Blog

28 Maj
0

Ministri Beqaj të japë dorëheqjen për skandalin e paprecedentë të rimbursimit të recetave fiktive

Të nderuar kolegë deputetë,

 

Do të kërkoja vëmendjen tuaj që këtë interpelancë të mos e konsideronit si një rutinë të praktikave parlamentare. Sot, kjo interpelancë ka për qëllim të vejë para përgjegjësisë së llogaridhënies ndaj sovranit një ministër, i cili ka abuzuar me fondet publike dhe vazhdon të jetë në detyrë. Parlamenti nuk mund të bëjë indiferentin, kur vidhet buxheti i shtetit, dedikuar për kujdesin shëndetësor të popullatës.

 

Ne, si opozitë kemi shprehur shpesh herë shqetësimin për atë çfarë po ndodh në një prej shërbimeve jetike, atë të shëndetësisë. Shqetësim që rritej edhe më shumë për shkak të lidhjeve të ministrit në detyrë me histori të abuzimit me fondet publike. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, dorëzoi mandatin e deputetit, pasi kishte përfituar fonde publike në Bashkinë Durrës, si favor i fushatave elektorale.

 

Por deputeti i riardhur në Parlament nga kjo e shkuar që cënon integritetin e tij u promovua në detyrë si Ministër Shëndetësie dhe u rifut sërish në lojën e fondeve publike, por më fuqishëm se kurrë.

 

Skandali i denoncuar jo më larg se para një jave pikërisht në këtë aulë ishte shtysa kryesore që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi këtë seancë urgjente për interpelancë. Kemi marrë këto ditë me dhjetëra mesazhe në telefon, FaceBook, apo email, ku shprehej shqetësimi i madh për nivelin e korrupsionit dhe të grabitjes së fondeve publike pikërisht nga ky sistemi oligarkik qeverisës. Sot, shëndetësia është nën thundrën e mafies së klaneve pranë qeverisë, që i ka lënë spitalet në mëshirë të fatit pa alkool, barna, age, fasho, dizinfektues, doreza, sapun, ujë, e plot materiale të tjera bazike.

 

Besoj që tashmë të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë të qartë që Ministri dhe zyrtarët e shëndetësisë u kapën duke vjedhur dhe ende janë në detyrë. Banda  e falsifikatorëve të recetave të ilaçeve të rimbursueshme shëtit sa në një institucion në një tjetër për të kryer operacionin korruptiv të radhës. Presioni ka mbërritur madje deri në Prokurorinë e Përgjithshme.

DËRGIMI I ÇËSHTJES NË PROKURORI

Së pari, dua të ndalem në faktin që Ministri Beqaj gënjeu në Parlament që ende nuk ka raport final. Ja ku është versioni final i raportit, jua vë në dispozicion të gjithë deputetëve të maxhorancës.Ministri gënjeu për dorëzimin në Prokurori të akt – kontrollit të Njësisë së Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri për skandalin e recetave. Burime në prokurori konfirmojnë se kallëzimi i dorëzuar nga Fondi është një kallëzim i shoqëruar mbi një relacion shpjegues dhe ku janë paditur 4 farmaci (sigurisht të përzgjedhura që mos të prishnin shumë punë). Në prokurori nuk është dorëzuar, ashtu siç u pretendua kaq ditë nga ministri, AUDITI I KM, që është dhe pikënisja e skandalit dhe që është auditi që ka zbuluar shkelje të rënda edhe implikime të zyrtarëve të lartë në Fond. Prokuroria, vetëm dje ka kërkuar tërheqjen e auditit të plotë. Pra ALIBIA Juaj z. Ministër bije poshtë.

Nga sa më sipër:

Edhe sikur vetë ministri Beqja të mos jetë i implikuar në skemë, ai është automatikisht përgjegjës për manipulimin e provave dhe fshehjen e së vërtetës. Ministri nuk mund të thotë se hetimin e ka bërë Fondi dhe se nuk di gjë për kallëzimin, sepse është AUDITI I KM ai që ka zbuluar shkeljet dhe implikimin e zyrtarëve të lartë të Fondit. Pra, Proçedurialisht është e pamundur që Ministri të mos jetë njohur me këtë AUDIT. Beqaj as nuk mund të pretendojë se nuk ka pasur dijeni për AUDITIN E KM, pasi atëherë kemi të bëjmë me një skandal më të madh, ose Kryeministri i ka fshehur auditin ministrit, ose Kryeministria ka pasur dhe Ministrin nën hetim administrativ për këtë skemë. Ministri ta zgjedhë vetë cila prej këtyre dy opsioneve është.

Në të dyja rastet, dorëheqja e Ministrit bëhet e padiskutueshme. Tashmë Ministri nuk mund të jetë përgjegjës politik për aplikimin e skemës që është shndërruar në më abuziven që ka implikuar edhe zyrtarët më të lartë.

Ministri tashmë dyshohet se ka dashur të manipulojë hetimet duke orientuar përgjegjësinë tek disa koka turku, për të mbrojtur në mënyrë arbitrare veten dhe vartësit.

Ministri tashmë kthehet në të dyshuarin kryesor pasi përndryshe nuk do të lejonte tentativën për manipulimin e hetimeve duke orientuar prokurorinë tek disa farmaci koka-turku dhe duke mbajtur të fshehur AUDITIN E KM për prokurorinë.

Të nderuar kolegë,

Dokumenti sekret u mbajt fshehur prej gati një muaj e kushedi do të ishte varrosur në arkivat e kushedi kujt institucioni apo edhe mund të ishte zhdukur fare, dhe vetëm denoncimi që ne i bëmë në këtë sallë, bëri që ky megaskandal të zbulohej.

Raporti mban fakte tronditëse për skemën e manipulimit, krimi është mirëorganizuar nga autoritetet shëndetësore: Ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesit e fondit të Sigurimeve të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor.

Por unë sot nuk do të ndalem në ato që thash javën e shkuar, e as në ato që janë qartësisht të evidentueshme në raportin e auditit të KM.

