Blog

02 Qer
0

PD fton publikisht mazhorancën të nënshkruajë paktin për largimin e të inkriminuarve nga listat e kandidatëve

Jam sot para jush që të informoj opinionin publik se prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës ‎nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale.

Prej dy javësh mazhoranca e ka lënë në heshtje dhe pa përgjigje këtë propozim të Partisë Demokratike.

Jam sot para jush për të bërë transparencë të plotë të këtij propozimi.

Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti që do mundësojë:

1-    Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë;

2-    Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale;

3-    Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.

4-    Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë.

Partia Demokratike i bën thirrje Kryeministrit  Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 2 Qershor 2015

 

Read More
02 Qer
0

Gjergji Mero: Korçarët nuk do të mashtrohen nga çakulli elektoral

Në takimet me banorët e zonës Radenec, kandidati Gjergji Mero vuri në dukje  mungesën totale të investimeve publike nga Bashkia në tetë vite të pushtetit lokal. Gjatë bisedave me shumë banorë që takoi nëpër rrugët e zonës, ata i shprehën kandidatit pakënaqësinë e madhe për braktisjen dhe shpërfilljen  ndaj tyre, të pushtetarëve lokalë.

Kandidati Mero tha se gjatë këtyre dy javëve po hidhet në mënyrë sporadike  çakull elektoral, për ti mbushur mendjen banorëve se Bashkia kujdeset për ta. “Në këto lagje nuk është investuar në asnjë drejtim për tetë vite rresht, pasi fondet  kanë  shkuar  për interesa korruptiv”,  tha ai.

Duke ecur më tej  nëpër rrugë me gropa, kandidati Mero vuri në dukje se banorët nuk janë trajtuar me respekt  të barabartë nga Bashkia dhe kryetari i saj.

“Lagjet e harruara do të jenë në krye të rendit të punëve të Bashkisë së re. Bashkia do të jetë shtëpia  e qytetarëve me dyer të hapura dhe me përkushtim e vëmendje të barabartë ndaj çdo halli të qytetarëve. Për mua nuk ka lagje të djathta dhe të majta, por lagje të korçarëve, të gjithë të rëndësishëm  për  rolin dhe kontributet që iI kanë dhënë qytetit
Banorët u shprehën se tek kandidatura e Gjergj Meros shohin qytetarinë me vlera të Korçës, i cili  mban fjalën e dhënë.

Ai theksoi se nuk ka premtuar dhe nuk do të premtojë kurrë  të parealizueshmen,  por do ti japë  zgjidhjet  jetike problemeve të qytetit. Duke biseduar me qytetarët,  mungesën me shpërfillje të investimeve në ndriçim, kanalizimet e ujërave të zeza, gjelbërim dhe shërbime të tjera, kandidati Mero tha se, që në fillim të mandatit si kryebashkiak do të merret me investimet e lagjeve të harruara.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015

 

Read More
02 Qer
0

Veliaj mashtroi familjet e varfra, për energji elektrike me tarifë të reduktuar

Le të shohim punën dhe jo fjalët.

Erion Veliaj, si papagall i Ramës, po përsërit PREMTIMET e pambajtura të dy viteve më parë, dhe tani me ambalazh të ri për Tiranën. Në 2013 i PREMTOI qytetarëve: “Energji elektrike me tarifë të reduktuar për familjet e varfra në nevojë dhe familjet me të ardhura të pakta.” Edhe ky PREMTIM doli veç fjalë boshe dhe MASHTRIM.

Pse nuk është reduktuar tarifa e energjisë elektrike për familjet e varfra dhe me të ardhura të pakta? Pse nuk mbahet PREMTIMI që rezultoi fjalë boshe dhe MASHTRIM? Veliaj ishte Ministri përgjegjës për t’u siguruar që të mbahej ky PREMTIM, si edhe dhjetëra PREMTIME të tjera që po ia përmendim çdo ditë qysh prej 4 javësh dhe ia publikojmë në website. Kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për këto PREMTIME por që rezultuan vetëm fjalë dhe MASHTRIME.

Sot familjet e varfra në nevoje dhe ato me të ardhura të pakta, ndihen të MASHTRUAR nga papagalli i Edi Ramës që vetëm flet, por nuk REALIZON asnjë punë. Papunësia po i shtyn njerëzit në veprime ekstreme si në eksode masive që i kishim harruar.

Erioni ka veç fjalë por nuk punon për hallet e njerëzve. Papagalli i Ramës prape PREMTON sot veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i MASHTROJË sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Ka 3 javë që çdo ditë po i kujtojmë Erionit nga një tjetër PREMTIM të thyer dhe nga një tjetër MASHTRIM. Votuesit meritojnë më shumë se fjalët që janë e vetmja gjë që mund të ofrojë Erioni.


