DEKLARATË E SEKRETARES PËR PUSHTETIN LOKAL DHE DECENTRALIZIMIN NË PD, ALFRIDA MARKU

Kur kanë kaluar mbi 4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, abuzimet sa vijnë e dalin në dritë, ndërkohë familjet e dëmtuara nga tërmeti përballen më vështirësi të shtuara.

Partia Demokratike po ndjek me shqetësim gjendjen e mijëra familjeve në Bashkitë Durrës, Vorë, Kurbin e Lezhë, për të cilat ende nuk ka zgjidhje apo po zvarritet përtej çdo afati të arsyeshëm procesi i rindërtimit apo rikonstruksionit të banesave të tyre, e që prej 10 muajve nuk marrin bonusin e qirasë.
Mbi 2500 familje në Durrës, 841 familje në Kurbin, 400 familje në Vorë, janë pa shtëpi, të papunë, e prej 10 muajve edhe të pastrehë për shkak të ndërprerjes pa asnjë sqarim të bonusit e qirasë. Për 53 familje në Bashkinë Lezhë ende nuk ka asnjë plan konkret për rindërtimin e banesave të tyre.

Çdo e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar.

Qeveria, Ministria e Financave dhe Bashkitë duhet të bëjnë transparencë dhe sqarojnë qytetarët se :

Ku kanë përfunduar 92 miliard lekë të alokuara nga Buxheti i shtetit, nga taksapaguesit shqiptarë, për të rehabilituar pasojat e tërmetit;

Ku kanë përfunduar 295 mln euro grante dhe 853 mln euro në formën e kredive të buta, që iu akorduan Shqipërisë në konferencën e donatorëve të vitit 2020.
A ka qenë qeveria shqiptare bindëse dhe transparente, apo kreditë e buta dhe grantet për tërmetin, kanë patur të njejtin fat sikurse Fondet e akorduara nga BE për bujqësinë?!!

Me lista fiktive, ndryshim të kategorisë së dëmit të shkaktuar, tendera abuziv me fitues të paracaktuar, miliarda lek të shpenzuara për projektim e jo për rindërtim, me punime të dobëta duke lënë qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut, procesi i rindërtimit ka rezultuar i dominuar nga keqmenaxhimi dhe abuzimet, dhe nuk ka patur në fokus rimëkëmbjen e familjeve të cilat u përballën me pasojat e tërmetit.

Për këto dhe abuzime e të tjera, Qeveria e ka të pamundur të sqarojë qytetarët se cila është data kur do të përfundojë procesi i rindërtimit ?! Sa është fatura përfundimtare e rindërtimit dhe kosto e procesit në tërësi ?!

Përsa me lart, në emër të Partisë Demokratike, duke ndjekur me shqetësim situatën e vështirë të mijëra familjeve në Durrës, Kurbin, Vorë e Lezhë, i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Bashkive respektive, ti japin fund abuzimeve dhe zvarritjeve pa arsye dhe të marrin në mënyrë urgjente masat e duhura për përfundimin e procesit të rindërtimit, e deri atëherë të mundësojnë detyrimisht pagesën e qirasë për secilën familje.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje autoriteteve kompetente për hetimin e plotë e gjithanshëm të procesit të rindërtimit dhe vënien para përgjegjësisë të cilitdo që ka abuzuar me fondet e akorduara për rehabilitimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019.

Ju faleminderit !