Shumë shkurt Problemet e kapura nga Njesia e Kontrollit te Brendshëm dhe Antikorrupsion në KM janë:

1-    Fondi (Drejtori i Përgjithshëm dhe Zv. Drejtori) kanë qenë në dijeni të abuzimit që po ndodhte (fq 44).

Pra, është shkruar e zezë mbi të bardhë. Të gjithë zyrtarët e lartë e dinin çfarë po ndodhte. Kjo fjali i bën fajtorë dhe përgjegjës për ngritjen e skemës e në të njëjtën kohë për fshehjen e saj.

2-    Në raportin e kontrollit nga Kryeministri i vihet faj Këshillit Administrativ për mosmarrjen e masave dhe mekanizmave për parandalimin e korrupsionit – Ministri është Kryetari i Këshillit Administrativ.

3-    Pothuajse të gjitha kontratat e lidhura në 2014 dhe 2015 kanë mangësi dokumentacioni: mungesë autorizimesh për tregtim barnash, mungesë autorizimesh kompanish importuese, mungesë të listave të barnave, proces verbale të pafirmosura, mungojnë kontratat, autorizime të pavlefshme, mungesë dokumentat nga QKR, farmaci pa licensë (Hysni Roci, Lundër) etj. Të gjitha kontratat kalojnë në Këshillin Administrativ – dhe vetë Ministri i ka lejuar dhe miratuar.

4-    ‎Fondi nuk kreu asnjë herë kontroll për barnat e shtrenjta të rimbursueshme që jepen në QSUT e cila ka një shumë totale rimbursimi 18 mln dollarë (farmacia qarkullon numër më të madh të barnave të rimbursueshme)‎.

5-    Kontroll abuziv farmacive pa kryer analizën e riskut, përzgjedhja është bërë në mënyrë selektive, subjektive, jo transparente dhe lë vend për abuzim (siç evidenton raporti)‎.

6-    Janë kontrolluar subjektet më 6 ose 7 barna të rimbursueshme, ndërkohë që subjektet me mbi 200 barna nuk janë kontrolluar asnjëherë.

7-    As nuk është marrë parasysh luhatja e nivelit të rimbursimit. Janë kontrolluar subjektet pa asnjë luhatje, dhe nuk janë kontrolluar asnjëherë subjektet që kishin luhatje shumë të mëdha: (shembujt faqe 13 raporti farmacitë “Lundër”, “Adelina”, “Nutrimed 2012”, “Sara Joni”, “Expres”, “Plus 1” etj). Rimbursimi i tyre luhatet nga 0 për një muaj në 3,5 mln muajin tjetër.

8-    Në kundërshtim me çdo rregull bazë, janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme (për të fshirë gjurmët e abuzimeve) dhe rilidhur kontrata me disa subjekte, brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërkohë që kontrata nuk e lejon këtë gjë për të paktën një vit edhe në mungesë të plotë dokumentacioni.

9-    Konflikt i pastër interesi: Nëndrejtori i Fondit (I cili ka nën varësi të tij kontrollin e farmacive) rimburson farmacitë në pronësi të tijën dhe të vëllait të tij. Ky nëndrejtor i plotfuqishëm mbi çdo ligj, gjatë tërë këtyre muajve ka pranuar recetat që i ka fallsifikuar vetë (edhe në mungesë të kontratës me DRFSKSH Tiranë – Geni&Lori, farmaci e vëllait të Sokol Skurës). Por Sokoli i Rilindjes jo vetëm që nuk u pezullua, ndëshkua, përkundrazi, kjo i dha atributet e duhura për të qenë edhe i pari në listën e Këshillit Bashkiak në Librazhd. A kanë arsye votuesit librazhdiotë ta votojnë këtë këshill që kryesohet nga njeriu që ka qenë pas një skeme abusive me përmasa të paimagjunueshme??? Jam e sigurt që librazhdionët e kanë kuptuar tashmë që vota për përfaqësuesin e Ramës është drejtimi më i gabuar pasi edhe bashkia Librazhd do të përfundojë e falimentuar shumë shpejt siç po falimenton Fondi i sigurimeve

10-Rimbursim në farmaci të rrjetit të hapur të barnave që duhet të jepen vetëm në farmacinë e QSUT (ketosteril)

PSE JEMI KËTU SOT?

Si mundet që Fondi i cili u kthye në një institucion model për nga kontrolli që ushtronte në qeverinë Berisha, tani ka humbur të vetmin funksion që duhet të kishte? Pikërisht KONTROLLIN!

Skema ka qenë e mirëmenduar nga nëndrejtori aktual edhe para se kjo qeveri të hipte në pushtet, me farmacinë e tij në Shëngjergj, e denoncuar nga Partia Demokratike para disa muajsh dhe nuk pati asnjë reagim nga Ministri aktual.

Çdo ndërhyrje e bërë në legjislacion nga ana e Ministrit ka pasur një qëllim të vetëm: Përvetësimin e fondeve publike, parave të taksapaguesve shqiptarë. Pse e them këtë?

1-    Por a ju kujtohen ndryshimet që Beqaj i bëri Ligjit 10383 të cilat bënë që:

  1. Drejtori të mos zgjidhej me konkurim te hapur por me propozim te mbyllur nga anëtarët e qeverisë në Këshillin Administrativ.
  2. Këshilli Administrativ u vu nën tutelën e Qeverisë duke hequr përfaqësuesin e pacientëve dhe të palëve të interesit.
  3. I dha kompetenca të rëndësishme Këshillit Administrativ duke shmangur miratimin në Këshillin e Ministrave me qëllim bërjen fshehurazi të pazareve për klientët e tyre përmes paketave të rimbursuara nga Fondi (lista e barnave te rimbursueshme më kryesorja)

