Kryetari i PD Basha zhvilloi sot një takim me banorë të Milotit. Ne këtë takim Basha tha se “Shqipëria ka mundësinë për një ndryshim të vërtetë dhe kjo bëhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe duke vënë në jetë vetingun e politikanëve ”.
Basha theksoi se korrupsioni është shkaktari i varfërisë dhe emigrimit masiv të shqiptarëve dhe për këtë arsye, ai tha se PD mbështet dhe inkurajon SPAK në përpjekjet e tij për te çuar para drejtësisë të gjithe ata që kanë abuzuar me fondet publike.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, në këtë takim u ndal edhe tek projektligji për vetingun. Sipas Bashës, “dy janë parimet që zbatohen në këtë projektligj: i pari, ndiq paranë. Pra sipas këtsaj nisme, paraja e korrupsionit, paraja e politikanit të korruptuar e fshehur në çdo lloj forme dhe mënyre të mundshme, gjurmohet përmes instrumentave që i jepen autoritetit kundër luftës së korrupsionit. Thënë ndryshe, një ILDKP e reformuar dhe e fuqizuar”.
“Duke votuar ligjin për vettingun e politikanëve, le t’i tregojmë shqiptarëve se kush janë politikanët e korruptuar, që duhen larguar e të lënë mandatin e tyre. Kush janë politikanët e lidhur me krimin, nuk mundet më të qëndrojnë e të mbrojnë interesat e publikut, por në fakt po mbrojnë interesat e atyre që i kanë sjelle. Të pastrojmë politikën për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një politikë të pastër nga korrupsioni dhe nga lidhjet me krimin e organizuar” theksoi edhe njehere Basha.