Deklaratë e kandidatit të djathtë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Akil Kraja, 2 Qershor 2015

 

Read More
02 Qer
0

Duma pret në Durrës kreun e misionit të OSBE/ODIHR; vëmëndje maksimale fushatës

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma priti në një takim në Durrës kreun e Misionit OSBE/ODIHR-it në Shqipëri, Audrey Glover. Duma vlerësoi vizitën e zonjës Glover duke falenderuar që shqetësimin i rastit të Durrësit ka tërhequr vëmëndjen e kreut të misionit.

Pasi foli mbi projektin dhe programin e saj, zonja Duma ndau ide për standardet e reja të këtij mandati të ri të qeverisjes lokale.

Në vijimësi u diskutua gjatë dhe me dokumentacionin përkatës mbi regjistrimin falso dhe të dokumentuara të mbi 3 miië personave të cilat iu dhanë dorazi zonjës Glover, bashkë me fotot dhe kallëzimin penal të kryer për regjistrimet fiktive.

Njëkohësisht, kandidatja Duma theksoi presionin ndaj administratës publike, marrjen e kartave të identitetit punonjësve si dhe dy rastet e dhunës ku në njërin prej tyre, Policia nuk ka vepruar dhe dhunuesit janë në gjendje të lirë.

Zonja Duma kërkoi nga kreu i Misionit të OSBE/ODIHR një vëmëndje maksimale ndaj fushatës në bashkinë Durrës me numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të huaj dhe vendas duke marrë parasysh që janë të angazhuar grupe kriminale të të mirënjohura nga qytetarët.

Zonja Glover u shoqërua nga zy zyrtarë të lartë të ODIHR-it dhe në takim morën pjesë nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe deputeti Oerd Bylykbashi të cilët shpjeguan edhe më në detaje dokumentet e dërguara në Prokurori dhe shprehën nevojën për përfshirjen e tyre në raportin parakrak të misionit. Zonja Glover siguroi që Durrësi do ketë fokusin kryesor duke bërë të ditur se misioni është në dijeni të problemeve dhe po kërkojnë të mbledhin prova për çështje e kartave të identitetit dhe blerjen e votës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015

Read More
02 Qer
0

Duma: Respektim pronës, do japim të njëjtin nivel shërbimesh në komuna

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e disa fshatrave si në Hamallaj, Hidrovor dhe Radë mbi zhvillimin e bujqësisë së zonës. Banorët ngritën shqetësimin mbi respektimin e pronës së tyre ndërsa morën garanci nga zonja Duma se prona e askujt nuk do të preket dhe se çdo zhvillimin i saj do të bëhet vetëm në mënyrë të ligjshme.

“Ju them që e ardhmja ekonomike e bashkisë së Durrësit do të fillojë me kollonën e produktit bujqësor dhe do të mbështetet nga kollona e turizmit dhe agroturizmit. Nuk e konsideroj një situatë në të cilën do ma kërkojë mua fermeri mbështetjen por si një situatë që ia kërkoj unë fermerit suksesin në bujqësi. Sepse është kollona ekonomike që do mbajë bashkinë nesër. Prona është e juaja dhe nuk do të preket prona juaj. Zhvillimi i pronës të ndodhë si pasojë e kontratës që do të lidhni ju me këdo si pronarë të ligjshëm”, tha Duma.

Kandidatja e djathtë u shpreh se shërbimi në komuna do të shumëfishohet nisur edhe nga kontributi në të ardhura që ato sjellin në buxhetin e bashkisë.

“Do ti kthejmë të njëjtin nivel shërbimesh që japin taksa dhe të ardhura më shumë. Nëse kjo komunë jep më shumë do të marrë më shumë shërbime në të njëjtin nivel”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015

Read More
02 Qer
0

Engjëll Cara: Kavaja nuk mund të mbetet çiflig i dyshes, Ervin Rroshi e Gent Daja

Kandidati i djathtë për kryetar Bashkie Kavajë Engjëll Cara, u takua me banorët e fshatit “Vorozen”. Në këtë takim ai prezantoi pikat e programit të tij për të ringritur bujqësinë e kësaj zone.
Kadidati Cara denoncoi shantazhin që po u bëhet banorëve nga kryetari i Partisë Socialiste dhe kandidati i majtë për kryetar Bashkie, nga dyshja Daja-Rroshi.
” E nisim sot këtu, në Vorozen për të treguar çfarë ne do të bëjmë në 4 vitet e qeverisjes tonë. Doja të thoja dhe diçka tjetër, që ne kurrë nuk duhet ta lemë pushtetin në dorën e dy familjeve, Daja e Rroshi, të cilët, të mbështetur nga Ergysi i Ramës, Ergysi i INUK-ut, po mundohen të tjetërsojnë dhe të shantazhojnë banorët e Kavajës. Por i them nga ky fshat të bëjnë kujdes sepse dora e tyre e shtrirë në drejtim të çdo demokrati do të gjejë një forcë të madhe për t’ia ndalur dhe për t’i thënë që ne, ne demokratët dhe qytetarët, kemi detyrën fisnike, misionin, për të vendosur dinjitetin e këtij qyteti”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015

