Blog

12 Mar
0

Bashkimi më madhështor i shqiptarëve, kundër krimit në qeverisje, kundër varfërisë, kundër padrejtësisë‏

-Nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë Bulevard i mbushur si asnjëherë më parë dhe në emër të mijëra të tjerëve që nuk gjenden sot këtu por ndajnë me ne të njëjtën brengë e kanë të njëjtat ëndrra për Shqipërinë Europiane, i themi shkelësve të ligjit, të akuzuarve për vrasje e bashkëpunim në këto mynxyra, sido që ta kenë emrin, Ilir, Edi, Emiliano, Hakmarrje për Drejtësi, apo Saimir, ne jemi këtu, shumica e patrembur e shqiptarëve, përballë do të na keni, derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet.

-Për dy vite me radhë, kanë rritur taksat, kanë shtuar represionin, kanë bllokuar, kanë shtrënguar dhe kanë shtypur popullin. Asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, asnjë akt të vetëm për të qëndruar në anën e tyre. Kanë çuar në vetvrasje dhjetra kryefamiljarë. Kanë arrestuar 38 mijë bashkëqytetarë në një vit të vetëm. Njerëz të braktisur, të refuzuar e të përbuzur nga qeveria e tyre që kurrë nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar.

-Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Në Shqipëri, krimi nuk ka pasur asnjëherë lidhje më të forta me qeverinë se sa sa pas 23 qershorit të vitit 2013. Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit kanë dorë të lirë, territore nën kontroll dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk kuptohet më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Trafikantë droge e krerë bandash kanë kapur zyrat publike, dhe kanë arritur deri në parlament.

-Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Dhe kjo akuzë vjen nga më i afërti i Edi Ramës dhe Ilir Metës, miku për kokë deri dje, superdeputeti, ai që i hapeshin të gjithë dyert, ortaku i bizneseve dhe i aferave. Për 6 muaj, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbajtur të fshehtë krimin, për 6 muaj jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në errësirë, me dorasin e porositësin, me shënjestrën, me oborrtarin Ministër që synon të fshehë gjurmët.

-I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë; ik jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat  si porositës i vrasjes së dy deputetëve.

-I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës, të mos bëjë më asnjë sekond kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin për krimin makabër të denoncuar nga deputeti i tij më i afërt i ortakërive të ngushta politike, të japë llogari para drejtësisë dhe opinonit publik dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të paprecedent monstruoz.

Motra dhe vëllezër

Shqipëria e pa, bota e pa, të gjithë e panë se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh, mbylli parlamentin dhe e pushoi Ilir Metën nga detyra e Kryetarit të Kuvendit.

E panë bashkimin e shqiptarëve. Shikojeni bashkimin e shqiptarëve. Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve. Meta ik! Rama ik!

Motra dhe vëllezër,

Nëna dhe baballarë,

Të rinj e të reja,

Bashkqytetarë nga gjithë Shqipëria,

Nga Saranda, Vlora, Lushnja, Fieri, Durrësi, Shkodra, Lezha, Kurbini, Elbasani, Korça. Nga Dibra e Mati, Leskoviku, Skrapari, Gjirokastra dhe Berati, nga gjithë Shqipëria,

 Të dashur qytetarë të Tiranës,

Jemi mbledhur sot këtu, në një takim madhështor, më të bashkuar se kurrë, sepse në jetën tonë, në jetën e çdo shqiptari, në rrugën me shumë mund e përpjekje, në ëndrrat që kemi, në dëshirat tona, për të pasur, punë, dinjitet e siguri, dikush ka ndërhyrë brutalisht, duke na kthyer mbrapsht në makthin më të keq.

Ka ndërhyrë brutalisht qeveria, Edi Rama dhe Ilir Meta që kanë përmbysur gjithçka.

Sot çdo familje shqiptare është nën rrethim nga gjithë të këqiat e mundshme.

Çmimi i energjisë është rritur, faturat janë të papërballueshme.

Kurrë më parë s’ka pasur mes nesh kaq shumë të papunë.

Varfëria është thelluar, qindra mijëra familje mezi mbijetojnë.

Shumica e shqiptarëve sot vuajnë.

Kokëulur janë sot çdo mëngjes prindërit se nuk i blejnë dot librat e shkollës fëmijëve.

Kokëulur janë se nuk marrin dot ushqimet në dyqane e markete, se listat e borxheve nuk mbajnë më.

Kanë ulur kokën, të rinjtë e të rejat, studentët, prindërit, kryefamiljarët, të moshuarit, të gjithë, sepse nuk munden më.

Pas çdo fature të rritur, pas çdo vështirësie, qëndron ikona e së keqes, dyshja Rama Meta.

Për dy vite me radhë, kanë rritur taksat, kanë shtuar represionin, kanë bllokuar, kanë shtrënguar dhe kanë shtypur popullin. Asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, asnjë akt të vetëm për të qëndruar në anën e tyre. Kanë çuar në vetvrasje dhjetra kryefamiljarë. Kanë arrestuar 38 mijë bashkëqytetarë në një vit të vetëm. Njerëz të braktisur, të refuzuar e të përbuzur nga qeveria e tyre që kurrë nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar.

Mjerim, varfëri dhe papunësi kudo. Por ata, oligarkët po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisjes ka vjedhje, ka përvetësim, makutëri për pasurim të shpejtë.

Zyrat e qeverisë janë kthyer në portat e ferrit, të zhvatjes e të rrjepjes së qytetarëve, sipas modelit të dyshes Rama-Meta.

E kur ekonomia është zhytur në krizë, kur mjerimi ka shtrënguar lakun në fytin e çdo familje shqiptare, kur shqiptarët nuk mbyllin dot muajin, një hall tjetër edhe më i madh na ka zënë.

