Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, sjell në vëmendje anketën e zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në 61 bashkitë e vendit, ku 81.5% e të pyeturve rendisin korrupsionin si një ndër problemet e mëdha të Shqipërisë.
Një e treta e qytetarëve pohuan se kanë dhënë rryshfet te zyrtarët e pushtetit vendor dhe atij qëndror, dhe kjo sipas Bejkos, është e vërteta që nxjerr lakuriq retorikën e lodhur të Edi Ramës dhe të qeverisjes së tij thellësisht të korruptuar.
Postimi i plotë i Nënkryetarit të PD, Roland Bejko:
IDM: Korrupsioni i pushtetarëve, dhe pasiguria, problemi më i madh për shqiptarët.
Anketa e zhvilluar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në 61 bashkitë e vendit, vlerëson se 81.5% e të pyeturve rendisin korrupsionin si një ndër problemet e mëdha të Shqipërisë. Shifër kjo 4.8% më e lartë se viti 2022.
Gjatë kësaj ankete, një e treta e qytetarëve (29.8%) pohuan se kanë dhënë rryshfet te zyrtarët e pushtetit vendor dhe atij qëndror në këmbim të marrjes së shërbimeve të tyre, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e tyre shprehen se pasiguria është e madhe dhe duan të largohen nga vendi, si e vetmja mundësi për një jetë më të mirë.
Kjo është e vërteta që nxjerr lakuriq retorikën e lodhur të Edi Ramës dhe të qeverisjes së tij thellësisht të korruptuar.
Partia Demokratike e Shqipërisë nëpërmjet propozimeve të saj për Vetingun e Politikanëve, amendamentet për mbështetjen dhe inkurajimin e mëtejshëm të punës së SPAK-ut dhe me propozimet e saj për heqjen e imunitetit të deputetëve, nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se ka adresuar saktë dhe ka treguar se është në të njëjtën gjatësi vale me kërkesën dhe pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për të mbështetur Prokurorinë e Posaçme në luftën e pakompromis kundër korrupsionit, ashtu sikurse kërkon të japë e para shembullin vetjak për të rikthyer besimin e publikut te politika.
Jemi të vendosur për ta bërë ndryshimin e madh me programin, ekipin dhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në krah, pavarësisht bindjeve politike, sepse për Partinë Demokratike lufta kundër korrupsionit, siguria e jetës dhe përmirësimi i ekonomisë së shqiptarëve ngelen një mision për të cilin do të luftojmë përditë.