Zëdhënësja e PD, Mirela Karabina, në një postim në Facebook, shprehet se tallja e Edi Ramës me shqiptarët nuk njeh kufij. Karabina thotë se sot Edi Rama me shpurën e tij të korruptuar dhe me administratën shtetërore të urdhëruar që ta ndjekin në Athinë, mashtroi shqiptarët kudo janë nëpër botë, për të njëmbëdhjetin vit. Ajo më tej shprehet se “vetëm gjatë qeverisjes së tij janë larguar 600 mijë shqiptarë, më shumë se në tri dekada bashkë, për shkak të mungesës së shpresësh, vjedhjes nga pushteti e korrupsionit të instaluar në çdo ind të shtetit”.

 

Reagimi i plotë i Zëdhënëses së PD, Mirela Karabina:

 

Tallja e madhe e Edi Ramës me shqiptarët nuk njeh kufij.
Me tallava politike tam-tamesh dhe propagandë të shfrenuar nga Athina, sot Edi Rama me shpurën e tij të korruptuar dhe me administratën shtetërore të urdhëruar me vete mashtroi shqiptarët kudo janë nëpër botë, për të njëmbëdhjetin vit.
Asnjëherë nuk i vlerësoi shqiptarët në disaporë ndaj dhe votën nuk ia mundësoi kurrë!
Vetëm gjatë qeverisjes së tij janë larguar 600 mijë shqiptarë, më shumë se në tri dekada bashkë, për shkak të mungesës së shpresësh, vjedhjes nga pushteti e korrupsionit të instaluar në çdo ind të shtetit.
Por kë diasporë takon sot Rama dhe shpura e tij e korruptuar?!
Atë që degdisën dhunshëm nëpër botë për të mbatur familjet e tyre në Shqipëri pasi pagat e ulta dhe pensionet e prindërve nuk mjaftojnë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre?
Apo të rinjtë që ikin çdo ditë sepse kjo qeveri nuk i mundësoi arsimim cilësor, punë e perespektivë dhe pagë e mirëqënie si bashkëmoshatarët e tyre në Rajon dhe Europë?
Frika e madhe ndaj drejtësisë SPAK e ka kthyer në qesharak politik kryeministrin dhe ministrat e tij, dhe kjo me kosto të madhe për qytetarët.
Pasi hallet dhe problemet e tyre janë lënë në mëshirë të fatit!
Propaganda e sotme njëjtë në formë e përmbajtje si ajo e paraadhësve të tij të diktaturës komuniste, nuk është gjë tjetër veçse disa nga rreshtat e epilogut politik të kryeministrit.
Dielli nuk mbulohet me shoshë!
Kohës së talljeve me shqiptarët po i vjen fundi.