SHMANGIET E RAPORTIT

Gjithkush në këtë sallë, por edhe jashtë saj, do të mendonte që minimalisht, Kryeministri e ka bërë detyrën e tij. Këtë tha Ministri javën që shkoi në seancë, këtë tha edhe në Komision, këtë tha edhe sot. Por, fatkeqësisht, e vërteta e hidhur është krejt ndryshe. Së pari, qëllimi i porositjes dhe urdhërimit të këtij auditi, nuk është ai i pastri, i drejti, dhe i duhuri në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, të gjithë e dinë që raporti u kërkua dhe inicua thjesht si një luftë mes klanesh të fuqishme që ky Kryeministër dhe Ministër i ringritën dhe i forcuan. Pra, skema është e thjeshtë: njëri që nuk e kanë përfshirë në rrjetin mafioz dhe nuk e kanë bërë pjesë të fitimeve marramendëse, ka spiunuar tjetrin që po i fuste në xhepa këto fitime, hajt ta heqim qafe njërin që torta të mbetet vetëm për ne. Qytetarët tashmë e kuptojnë që s’ka asgjë parimore apo ligjore në tërë këtë historinë e raportit të famshëm.

Së dyti, edhe sikur për një çast të mendojmë që qëllimi ishte ai i drejti dhe parimori, pyetja ime është: A ja arriti qëllimit raporti? A e zbuloi të tërë skemën para organeve kompetentë dhe para publikut? Përgjigja është: JO, pasi edhe ky raport është i manipuluar, i orientuar, e që çon ujë vetëm në një drejtim.

Njësia e Kontrollit të brendshëm në Kryeministri, u urdhërua të fshijë nga akt kontrolli, emrat e personave të lidhur ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë, pronarë të farmacive fantazmë, komshinj të ministrit të shëndetësisë, të kuotuar edhe si donatorë të fushatave  elektorale. Njësia ekontrollit u urdhërua që të fshinte nga raporti emra drejtuesish aktualë, të cilët janë pjesë e përgjegjësive. Dhe për këtë ka qenë ndërhyrja direkte e ministrit dhe kabinetit të tij që ato emra të mos përfshiheshin. Ftoj organet kompetente të verifikojnë të gjitha draftet e raportit më atë finalin dhe të kërkojnë në arsyet e fshirjes së këtyre emrave.

Po ju tregoj disa tabela dhe grafike:

Rimbursimet per 2014 të farmacive të S. Skurajt (portokalli), mikut dhe sponsorit të Beqes (jeshile) dhe farmacitë e audituara nga Kontroli i Kryeministrisë (kuqe). Rimbursimi total:

– për farmacitë e nëndrejtorit është 1,411,003,990 lekë;

– për farmacitë e mikut dhe sponsorit të Ministrit është 1,824,571,620 lekë

– për farmacitë e kontrolluara nga Njësia ë Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion në Kryeministri është 888,524,430

Siç shihet qartë, 7 farmaci të pasqyruara në raport zënë një vend fare të vogël në skemën e rimbursimit fiktiv në Fondi e Sigurimeve të Detyrueshme. Vihet re qe raporti i urdhëruar ka lënë pa përmendur pikërisht ata që kanë marrë pjesën më të madhe në këtë skandal. Kush i ka urdhëruar inspektorët e njësisë së auditit?

Me skemën që ne lamë, Formalisht është e pamundur në kushte normale pune të ndodhë një dukuri e tillë, sepse sistemi që ne ngritëm dhe ju lamë është aq i sofistikuar dhe i sistemuar që nuk e lejon një gjë të tillë. Ky sistem monitorimi dhe kontrolli ka disa hallka funksionimi të cilat në rastin më të parë që ka luhatjen më të vogël në rimbursim të farmacive apo të mjekëve sinjalizon me njollë të kuqe disa sektorë.

Në drejtorinë rajonale është sektori i pranimit, pastaj sektori i informacionit dhe në fund sektori i mjekut të cilët e përcjellin recetën në disa duar derisa hidhen recetat në sistem online dhe përgatiten tabelat e detajuara për çdo mjek dhe farmaci. Por dyshohet që ju qëllimisht keni shmangur kontrollin e brendshëm të recetave që rimbursohen. Juj qëllimisht keni shmangur dy hallka të rëndësishme duke e kaluar këtë proces vetëm në dy duar duke eleminuar punën e dy sektorëve të rëndësishëm, që do të kapnin këto vjedhje që për ju nuk duhet të kapej, por duhet të kalonte pa u shqetësuar nga askush.

  • Gjithashtu informacion i përditësuar i shkon edhe Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të fondit;
  • Çdo muaj i dërgohet realizimi i planit të rimbursimit cdo mjeku dhe çdo qëndre shëndetesore. Ka dyshime që raportet të kenë qenë të dubluara dhe të tjerë raporte janë dërguar në Qendrat Shëndetësore/mjekët e familjes dhe krejt të tjerë raporte janë dorëzuar në Fond për rimbursim, në mënyrë që skema të mos zbulohej nga mjekët të cilëve ju falsifikohej vula. Nëse kjo rezulton e vërtetë, kjo do të përbënte skandalin më të madh të dëgjuar ndonjëherë. Ftoj prokurorinë ta hetojë këtë hallkë kaq të rëndësishme e të kërkojë raportet mujore të dërguara në QSH si dhe raportet mujorë të dërguara për rimbursim në Fond.
  • Skema ka qenë shumë e thjeshtë për të funksionuar:
  1. a) Krijimi i disa farmacive fantazmë dhe përfitimi i parave të rimbursimit të tyre nga funksionarët e fondit dhe ministrisë. Nga tabelat duket qarte qe ne muajt qe janë mbyllur disa farmaci, janë hapur farmaci te reja (me të njëjtin pronar);
  2. b) Krijimi i mundësisë së recetave fiktive për Zv. Drejtorin e Përgjithshëm dhe të vëllain nëpërmjet 5 farmacive të tyre. Krijimi i kësaj mundësie është bërë në mënyrë që të pezullohet funksionimi i strukturave kontrolluese, vartëse të Zv. Drejtorit të Përgjithshëm.
  3. c) Krijimi i mundësisë për Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për të qenë pjesë e kësaj skeme mashtrimi nëpërmjet farmacive të mikut dhe sponsorizuesit të tij. Kontrolli për këto farmaci nuk është bërë pjese e raportit – me urdher direct prej tij;
  4. d) Pikërisht, është kjo dhe shume afera te tjera korruptive ne shëndetësi arsyet qe gjatë kësaj periudhe Beqaj u mor me poshtërimin dhe trembjen e mjekëve nëpërmjet konkursit të famshëm që te mos kishte mundësi të zbulohej skema mafioze.

