DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, NËNKRYETARJA DHE DEPUTETJA, ORJOLA PAMPURI

 

Nga 1 Janari, mbi 30 mijë profesionistë lirë në Shqipëri do të detyrohen të paguajnë një tatim progresiv deri në 23%. Në mungesë të plotë transparence dhe me fuqinë e kartonave, kjo mazhorance ndërmorri edhe një herë një akt të paprecedentë kundër interesit publik, ndaj profesionistëve, shtresës më vitale të shoqërisë shqiptare. Me pretendimin se do të mblidhen deri në 3 miliardë lekë më shumë në vit në buxhetin e shtetit.

Ky taksim i ri në fakt do të krijojë pasoja të rënda me efekte që do të impaktojnë në një rritje të cmimit për shërbimet që këto sipërmarrje ofrojnë, për shkak të fitimit të munguar.

 

Po ashtu, një tatim më i rënduar ndaj profesioneve të lira, do të ndikojë në rishikim e deri reduktim të investimeve të planifikuara, çka ndikon në më pak vende të reja pune, apo edhe fakti që mund të shkaktojë mbyllje të vetë këtyre sipërmarrjeve, duke rrezikuar numrin e punësimeve aktuale në këtë model biznesi.

 

Nga ana tjetër një tatim deri në 23% për profesionet e lira është i padrejtë dhe dëmton konkurencën e lirë në treg, pasi krijon pabarazi në kushtet e të bërit biznesi, ku biznesi i vogël ka 0 tatim dhe nga ana tjetër ku oligarkët e qeverisë tatohen disa herë më pak për dividentin.

 

Qeveria e miratoi këtë ndryshim në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, duke mos lejuar as dëgjesa publike me grupet e interesit e për më tepër gjatë votimit duke mos marrë në konsideratë asnjë llojë ndryshime që erdhi si propozim nga Opozita.

 

Në një kohë kur qeveria shpenzon qindra milione euro në PPP e koncesione pa garë dhe korruptive, kur akordon status investitori strategjik të afërm apo familjarë të ministrave të saj, apo dhe kur nuk parandalon shpërdorimin e qindra miliona euro dëm buxhetit të shtetit në prokurime apo borxhe të akumuluara të institucioneve publike, aplikimi i një tatimi të rënduar shtesë ndaj profesionistëve të lirë është një politikë jo e drejtë.

 

Kjo politikbërje dhe politika tatimore të padrejta po e kufizojnë dukshëm rritjen e sipërmarrjes së lirë dhe tregut. Me tatimin e ri ndaj profesioneve të lira, qeveria socialiste po inkurajon mbylljen dhe largimin e tyre, një brezi të rinjsh të talentuar dhe profesionstë në fushat e tyre.