Read More
02 Qer
0

Basha: Me votat e shqiptarëve diktojmë uljen e taksave dhe çmimeve të energjisë dhe naftës, hapim rrugën për punësim dhe mirëqenie

Shkodranët: Bashkojmë votat kundër papunësisë, varfërimit dhe arrogancës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me banorë dhe tregtarë në Malësi të Madhe, Shkodër dhe Bushat. Taksat e larta, mungesa e subvencioneve, rritja e çmimit të energjisë, papunësia dhe rënia e fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorët, fermerët dhe tregtarët i kanë shprehur zotit Basha.

Fermer: Në listën e subvencioneve, figurojnë 850 milionë lekë subvencione për bujqësinë. Në realitet, asnjë fermer nuk ka marrë kokërr leku.

Tregtare:  Energjinë ka thënë do ta ulë, biznesit i është rritur 54.7%. Taksat ka thënë se do t’ia heqë biznesit të vogël, i ka rritur gati 50%.

Tregtare: Rrimë tërë ditën me një palë këpucë, me fitu 2-3 mijë lekë. 

Qytetare:  Flasin se kanë ulë taksat, po ne kena fatura.

Basha: Rama dhe Meta po bëjnë çdo gjë për t’i ikur ballafaqimit, se ata e dinë që ju a kanë rritur taksën.

Tregtare: : Ata mendojnë se janë të marrë njerëzit?

Tregtare : Taksat janë rrit në stratosferë. Në 2013-ën, 164 mijë lekë. Urdhëro, 2015-ën, shkojnë 210 mijë lekë!

Tregtare: Popullit po i thotë qeveria, o prano rritjen e dritave, rritjen e taksave, ose merrni rrugët e ikni nëpër azile.

Basha: “Më 21 qershor, me votën e shqiptarëve, të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë, të ulim çmimin e naftës dhe t’i japim mundësi biznesit të hapë vende pune, të shtojë të ardhurat. Vetëm këto mund ta hapin prapë këtë qepen, vetëm këto mund ta hapin perspektivën, me punë dhe dinjitet”.

Tregtarët thonë se qytetarët marrin me listë që nga ushqimet e deri tek veshëmbathjet. Kjo gjë ka vënë në vështirësi shumë tregtarë të cilët kanë vendosur të mos japin më me listë. Shumë biznese kanë shkuar drejt falimentimit dhe qindra qytetarë kanë marrë rrugët e emigrimit. Shqetësim për banorët ishin dhe faturat abuzive të energjisë elektrike.

Tregtare: Është një krizë e paparë. Ndonjëherë veten më keq se kemi parë. Vetëm se si kemi marrë këto çelsa me i lënë diku, se s’ka punë.

Tregtare: Ka rënë puna krejt. Po shkojmë drejt falimentimit. Më shumë duhet me dhënë pa para, sesa me para.

Basha: Këtu, rrogat janë më të ulëtat në Ballkan, mjerimi është më i larti, taksat janë më të larta. Në platformën tonë kombëtare kemi heqjen e TVSH-së për mallrat e shportës, duke përfshirë edhe miellin.

Banore: Shkoni thotë, e paguani paret e energjisë atje te kompjuteri, nuk dimë gjë sa duhet me çu. Nuk vjen njeri me pa as sahat, asgjë. Po shkon dy vjet.

Basha: A keni sahat?

Banorja: Po.

Basha: Oferta e Partisë Demokratike propozon 25% ulje çmimin e energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët.

Përballë tentativave për blerje votash, një shkodran ka dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët: “I bëj thirrje gjithë popullit të Shkodrës e popullit shqiptar, s’ka të majtë e të djathtë, fukarallëku është i njëjtë për të gjithë. Nuk duhet me e shit votën, se e pamë 20 mijë lekëshin a 30 mijë lekëshin ku na çoi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Qershor 2015

Read More
01 Qer
0

Programi i dr. Halim Kosovës për Tiranën

Faleminderit, miq, kolegë, të rinj e të reja, qytetarë të qytetit tonë të mrekullueshëm.

Ndjej sot një energji të jashtëzakonshme nga ju dhe më vjen mirë, sepse Tirana është në një udhëkryq; sfidat janë shumëfishuar dhe ne na duhet vizion i qartë dhe dhe menaxhim i fortë.

Do të ankohemi, apo do marrim përgjegjësi për të bërë punën.