Pasiguria, tritoli, krimi që bredh lirshëm e kërcënon çdo ditë.

Kur shumica e shqiptarëve nuk mblidhen dot rreth tavolinës, se nuk kanë me se, çdo ditë e më shumë njerëzit po luten që të shpëtojnë kokën, që tritoli të mos shpërthejë, që armët të mos shkrehen aty ku ata kalojnë, që fëmijët të kthehen shëndoshë në shtëpi.

Ka një arsye pse rendi dhe pasiguria janë më keq se kurrë. Të stampuar si autorë të këtij krimi të madh, sepse nuk ka krim më të madh se sa të mos u garantosh qytetarëve rend e siguri, janë Edi Rama dhe Ilir Meta.

Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Në Shqipëri, krimi nuk ka pasur asnjëherë lidhje më të forta me qeverinë se sa sa pas 23 qershorit të vitit 2013.

Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit kanë dorë të lirë, territore nën kontroll dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk kuptohet më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Trafikantë droge e krerë bandash kanë kapur zyrat publike, dhe kanë arritur deri në parlament.

Po krusma e madhe s’kish mbërritur akoma.

Na del se Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Dhe kjo akuzë vjen nga më i afërti i Edi Ramës dhe Ilir Metës, miku për kokë deri dje, superdeputeti, ai që i hapeshin të gjithë dyert, ortaku i bizneseve dhe i aferave.

Për 6 muaj, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbajtur të fshehtë krimin, për 6 muaj jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në errësirë, me dorasin e porositësin, me shënjestrën, me oborrtarin Ministër që synon të fshehë gjurmët. Për 6 muaj janë përpjekur t’ia faturonin këtë opozitës, Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. 6 muaj të zhytur në krim, 6 muaj duart me gjak.

Në zyrat më të rëndësishme të shtetit, në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në zyrën e Kryeministrit, të Ministrit të Brendshëm, është bërë pazar me jetën e dy deputetëve, është negociuar mes bandave. Janë bërë shantazhe e matje forcash. Secili grup ka thirrrur nën armë banditët e tij.

Jemi sot të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, më e rënda në 25 vite, sepse kumbarët në pushtet nuk vendosën dot paqe, nuk u morën vesh për ndarjen e tortës së pushtetit, nuk u morën vesh për ndarjen e tenderave dhe koncesioneve, të bizneseve të pisëta, të trafiqeve dhe shpërndarjes së privilegjeve.

Pazari nuk u arrit dhe ujërat e qelbura dolën në shesh. Ja ku jemi sot: kryetari i Parlamentit nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve, kryeministri bashkëpunëtor që në ditën e parë, ministri i brendshëm korrier privat mes vrasësit e ish mikut të tyre superdeputet.

Ligji dhe Kushtetuta, të shkelura me përdhunë, si në republikat e krimit. Krerët më të lartë të shtetit në një garë të ethshme se kujt do t’i puthnin dorën, don Metës, apo don Ramës.

Janë mbledhur si një sekt mafioz e gatuajnë çdo ditë alibi, fabrikojnë e manipulojnë, nxjerrin informacione hetimore, dhe i bëjnë presion Prokurorisë, që të arrijë në përfundimet që ata duan, për të dalë të larë nga kjo histori e zezë krimi.

Por ata kanë harruar se ne jemi këtu, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë, për të mos lejuar rënien e demokracisë, rrëzimin e shtetit dhe të çdo principi e vlere bashkëjetese që e kemi arritur me mund e me djersë në këto 25 vite.

I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë; ik jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat  si porositës i vrasjes së dy deputetëve.

I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës, të mos bëjë më asnjë sekond kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin për krimin makabër të denoncuar nga deputeti i tij më i afërt i ortakërive të ngushta politike, të japë llogari para drejtësisë dhe opinonit publik dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të paprecedent monstruoz.

Deklarojmë nga ky bulevard i lirisë dhe i shpresës, mbështetjen tonë të plotë ndaj organeve të prokurorisë e drejtësisë, dhe kërkojmë prej tyre zbardhjen e plotë, të akuzave më të rënda në historinë e demokracisë.

Jemi këtu për të manifestuar fuqinë e pathyeshme të bashkimit mbarëpopullor.

Për të thënë se jemi gati, jemi në këmbë, të gatshëm të ngrihemi, t’i dalim zot me çdo mjet demokratik vendit tonë, fateve tona dhe të fëmijëve tanë.

Ti dalim zot demokracisë tonë të çuar buzë humnerës si asnjëherë tjetër nga Edi Rama dhe Ilir Meta, këta shkelës me këmbë të ligjit dhe Kushtetutës, këta oligarkë pa din e pa iman.

Ti dalim zot të ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë të kërcënuar seriozisht nga pasiguria, varfëria dhe krimi i ngritur në sistem.

Për këto jemi mbledhur sot dhe do të qëndrojmë të mbledhur e të bashkuar deri në fitore.

Nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë Bulevard i mbushur si asnjëherë më parë dhe në emër të mijëra të tjerëve që nuk gjenden sot këtu por ndajnë me ne të njëjtën brengë e kanë të njëjtat ëndrra për Shqipërinë Europiane, i themi shkelësve të ligjit, të akuzuarve për vrasje e bashkëpunim në këto mynxyra, sido që ta kenë emrin, Ilir, Edi, Emiliano, Hakmarrje për Drejtësi, apo Saimir, ne jemi këtu, shumica e patrembur e shqiptarëve, përballë do të na keni, derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet.

