Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në një intervistë në emisionin “Breaking” në televizionin Top News, ku ndër të tjerash foli për keqqeverisjen në 11 vitet e fundit që ka zbrazur vendin. Zoti Basha tha se shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar. Ai foli për programin e PD, ku në thelb do ketë rikthimin e konkurrencës për të rikthyer shpresën tek qytetarët.
“Ne kemi fokusuar energjitë tona tek ajo për të cilën qyetetarët kanë më shumë nevojë sot se kurrë. Të rikthehet besimi tek politika si një mjet zgjidhjeje i problemeve të shoqërisë dhe jo si një biznes fitimprurës për një kastë politike që vetëm problem jus jell njerëzve, vetëm ka thelluar hendekun e pabarazisë, ka shtuar pasuritë dhe pushtetin e një kaste të vogël njerëzish, e një grupi të vogël njerëzish në politikë dhe afër politikës. Por ka zbrazuar vendin, ka përgjysmuar vendin, ka zvogëluar pasuritë familjare, shanset, mundësitë e rinisë, mirëqenien e prindërve, e gjyshërve etë moshuarve, e pensionistëve. Ka rrënuar fermerin shqiptar, ka zvogëluar shtresën e mesme dhe ka goditur profesionet e lira dhe sipërmarrjen shqiptare.
11 vite pas ardhjes në pushtet, Edi Rama përballet sot me një shumicë shqiptarësh të cilët mendojnë që jo vetëm Shqipëria është në drejtimine gabuar, por mendojnë se shkaktari i varfërisë, i gjendjes së dobët ekonomike, i rritjes së kostos të jetesës, i mungesës së perspektivës për fëmijët e tyre, është Edi Rama. Kjo është shumë e rëndësishme, se pa këtë gjërat bëhen pak më të ndërlikuara, pa shpresa.
Atëherë këmbë e kësaj ure, nga shpresa tek besimi për ndryshim është ndërtimi i një alternative. Dhe këtu është edhe marrëdhënia e dyfishtë midis detyrimit më të madh që ka Partia Demokratike, si forca udhëheqëse e opozitës për ta ndërtuar këtë alternativë në të gjithë komponentët e saj, ofertën, ekipin, aleancën dhe natyrisht në fund fare do të jenë qytetarët ata që do të vendosin.
Ne mëtojmë që të sjellim një tjetër bilanc politik, që nuk matet me sa karrige, apo sa gjatë rri në karrige. Por çfarë programi ke për të ndryshuar realisht jetën e shqiptarëve dhe qeverisjen e vendit, cilësinë e qeverisjes së vendit. Ne kemi nëj vizion të qartë, baza e të cili është funksionimi normal i një shoqërie mbi baza demokratike, të shtetit të së drejtës dhe të konkurrencës. Konkurrenca është viktima më e madhe e kësaj qeverie. Në rafshin politik po se po përmes manipulimeve zgjedhore, në rafshin e ekonomik meritokracia është viktima më e madhe. Ndaj në programin tonë rikthimi i konkurrencës në çdo fushë, është dhe mekanizmi më i fuqishëm për të rikthyer edhe njëherë shpresën, besimin se Shqipëria mund dhe do të kujdeset për të gjithë bijtë dhe bijat e saj” – tha Basha.
Zoti Basha gjithashtu foli edhe për anëtarësimet në PD, ku tha se janë në frymën e dëshirës për ndryshim, ndryshe si ato në partinë socialiste që detyronin administratën të merrnin kartat.
“Partia Demokratike jo vetëm që ka hapur dyert, por mbi 30% të anëtarësisë që ka marrë pjesë në procesin e organizimit, merr pjesë aktivisht në PD si anëtarë me të drejta të plota, me të drejtën për të zgjedhur dhe për të propozuar për herë të parë dhe pjesa më e madhe janë të rinj, janë të moshës 20-30 vjeçarë. Dhe padiskutim që këtu ka një element që është bërë ndoshta dhe larg syrit të kamerës dhe mund të bëhet dhe në syrin e kamerës që është anëtarësimi i tyre, është dorëzimi i dokumenteve të anëtarësimit, çka Partia Socialiste po e bën pas 11 vitesh, por po e bën me anëtarë të administratës publike. Partia Socialiste është në një process tkurrjeje. Ne e shohim këtë në çdo aspekt, duke përfshirë edhe vet rradhët ekzistuese të Partisë Socialiste, e jo më të shtrihet më tej. Është një gjë tjetër të detyrosh anëtarët e administratës publike të marrin karta për të mbajtur vendin e punës, pra t’i kërcënosh me bukën e gojës. Dhe një gjë tjetër të kesh anëtarësime reale siç ka Partia Demokratike, të të rinjve në veçanti, të cilët duan ndryshim dhe shpresën për këtë ndryshim e shohin te PD. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshime” – u shpreh Basha.