Tirana ka bërë progres në 4 vitet e shkuara me kryetarin Basha, 50,000 familje më shumë kanë sot ujë, ka sot më shumë ndriçim, ka ngrohje në çdo kopsht e çerdhe etj.

Po ka më shumë punë për tu bërë. Dhe unë mezi pres të filloj.

Unë nuk po kandidoj për karrierë politike, unë kandidoj për Kryetar Bashkie sepse dua;

– Të ul taksat për familjet dhe biznesin

-Të përmirësoj higjienen e qytetit

-Të përmiresoj kushtet në sistemin arsimor

-Të shtroj rruge e trotuare

-Të kujdesem për shtresat në nevojë

  • Kam një program konkret me zgjidhje konkrete për problemet e reja, por dhe ato që kanë ekzistuar prej dekadash.
  • Si kryetar bashkie, unë do të vendos objektiva, standarte dhe do të marr përgjegjësi për ti realizuar ato. Do të drejtoj bazuar vetëm në meritë, dhe jo në njohje.
  • Do të bëj të mundur që çdo qytetar të dëgjohet, dhe të jetë pjesëmarrës në qeverisje dhe do të siguroj transparencë të plotë për çdo proces.
  • Do të investoj në infrastrukturë moderne, jo në projekte luksi por projekte që do të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetareve.
  • Tirana po zmadhohet dhe të gjithë qytetarët kanë nevojë të trajtohen njësoj, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë, apo vendit ku banojnë.
  • Bashkitë qeverisen me demokraci, me pjesmarrjen e të gjithë komuniteteve dhe qytetarëve.
  • Bashkitë qeverisen me ligjshmëri, ku planet urbanistike sjellin zhvillim dhe ku rregullat zbatohen njësoj për të gjithë.
  • Bashkia duhet të ketë një vizion, për të krijuar vende të reja pune dhe fuqizim të sipërmarrjes së lirë.
  • Nga këtu buron mirqënia dhe ambicia e qytetarëve për shërbime më të mira nga bashkia e tyre.
  • Vetëm falë demokracisë përfshirëse, ligjit e rregullit, punës e sipërmarrjes, mund të garantohet cilësia dhe dinjiteti i jetës së çdo qytetari.
  • Garantohet Tirana, e dijes dhe inovacionit, rinore dhe sportive, e pastër dhe e gjelbër, e traditës dhe kulturës, në shërbim të jetës, bujare dhe njerëzore.
  • Unë dëgjova banorët në çdo njësi e në çdo fshat dhe punova me ekspertët për të ndërtuar programin e qeverisjes së Tiranës.
  • Programi përfshin 9 fusha kryesore veprimi, të ndërlidhura mes tyre, brenda të cilave 5 cështje janë ato me prioritaret.
  • Çelësi i gjithë kësaj , shtylla mbi të cilën do të ndërtojmë bashkarisht këtë qytet është përdorimi i parave që do sigurojmë përmes taksave të ulura, në mënyrë të mençur dhe tërësisht transparente.
  • Si Drejtor i Spitalit e shndërrova atë në model në të gjithë vendin, nuk ia vura fajin të tjerëve, mora përgjegjësi, realizova vizionin.
  • Ndërsa sot, jam shumë i lumtur që ndaj vizionin tim për Tiranën dhe për atë që bashkarisht ne mund të arrijmë.
  • Gjithçka nis me Punën.
  • Kam një plan konkret, dhe Tirana do bëhet një qendër atraktive për bizneset, më atraktivja në rajon.
  •  Kudo ku do të ketë një mundësi për vend të ri pune, aty do jem, papushim.

Plani im përfshin:

  • Ulja deri në limitin e lejuar ligjor me 30% të taksave lokale
  • Përdorimi me eficencë dhe efektivitet i cdo të ardhure nga taksat në funksion të investimeve dhe zhvillimit.
  • Përdorimi me efektivitet i fondeve publike dhe sigurimi i 15 milion euro fond garancie për nisjen e bizneseve të të rinjve, të grave, të fermerëve, bizneseve artizane dhe sociale.
  • Reduktim i procedurave bashkiake për nisjen e një biznesi
  • Reduktimi i taksave dhe krijimi i mbi 24.000 vende të reja pune në katër vite nga investimet dhe politikat ekonomike e fiskale bashkiake
  • 10 mijë persona të tjerë, kryesisht të rinj, punësohen permes praktikave, trainimeve dhe ndërmjetesimit bashkiak.
  • Në fakt nuk mund të mendojmë vetëm për vendet e punës në ekonominë e zonave urbane.
  • Tirana është e pasur dhe ka sot 115 ferma.
  • Projektet tona do të sjellin heqjen e diferencave mes qendrës dhe periferisë sepse në fund të fundit ne jemi një qytet, një bashki, një komunitet.

