Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë ditën e sotme në Kuvendin Zgjedhor të degës numer 3 të PD, Tiranë. Në fjalën e tij para anëtarëve, zoti Basha ndër të tjera tha:

 

-Që kur erdhi procesi i amnistisë, ne dolëm në radhë të parë para demokratëve, pastaj para qytetarëve dhe ju thamë: po është një proces normal humanitar. Partia Demokratike e mbështet. Ka dy qëndrime, qëndrimi parë nuk mund të përfitojnë njerëzit të cilët janë të dënuar nga GJKKO, për arsyen e thjesht se këta njerëz kanë vjedhur nga xhepat e shqiptarëve, kanë shkelur mbi mundin e tyre, janë tallur me djersën dhe gjakun e tyre. Sepse duke i liruar këta që u arrestuan u gjykuan, u dënuan si rezultat i reformës në drejtësi, lëshohet një mesazh i qartë: ju i dënoni ne i lirojmë. Që është një shuplakë jo vetëm në fytyrën e drejtësisë, por është një grusht në barkun e zbrazur të miliona shqiptarëve, të mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë zbritur nivelin e tyre të jetesës, pikërisht prej korupsionit të këtyre zyrtarëve. Dhe së dyti, qëndrimi i dytë, të përfitojnë nga amnistia të gjithë protestuesit e Partisë Demokratike, të gjithë protestuesit e opozitës dhe qytetarëve të tjerë të cilët janë ngritur kundër korrupsionit dhe kanë një vit, dy vite, tre vite e më shumë që vërtiten dyerve të gjykatave, sepse patën guximin të protestonin kundër korrupsionit. Këto ishin dy qëndrimet tona. E zvaritën sa e zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dotë pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve.

 

 

-Për të ndërtuar së bashku një rrugë përmes së cilës ta zgjojmë Shqipërinë nga ky ankth e t’i japim drejtimin e merituar drejt përparimit, drejt zhvillimit, drejt mirëqenies për çdo shqiptar, për këtë arsye kemi propozuar reformën zgjedhore me katë kolona të cilat i shërbejnë çdo shqiptari. Të cilat siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës. E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës.

 

 

-Këta mburren se kanë hyrë 10 milionë turistë vitin e kaluar në Shqipëri, është një gënjeshtër sigurisht, siç u detyrua ta pranonte para disa ditësh nën rreshta. Mbi 60% e tyre janë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vijnë të vizitojnë familjet e tyre, apo shqiptarë të Kosovës, apo të Maqedonisë së Veriut, apo të Malit të Zi apo të Greqisë, e kudo tjetër. Pjesa tjetër janë turistë me shpenzime të ulëta. Turizmi shqiptar nuk është në gjendje të mbajë në këmbë veten e vet dhe jo më të krijojë një zinxhir vlerash i cili normalisht duhej të dyfishonte e të trefishonte volumin e prodhimit bujqësor. Duhej të zgjidhte një herë e përgjithmonë mirëqenien e fermerit shqiptar. Fermeri shqiptar duhej të ishte një kotributor neto i ekonomisë shqiptare dhe jo një mbijetues i cili e ka kokën nga mëshira e shtetit që nuk vjen. Përkundrazi vjen ndëshkimi, vjen gjoba, vjen dita kur prodhimet në vend që të shiten, hidhen. E njëjta gjë dhe me profesionet e lira. Është i vetmi vend që shtresën e mesme e trajton si armik, sepse qeveria ka frikë çdo faktorë dhe çdo aktor që mendon me kokën e vet që është në gjendje të shpreh mendimin e vet dhe jo t’i nënshtrohet pushtetit dhe mjerimit intelektual dhe politik të tij. Për këtë arsye i ka rritur taksat shtresës së mesme, për ta stimuluar të largohet në vend që të qëndrojë këtu dhe të prodhojë vlera. Pensionet e pensionistëve shqiptarë nuk mjaftojnë as për javën e parë të muajit pa mbështetjen e familjarëve të tyre, kryesisht atre që jetojnë jashtë vendit.