Kryetari i degës së PD, Durrës, Joni Myshketa, shprehet se operatorët turistik në qytetin bregdetar ngrejnë shqetësime për mungesën e pastërtisë në ambientet e plazhit, për trafikun e rënduar dhe për parkimin e automjetve gjatë periudhës së verës.
Në një postim në Facebook, Myshketa shkruan se “është për të ardhur keq në një kohë kur pushteti mburret me sektorin e turizmit, ndërsa, nga ana tjetër, as qeveria qendrore as ajo lokale nuk japin kurrfarë kontributi apo nuk marrin asnjë masë për t’i ardhur në ndihmë mbarëvajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit”.
Postimi i kryetarit të degës së PD, Durrës, Joni Myshketa:
Në prag të nisjes së sezonit, operatorët turistik në qytetin e Durrësit ngrejnë shqetësime për mungesën e pastërtisë në ambientet e plazhit, për trafikun e rënduar dhe për parkimin e automjetve gjatë periudhës së verës.
Këto janë vetëm një pjesë e shqetësimeve që hoteleri-turizmi përballet jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë.
Është për të ardhur keq në një kohë kur pushteti mburret me sektorin e turizmit, ndërsa, nga ana tjetër, as qeveria qendrore as ajo lokale nuk japin kurrfarë kontributi apo nuk marrin asnjë masë për t’i ardhur në ndihmë mbarëvajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit.
Përveçse propagandës, qeveria e Edi Ramës nuk ka asnjë strategji për përmirësimin e turizmit në vend, ndërsa Bashkia Durrës, përveç tarifave lokale që mbledh, nuk i përkthen ato në shërbime dhe në investime për taksapaguesit e saj.
Ashtu sikurse qytetarët e Durrësit duhet ta dinë që nga buxheti i taksave të tyre, Bashkia Durrës, pa i pyetur, pa u konsultuar dhe në kundërshtim me ligjin e Vetëqeverisjes Vendore, paguan nga taksapaguesit durrësak lekë për inceneratorin e Tiranës.
Kjo është një situatë abuzive dhe në kundërshtim flagrant me interesin e qytetarëve të Durrësit.
Ajo duhet të marrë fund sa më parë
Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i bëjmë thirrje Bashkisë Durrës që t’u vijë në ndihmë operatorëve turistik, duke i dëgjuar kërkesat e tyre dhe duke kryer detyrën e saj funksionale, qoftë përsa i përket pastërtisë, qoftë për gjetjen e rrugëve dhe mënyrave alternative për përmirësim të trafikut apo për vendparkime në qytet.
Partia Demokratike e Shqipërisë e sheh sektorin e turizmit si të një rëndësie të veçantë, si një burim i rëndësishëm i ekonomisë vendase, ndaj ajo do të bëjë gjithçka për ta pasur atë ndër prioritetet e programit të saj qeverisës.
Do të fillojmë me një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit, duke filluar me marrjen e të gjithë masave për t’i bërë shqetësimet e operatorëve, pjesë të programit tonë qeverisës.