 

Të zbuluar në këtë vjedhje, autoritetet e fondit të rimbusimeve janë këshilluar të përdorin manovrën e denoncimit në prokurori të disa farmacive, por e vërteta e madhe  e vjedhjes së miliarda lekëve përmes fondit të rimbursimit të  ilaçeve  është mbajtur e fshehur. Në këtë rrjet hajdutësh janë përfshirë mbi 40 farmaci fantazmë.

Akt –kontrolli nuk e shpëton dot ministrin nga përgjegjësia në këtë skemë mafioze të vjedhjes së parave publike përmes ilaçeve të rimbursueshme.

Me lejen e ministrit janë falsifikuar vulat e mjekëve dhe janë rimbursuar me miliona euro receta false me medikamente të dedikuara për njerëzit në nevojë, pensionistë, për personat e diagnostikuar me kancer dhe për pacientët në kujdes paliativ.

Shifrat bërtasin dhe ulërasin!!!

Dhe Beqaj është përgjegjësi kryesor!!!

 

Ministri duhet të japë llogari për këtë vjedhje me vulë dhe firmë të tij.

Ministri i vonuar në dorëheqje, duhet të japë llogari për këtë krim të organizuar në shëndetësi, duke ju mohuar shërbimin jetik mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët sorollaten dyerve të spitaleve për të marrë trajtim mjekësor. Ministri nuk mund të fshihet pas Kryeministrit. Janë vjedhur me receta false 3 miliardë lekë nga fondi për rimbursimin  e ilaceve.

“Ali Beqaj me 40 hajdutët e recetave” duhet t’i dorëzohet drejtësisë !

Të nderuar kolegë,

Misioni dhe produktiviteti I punës parlamentare do e kërkonte domosdshmërisht thellimin  e hetimit parlamentar në këtë skandal të madh shtetëror e pse jo dhe parlamentar derisa krerët  organizatorë janë këtu në Parlament. Nuk mund të funksionojmë  si shtet me natyrshmërinë organike të këtij sistemi korrupsioni që ka gërryes institucionet, zyrtarët dhe qeveritarët, që po pasurohen në mënyrë të paimagjinueshme nga lekët e bukës së shqiptarëve. Kjo mënyrë e të funksionuarit të Parlamentit dhe të qeverisjes nuk ka lidhje me demokracinë parlamentare, ku të të dobtit dhe të cënuarit duhet të jenë zë i ngritur në vendimmarrje dhe jot ë shtypurit e të padëgjuarit nga oligarkia e krimit dhe korrupsionit shtetëror.

 

Dhe sot të cënuarit janë shqiptarët, janë pacientët me kartelë mjekësore, janë mjekët e ndershëm që punojnë e jetojnë me rroga, janë me qindra e qindra farmacistë të moralshëm që nuk u del të shtyjnë muajin e jo të bëjnë fundjava turistike  sikurse bëjnë ato kompani  që janë në krah të ministrit e kryeministrit.

 

Pra sot parlamenti duhet të zgjohet nga nënshtrimi I mafies dhe të fillojë ti japë frymë e inkurajim hetimeve të lira e të paanshme politikisht të këtij skandali. Nuk duhet kurrsesi zoti Beqja dhe shefi juaj të intimidojë e të shantazhojë prokurorinë, organizatat kombëtare e ndërkombëtare të hedhin dritë mbi këtë gropë të hellë abuzimi dhe shkelje të rëndë të ligjit dhe posteve shtetërore.

 

Nga ana tjetër ka një kosto minimale që ju duhet të paguani politikisht , dorëheqjen si një akt përgjegjshmërie, vullneti  dhe pavarësie që kërkojnë hetimet specifike të këtij precedent të rrezikshëm shtetëror.

 

Kurrsesi nuk është rasti që skandali të zhvendoset nga sensacioni  tjetër i radhës prodhuar  nga makineria e lajmeve dhe edicioneve të propagandës suaj, pasi në të kundërt ju do të hyni në histori si ministri më kampion i korrupsionit dhe i mosndëshkimit të abuzimit me fondet publike.


Fjala e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, gjatë interperlancës në Parlament, 28 Maj 2015

 

Read More
28 Maj
0

Taksa minimale, liberalizim tregu, amnisti për bizneset që janë gjobitur selektivisht nga bashkia e Kavajës

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Kavajë Engjëll Cara, paraqiti programin e tij para përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Sipërmarrësit shprehën dy probleme:

  1. Taksat mbytëse mbi tatim-fitimin
  2. Monopolizimi i tregut në përgjithësi dhe i ndërtimit në veçanti.

“Paguajmë 50% taksë mbi tatim-fitimin”, – tha një sipërmarrës.

Ismet Ferizaj, me profesion, inxhinier ndërtimi, u shpreh se biznesi i tij ka falimentuar, kjo sepse, biznesi i ndërtimit është në duar të personave, që janë pranë kryetarit aktual të Bashkisë, më konkretisht, të dajës së tij. Ai , shtoi se nga ky falimentim kanë mbetur pa punë 270 persona, që punonin për këtë firmë.

Mbi këto shqetësime, kandidati i djathtë, u zotua që pas 21 qershorit, në Bashkinë e re do të marrë fund njëherë e mirë kjo politikë fiskale mbytëse për biznesin. Në fjalën e tij z. Engjëll Cara tha se në Bashkinë e re, biznesi do të konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në ringritjen ekonomike të qytetit dhe fshatrave të Bashkisë Kavajë.

