DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR REFORMËN ZGJEDHORE DHE PËRFAQËSUESI LIGJOR, REZART KTHUPI
Të nderuar qytetarë
Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.
Në vazhdën e këtyre qëndrimeve të kahershme, Parita Demokratike ka depozituar ditën e djeshme një projekt propozim në kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.
Projekt vendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislatuarës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre.
Partia Demokratike vlerëson se reforma në drejtësi, të cilën ajo e ka mbështetur në cdo hap, ka prodhuar më në fund një drejtësi të pavarur nga politika, e cila ka krijuar besimin dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare në punën e saj për hetimin dhe goditjen e korrupsionit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore.
Në kushtet e një drejtësie të pavarur partia demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njërëzve të lidhur me ta.
Ftojmë të gjithë deputetët e kuvendit të shqipërisë që të votojnë projekt vendimin e depozituar nga Partia Demokratike si shenjë e vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit dhe besimit në organet e drejtësisë.