Ky është një moment tragjik për gjithë ata shqiptarë që kishin varur shpresa të mëdha dhe kanë pritur tjetër gjë nga qeveria e tyre.

Por është edhe koha e një zgjimi të vrullshëm, e një kushtrimi të madh për të zbritur të bashkuar pa dallim, demokratë, opozitarë, të majtë e të djathtë, në rrugët dhe sheshet e protestës popullore, për të demostruar sovranitetin e drejtpërdrejtë të popullit para një qeverie që ka devijuar nga rruga e ligjit, e së mirës, e së drejtës dhe e Zotit. Jemi këtu jo vetëm për ta ndalur, por për ta larguar.

Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, dhe unë ju jap fjalën se Shqipëria do ta ketë këtë ofertën e re.

Ne nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi.

Nuk ndalemi derisa krimi të mposhtet.

Nuk ndalemi derisa më të mirët e bijve dhe bijave tona të marrin drejtimin e vendit.

Nuk ndalemi derisa qytetarët të kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria qytetarët.

Nuk ndalemi derisa të shporrim të keqen.

Nuk ndalemi derisa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen.

Ky bashkim i madh, ky bashkim i paprecedentë që nga ditët e zjarrta të demokracisë është shenja e parë se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Dëgjojeni zërin e qytetarëve.

Ilir Meta dëgjoje zërin e qytetarëve. Jep dorëheqjen.

Edi Rama, mos bëj hesape me krimin, mos bëj hesape me bandat, mos bëj hesape me Ilir Metën> Bej hesape me popullin, përndryshe shporru dhe ti.

Rroftë populli shqiptar!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Rroftë demokracia!


Fjalimi i Kryetarit të Partisë Demokratike në protestë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, 12 Mars 2015

Read More
11 Mar
0

Protestë madhështore e paqësore, shqiptarët do të kenë ofertë të re‏

-Të rinjtë shqiptarë janë reshtuar të parët për t’i thënë jo krimit në krye të qeverisë.

-Shqiptarët do të çohen kundër tiranisë së varfërisë, për ti thonë jo një qeverie të lidhur me krimin.

-Le ti themi Shqipërisë tonë të dashur, na jep më të mirët e tu, të rinjtë dhe të rejat, demokratë dhe socialist, ta pastrojmë politikën njëherë e mirë nga krimi.

-Qindra e mijëra shqiptarë që të dalin nesër në Sheshin Skëndërbej, në orën 11:00, është aspirata e një populli të tërë për ti thënë jo krimit në krye të qeverisjes, për ti thënë jo mafias në pushtet dhe bashkë me ne janë aspiratat e çdo shqiptari.

-Nesër shqiptarët do të ushtrojnë të drejtën e tyre për një protestë madhështore, paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit.

-Nesër është ora e përballjes, me një qeveri që erdhi me premtime të mëdha dhe jo vetëm që nuk i mbajti ato premtime, por e zhyti vendin në mjerim.

-Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, rinia shqiptare ka nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se rinia shqiptare jo vetëm do ta ketë këtë ofertë të re por do të jetë pjesë e pandashme e kësaj oferte.

Përshëndetje dhe përqafime të përzemërta për gjithsecilin për ju në këtë sallë e për mijëra e mijëra të rinj jashtë kësaj salle.

Flamurtarët e betejës për demokracinë, për shtetin ligjor, për dekriminalizimin.

Të dashur të rinj dhe të reja. Jam i prekur dhe i emocionuar nga ky entuziazëm sepse në këtë orë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, çdokush ka nevojë të lexojë besimin tek e nesërmja që e pret Shqipërinë siç është sot në fytyrat tuaja, në fytyrat e rinisë shqiptare.

Ju jeni të parët, të parët që u rreshtuat në këtë betejë. Një betejë që nuk na ndan në të majtë e të djathtë por na bashkon të gjithë shqiptarët. Shqiptarët që kanë vendosur ti thonë jo, boll më krimit në krye të qeverisë. Kanë vendosur ti thonë jo terrorit, pasigurisë, tritolit dhe tritolpolitikës. Kanë vendosur ti thonë jo padrejtësisë që merr jetë njerëzish, largimeve të padrejta nga puna, faturave të papërballushme dhe shpesh abuzive të energjisë.  Laku që shtrëngohet çdo ditë në fytin e më të pamundurve, në fytin e prindërve tuaj, vëllezërve dhe motrave tuaj më të mëdhenj. Kanë vendosur ti thonë jo një qeverie që rrit taksat por pakëson shërbimet, që vjel më shumë të ardhura nga shqiptarët por që në vend ti destinojë ato për shqiptarët i kthen ato në skema korrupsioni galopant për të mbushur trastat dhe xhepat e qeveritarëve të korruptuar.

Ju jeni bërë këto ditë zëri dhe shpresa e një Shqipërie e cila po rënkon nën thundrën e tiranisë së varfërisë, tiranisë së pamundësisë, e cila jo vetëm shtrydh çdo kacidhe nga xhepat e kryefamiljarëve e prindërve tuaj por mundohen të shtrydhin shpresën. Ti shtyjnë shqiptarët drejt dëshpërimit më të madh e deri drejt largimit nga vendi i tyre, largimit nga shtëpitë e tyre. E pra ju jeni bashkuar këto ditë siç do të bashkohen shqiptarët nesër në manifestimin më madhështor, në një marshim proteste për ti dhënë shkaktarëve të kësaj gjendje një mesazh të fortë, për ti treguar me zërin e lartë të bashkimit të shqiptarëve, mesazhin se punëdhënësit e qeverisë janë qytetarët, se janë qytetarët që kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria që kontrollon qytetarët, se janë njerëzit e këtij vendi që kontrollojnë politikën dhe jo politika që kontrollon njerëzit.

