DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARJA PËR PUSHTETIN VENDOR DHE DECENTRALIZIMIN, ALFRIDA MARKU
Të nderuar qytetarë !
Në vetëm 14 muajt e fundit, në Bashkitë në vendin tonë janë kryer 1374 tendera me vlerë 183 milion euro në kushtet kur ka dyshime të arsyeshme për shkelje të rregullave për prokurimet publike.
183 milion euro nga taksat e qytetarëve shqiptar ka dyshime se janë shpërdoruar duke mos patur objektiv investimet cilësore dhe përmirësimin e shërbimeve publike vendore, por mundësinë për abuzimin me pushtetin. Mijëra operatorë ekonomik janë cënuar në të drejtën e tyre të konkurimit të lirë e të drejtë, duke penguar shërbimet dhe zhvillimin ekonomik.
Përvec problematikave të tjera të konstatuara, rezulton se 701 procedura janë kryer në mungesë konkurence; 652 procedura duke skualifikuar të gjithë operatorët konkurues përvec fituesit.
Shpërdorimi dhe abuzimi me fondet e pronën publike, janë shkaku kryesor i gjendjes ku vendi ynë është sot: ekonomi në krizë, shqiptarë që largohen, biznese që mbyllin aktivitetin për shkak të taksave të larta e pabarazisë në mundësi konkurimi.
183 milion euro janë sa 60% e Buxhetit të këtij viti në Bashkisë Tiranë.
183 milion euro të adresuara në procedura të dyshimta të prokurimeve publike janë po aq sa sa Buxheti për 4 vite në Bashkinë Durres; sa buxheti i 5 viteve për bashkitë Elbasan dhe Kamëz; sa buxheti për 6 vite në Bashkinë Vlorë; i 10 viteve për Bashkinë Lezhë; 11 vite për Bashkinë Saranda; 7 vite për Bashkinë Shkodër.
Në emër të Partisë Demokratike, të vendosur me cdo kusht për mbrojtjen e interesit publik, në mbështetje të cdo iniciative ekonomike apo biznesi, kërkojmë nga institucionet kompetente marrjen e masave ndaj cdo rasti abuzimi me taksat e shqiptarëve dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, në rastin konkret në fushën e prokurimeve publike.
Inkurajojmë Kontrollin e Lartë të shtetit dhe Autoritetet e Drejtësisë të marrin masa administrative dhe penale ndaj cdo rasti shpërdorimi dhe abuzimi, për ti hapur rrugë profesionistëve që duan të shërbejnë në institucionet publike vendore dhe qëndrore, në mënyrë që taksat që qytetarët e 61 bashkivë paguajnë, tu kthehen atyre në shërbime vendore të përmirësuara dhe investime cilësore, si dhe ti hapet rrugë konkurencës së drejtë e të barabartë midis operatorëve ekonomik.
Ju faleminderit !