DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD, MIRELA KARABINA
Jemi në Porto Romano pranë Monumentit antik “Muret e Portës” në Durrës, në pamundësi për t’iu afruar monumentit pasi kompania koncesionare që kryen punime ka rrethuar zonën, edhe pse kemi të bëjmë me një Monument Kulture Kategori e Parë dhe Zonë e Mbrotjur përreth.
Një varg institucionesh të drejtësisë, kulturës dhe të territorit dështuan të ndalonin punimet e paligjshme për ndërtimin e Portit të hidrokarbureve në Porto-Romano. Ndërkohë që Prokuroria e Durrësit hetonte për dëmtimin e mundshëm të monumentit antik “Muret e Portës”, ai u shkatërrua nga “Shoqëria koncesionare Porti MBM” (‘Multi Buoy Mooring’).
Kryeqyteti dikur i trojeve shqiptare, Porta perëndimore e vendit dhe burimi më i madh natyror dhe ekonomik i vendit është në gjendje të përvuajtëshme. Prej të paktën 16 shekujsh, një mur rrethues fortifikoi një rrip toke midis detit dhe Kënetës në Porto-Romano, rreth 7 kilometra në veri të Durrësit duke e mbrojtur atë nga zbarkimet e papritura nga anijet e armike.
Pavarësisht statusit Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1948 dhe me status si Zonë e Mbrojtur përreth monumentit që u shpall nga Ministria e Kulturës më 2016-ën, pra si një nga objektet më të mbrojtura ligjërisht në Shqipëri, kjo nuk e ndaloi kompaninë koncesionare që të rrafshonte, sipas ekspertëve, 78 metra nga muri perëndimor i monumentit.
Muri ishte pjesë e historisë së arkitekturës ushtarake, si një nga rastet e rralla të mureve barrierë për mbrojtjen pjesore të qyteteve, që në Antikitetin e Vonë ishin vetëm 5 të tillë në Rajon dhe përfaqëson vlera të trashëgimisë kulturore botërore, theksuar nga ekspertët.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës dhe Policia e Shtetit nuk vepruan, ndonëse iu kërkua nga institucionet kulturore që të ndalonin punimet pranë monumentit, që më korrik të 2020-ës. Dorëzimi i materialeve nga Policia në Prokurorinë e Durrësit më 3 shtator të vitit 2020, i hapi rrugën hetimit që vijon prej 3 vitesh dhe nuk ka arritur të ndalojë shkatërrimin e qëllimshëm të monumentit nga kompania që po kryen punimet në zonë.
Njëjtë si Teatri Kombëtar dhe Ura e Zogut, ky mur i shembur rrëzoi propagandën dhe mashtrimin e Edi Ramës dhe Qeverisë, duke u njohur për vlerat e jashtëzakonshme kulturore nga “Europa Nostra”. Organizata prestigjioze në mbrojtje të trashëgimisë europiane, denoncon shkatërrimin me makineri të 78 metrave të murit mbrojtës perëndimor 140 metra të gjatë. Ajo kërkon që Kulla dhe muri lindor 62 metra i gjatë duhet të mbrohen urgjentisht, sepse janë shumë të rrezikuara nga punimet e kompanisë koncesionare.
Si një dëshmitar i kohës, Muri 1600 vjeçar na sjell panoramën e plotë se si një tërësi institucionesh, me veprim dhe mos veprim kanë shkaktuar shkatërrimin me dashje të trashëgimisë kulturore jo vetëm të qytetit të Durrës, por të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm. Një trashëgimi e njeriut, gjurmët dhe pesha e të cilit është dhe duhet të jetë prioritet i çdo qeverie.
Ne si Parti Demkokratike e vlerave të djathta, besojmë dhe punojmë për njeriun, familjen, lirinë dhe trashëgiminë e tij duke e vendosur atë në qendër të politikës sonë.
Sot, në pamundësi për ta rikthyer këtë pjesë të trashëgimisë tashmë të shkatërruar, kërkojmë që strukturat shtetërore përkatëse për trashëgiminë kulturore, Ministria e linjës dhe drejtoritë apo institucionet në varësi si edhe Avokatura e Shtetit, të paraqesin padi për shpërblimin e dëmit që i është shkaktuar Shtetit shqiptar nga shembja e këtij monumenti kulture.
Gjithashtu, ne kërkojmë që Prokuroria të përfundojë hetimet dhe të çojë për gjykim fajtorët e kësaj vepre penale.
DEKLARATA E KRYETARIT TË PD DURRËS, JONI MYSHKETA
Pamjet përtej hekurave zaptues tregojnë qartë gjendjen dhe trajtimi që i bëhet monumeteve të kulturës së rëndësisë së parë si gjurmët e murit rrethues që daton tash sot e 16 shekuj.
Këtu është tokë e zanun ku e drejta e çdo qytetari për të vizituar “Murin e Portës” iu mohohet e drejta për t’u futur, ashtu si dhe neve sot, pasi koncesionari tashmë i denoncuar nuk e lejon.
Turistët nuk.vijnë për të parë kullat ose velierat por trashëgiminë kulturore që Durrësi ofron për ç’ka duhet të ndihemi krenar dhe babëzia e pushtetit e gllabëron duke e kthyer në një gërmadhë.
Fotot flasin qartë për pjesën e mbetur dhe pjesa që është shembur në paligjshmëri të plotë.