Si kemi ardhur në këtë orë të zezë për ekonominë e vendit, për sigurinë e vendit, për mirëqënien, për shanset për punësim ?! Si kemi ardhur në këtë orë të zezë ?! Kemi ardhur për shkak të një politike dhe qeverie të papërgjegjshme. Këtë e dimë të gjithë. Por ajo që kemi dëgjuar 10 ditët e fundit sfidon edhe fantazinë më të shfrenuar, të shqiptarëve dhe europianëve. Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës për përpjekje për likujdime, jo me aktorë siç i pëlqen të thotë kryeministri klloun por me vrasës serialë, me vrasës të njohur, të skeduar. Me vrasës që kanë marrë pjesë në vrasjet më të bujshme. Herë për hesap të njërës anë, e herë për hesap të anës tjetër, por gjithmonë për hesap të krimit.

Dhe tani, pasi i vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi hoqën masivisht njerëzit nga puna dhe mbyllën mijëra vende të tjera pune përmes taksave të larta, informalitetit, kontrabandës, që rrënoi biznese të vogla, të mesme, të mëdha. Pasi shtuan e shtuan taksat sa i morën dhe kacidhen e fundit shqiptarëve. Pasi i falën 600 milionë euro CEZ-it dhe rritën çmimin e energjisë duke goditur në palcë ekonomitë familjare duke shtyrë shumë njerëz drejt vetflijimit, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë dhe me gjak, ata që kanë për detyrë ti mbrojnë këto prona dhe pasi u zunë dhe u grinë me njëri tjetrin, sa për naftë e Albpetrol, sa për kanabis e kokainë, tani filluan të lajnë hesapet me njëri tjetrin. Një skenar i denjë vetëm për filmat e mafies por fatkeqësisht ky nuk është një film. Shqiptarët po e përjetojnë këtë realitet. Ky nuk është film. Ky është një realitet i dhimbshëm që na prek drejtpërdrejtë ne, na trondit ne siç po trondit gjithë botën.

Por të parët që e vuajnë është rinia shqiptare. A është ky shembulli që qeveria duhet ti japë rinisë ?! Përmes promovimit të krimit, infiltrimit në nivelet e larta të qeverisjes, dhurimit të pozicioneve e posteve kriminelëve, nejrëzve që në CV-në e tyre kanë vite burg dhe jo vite universitetesh. A janë këta drejtuesit që duhet të drejtojnë Shqipërinë?! A janë këta njerëzit që duhet të ketë në krye vendi ynë, qytetarët e këtij vendi, rinia shqiptare?!

Ja tek erdhëm, ashtu siç e paralajmëruar tek një finale e zezë e filmit të tyre mafioz. Akuzohet kryetarit i Kuvendit se ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Kryeministri e ka ditur për 6 muaj por ka heshtur. Ministri i Brendshëm është ulur, jo me aktorin por me një vrasës të dyshuar që është përdorur njëherë nga njëra anë dhe herë nga ana tjetër për hesape të krimit. Por kanë pirë kafe në rezidencat qeveritare të Durrësit dhe zyrën e tij në vend që të aplikonin ligjin. Sepse janë dy Shqipëri. Është Shqipëria e ligjit që vepron si kërbaç mbi të pamundurit dhe Shqipëria e ligjit të mikut ku vrasësi ulet me Ministrin e Brendshëm, në vend që të arrestohet e të proçedohet sipas ligjit, del i lirë, shëtit i lirë, madje mund edhe t’ia mbathë nga vendi, e nëqoftëse i duhet e kthejnë prap, e përdorin siç i përdor. Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundimi i ligjit por është sundimi i mafias. Çfarë duan shqiptarët, të djathtë dhe të majtë?  Për çfarë qendrojmë ne sot? A jemi për sundimin e ligjit apo për sundimin e mafias? A jemi për demokracinë apo për oligarkinë Rama-Meta? A jemi për lirinë apo jemi për shtypjen nga krimi? Këto janë dilemat të cilave ne do t’ia japim përgjigjen duke nisur nga dita e nesërme.

Mendonin se do ta linin pa përgjigje. Harruan rininë shqiptare. Harruan se një vend edhe mund të vihet përkohësisht nën thundrën e krimit, por rinia shqiptare nuk vihet dot asnjë ditë. Ndaj  rinia shqiptare e ka treguar. Pse?

T’ju bëj një pyetje? A e keni parë se si i ka zënë paniku? E keni parë si dridhen nga frika ?! A e keni parë sa të stresuar janë? Pse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran.

Shqiptarët janë tronditur, shqiptarët po rënkojnë. Shumë prej tyre po kërkojnë rrugë të daljes. Rinia do t’jua jap këtë rrugë të daljes. Rinia është e tronditur gjithashtu. Por rinia është e vendosur që tronditjen mos ta kthejë në habi, tronditjen mos ta kthejë në dëshpërim, tronditjen mos ta kthejë në vetflijim, por ta kthejë në forcë. Ta kthejë në forcë, ta kthejë në forcë për të tronditur në themele shkaktarët e kësaj gjendje.

Ndaj jam sot plot shpresë, sepse e di që bashkë me ne, bashkë me rininë shqiptare, bashkë me qindra e mijëra shqiptarët që do të dalin nesër në Sheshin Skëndërbej, në orën 11:00, është aspirata e një populli të tërë për ti thënë jo krimit në sistem, për ti thënë jo krimit në krye të qeverisjes, për ti thënë jo mafias në pushtet dhe bashkë me ne janë aspiratat e çdo shqiptari.

