Basha: Akti normativ i buxhetit sjell pasoja të rënda për mirëqënien e çdo shqiptari, së bashku të ndikojmë politika që forcojnë biznesin, rrisin ekonominë dhe sigurojnë mirëqënien për qytetarët!
Basha: Akti normativ i buxhetit sjell pasoja të rënda për mirëqënien e çdo shqiptari, së bashku të ndikojmë politika që forcojnë biznesin, rrisin ekonominë dhe sigurojnë mirëqënien për qytetarët! Partia Demokratike takim me biznesin: Ku po shkon ekonomia shqiptare!? – Vendimet e qeverisë dhe sfida përballë krizës globale Partia Demokratike ka organizuar një takim konsultativ me biznesin për sfidat e ekonomisë përballë vendimeve të qeverisë që ulin nivelin e mbledhjes së të ardhurave dhe rrisin borxhin publik. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalën e hapjes në këtë konferencë ka theksuar se akti normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit 2013, ishte një shprehje e qartë e një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme. Zoti Basha ka shpjeguar tre qëllimet që çuan qeverinë në ndërmarrjen e këtij akti që uli në mënyrë drastike planin e të ardhurave në muajt tetor-dhjetor. – Krijimi i një rezerve të padukshme për dështimet me probabilitet 95% siç i thanë ekspertët ndërkombëtarë që vetë i ftoi në konferencën e Partisë Socialiste ne gusht, pra të krijojë brezin e sigurisë së dështimit apo një lloj “buffer zone”. – Përkeqësimi artificial i përshkrimit të gjendjes së ekonomisë dhe të financave publike në mënyrë që çdo zhvillim normal të ngjante si sukses, pra për të shitur si real një sukses artificial. – Krijimi i një mekanizmi për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat, me doganat e shqiptarëve në favor të klientelës dhe nëpërmjet këtij mekanizmi të mbajë peng bizneset dhe mediat”,-theksoi zoti Basha. Kryetari i Partisë Demokratike e konsideroi një faktor rreziku për ekonomin panikun dhe pesimizmin që qeveria ka përhapur në çdo deklaratë apo takim të zhvilluar, ndërsa realiteti është faktuar krejt i ndryshëm nga të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vetë qeveria. Sipas zotit Basha, me të dhënat për mbledhjen e të ardhurave në tatime e dogana, qeveria vërtetoi se parashikimi i bërë nga ekspertët e Partisë Demokratike ishte i drejtë. “Tejkalimi me 5-6% e planit të tejulur me afro 25%, është vetëdemaskimi më i mirë që qeveria i bën aktit normativ dhe provë e vlerësimit tonë të drejtë. Nëse qeveria do të kishte mbajtur një plan edhe më të lartë, siç ia sugjeruam, qoftë edhe të paktën në nivelin e 8 mujorit tonë, të ardhurat fiskale, me siguri të plotë do të kishin qenë edhe më të larta se sa ç’u mblodhën në kushtet e pesimizmit, të një administrate nën stres dhe nje drejtimi amatoresk”, -u shpreh kryetari i Partisë Demokratike. Për të argumentuar sjelljen aspak normale të mazhorancës në raport me financat dhe ekonominë e vendit, zoti Basha solli në vëmendje edhe argumentimet e ndryshme që qeveria i bëri me gojë dhe në relacionet shoqëruese të paraqitura me shkrim aktit normativ. “Në këtë debat, ne u përballëm me një qeveri që ndryshe shkruan e ndryshe flet. Me shkrim, në relacionin shpjegues të aktit normativ për buxhetin, pranonte se ekonomia i kishte rezistuar mirë efekteve të krizës ekonomike, kishte ruajtur ritme pozitive të rritjes ekonomike, rritjes së fortë të eksporteve dhe rritjes së investimeve, të gjitha këto si rezultat i stimujve të fortë fiskalë të siguruara nga qeveria