“Ju do të ndjeni përkrahjen e administratës me politika lehtësuese. Ndër prioritetet tona do të jenë:

  1. Taksa ne minimumin e lejuar nga ligji ne 30% mbi tatim-fitimin. Me uljen e taksave, rritet kapaciteti prodhues i biznesit dhe në këtë mënyrë rritet punësimi
  2. Liberalizimi i tregut, që në qendër të jetë konkurrenca e lirë.
  3. Kundër gjobave që u janë vënë bizneseve për t’i shantazhuar. Të gjitha bizneset që janë gjobitur nga janari deri më sot, për selektivitet partiak, do të amnistohen nga Bashkia Kavajë.

Në këtë takim përveç grupit të interesit, ishin të pranishëm dhe specialistë të financave, të cilët dhanë disa këshilla për të pasur një platformë sa më efiçente dhe konkrete për të ringritur biznesin e vogël dhe të mesëm.

Dorian Teliti, ekspert financash, tha për të pranishmit se papunësia në Kavajë, po rritet dita-ditës dhe ekonomia është në rënie të lirë. Ndaj në projektin e z. Cara do të ngrihen disa shtylla në funksion të rritjes së ekonomisë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28  Maj 2015

Read More
28 Maj
0

Gjergji Mero: Prioritet, punësimet e familjeve në nevojë në shërbimet e Bashkisë

Kandidati për bashkinë e Korçës Gjergji Mero ishte në zonën e Moravës dhe në Turanë,  ku problem i theksuar është papunësia  e lartë. Kandidati Mero tha se do t’i japë prioritet punësimit të familjeve në nevojë tek shërbimet publike të Bashkisë, si pastrim, gjelbërim, ndërtim  dhe do të rihapë bizneset e vogla të mbyllura në këto kohë krize, të cilat janë të shumta . “Këto biznese u shpreh kandidati Mero, punësonin njerëz  që sot janë pa asnjë mundësi jetese. Kandidati Mero u premtoi banorëve se këto biznese që do të hapen nga familjet në fshat , vitin e parë,  nuk do të kenë asnjë taksë nga bashkia. Banorët i thanë z. Mero se varfëria është e madhe dhe se, asnjë premtim i dhënë  nga Bashkia për punësime, nuk është mbajtur. Ata vlerësuan kandidaturën e profesor Gjergji Meros, si njeri që mban fjalën e dhënë dhe i respektimit dhe  dëgjimit të kërkesave të tyre.

Kandidati Mero tha gjithashtu se aktivitetet tregtare në  fshatra  do të kenë trajtim tjetër të taksave bashkiake, pasi dhe të ardhurat e tyre janë më të ulëta dhe jetesa është më e vështirë.

Kandidati Mero u shpreh  se, me Bashkinë e re investimet do të përqëndrohen në infrastrukturë, veçanërisht në kanalizimet e ujërave të zeza dhe në përmirësimin e akseve rrugore.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28  Maj 2015

 

Read More
28 Maj
0

Veliaj mashtroi se do të luftonte varfërinë dhe integrimin e kategorive në nevojë

Sot është koha për t’u përballur me faktet e jo fjalët. Njerëzit janë të lodhur nga përsëritja e PREMTIMEVE të pambajtura të Erion Veliajt të dy viteve më parë, dhe që përsëriten tani me ambalazh të ri për Tiranën. Në 2013-ën Erioni PREMTOI: “Përllogaritje me shpejtësi e minimumit jetik, si hapi i parë i rëndësishëm për të luftuar varfërinë dhe krijuar mundësi integrimi kategorive në nevojë.” Ky premtim doli veç fjalë boshe dhe MASHTRIM.

 

Pse nuk është llogaritur minimumi jetik për të luftuar varfërinë? Erion Veliaj ishte Ministri përgjegjës për të përmbushur këtë PREMTIM, si edhe dhjetëra PREMTIME të tjera që po ia përmendim çdo ditë qysh prej 3 javësh dhe ia publikojmë në website. Ai kishte në dispozicion plot 40% të buxhetit të shtetit por përsëri nuk punoi as një ditë të vetme për të realizuar këtë gjë. Erioni PREMTOI, por i pati vetëm fjale dhe i MASHTROI të gjithë shqiptarët.

 

Sot njerëzit në nevojë ndihen të MASHTRUAR nga papagalli i Edi Ramës që vetëm flet, por nuk REALIZON asnjë punë. Njerëzit në nevojë po gjejnë si rrugëdalje vetëm eksodin e tmerrshëm që e kishim harruar prej 25 vitesh. Erioni ka veç fjalë por nuk punon për hallet e njerëzve, nuk shpall minimumin jetik dhe nuk lufton varfërinë, duke bërë që PREMTIMI i papagallit të Ramës të mbetej veç fjalë dhe MASHTRIM.

 

Erioni prapë PREMTON sot veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i MASHTROJË sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Ka 3 javë që çdo ditë po i kujtojmë Erionit nga një tjetër PREMTIM të thyer dhe nga një tjetër MASHTRIM. Votuesit nuk janë lodra që të MASHTROHEN përsëri.


Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Eleina Qirici, 28 Maj 2015

 

Read More
28 Maj
0

Nga keqmemaxhimi Durresi ka humbur 15.000 vende pune

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorë të fshatit Qerret mbi projektin për të hapur vende të reja pune. Duma tha se do të mirëmanaxhojë taksat e qytetarëve duke sjellë në vëmëndje se aktualisht nga keqmanaxhimi i fondeve dhe projekteve, Durrësi ka humbur 15 mijë vende pune.

“Shoh buxhetin e bashkisë dhe e pjestoj për të parë se sa vende pune mund të kishim. Më rezulton se vetëm nga projektet e këqia që nuk janë realizuar, nga projektet që janë shtyrë, sot mund të kishim brenda qytetit të Durrësit 15 mijë vende pune më shumë. Për këtë arsye lufta kundër papunësisë dhe projektet pro punës do jetë të parat dhe kryesoret”, tha Duma.