Nuk jemi vetëm, në krah kemi vullnetin, dëshirën, mbështetjen, urimet dhe bekimet e aleatëve dhe miqve tanë, demokracive të mëdha perëndimore, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Le ta nisim pra marshimin tonë nesër për të mos e ndalur deri sa të përfundoj dekriminalizimi i plotë.

Kriminelët jashtë Kuvendit dhe jashtë politikës. Dhe le ti themi shqiptarëve; Shqipëria e vuajtur dhe e tronditur nuk meriton këtë drejtim. Le ti themi Shqipërisë tonë të dashur, na jep më të mirët e tu, të rinjtë dhe të rejat, demokratë dhe socialist, ta pastrojmë Shqipërinë njëherë e mirë. Ta pastrojmë politikën njëherë e mirë.

Nesër do të ushtrojmë të drejtën tonë, për një protestë madhështore, paqësore. Paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit.

 Unë ju them sot, me autorizimin e shpirtrave tuaj të çiltër, me autorizimin e zemrave të pastra të rinisë shqiptare dhe të gjithë protestuesve shqiptarë nesër, se nuk do të ketë vend mes nesh për krimin dhe kriminelët. Krimin dhe kriminelët i keni në gjirin tuaj. Krimin dhe kriminelët i keni në qeverisje dhe ne do t’i largojmë me çdo çmim.

Nesër është ora e përballjes, me një qeveri që erdhi me premtime të mëdha dhe jo vetëm që nuk i mbajti ato premtime, por e zhyti vendin në mjerim. Nesër është ora që me fuqinë e bashkimit, shqiptarët, bosët e bosave të qeverisë, njerëzit që emëruan dhe emërojnë qeveritë, të nisin procesin e pakthyshëm të pushimit nga puna.

Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, rinia shqiptare ka nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se rinia shqiptare jo vetëm do ta ketë këtë ofertë të re por do të jetë pjesë e pandashme e kësaj oferte.

Ejani pra nesër, të mblidhemi si asnjëherë më parë. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi.

Rroftë rinia shqiptare.

Nesër në orën 11:00 tek Sheshi Skënderbej.


Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me të rinjtë demokratë një ditë para protestës, 11 Mars 2015

 

Read More
11 Mar
0

Rama dhe Meta në panik nga protesta madhështore

I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta. Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli. Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm. Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim, që të vijnë e t’i japin zë kërkesave të tyre e të bashkohen me kauzën e drejtë dhe të madhe të shqiptarëve.

Mazhoranca është kapur nga paniku i protestës së nesërme popullore, sepse të dhënat tregojnë se pjesmarrja e shqiptarëve në këtë protestë do të jetë madhështore.

Qindra mijë qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11 në Sheshin Skenderbej, për të ngritur zërin e tyre, kundër krimit në qeverisje, kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit, kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta.

I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse, janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij.

I ka zënë paniku, se në sytë e gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor.

I ka zënë paniku, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta, e kanë tradhëtuar popullin, kanë sjellë varfëri, papunësi e skamje, korrupsion, e zhvatje të qytetarëve.

I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë.

Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta.

Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli.

Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim, që të vijnë e t’i japin zë kërkesave të tyre e të bashkohen me kauzën e drejtë dhe të madhe të shqiptarëve.

Partia Demokratike do të jetë në ballë të kësaj proteste madhështore për të sotmen e të ardhmen e vendit dhe demokracisë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, 11 Mars 2015

Read More
11 Mar
0

Reagim i Partisë Demokratike

Partia Demokratike mbështet shtyrjen e mbledhjes përuruese të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA. Një mbledhje e tillë me praninë e Ilir Metës si kryetar Kuvendi ndërkohë nën hetim dhe akuzë si dhe me pjesëmarrjen e disa deputetëve të cilët do duhej të ishin objekt i dekriminalizimit është gjykuar e papërshtatshme për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike. PD mbështet fuqimisht forcimin e bashkëpunimit midis parlamentarëve shqiptarë dhe partnerit tonë strategjik SHBA, dhe shpreh konsideratën më të lartë për ambasadën e SHBA në Tiranë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Mars 2015

Read More
10 Mar
0

Basha: Pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin dhe një oferte e re për shqiptarët është zgjidhja e kësaj situate‏

Parlamenti Europian dhe Bashkimi Europian mbështesin iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e politikës shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë “Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian”.

Lideri i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha ka folur në Strasburg për një sërë shqetësimesh aktuale me të cilat përballet aktualisht vendi. Shqetësimet për situatën politike në Shqipëri dhe domosdoshmërinë e procesit të dekriminalizimit, zoti Basha i ndau edhe në takimet e zhvilluara me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn dhe eurodeputët e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian. Zoti Basha ka theksuar se akuzat e hedhura në gjirin e mazhorancës për skenarë vrasjesh dhe larje hesapesh kanë tronditur thellë jo vetëm Parlamentin Europian, por edhe institucionet e tjera europiane, të cilat mbështesin pa hezitim dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare.