paraardhëse, dhe me gojë shprehej se vendi kishte rënë me kohë në krizë dhe se qeveria paraardhëse kishte rrënuar financat publike. Me shkrim, në relacionin shpjegues për ligjin për kontratën me Crown Agents shkruan se vendi rrezikon seriozisht të bjerë në skenarin e një vendi fqinj ( kupto këtu Greqinë) dhe me gojë, fill pas tejkalimit virtual të planit të tejulur të të ardhurave shprehet se s’ka skenar grek për Shqipërinë. Këto janë veçse pamja e jashtme e një qeverie pa vizion, e paaftë të parashikojë, inkoherente , kontradiktore, klienteliste, që nuk prodhon zgjidhje të mira dhe siguri për të gjithë, por vetëm pikpyetje e dyshime, vetëm pasiguri dhe frikë, duke u bërë me shpejtësi një faktor rreziku për ekonominë, stabilitetin dhe vetë demokracinë”, u shpreh Basha . Kryetari i Partisë Demokratike ka theksuar se sugjerimet e biznesit do të jenë të rëndësishme për qëndrimin e opozitës në funksion të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit. “Synimi ynë është, që së bashku t’i bëjmë rezistencë këtij fenomeni të mbrashtë që është në fillimet e tij, në mënyrë që të mundemi ta pengojmë të zhvillohet si një sëmundje kronike e të rrezikshme në planet e ardhshme buxhetore duke filluar nga më i afërti, ai i vitit 2014. Ne kemi thënë se do të jemi opozitë e alternativës. Sugjerimet tuaja do të jenë shumë të rëndësishme për qëndrimin tonë dhe së bashku të ndikojmë për politikat e duhura që forcojnë biznesin, rrisin ekonominë dhe sigurojnë mirëqënien e çdo qytetari”, deklaroi zoti Basha. Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në konferencën: Ku po shkon ekonomia shqiptare!? – Vendimet e qeverisë dhe sfida përballë krizës globale. Të nderuar zonja e zotërinj, përfaqësues të sipërmarrjes, akademisë, shoqërisë civile, medias. Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Rreth një muaj më parë, opozita ngriti me forcë shqetësimin, se akti normativ i qeverisë për ndryshimin e buxhetit të shtetit 2013, ishte përballja e parë e gabuar në drejtimin e gabuar nga ana qeverisë së re në problemet e ekonomisë. Me një goditje arbitrare të dyfishtë, të pambështeur në asnjë analizë serioze të gjendjes amatoreske sa i takon përmbajtjes dhe shumë të dyshimtë përsa i takon qëllimit, qeveria vendosi papritur të ulte me rreth 250 milion Dollarë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për tre muajt e mbetur të vitit, pra të linte pa mbledhur katër herë më shumë se mosrealizimi faktik i qeverisë së mëparshme në fushatë elektorale dhe në largim. Njëherësh, me krijimin e kësaj grope që ka çuditur të madh e të vogël, qeveria me të njëjtin akt, vendosi të merrte me dorë të rëndë një borxh prej 400 milion Dollarësh, dukshëm më shumë se sa mundësitë e krijuara dhe çliruara nga menaxhimi që trashëguan prej nesh. Nuk po ndalem këtu në kunderthëniet e mëdha politike që krijon një qeveri që është çirrur kundër marrjes borxh kur ishte në opozitë dhe vjen e i bie me top sapo intalohet në pushtet. Ky është një problem i rëndë etiko-moral që ka kjo qeveri me zgjedhësit e saj, të cilët i ka gënjyer. Por, ne nuk do të merremi sot me këtë. Do të rikapitulojmë vlerësimet dhe qëndrimet e deritanishme për aktin normativ e pasojat e tij, do të thellojmë analizën në funksion edhe të aksionit tonë të dytë të madh në këtë fushë, që është qëndrimi ndaj paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2014. Ne vlerësuam se ulja drastike e planit të të