Me banorët e zonës së ish-kënetës, Duma tha se nuk do të shkatërrojë administratën por të do ngrejë një staf professional dhe me kontribute. Ajo u shpreh se kjo zonë do të jetë prioritet në projektet e infrastrukturës.

“Nuk shkatërrojmë administratën për asnë arsye. Do të bëjmë një staf professional njerëzish. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të mbajmë me nder angazhimet tona dhe do ti mbajmë me nder ato. Gjithë kjo zona ka nevojë për stabilizim të menjëherershëm infrastrukturor. Nga ana tjetër, e vërteta është se jemi parë si të huaj”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28  Maj 2015

Read More
28 Maj
0

Ulje taksash e shtim të fondit të garancisë për vende të reja pune në Tiranë

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të njësisë 2 në Tiranë, në zonën pranë Qytetit Studenti, ku ndau me ta disa prej prioriteteve të tij. Kosova tha se në këto zgjedhje, qytetarët do të vlerësojnë personin tek i cili besojnë.
“Për veten time, sondazhin më të mirë kam sytë e atyre që më rrethojnë. Në qoftë se sytë e atyre që me rrethojnë flasin kështu siç flisni ju, nuk ka sondazh që e zbeh përqindjen dhe sigurinë e fitores së 21 Qershorit. Kjo nuk ka diskutim. Qytetarët votojnë qeverinë ose votojnë në rastin tonë kryebashkiakun për t’i zgjidhur problemet e tyre. Nuk e votojnë as qeverinë, as kryebashkiakun për të krijuar më shumë probleme. Pra kur vjen momenti i votës , çdo kush do ta hedhë votën atje ku beson. Aty ku beson jo për atë që zgjidhet, por aty ku beson për veten e tij, për familjen e tij, për lagjen e tij, për qytetin e tij. Kështu që ky është rasti që në 21 Qershor, të gjithë të hidhni votën, aty ku ju besoni, aty ku keni njerëzit me provë dhe që me modesti po e them që ai jam unë”, tha Kosova.

Kosova tha se do të stimulojë biznesin e madh në Tiranë, duke i ulur taksat e pronës, në mënyrë që të shtohen vendet e punës. Kosova solli dhe një shembull konkret.
“Po ju them vetem një shembull. Një ndër bizneset e mëdhaja në Tiranë paguan 70.000 euro në vit taksë vetëm për pronën. Dhe në qoftë se Bashkia e Tiranës, këtë e bën llogari çdo njeri shumë thjeshtë, i ofron këtij biznesi rreth 30% zbritje të kësaj takse, vetëm të kësaj takse do të thotë rreth  I7.000 euro, do të  jetë mundësi për këtë firmë që ta përdorë për vende të reja pune dhe kjo do të jetë kontrata që Bashkia e Tiranës do të bëjë me biznesin e madh”.

“Çfarë mbështetje do të kenë gratë në biznes nga ana juaj?”, e pyet një zonjë, kandidatin Kosova.

“Gratë do të favorizohen në biznes, në mënyrë që fondi i garancisë që Bashkia e Tiranës ka ngurosur në Bankë, prej 5.2 Milion Dollarësh, në mënyrë që gratë biznesmene, por dhe të rinjtë e me rradhë, për një ide që kanë, për një projekt që kanë, të kenë mundësi të marrin financimin e duhur, në mënyrë që kjo ide mos të rrijë në mendje dhe në kokë, por të bëhet realitet. Duke prodhuar vende pune, duke prodhuar të ardhura për qytetin duke marrë kredi pa përqindje dhe pa lënë kolateral, pa lënë as shtëpi, as biznesin dhe as pronën. Eshtë bashkia e Tiranës garante, edhe për përqindjet, edhe për kolateralin, me një kusht që eksperti i bashkisë, ose të fushave ku ju mendoni të shtrini aktivitetin, t’u ndihmojnë që mos hyni në rrugë të gabuar dhe një ide e mirë mos t’iu kthehet në problem nesër pasnesër. Eshtë parashikuar që ky fond të shkojë në 15 milion Euro”, shpjegoi Kosova.

“Unë jam i arrestuar në 2 Dhjetor nga 30 forca policie si debitor i energjisë elektrike. I vazhdoj akoma gjykatat, apelin gjyq pas gjyqi se jam pa prova pa fakte dhe jam debitor, thjesht debitor. Për të na kthyer dinjitetin që shkruani atje, si do të veproni ju me këtë qeveri që ka vendosur një regjim diskriminues? Panairi i punës tek Pallati i Kongreseve që unë kam shkuar disa herë reklamohet puna për në Abu Dhabi. Unë z.Doktor nuk do të mësoj arabisht  50 vjeç”, thotë një qytetar.

“Nuk mendoj që kjo zgjidhet me propagandë, duke hapur zyra, duke inaguruar zyra dhe rezultatet janë ato që ne të gjithë i njohim, por kjo do të zgjidhet me një angazhim total të Bashkisë së ardhshme të Tiranës, e cila si prioritet do të ketë punësim dhe uljen e taksave në funksion të punësimit , si dhe duke dëgjuar hallet e ndryshme që qytetarët e Tiranës kanë, që nuk janë probleme të Bashkisë por janë të qeverisë, ne kemi vendosur që në strukturën e re të Bashkise së Tiranës do të ketë dhe një zyrë përbri meje që do të jetë nën kujdesin tim të vazhdueshëm me juristë shumë profesionistë, në mënyrë që të ndjekin të gjithë proceset që qytetarët e Tiranës kanë dhe me qeverinë. Unë e konsideroj që qeveria duhe të bëjë politika dhe ka përgjëgjësi për të gjithë vendin dhe çdo menaxher qyteti duhet të bëjë më të mirën për të gjithë qytetarët që ka nën juridiksionin e tij. Unë kështu e konsideroj dhe kurrë nuk e konsideroj që qytetari të hajë pasojat e një lufte politikë midis partive të ndryshme për interesa personale, për xhelozira apo kush të kapë një post drejtues. Qytetari për mua është një dhe në radhë të parë është hallexhiu, në rradhë të dytë është merita dhe asnjë lloj vendi pune nuk do të ketë mundësi të blihet, të shitet siç kemi dëgjuar të gjithë bashkarisht që ka ndodhur, por çdo njeri sipas hallit dhe meritës do të marrë atë që i takon”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak ka një mesazh për rëndësinë e votës me 21 qershor.