“Në konferencë dhe në takimet që kam patur u diskutua për shqetësimin e madh të Bashkimit Europian për zhbërjen e standardeve demokratike në Shqipëri. Për zhbërjen e shtetit ligjor, goditjen e vendimeve të gjykatave, kapjen e institucioneve të pavarura, klimën jo konstruktive që shumica ka krijuar në raport me opozitën, goditjen e të drejtave të njeriut e shumë e shumë probleme të tjera me të cilat Shqipëria është ndeshur në këtë vit e gjysmë përsa i përket standardeve demokratike.  Por siç mund ta imagjinoni, vëmendja e bashkëbiseduesve,  e të gjithë europarlamentarëve dhe institucioneve të tjera, përfaqësues të tjerë të institucioneve të larta të Bashkimit Europian që kam takuar, është përqendruar thuajse tërësisht në zhvillimet dramatike në Shqipëri në 10 ditët e fundit.
Plasja e skandalit brenda mazhorancës, sipas të cilit prej gjashtë muajsh, kryetari i Kuvendit është i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë përpjekur ta fshehin, ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga procesi i duhur ligjor, është një tronditje e thellë, dhe ka shkaktuar një tronditje të thellë në institucionet e Bashkimit Europian, tek europarlamentarët, tek përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Janë këto institucione që kanë dhënë mbështetje për dekriminalizimin. Është Parlamenti Europian që u angazhua në fund të vitit të kaluar për dekriminalizimin dhe sot, këtu në Strasburg, në prani të këtyre institucioneve është theksuar nga bashkëfolësit e mi se nevoja për dekriminalizimin e politikës shqiptare është më akute se kurrë më parë. Kjo klimë, e paprecedentë, e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese. Por nga ana tjetër është një mundësi e madhe, kanë theksuar bashkëfolësit në takimet që kam pasur me ta, bashkëbiseduesit, për të bërë një pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin.

Ndaj kam gjetur mbështetje të plotë, mbështetje të jashtëzakonshme do të thoja, për iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e politikës shqiptare, një mbështetje të fortë për aleancën e Partisë Demokratike me qytetarët shqiptarë, për t’i dhënë një mesazh të fortë qeverisjes Rama-Meta se kështu nuk ecet më përpara, se kështu nuk do të ecet më përpara. Se e vetmja rrugë për Shqipërinë drejt integrimit europian, drejt standardeve, drejt mirëqenies, është ndarja njëherë e përgjithmonë e politikës nga krimi. Dhe kjo nuk arrihet duke mbyllur hetimet shpejt e shpejt. Kjo arrihet duke i hapur hetimet, duke i treguar shqiptarëve me transparencë çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, si ka ndodhur, cilat janë motivet e kësaj sjellje kriminale në gjirin e mazhorancës, duke vënë përgjegjësit para ligjit dhe duke dalë para shqiptarëve me një ofertë të re.” deklaroi kryetari i Partisë Demokratike në një prononcim për mediat në përfundim të konferencës dhe takimeve në Strasburg.

 


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Mars 2015

 

Read More
10 Mar
0

Inkriminimi nuk ndalet, kreu i forcave operacionale në krye të trafikut të drogës‏

Këto fakte tronditëse janë dëshmi se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit. Ne do ta ndalim të keqen. Duke nisur nga e 12 marsi, në orën 11 në Sheshin Skenderbej

Inkriminimi i administratës shtetërore është shtrirë kudo, masivisht, vertikalisht e horizontalisht.

Por më i dhimbshmi, është sigurisht, inkriminimi  në radhët e policisë së shtetit.

Drejtori i Forcave Operacionale, është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge.

Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi.

Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj.

Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta.

Alban Ahmetaj, ka qënë i përjashtuar nga policia e shtetit, por u rikthye me rilindjen në krye të strukturës më delikate të policisë së shtetit.

Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin, gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit e trafikut, kundër bosëve të drogës.

Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pisëta e të jashtligjshme.

Kjo do të thotë se; banda më e rrezikshme e drogës, është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit.

Këto fakte tronditëse janë dëshmi se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit.

Këta të dy janë etërit e aleancës me krimin dhe të ngjitjes së krimit në majë.

Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e meritojnë këtë shkallë inkriminimi.

Eshtë kjo arsyeja që rendi dhe siguria publike janë sot në ditën më të keqe.

Por populli nuk do të lejojë që Shqipëria të shkojë në greminë.

Ne do ta ndalim të keqen. Duke nisur nga e 12 marsi, në orën 11 në Sheshin Skenderbej.


Deklarata për media e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 10 Mars 2015

Read More
10 Mar
0

Meta konfirmon akuzën e PD-së u përpoq t'ia faturonte opozitës skenarin e vrasjes së dy deputetëve‏

Shqiptarët presin vetëm një fjalë nga Ilir Meta; të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Ai vazhdon të fshihet, vazhdon të rrijë i lidhur me çdo kusht pas karriges. Por Ilir Meta nuk do të mund të sfidojë ligjin, Kushtetutën, Drejtësinë dhe popullin. Numërimi mbrapsht ka nisur. Të enjten, shqiptarët më të bashkuar se kurrë, do të nisin aksionin për ta çliruar politikën, parlamentin dhe vendin nga sundimi i krimit. Të gjithë të bashkuar, me 12 mars në orën 11 në Sheshin Skenderbej.

Ilir Meta tregoi mbrëmë se është një i dëshpëruar që flet përçart për të shpëtuar nga akuza më e rëndë e 25 viteve në politikë, ajo e porositjes së vrasjes së dy deputetëve.

Ai është akuzuar nga radhët e mazhorancës, me zë e me figurë, se ka paguar për eleminimin fizik të dy deputetëve, ndërkohë që sheh si komardare shpëtimi sulmin ndaj opozitës.

Dje Ilir Meta u shfaq si njeriu që ka kryer krimin dhe kërkon të lajë duart: Ai pranoi se akuzat e Tomë Doshit janë mbajtur të fshehura për 6 muaj, dhe tani që ai është përjashtuar nga grupi i Partisë Socialiste, këto akuza nuk paskan më vlerë.

Gjithashtu, Meta konfirmoi akuzën kryesore të Partisë Demokratike, kur tha se kishte ftuar dhe takuar familjarë të deputetit Fufi, me një qëllim; që t’i faturonte opozitës porosinë për vrasjen e tij.