ardhurave për muajt tetor-dhjetor, me afro 25% krahasuar me planin fillestar dhe mbushja e kësaj grope thuajse tërësisht përmes rritjes galopante të defiçitit buxhetor nga 3.4% në 5% të PBB dhe borxhit publik nga 62% në 69% të PBB, bëhej me tre qëllime bazë: – Krijimi i nje rezerve të padukshme për dështimet me probabilitet 95% siç i thanë ekspertët ndërkombëtarë, që vetë i ftoi në konferencën e Partisë Socialiste në gusht, pra të krijojë brezin e sigurisë së dështimit, apo një lloj “buffer zone”; – Përkeqësimi artificial i përshkrimit të gjendjes së ekonomisë dhe të financave pu
blike në mënyrë që çdo zhvillim normal të ngjante si sukses, pra për të shitur si real një sukses artificial. – Krijimi i një mekanizmi për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat, me doganat e shqiptarëve në favor të klientelës dhe nëpërmjet këtij mekanizmi të mbajë peng bizneset dhe mediat. Analizat dhe diskutimet tona, të shprehura përmes deklaratave për shtyp, si dhe debati parlamentar dhe post-parlamentar mbi aktin normativ të buxhetit, vërtetuan tezat tona fillestare, pasuruan bazën e të dhënave, analizat dhe konkluzionet si dhe ndihmuan publikun të perceptonte me mirë kuptimin, qëllimin dhe pasojat e këtij akti. Në këtë debat, ne u përballëm me një qeveri që ndryshe shkruan e ndryshe flet. – Me shkrim, në relacionin shpjegues të aktit normativ për buxhetin, pranonte se ekonomia i kishte rezistuar mirë efekteve të krizës ekonomike, kishte ruajtur ritme pozitive të rritjes ekonomike, rritjes së fortë të eksporteve dhe rritjes së investimeve, të gjitha këto si rezultat i stimujve të fortë fiskalë, të siguruara nga qeveria paraardhëse, dhe me gojë shprehej se vendi kishte rënë me kohë në krizë dhe se qeveria paraardhëse kishte rrenuar financat publike. – Me shkrim, në relacionin shpjegues për ligjin për kontratën me Crown Agents shkruan se vendi rrezikon seriozisht të bjerë në skenarin e një vendi fqinj dhe me gojë, fill pas tejkalimit virtual të planit të tejulur të të ardhurave, shprehet se s’ka skenar grek për Shqipërinë. Këto janë veçse pamja e jashtme e një qeverie pa vizion, e paaftë të parashikojë, inkoherente , kontradiktore, klienteliste, që nuk prodhon zgjidhje të mira dhe siguri për të gjithe, por vetëm pikëpyetje e dyshime, vetëm pasiguri dhe frikë, duke u bërë me shpejtësi një faktor rreziku për ekonominë, stabilitetin dhe vetë demokracinë. Ndaj, ne sot organizojmë këtë konferencë përmbyllëse të aksionit tonë kundër aktit normativ për buxhetin, konferencë në të cilën do të bëjmë një përmbledhje të konstatimeve tona të njohura, si dhe do të ekspozojme konstatimet tona më të fundit me qëllim që të rezonojmë me publikun dhe partnerët lidhur me rrezikshmërinë e këtij lloj planifikimi dhe këtyre lloj politikash ekonomike qeveritare. E ndërkaq, konkluzionet e kësaj konference shënojnë edhe pikënisjen e fazës tjetër të aksionit tonë, atë kundër përsëritjes së të njëjtës mbrapshtësi të qeverisë në planifikimin e paketës fiskale dhe atë buxhetore 2014. Sot, politikanë, njëherazi profesionistë, të opozitës në fushën ekonomike, fiskale e financiare do të zhvillojnë 6 tema përmes së cilave ne do të shpalosim gjetjet dhe konkluzionet për sa vijon: – Ne do të argumentojmë, përtej çdo dyshimi, se ulja drastike e planit të të ardhurave për periudhën tetor-dhjetor 2013, nuk kishte asnjë bazë në ekonominë reale. Ulja për afro 25% e të ardhurave ishte vetëm dhe vetëm