Këto janë objektivat e mi:

  • Nën-Kryetar i Bashkisë dedikuar vetëm potencialeve rurale dhe bujqësore
  • Integrimi në një plan të vetëm zhvillimor i të gjithë planeve urbanistike dhe rurale të territorit
  • 13 pika të grumbullimit që mbulojnë të gjithë territorin dhe 6 tregje të reja për të shitur prodhimin (në hyrjet e Tiranës në Ndroq, Kashar, Dajt dhe Berzhitë)
  • Të gjitha rrugët që lidhin zonat urbane me ato rurale të asfaltuara
  • Shtimin me 40% të sipërfaqes së ujitjes aktuale
  • Mbështetje për ndërtimin e 100 ha vreshta dhe 4 kantinave moderne gjatë gjithë kurorës së Tiranës
  • 3000 ha tokë bujqësore e punuar më shumë dhe 20% ferma blegtorale më shumë brenda katër viteve
  • Dua t’ju drejtohem veçanërisht atyre që jetojnë në fshat dhe fermerëve:  nuk do të jeni më të harruar, sepse do të sigurohem që juve t’u jepen mundësitë për t’ia dalë me sukses në Tiranën e re.
  • Fuqia e çdo qyteti është rinia. Rinia e bën një qytet entuaziast, të gjallë, vital.  Dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë fëmijëve tanë është edukimi.
  • Ne duhet të jemi të sigurtë që fëmijët tanë të kenë edukimin më të mirë të mundshëm, në shkolla moderne që t’u shtrojmë rrugën e suksesit në jetë.

Vizioni im është:

  • Ndërtim të 10 shkollave të reja të arsimit bazë dhe të mesme me një kapacitet total prej 7.200 nxënës
  • Rindërtimin të 34 shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm sipas nevojave të të gjithë territorit
  • Ndërtim të 16  çerdheve dhe kopshteve me një kapacitet total prej 1.800 fëmijësh
  • Zgjerimi i bibliotekës dixhitale për të gjithë nxënësit dhe gjimnazistët e qytetit të Tiranës
  • Politika zero aksidente dhe zero rrezikshmëri në mjediset përreth objekteve arsimore
  • Çdo shkollë me sistem ngrohjeje dhe shërbime mjekësore, stomatologjike dhe psikologjike
  • 1000 fëmijë të rrugës të mbështetur përmes programeve alternative të mësimdhënies
  • 2500 bursa çdo vit për nxënësit dhe studentët më të mirë për studime brenda dhe jashtë vendit
  • 25 fëmijë për grup në kopshte dhe çerdhe me 4 edukatorë të dedikuar dhe 32 nxënës për klasë në shkollë
  • Fond i dedikuar për zhvillimin profesional të mësuesve;
  • Pak më parë fola për Tiranën si një qytet rinor, një qytet ku të rinjtë shohin potenciale dhe kërkojnë mundësi.
  • Por, ky qytet duhet të jetë dhe një vend ku të rinjtë duhet të shijojnë ditët e tyre të moshës së artë, një qytet me mundësi, një qyteti me energji dhe sport.

Ja cilët janë objektivat e mi:

  • 2 herë më shumë sportistë profesionistë të angazhuar në ekipet e qytetit
  • 3 fishim të numrit të terreneve sportive për të rinjtë dhe qytetarët
  • 8 evente masive sportive dhe ndërgjegjësuese të përvitshme, drejt shkollave dhe popullatës në terësi
  • 250 të rinj të angazhuar direkt dhe indirekt në Këshillin Bashkiak Rinor
  • 1.500 të rinj në mbështetje të komunitetit nëpërmjet projekteve të vullnetarizmit
  • 2.000 fëmijë e të rinj të përfshirë në ekipet sportive të shkollave të tyre
  • 2.500m2 palestra të rikonstruktura dhe 4 të reja
  • 6.000 pjesëmarrës në Maratonën e Tiranës nga vendi dhe nga jashtë

Sporti dhe rinia gjithmonë lidhen me me artin, kulturën dhe traditën e Tiranës.

  • Ato janë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së Tiranës dhe mbi të gjitha e bëjnë atë një qytet më tërheqës e argëtues.
  • Prandaj unë do të investoj në traditën dhe kulturën mbi 8 milion dollarëve fonde që do të jenë për trashëgiminë kulturore e turizmin, më shumë se sa kushdo më parë.