Kontradiktor dhe kaotik, Ilir Meta është sot në sytë e mbarë opinionit publik, nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve.

Askush nuk e njeh më për kryetar kuvendi një person nën akuzën më të rëndë të Kodit Penal, e megjithatë Ilir Meta nuk jep asnjë shenjë përgjegjshmërie.

Shqiptarët presin vetëm një fjalë nga Ilir Meta; të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë. Situata është shumë e rëndë, dhe ka vënë në provë themelet e ekzistencës së shtetit, ndërsa Ilir Meta vazhdon të fshihet, vazhdon të rrijë i lidhur me çdo kusht pas karriges.

Duke qënë numri dy i shtetit, Ilir Meta e pengon drejtësinë, dhe ushtron pushtetin e tij për ta ndalur hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës.

Qytetarët presin vetëm një fjalë nga ai. Që të japë dorëheqjen.

Dhe Ilir Meta nuk do të mund të sfidojë ligjin, Kushtetutën, Drejtësinë dhe popullin.

Numërimi mbrapsht ka nisur. Të enjten, shqiptarët më të bashkuar se kurrë, do të nisin aksionin për ta çliruar politikën, parlamentin dhe vendin nga sundimi i krimit.

Nuk do të ndalemi derisa e drejta të triumfojë.

Të gjithë të bashkuar, me 12 mars në orën 11 në Sheshin Skenderbej.


Deklaratë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 10 Mars 2015

Read More
09 Mar
0

Paloka: Rama presion drejtësisë, ai është kupola e të inkriminuarve‏

Siç e shihni, kemi një kryeministër që bredh nga Prokuroria në Gjykatë, jo thjesht sepse nuk ka punë si kryeministër, por sepse po përpiqet me çdo kusht për dy gjëra. Së pari, të legjitimojë inkriminimin e administratës shtetërore, duke filluar nga Parlamenti dhe së dyti, t’u mbyllë gojën jo vetëm mediave por edhe opozitës. E gjithë çfarë po ndodh në sy të opinionit publik, synon vetëm kaq. Tashmë besoj se gjithë qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për lidhjet që kjo qeveri ka me krimin. Çdo ditë e më shumë janë faktet publike që e vërtetojnë këtë. Kryeministri është koka e kësaj qeverie, është koka e lidhjes të kësaj qeverie me krimin. Absolutisht duke filluar që nga afera më e fundit, që duket qartazi se kemi të bëjmë me një kupolë mafioze dhe jo me një kupolë të një shteti normal, flas për çështjen e quajtur tashmë “Doshi”. Duket se të gjitha përpjekjet e kësaj qeverie, të këtij kryeministri shkojnë vetëm për mbulimin, për mbylljen e çështjes, ashtu siç është bërë për 6 muaj me rradhë dhe në vazhdim. Pra, edhe njëherë e përsëris, kemi të bëjmë tashmë me një fakt të njohur botërisht që kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe absolutisht nuk mund ta ndryshojë këtë asnjë vendim apo asnjë qendrim të kujtdo tjetër.

-Z. Paloka, u fol brenda në seancë për një provë konkrete që kishte të bënte me një vendim të Gjykatës Administrative që nuk ishte apeluar nga avokatura e shtetit. Mund të na thoni konkretisht për kë anëtar të bandës bëhet fjalë?

Së pari, provat do ti paraqesë avokati në seancën tjetër gjyqësore. Të jeni të bindur që kemi më shumë se aq prova dhe po ju bëj të ditur sot publikisht që në seancën tjetër do t’i kërkojmë Gjykatës të na vërë në dispozicion përveç provave që ne do të paraqesim dhe tabulatet e kryeministrit, tabulatet e telefonit të kryeministrit, si provë direkte që do tregojë edhe lidhjet direkt që ky kryeministër ka me individë apo me banda të caktuara.

-Në çfarë periudhe?

Do t’ia bëjmë të qarta gjykatës më vonë në periudhën, që kryeministri mos të fillojë të fshijë që sot e mos të përdorë pushtetin e tij si kryeministër, siç po përpiqet ta përdorë edhe në Gjykatë. U përpoq herën tjetër, vuri nën presion Gjykatën, duke kërcënuar haptazi se nëse nuk dënohet Edi Paloka atëherë ju, i tha Gjykatës, po largoni kryeministrin e vendit nga posti i tij. Ky është presion direkt siç bëri edhe sot në pjesën e dytë të seancës gjyqësore ku përsëri, pasi fyeu para Gjykatës palën tjetër, prapë vendosi, dha vendimin për atë që kjo Gjykatë e nderuar duhet ta japë në fakt, mbasi të mbarojë procesi gjyqësor. Kryeministri e dha vendimin që sot dhe tha që nga sot nuk do të paraqitet më, duke treguar edhe njëherë se vetëm fjalën nuk di ta mbajë, sepse siç e dini edhe ju deklaroi këtu se do të jetë i pranishëm në çdo seancë. Siç duket, seanca e sotme nuk i pëlqeu, më tepër nuk do i pëlqejnë seancat e tjera, dhe sidoqoftë do të përballet me drejtësinë sot, nesër dhe në çdo moment që do të jetë. Ka ardhur sot si denoncues, ka vajtur në Prokurori si person që ka dijeni, shumë shpejt do të vihet si i akuzuar para bankës së drejtësisë.


Prononcim për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar Edi Paloka, pas seancës gjyqësore me kryeministrin, në Gjykatën e Lartë, 9 Mars 2015

Read More
09 Mar
0

Ristani: Rama qëndron në krye të inkriminimit‏

-Z. Ristani, a ishte një distancim i juaji nga deklaratat e Partisë Demokratike sepse ju kërkuat të tërhiqej padia nga z.Rama pasi thatë që nuk ishte personale por në emër të PD?

