Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të Reformës Zhjedhore në qytetin e Fierit, foli edhe për dy nga pikat e këtij programi që është vettingu i politikanëve dhe për barazinë e votës.
Pjesë nga fjala e kryetarit Basha:
Çfarë parashikon? Parashikon që 200 apo 220 politikanët kryesor në vend, 140 deputetët, 61 kryetarët e bashkive, kryeministri dhe ministrat, presidenti i Republikës dhe institucionet e tjera Kushtetuese, t’i nënshtrohen të gjithë një kontrolli të thelluar të: pasurisë së tyre, të rrethit të tyre familjar dhe rrethit të tyre shoqëror dhe një kontrolli të thelluar për kontakte të papërshtatshme apo kontakte me botën e krimit. Prej kohësh ne kemi depozituar në Kuvend një projektligj i cili akoma se ka parë dritën e komisioneve përkatëse. Sot, nga Fieri dua t’iu them shqiptarëve që brenda këtij muaji ne do të dorëzojmë një rishikim të ligjit për vettingun në politikë, ku do të kërkojmë që rolin që i kishim ngarkuar me projektligjin e mëparshëm vet parlamentarëve për të kontrolluar parlamentarët, t’i besohet një institucioni kontrolli, një ILDKP-je, por me shumë më shumë “dhëmbë më të mprehtë” në mënyrë që të gjithë këta politikanët kryesorë të vendit, t’i nënshtrohen detyrimisht atij që quhet kontroll i thelluar dhe që aktualisht ndodh vetëm për 5 apo 6 brenda vitit që ndodh sipas një llotarie që hidhet sipas ligjit aktual. Kështu pra, listat e hapura do të garantojnë që njerëz që e shohin politikën si një trampolinë për përfitimet personale apo mbrojtje nga ligji, të mendohen disa herë para se t’i futen asaj që deri më sot është një karierë e frytshme për ta, por që nesër duhet t’i kthehet në një ankth për shkak të kontrolleve apo për shkak të pasoja ligjore dhe pasojave penale të mos kalimit të këtyre kontrolleve.
Vettingu i politikanëve do të thotë që politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, të familjarëve të tyre apo të rrethit shoqëror që shpeshherë i vendosin në emër të tyre, apo që janë në kontakt të vazhdueshëm dhe që mbrojnë e përfaqësojnë interesat e krimit të organizuar, as nuk do të jenë më në institucionet e shtetit as nuk do të mund të hynë më në institucionet e shtetit as përmes garave elektorale, as përmes dritareve apo dyerve të tjera të jetës intitucionale shqiptare. Vettingu i politikanëve është vaksina që mundëson që listat e hapura të jenë realisht instrument në duart e qyteratëve për të dërguar më të devotshmit por edhe njerëzit me integritet në Kuvend dhe në institucionet e tjera të vendit.
Barazia e votës. Mesatarisht 11500 fierakë duhet të votojnë për të çuar një deputet në Kuvendin eShqipërisë. Por vetëm 8500 vlonjatë, 13500 kuksianë. Kjo pabarazi nuk vjen si rezultat i dëshirës së vlonjatit, fierakut apo kuksianit, por si rezultat i manovrave politike të cilat me sistemin aktual me 12 qarqe, kanë bërë që deputetët në Kuvendin e Shqipërisë të vijnë si përfaqësues rajonal dhe jo si pëfaqësues kombëtar. Votën e kanë të barabartë, por përfaqësimin jo. Shqipëria një zonë elektorale dhe të hapur për një diskutim, edhe për dy, tre apo katër zona, por me një kusht: në fund të një procesi të tillë mos të ketë sallamandra elektorale të dukshme apo të padukshme. Vota e shqiptarit të peshojë kudo, secili prej anëtarëve të Kuvendit të ketë të njëjtin numër zgjedhësish që e çon në Kuvendin e Shqipërisë.