Pjesë nga fjala e kreut të PD, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese në qytetin e Fierit:

 

Propozimi tjetër ka të bëjë me dy rudimente, mbeturina të sistemit tonë politikë 33 vjeçarë. Ndërkohë që sistemi politikë ka evoluar, na kanë mbetur ca mbeturina.

Mbeturina e parë është përcaktimi që deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Pra, edhe një fëmije i tërhiqet vëmendja në qoftë se thotë gjëra të papërgjegjshme, por jo deputetit. Deputeti flet kodra pas bregut, ça t’i vijë në mend, e hap gojën e bën çorap, se në fund fare nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Provojeni ta çoni në gjykatë, e kam çuar unë, gjykata thotë nuk mban përgjegjësi për atë që thotë.

Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të shqipërisë dhe personat me kartelë psiqiatrike. Nuk është për t’u duartrokitur, në fakt është për të vënë duart në kokë. Është për të vënë duart në kokë. Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh të cilat ia tejkalojnë çdo imagjinate të shfrenuar. Kafja më e vogël në fshatin më të largët të Shqipërisë, ka dhjetëra herë më shumë dinjitet sesa audioja e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Deputeti duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë. Kjo klauzol duhet të shfuqizohet, gjithçka që thotë deputeti duhet të jetë bazë për punën e institucioneve, duke përfshirë për punën e Prokurorisë. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, do të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ato që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin gënjeshtar, mashtrus dhe shpifarak në audiot e Kuvendit.

Dhe kjo më sjell tek e fundit, çështja e imunitetit. Kur parlamenti i parë pluralist u krijua, hija e sigurimit të shtetit dhe e policisë politike të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë vërtitej akoma. Ramizi ishte akoma jo vetëm gjallë, por ishte president, presidenti i parë. Dhe për këtë arsye u vendos imuniteti parlamentar. U bë një ndryshim, u kufizua, por prap ka imunitet. Pse duhet të ketë imunitet deputeti, kur Struktura e Posçme Anti-Korrupsion ndërmerr një hetim ndaj tij apo ndaj saj, pse? Pse një bujk që detyrohet të marrë krentin  për pompën e ujit shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, ku ka ndodhur dhe fatkeqësi siç e dimë, për vepra edhe më pak se kaq, dënohet me aq sa e ka ligji. Kurse një deputet apo ministër akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro duhet t’i ç’vishet imuniteti me tam tame e me ceremoni, e ndërkohë ka marrë arratinë dhe e ka marrë vesh e gjithë bota siç rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës, pse? Kjo nuk është më një masë për të siguruar veprimtarinë politike të deputetit, kjo është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur paraligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar. Ndaj, imuniteti para ndjekjeve penale nga SPAK-u, duhet të zerohet dhe brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitetnga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike  po kështu në Kuvend.