Objektivat:

  • 300 projekte artistike e kulturore në mbështetje të trashëgimisë dhe modernizmit
  • 2.000 vende të reja pune vetëm industrinë e turizmit e kulturës
  • 5.000m2 hapësira të reja ekspozimi alternative për artistë të rinj
  • 10.000 të rinj të angazhuar në projekte edukative kulturore dhe artistike
  • 30.000 vizitorë në vit mesatarisht për çdo galeri e muze të Bashkisë Tiranë
  • 100.000 turistë të huaj në vit që qëndrojnë minimalisht 2 netë në Tiranë
  • Unë kam jetuar gjatë gjithë jetës sime në Tiranë. Prandaj jam i ndjeshëm ndaj traditës dhe kulturës së këtij qyteti dhe zotohem se do ta mbroj atë, do ta promovoj atë.
  • Si drejtor i Spitalit e di se sa e rëndësishme është higjiena dhe prandaj e transformuam menjëherë Mbretëreshën Geraldinë në një vend ku edhe papastërtia më e vogël dhe e parëndësishme qe e pastruar.
  • Sepse ne na takon një qytet i cili është, higjenik, i pastër dhe i gjelbër; ku ushqimi jonë është i sigurtë për t’u ngrënë dhe uji cilësor për t’u pirë; ku ajri i qytetit është i pastër; ku lumenjtë dhe rrugët tona janë të pastra nga mbeturinat dhe ku kemi menaxhimin e duhur të mbetjeve.
  • Kjo lidhet drejtë për drejtë me cilësinë e përditshme të jetës.
  • Unë besoj, që ne do të mund të pimë ujë të pastër në shtëpitë tona brenda katër viteve të ardhshme pa pasur nevojë për depozita në çdo cep të Tiranës.

Këto janë objektivat e mi:

  • 20% përmirësim i cilësisë së ajrit
  • 23.7 milion euro investim për landfillin e ri të mbetjeve të Tiranës
  • 4.500 kazanë mbetjesh të rinovuar dhe vendosja e 1.000 koshave rrugorë të rinj në qytet
  • Standard unik i shërbimit të grumbullimit të mbetjeve dhe trajtimit të ujërave në të gjithë territorin
  • 2 milion fidanë për pyllëzimin e kurorës së gjelbër të Tiranës
  • 30.000 pemë të reja të mbjella brenda 4 vitesh dhe 100ha pyllëzim në parkun e ri të Farkës
  • 400.000m2 gjelbërim i shtuar brenda qytetit
  • Shtrirjen e monitorimit të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në të gjithë territorin ;
  • Decentralizim të funksioneve të reja për monitorimin e cilësisë së ushqimit ;
  • 400 km në total linja të reja ujësjellësi, kanalizime ujërash të bardha e të zeza
  • 30% më shumë zyra të pagesës së ujit dhe heqje të faturimit aforfe

Tani siç e dini nuk mund të mos përfshija në programin tim shëndetin e qytetarëve sepse qyteti jonë s’mund të jetë i shëndetshëm nëse banorët e tij nuk janë të shëndetshëm.

Ja objektivat e mi:

  • 200.000 banorë me kujdes shëndetësor të përmirësuar brenda mandatit të parë
  • 2.000 banorë për 1 mjek – standarde Europian brenda mandatit të parë
  • 8, nga çdo 10 banorë, me shërbim shëndetësor në një distance jo më shumë se 10 minuta larg
  • 3 qendra pilot të asistencës shëndetësore komunitare për moshat e treta nga mjekë të dalë në pension
  • 1 njësi shëndetësore moderne e të lëvizshme për të shërbyer banorët e zonave të largëta të qytetit
  • 10 Qendra Shëndetësore të Rehabilituara
  • Çdo grua në nevojë do të paiset me Kartën e Kujdesit shëndetësor Bashkiak
  • Ne duhet gjithashtu të kujdesemi për shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, komunitetin rom dhe egjiptian, jetimët, fëmijët dhe gratë që janë dhunuar dhe abuzuar.
  • Dhe unë dua të jem i qartë për një gjë. Dhuna familjare nuk do të ketë vend në Tiranë.

Vizioni im për një qytet më human dhe bujar është:

  • Sa më pranë jush: shërbime sociale sa më afër fizikisht dhe pa vonesa për personat në nevojë
  • Në qytet, 2 qendra sociale pranë zonave më në nevojë dhe 3 qendra sociale multidisiplinare (personat me aftësi të kufizuara, gratë subjekt i dhunës dhe trafikimit, pensionistët)
  • Në çdo Komunë një qendër sociale, trajtim sa më uniform i të gjithë territorit
  • 4 mensa ushqimi për personat që marrin ndihmë sociale me ushqime BIO nga fermat e Tiranës dhe jo ushqime të mbetura supermarketi
  • Tarifa të reduktuara ose falas dhe mbështetje nga shërbimet bashkiake për grupet/individët në nevojë
  • 50% më shumë banesa sociale si dhe rritje me 30% të buxhetit të bonusit të strehimit
  • Politika e dyerve të hapura: transparencë maksimale në procesin e përzgjedhjes së përfituesve për procesin e strehimit ku pjesë e vlerësimit të jenë perfaqesuesit e grupeve më në nevojë
  • Një qytet me një infrastrukturë sa më të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara dhe Mundësi punësimi dhe integrimi për grupet vulnerabël
  • Por edhe 2-fishim i varrezave të Tiranës: dinjitet për familjet, për ata që nuk jetojnë më, duke respektuar besimin e gjithkujt.
  • Shtrimi i rrugëve dhe paisja e trotuareve me standarte është një prioritet për mua
  • Ky është një problem që është kthyer në gangrenë për dekada me radhë dhe ka ardhura koha t’i japim fund.
  • Prandaj në dy vitet e para si Kryetar i Bashkisë unë do të shtroj mbi 100 rrugë në Tiranë me trotuare me standarte dhe do të lidh çdo fshat me komunat dhe rrugët kombëtare.