shprehje e panikut të Kryeminsitrit dhe hilese së tij. Njëherazi ky ishte një planifikim i papërgjegjshëm pasi, paniku dhe pesimizmi qeveritar, janë faktorë rreziku dhe krize për ekonominë. Parashikimet dhe sugjerimet tona për një planifikim më të lartë të të ardhurave vërtetohen edhe nga rezultatat e deklaruara nga qeveria për të ardhurat e doganave dhe tatimeve në tetor 2013. Tejkalimi me 5-6% e planit të tejulur me afro 25%, është vetëdemaskimi më i mirë që qeveria i bën aktit normativ dhe provë e vlerësimit tonë të drejtë. Nëse qeveria do të kishte mbajtur një plan edhe më të lartë, siç ia sugjeruam, qoftë edhe të paktën në nivelin e 8 mujorit tonë, të ardhurat fiskale, me siguri të plotë do të kishin qenë edhe me të larta se sa ç’u mblodhën në kushtet e pesimizmit, të një administrate nën stres dhe një drejtimi amatoresk. – Ne do të argumentojmë se rritja e defiçitit dhe borxhi shtesë shërbyen vetëm per të mbushur gropën artificiale të të ardhurave dhe për të garantuar qetësinë e qeverisë dhe shpenzimet e rritura jo-produktive të saj dhe aspak për të përmirësuar jetën e shtresave të gjera të popullit e as për të zgjidhur hallet e biznesit ndonëse qeveria, të gjithë propagandën për borxhin e mbështeti në të ashtuquajturin “borxh të fshehtë”. – Ne do të argumentojmë se struktura e shpenzimeve, e ndryshuar nga akti normativ, përbën një fillesë të një buxheti që planifikohet e shpenzohet keq, për qëllime operative, për më pak investime dhe për borxh që përdoret për shpenzime operative në vend që të perdoret vetëm dhe ekskluzivisht për investime dhe zhvillim. Në këto tre tema, do të kontribuojnë deputetët dhe ekspertë të financave publike, Ridvan Bode, Sherefedin Shehu dhe Zana Guxholli – Por, ne do të japim edhe një analizë me komplekse të lidhjes së akteve dhe veprimeve të qeverisë me ekonominë, duke e parë këtë lidhje nga dy plane; * I pari, që akti normativ i qeverisë, si shprehje e frikës, hilesë dhe papërgjegjshmërisë, përbën një faktor të fortë rreziku për ekonominë reale; * I dyti, se si e sa faktorët ekonomikë jo-qeveritarë dhe jashtë qeveritarë mund të kontribuojnë në minimizimin e efekteve negative të qeverisë në ekonomi dhe shmangien e një krize të shkatuar artificialisht. Në këto dy tema do të kontribuojnë deputetët e njëherazi ekspertë të ekonomisë, Florion Mima dhe Genc Ruli – Së fundi, do të analizojmë në thellësi e mbi fakte e prova mbrapshtësinë, opakësinë, pandershmërinë dhe rrezikshmërinë e prokurimeve të drejtperdrejta e të paligjshme me kompani konsulente Deloitte dhe Crown Agents, si shprehje e nje arrogance e kleptokracie. Në këtë temë të fundit, do të kontribuojë eksperti i financave publike dhe legjislacionit financiar, Alfred Rushaj. Pas çdo prezantimi do të bashkëbisedojmë mbi tezat, faktet dhe shifrat pasi synimi ynë është, që së bashku t’i bëjmë rezistencë këtij fenomeni të mbrashtë që është në fillimet e tij, në mënyrë që të mundemi ta pengojmë të zhvillohet si një sëmundje kronike e të rrezikshme në planet e ardhshme buxhetore duke filluar nga më i afërti, ai i vitit 2014. Ne kemi thënë se do të jemi opozitë e alternativës. Sygjerimet tuaja do të jenë shumë të rëndësishme për qëndrimin tonë dhe së bashku, të ndikojmë për politikat e duhura që forcojnë biznesin dhe rrisin ekonominë dhe sigurojnë mirëqënien e çdo qytetari. Ndaj, ju ftoj të fillojmë me dëgjimin dhe diskutimin e prezantimit të temës së parë.
Read More