mënyrë të përsëritur, dhe provat për këtë ua kam bërë të ditur vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, qeveria dhe përfaqësuesit e PDIU po i bëjnë presion Gjykatës që të regjistrojë si zgjedhës në Peqin, të dënuarit në këtë burg, çka bie ndesh me Kodin Zgjedhor, me nenin 75 gërma 2, sepse listat e zgjedhjeve kanë kohë që kanë dalë tashmë.

Jam këtu sot për të denoncuar këtë valë të paprecedente dhune në zgjedhje. Kundërshtarët po tregojnë se nuk kanë ofertë, nuk kanë bilanc, dhe nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë duan tani që të mos ketë zgjedhje.

Dua ti bëj të ditur miqve të mirë peqinas, gjithë banorëve të Bashkisë, se asgjë nuk ka tremb, dhe nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër para këtyre banditëve.

I kërkoj prokurorisë të bëjë hetime e të zbulojë autorët e porositësit e këtyre krimeve të rënda.

Vëzhguesit ndërkombëtarë duhet të regjistrojnë këto incidente të rënda që po dëmtojnë garën dhe standartet e zgjedhjeve.

Asgjë nuk i shpëton nga përballja me qytetarët, as dhuna dhe as armët. Ka mbetur edhe një javë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015

Read More