Vizioni im për një qytet me:

  • 104 projekte infrastrukture, brenda 2 viteve, që synojnë rikonstruktimin e 300.000 m2 trotuare, dhe ndërtimin e 50 km rrugë të reja
  • 94 km rrugë të asfaltuara dhe mbi 4.000 vende parkimi të reja në brendësi të blloqeve të banimit
  • 100% e rrugëve kryesore që lidhin zonat rurale me ato urbane të territorit të Tiranës do të asfaltohen
  • 4200 tabela rrugore, 20% më pak aksidente rrugore dhe më pak kohë në trafik
  • 20km korsi të reja të dedikuara për biçikletat dhe po kaq për autobuzët
  • 10% më shumë përdorues të biçikletës çdo vit
  • Në jetën time, i kam shërbyer njerëzve, interesi im do të jetë interesi juaj dhe bashkia jonë do të ketë tolerancë zero ndaj korrupsionit.
  • Si drejtor i spitalit nevojat e pacientëve ishin të parat dhe do të bëj të njëjtën gjë si Kryetar Bashkie.

Ja cili është plani im për Tiranën e qytetarëve nga ju dhe për ju:

  • Referendumi lokal: rregulli dhe jo përjashtim nga rregulli
  • Mundësia që çdo qytetar të ndërveprojë në kohë reale me Bashkinë për shërbime, ankesa dhe vendime
  • Qeverisje lokale sipas parimit një bashki = një territor = një standart

    Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Qershor 2015

Read More
01 Qer
0

Bashkitë e reja, të bëjnë funksionale mekanizmin e mbrojtjes së fëmijëve

Kryetarja e Komisionit parlamentar për çështjet  sociale , deputetja Albana Vokshi, njëherësh dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas kërkoi që në bashkitë e reja të bëhet funksional mekanizmi i mbrojtjes së fëmijëve . Në një takim në Devoll dhe në Maliq me kandidatët për bashkitë respektive  Bledjon Nallbati dhe Xhevdet Belishta, znj. Vokshi  tha se çështja e mbrojtjes së fëmijëve dhe mekanizmi i mbrojtjes së grave kundër dhunës nuk kanë funksionuar deri më tani sikurse e përcakton  ligji. Në takimin me gratë dhe vajzat e Devollit dhe të Maliqit znj. Vokshi tha se gratë dhe vajzat janë të parat që ndiejnë pasojat e mëdha  kësaj krize të thellë ekonomike dhe të papunësisë, ku 50% e tyre në të gjithë Shqipërinë janë të papuna. Znj. Vokshi tha se gratë amvisa dhe nënat nuk po mundin të përballojnë faturat tejet të larta të dritave, të ujit, madje  dhe kurimit të fëmijëve kur ato i kanë të sëmurë.

“Në çdo takim që po kryejmë me vajzat dhe gratë përballem me histori trishtuese, të dhimbjes dhe vetësakrifikimit  që nënat heroina bëjnë për të patur ushqim dhe shkollim të fëmijëve. Kjo është qeverisja e braktisjes dhe e diskrimimit të nënave që sfidojnë me guxim çdo pengesë- u shpreh zonja Vokshi.

Më tej ajo  tha se gratë dhe vajzat nuk mund të votojnë një kryeministër i cili fyen dhe i diskriminon gratë,  të cilat i përdor për retorikë fushate  dhe nuk i përkrah në asnjë nevojë të tyre. Mbi 3 mijë gra janë pushuar nga  puna, me mijëra të tjera në nevojë dhe kryefamiljare, janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike dhe nga KEMP për invalidët . Gratë dhe vajzat  tha deputetja Vokshi  do të jenë ato, që me energjinë dhe përkushtimin e tyre do të sjellin ndryshimin e madh në 21 Qershor.