“Unë dëgjoj lart e poshtë që kanë filluar të shiten dhe të blihen dhe i them që nuk dua të di gjë. E dinë vetë se çfarë bëjnë njerëzit, por në qoftë se hallexhiu do të mendoje të gjeje një zgjidhje për një ditë ose për dy ditë pavarësisht që është i stërmbytyr nga hallet, kjo nuk është zgjidhja që vendi kërkon në vazhdimësi. Le të mblidhemi të gjithë bashkë, gjykojeni vetë ku keni besim që të mendojmë se çfarë do të bëjmë për 4 vjet dhe jo për një ditë,2 ditë apo për një javë. Këtë e keni në dorë ju”, tha Halim Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28  Maj 2015

Read More
27 Maj
0

Kosova me pensionistët: Bashkia do të vlerësojë djersën tuaj

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me pensionistë dhe gra të Njësisë 5 në Tiranë, ku bisedoi për zgjidhjen e problemeve që ata kanë si nga pamundësia ekonomike, por edhe shqetësimet në komunitet. Kosova tha se ka në plan të minimizojë tarifat bashkiake për pensionistët dhe do të stimulojë grupe të rinjsh vullnetarë që të ndihmojnë këtë grupmoshë me shërbimet që ata kanë nevojë.

“‘Do të ulen taksat, se sado të pakta të jenë, janë shumë për një që e ka pagën ose pensionin shumë të vogël. Do të ulen taksat për biznesin, për të krijuar më shumë vende pune. Jam i angazhuar që në krye të një stafi që do të ecë se s’bën me ritmin tim, se nuk ka rrugë tjetër, do të jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës, për të bërë më të mirën e mundshme për individin, për familjen, për lagjen dhe për të gjithë qytetin”, tha Kosova.

“Kam filluar punën në 1955 dhe e kam lënë në  ’90. Më jep 14.000 lek pension. Gjizë ha”, ankohet një pensionist.

“A kam në dorë unë të bëj ndonjë gjë ? Po kam. Kam që ai pension që juve ju kanë lënë që për mua nuk është djersa që ju keni derdhur, si kryetar bashkie të bëj që t’i rritet sadopak vlera. Që aq sa është dhe është i vogël, lëre më po t’iu rëndohet dhe me taksa të ndryshme dhe shpenzime të ndryshme. Ajo që unë kam në dorë është që t’iu lehtësoj nga taksat që bashkia i ka në dorë, dhe sigurisht që do ta bëj dhe jo vetëm kaq . Ne po studiojmë një mundësi për lehtësi të tjera se si ilaçet t’ju vijnë në shtëpi dhe mos të detyroheni ju që të dilni orë e pa orë, kohë e pa kohë, për të marrë një shërbim që ne të gjithë do ta mendojmë se si ai do t’ju vijë ju në shtëpi”.

“Një problem shihet dhe jetojmë në një komunitet. Na duket vetja sikur jemi në hotel jo sikur jemi në shtëpinë tonë. Dikush që nga atje shkund, vjen një tjetër heq nga ashensori pjesët e saj i çon në vend tjetër, Unë mendoj që këtë problem në anën e njerëzve ta administrojë mundësisht bashkia”, shprehet një pensionist.

“Çfarë ka qenë në letër dhe ka për të qenë për të mirën e qytetarëve, këtë letër e kam bërë realitet. Ky është problemi në Shqipëri, në qoftë se shikon kur të prezantojnë programe, ti thua sa shumë kemi ecur. Kur vjen problemi për ta bërë realitet aty ngec pastaj. Ne e kemi këtë si pikë synim që të ketë një administrator, ndoshta jo një administrator për një pallat, por për një grup pallatesh të caktuara”, tha Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015

Read More
27 Maj
0

Basha: Populli endet rrugëve i pashpresë, kryeministri tallet dhe kërcënon qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike është takuar me banorë të Kavajës dhe Rrogozhinës. Zoti Basha është njohur me shqetësimet e tyre, si papunësia, largimi nga skema e ndihmës ekomomike të familjeve të varfra dhe futjes në skemë të miqve dhe të afërmve të qeveritarëve, rritja e çmimit të energjisë dhe mashtrimi për kompensimin e saj.

Banor: Kanë çu popullin në mënyrë të jashtëzakonshme, 900 vetë i kanë hequr vetëm nga përkrahja. Mos t’i japësh, unë jam një invalid i grupit të katërt i pjesshëm, marr 90 mijë lekë, nuk del as bukë thatë. 

Banor: Jam pa bukë në shpi po të them. S’kam ça të më bëjnë më, vetëm me më marrë shpirtin. 

Banor: Lekët e dritave s’i japin, i thashë merri mbajini, jepjani Edi Ramës lekët! 

Banor: Jam pa punë, më thuj ti si do ti ushqej unë, jam kryefamiljar, fëmijët e mi. Të shkoj të vjedh? Të lyp apo të bëhem kriminel? 

Basha: Zgjidhja është të bashkojmë të gjithë votën për të ndalur të keqen, për të larguar të keqen dhe për t’i hapur rrugën punësimit me djersën e ballit, me aftësi dhe me meritë. Ne po bëjmë një ofertë për qytetarët, që të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë me 25 për qind, të falim kamatë-vonesat sepse janë bërë të papërballueshme për shqiptarët. Ne po ofrojmë mundësi që përmes dedikimit të fondeve të shtetit për investime publike dhe mbështetje ndaj biznesit, duke ulur taksat të hapen më shumë vende pune. 