Siç jeni në dijeni, sot ishte seanca gjyqësore që sipas procedurave që ndjek gjykata ka të bëjë me një formalitet pajtues midis palëve në proces. I kërkova të dëmtuarit akuzues që ta tërhiqte kërkesën e tij ndaj kallëzimit që ka bërë për Arben Ristanin sepse qendrimi që është mbajtur dhe fjalët që për të dëmtuarin akuzues përbëjnë shpifje apo fyerje, nuk janë fjalë personale të Arben Ristanit por është qëndrim politik i Partisë Demokratike, ndonëse unë ndaj bindjen time të thellë që qendrimi politik i Partisë Demokratike është një qëndrim i saktë, i drejtë, i vërtetë  dhe i provuar. Sepse në pushtet kemi një bandë kriminale, një kryeministër të lidhur me bandat që punon për bandat dhe ka inkriminuar parlamentin dhe administratën shtetërore. Tashmë ju keni dokumente publike zyrtare siç është marrëveshja e dekriminalizimit ku me kërkesën dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe me mbështetjen e parnerëve ndërkombëtarë u arrit të firmosej një marrëveshje për dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës dhe është e kuptueshme se përgjegjësi kryesor për inkriminimin parlamentit dhe administratës është kryeministri i Shqipërisë. Po kështu keni edhe një qëndrim zyrtar të SHBA-ve, ku i kërkohet kryeministrit që të vazhdojë dekriminalizimin e administratës publike dhe të parlamentit. Qendrimi ynë publik i Partisë Demokratike është tërësisht i bazuar tashmë edhe në dokumente zyrtare përveç shumë provave të tjera që tregojnë inkriminimin e kësaj qeverie.

-Ambasada e SHBA-ve u ka bërë thirrje të gjithë partive politike që të heqin dorë dhe të vazhdojnë të njëjtën gjë siç bëri kryeministri duke larguar një nga deputetët që ambasada e cilësonte sit ë inkriminuar?

Edhe në pyetjen tuaj duket qartë se Ambasada e SHBA-ve, e cila edhe ajo nuk shpreh qëndrim personal por qendrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bën thirrje kryeministrit që të dekriminalizojë. Po flasim për një kryeministër të inkriminuar dhe bashkëpunëtor me krimin.

-Çfarë provash do të paraqesni në seancë?

Provat janë të shumta përveç dokumenteve zyrtare. Por le të themi që për kënaqësinë e publikut dhe tuajën, edhe një prononcim të ish-ministrit Dritan Prifti i cili e ka parë z Rama duke mbushur hundët me kokainë në tavolinën e zyrës, gjë që tregon lidhjen e tij me krimin sepse kokainën nuk e ka blerë në farmaci por e ka marrë nëpërmjet kriminelëve dhe bandave të krimit që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri.


Prononcim për mediat i Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, pas seancës gjyqësore me kryeministrin, në Gjykatën e Lartë, 9 Mars 2015

Read More
09 Mar
0

Basha: Vetëm lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ti çojë shqiptarët në Europë si qytetarë të denjë‏

Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në një takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Hashim Thaçi si dhe  zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Shala.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryetari Basha e vlerësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zoti Basha ka ritheksuar në këtë takim vendosmërinë dhe angazhimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, ekonomik, institucional, kulturor, tregtar, investimet e ndërsjellta dhe çdo masë tjetër harmonizuese në dobi të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Mustafa e falënderoi zotin Basha për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të Partisë Demokratike në qeverisje dhe në opozitë për Kosovën, njohjen e plotë të pavarësisë së saj dhe përpjekjet për realizimin e projektit madhor të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar në një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në një faktor stabiliteti e bashkëpunimi në rajon.

Z. Basha ka vlerësuar  progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. Vijimi i mëtejshëm i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve në terren ka një rëndësi të madhe, si përsa i përket mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Me shqetësim u diskutua dhe emigrimi masiv i qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, – tha zoti Basha, – për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes e besimit të qytetarëve tek institucionet permes forcimit te shtetit ligjor dhe luftes pa kompromis kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit.

Duke u ndalur në situatën në Shqipëri  kryetari i PD z.Lulzim Basha theksoi se  kapja e shtetit dhe promovimi i personave me precedent kriminal deri në nivelet më të larta të qeverisjes ka prodhuar pasiguri të lartë për jetën e qytetarëve. Ditët e fundit opinioni publik është tronditur nga akuzat që vijnë nga radhët e mazhorancës për skenarë me larje hesapesh dhe vrases te paguar që implikojnë drejtpërdrejt kreret e shumices. Kjo situatë dhe sjellja e mazhorancës në raport më të inkriminuarit por dhe me procedurat antiligjore dhe antidemokratike të ndërmarra prej saj në këtë një vit e gjysëm kanë sjelle  kthim pas në të gjitha reformat dhe standardet demokratike të arritura deri në këtë moment, rrënim të ekonomisë,rritje të varfërisë dhe pasigurisë, rritje galopante të korrupsionit dhe kanezhbërë besimin e qytetarëve për të ardhmen çka e dëshmon dhe niveli i shtuar i emigrimit dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi.

Partia Demokratike mbetet thellësisht e vendosur për të çrrënjosur sëbashku me qytetarët shqiptarë këtë fenomen ogurzi të kapjes së institucioneve dhe të burimeve ekonomike nga oligarkia e krimit përfundoi  zoti Basha”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Mars 2015

Read More