Nga ana e tyre kandidatët demokratë për Devollin  Bledjon Nallbati dhe për Maliqin z. Xhevdet Belishta shpalosën gjerësisht programin e tyre serioz për punë dhe dinjitet në integrimin e grave dhe vajzave në shoqëri.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Qershor 2015

 

 

 

Read More
01 Qer
0

PD Kavajë prova të reja për skemën kriminale të importimit të zgjedhësve nga kryetari në ikje i Bashkisë me mbështetje të Edi Ramës

Një javë më parë Partia Demokratike e degës Kavajë bëri publike dhe dorëzoi kallëzim në prokurori mbi një skeme kriminale për manipulimin e zgjedhjeve që ka ndodhur në Bashkinë e Kavajës. Kryetari në ikje i kësaj bashkie brenda 12 ditëve ka importuar fiktivisht të paktën 595 votues nëpërmjet 194 kontratave fiktive të nënshkruara personalisht prej tij në kundërshtim flagrant me ligjet dhe detyrën publike që mban ende.

KQZ po ashtu ka dërguar në prokurori dosjen e plotë të kësaj skeme kriminale me gjetjet e auditit të këtij institucioni, prova që gjenden pranë zyrave të Gjendjes Civile Kavajë nën mbikqyrjen e vetë personit të akuzuar për krijimin  kësaj skeme.

Ekspertët e Partisë Demokratike kanë mbledhur këto ditë të dhëna të reja që vërtetojnë plotësisht se procesi për importimin e zgjedhësve për 3 muaj nga kryetari në ikje i Bashkisë së Kavajës, me mbrojtje të plotë nga Kryeministri, është tërësisht fiktiv.

Sipas 194 kontratave të nënshkruara në 12 ditë nga kryetari në ikje i Bashkisë Kavajë, rezulton se 194 familje kanë lënë shtepitë e tyre dhe janë shpërngulur për të banuar vetëm 3 muaj në këtë ngrehinë që tregohet në foto. Dhe që sipas kryetarit në ikje të Bashkisë, nenit 3 të kontratës së firmosur prej tij, kanë ardhur këtu për 3 muaj, pra deri në 24 korrik 2015, sepse nuk kanë ku të jetojnë dhe kryetari në ikje po ua përmirëson kushtet e jetesës.

E gjithë kjo është vetëm një mashtrim, pasi nga dëshmitë e mbledhura në Partinë Demokratike të degës së Kavajës, Rrogozhinës dhe Tiranës rezulton se këta votues faktikisht jetojnë edhe tani që ne flasim në këto banesa.

Emrat e familjeve nuk i bëjmë publike për shkak të ruajtjes së të dhënave personale.

Por të gjitha fiktivisht sipas Kryetarit në ikje të Bashkisë Kavajë jetojnë këtu.

Foto dhe dëshmi do ju dorëzohen sot edhe prokurorisë edhe institucioneve ndërkombëtare.

Rasti i Kavajës dhe Durrësit, ku kryetarët në ikje të Bashkive kanë importuar zgjedhës është treguesi më i qartë se të dy e dinë shumë mirë vullnetin e qytetarëve për ti larguar njëherë e mirë në 21 qershor, ndaj dhe kanë krijuar të dy skema kriminale për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në emër të Partisë Demokratike i kërkoj edhe një herë me forcë Prokurorisë së Përgjithshme të kryejë hetime të shpejta dhe efikase në mënyrë që të ndalojë që në 21 qershor të votohet me lista fiktive apo të manipulohet vullneti i zgjedhësve.

Bllokimi i pasojave të ketyre skemave kriminale është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet menjëherë nga prokuroria. Listat e zgjedhësve në Kavajë me të pakten 595 votues fiktivë duhet të bllokohet bashkë me të gjithë praktikat e ndjekura, duke mos i lënë mundësi organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij krimi elektoral të deformojnë dhe prishin provat e krimit.

Partia Demokratike paralajmeron Kryeministrin dhe kandidatin e tij të tërhiqen menjëherë nga ky krim elektoral dhe kjo skemë e ndodhur në Kavajë. Skemat kriminale që synojnë manipulimin e rezultatit zgjedhor shkatërrojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe për këtë ka dhe do të ketë vetëm një pergjegjës: Kryeministrin Edi Rama.

I bëjmë thirrje qytetarëve të Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, të mos mashtrohen dhe të mos bëhen pjese e skemave të tilla kriminale. Të mos shesin votën e tyre në këmbim të favoreve për para dhe vende pune. Të vijnë pranë Parftisë Demokratike dhe të denoncojnë çdo fakt që ka të bëjë me ekzistencën e këtyre skemave kriminale.

I bëjmë thirrje BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së që të monitorojnë nga afër procesin zgjedhor në Bashkinë e Kavajës dhe të vijojnë mbledhjen dhe administrimin e fakteve që provojnë ngritjen e skemave kriminale për manipulimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në këtë bashki.

Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që bashkë me partnerët ndërkombëtarë të mbrojë çdo votë dhe zgjedhjet e lira në vend, me çdo mjet dhe formë.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 1 Qershor 2015

 

Read More