Të zhgënjyer dhe të braktisur janë sot qytetarë të majtë e të djathtë dhe kjo dëshmohet nga vetë ata. Listat në dyqanet e ushqimeve shtohen çdo ditë, i thanë zotit Basha tregtarët. Shqetësim i madh është shëndetësia e cila sot jo vetëm nuk është falas por është vjedhur edhe fondi prej 1.5 milionë dollarësh i kompensimit të ilaçeve. 

Banor: Unë në 2013-ën votova Rilindjen, nuk gjeta as rilindje, as asgjë tjetër, vetëm fukarallëk dhe vuajtje.

Banor: Ka varë tjetri veten për 30 mijë lekë të vjetra. Në një kohë ku ne jena pa bukë dhe ai tjetri vjen e pret dritat, ai pret të ardhmen e fëmijëve tanë. Ku do të studiojnë, në errësirë?!

 

Banor: Kam një dyqan që ther mish, kam pas ther një viç në ditë, sot s’e bëj dot një viç në javë. 

Banor: Ne po bëjmë detyrën që duhet të bënte qeveria, me ndihmu njerëzit, po e bëjmë ne, po i  mbajmë me bukë.   

Banor: Kam gruan 25 vite invalide, e kam pas të shtruar në spital, ilaçet po i blej me pare, me pare borxh po i marr. Më kanë kërku 7 mijë euro me e operu. Ku ti gjej? 

Basha: Mashtrimi me shëndetësinë falas është mashtrimi më i pashpirt. Përveç mashtrimit kanë futur duart edhe në fondin e kompensimit, kanë vjedhur 1.5 milionë dollarë që ishin për këto raste.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015

Read More
27 Maj
0

Duma: Plan afatgjatë për zhvillimin e bujqësisë, financim direkt nga bashkia

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me fermerët e Rrushkullit dhe Perlatit në Sukth duke ndarë me ta planin afatgjatë për zhvillimin e bujqësisë me mbështetjen direkt nga bashkia. Banorët kërkuan mbështetjen e Dumës që produket e tyre të shiten shpejt dhe me çmime më të mira. Zonja Duma tha se krahas ndërhyrjes në infrastrukturën bujqësore në vaditje, rrugë e tregje, bashkia do të bëhet palët direkt me fermerët duke financuar projektet e tyre.

“Punësimin do e nisim nga gjëra të thjeshta dhe të bëshme. Jo nga premtime si nga ato që dëgjova para pak ditësh se kush fermer investon 1 milionë euro do ketë lehtësira në taksa. Lehtësirat nuk do të ndodhin këtu se këtu nuk i ka njeri 1 milionë euro dhe mua nuk më rezulton. Do të hapim mundësi që produkti bujqësor i juaji të shitet. Që t’ia vlejë të merresh me bujqësi sepse kush merret sot me bujqësi bën vetësakrifikim. Do bëjmë fondin e garancisë për prodhimin bujqësor dhe nga 20-30 % Bashkia do të marrë pjesë në financimin e projekteve bujqësore. Tre tregje të mëdha grumbullimi dhe një pikë frigoriferike për produktet tuaja”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015

Read More
27 Maj
0

Basha-Vuçiç: Të orientojmë të gjitha energjitë për të ardhmen e përbashkët të rajonit në BE

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha priti në një takim kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç  dhe delegacionin  që e shoqëron.

Basha i uroi mirseardhjen në Tiranë kryeministrit Vuçiç ndërsa vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin  e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë.

Shqipëria dhe shqiptarët tha z. Basha nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të patur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet.

Bashkëpunimi tha z. Basha kërkon vullnet të dyanshëm ndërsa shprehu bindjen se është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen.  Kjo është sfida e brezit të ri të politikanëve në të dy vendet dhe mbarë rajonin.

Vizioni ynë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike,  është  integrimi europian i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe këtu duhet të orientohen energjitë tona për të çuar përpara projektin final të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Është koha tha zoti Basha të shohim ç’mund të bëjmë në interes të qytetarëve tanë dhe të ardhmes tonë. Qytetarët tanë presin lidership të vërtetë europian, tejkalim të problemeve të së kaluarës dhe punë të përbashkët për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqënie.

Ne duhet të punojmë me përkushtim për hartimin dhe realizimin e projekteve  të përbashkëta infrastrukturore dhe ekonomike theksoi kryetari Basha, duke mirëpritur angazhimin  për të avancuar projektin e nisur 6 vite më parë nga ministrat e brendshëm asokohe Basha dhe Daçiç për të hequr pengesat kufitare, dhe për të mundësuar levizjen e lirë mes dy vendeve. Kjo do ta bënte  më të lehtë shkëmbimin e mallrave, njerëzve dhe kapitalit  dhe do të shërbente për rritjen e investimeve dhe punësimin e qytetarëve në të dy vendet. Z. Basha mirëpriti edhe angazhimin e kryeministrit Vuçiç për projektin e autostradës Durrës- Kukës-Prishtinë- Merdare- Nish.

Për ne  Kosova e pavarur është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë tha z. Basha, por një zgjidhje përfundimtare  e krizës së shkaktuar në rajon pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Kryetari i Partisë Demokratike ka vlerësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka nxitur intensifikimin e këtij dialogu në funksion të zgjidhjeve dhe lehtësirave të prekshme për qytetarët e dy vendeve.  Unë shpresoj që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët theksoi z. Basha  pasi ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri,  mirëqënie  dhe zhvillim për të gjithë  rajonin.

Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës,  z. Basha i kërkoi  kryeministrit Vuçiç një vëmendje më të madhe  nga ana e qeverisë serbe  si përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të  kësaj zone por dhe rritjes së shanseve për punësim dhe arsimim.

Basha ka kërkuar nga kryeministri serb edhe zbatimin e marrëveshjes  për tekstet  shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015

Read More