Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në konferencën për mediat, foli për projektligjin për kalimin e pronave publike tek privatët, të formalizuar dje në Kuvendin e Shqipërisë. Ai tha se ky ligj është në bashkëpunim me mafien e pronave dhe me të ashtuquajturit investitorë strategjik, që nuk është gjë tjetër veçse bashkëpunimi mes një grushti oligarkësh shqiptarë me politikanët e korrupstuar të kësj qeverie.

Zoti Basha tha se departamenti Anti-Korrupsion në PD, e ka vendosur këtë çështje në listën e prioriteteve që do ta ndjek në bashkëpunim me të gjithë faktorët anti-korrupsion në vend, që nga organizatat jo-qeveritare, mediat investigative, SPAK dhe partnerët ndërkombëtar dhe natyrisht me theks dhe destinacion të veçant.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË KONFERENCËN PËR MEDIAT

 

Përshëndetje! Konferencën e sotme për shtyp dua ta nis me aktin e rëndë të formalizuar dje në Kuvendin e Shqipërisë, për kalimin e pronave publike në funksion të një skeme tashmë të mirë konsoliduar të ksaj qeverie, në bashkëpunim me mafien e pronave dhe me të ashtuquajturit investitorë strategjik, që nuk është gjë tjetër veçse bashkëpunimi mes një grushti oligarkësh shqiptarë me politikanët e korrupstuar të kësj qeverie. Është e njëjta skemë si skema e inceneratorëve, është ligj me porosi apo vjedhje me ligj. Para disa javësh, ndërkohë ky ligj po diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrën tashmë të njohur të përpjekjes për të fshehur të vërtetat çka e pamë edhe tek ligji për amnistinë ku pretenduan për një kohë të gjatë që nuk do të përfitonin të korruptuarit dhe më pas u zbulua se afro 100 të dënuar nga SPAK dhe GJKKO, përfituan nga amnistia, edhe këtu pretenduan fillimisht se do të ishte thjesht transferim drejtorie nga një ministry në ministrinë tjetër, ku ndërkohë tinëzisht u futën dispozita ligjore të cilat mundësojnë që përmes tjetërsimit në forma të ndryshme, ankandit, shitjes, këmbimit, pronat publike të vihen në dispozicion të transaksioneve të caktuara.

Në këtë mënyrë, sipas sinjalizimeve të para që kemi, prona me vlerë në qendër të Tiranës, do të vihen në dispozicion të personave të shpallur non grata pikërisht për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarjes së tyre në krim të organizuar dhe në ndikimin e paligjshëm në procese zgjedhore. Të tjera prona me vlerë, prona publike për momentin me statusin pronë publike, do të vihen në dispozicion të oligarkëve që po rrënojnë bregdetin dhe po ndërtojnë pa asnjë transparencë, duke zbardhur dhe pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve nga Vlora në bregdet, në qendër të Tiranës dhe kudo tjetër.

Ndaj, dua pikë së pari dhe mbi të gjitha ta bëj të qartë se Partia Demokratike që e denoncoi këtë aferë sapo u publikuan të dhënat e këtij projektligji tashmë të miratuar dje nga votat e mazhorancës socialiste, nuk do të ndalet pro do ta çojë këtë çështje në çdo instancë ligjore, kushtetuese dhe penale për të pamundësuar që mafia e pronave dhe bashkëpunimi mes oligarkëve të korruptuar shqiptarë dhe zyrtarëve të korruptuar shqiptarë të shkaktojë këtë dramë të dyfishtë.

Në rradhë të parë duke dëmtuar interesin publik shqiptar, duke tjetërsuar pronat publike shqiptare. Dhe në rradhë të dytë duke vazhduar një krim të rëndë i cili kryhet mbi pronarët shqiptarë. Mbi ata të cilëve u është tjetërsuar prona nga regjimi komunist. Më pas nuk kanë përfituar dot as kthimin e pronës dhe asnjë kompensim me vlerën e ligjit, por kanë parë se si prona tashmë me statusin pronë publike, në vend që t’i nënshtroheshin një analize dhe më pas të përdoreshin për kompensimin e drejt të pronarëve, janë të grupuar në të ashtuquajturën Korporatë të Investimeve Strategjike dhe tashmë çfarë ka mbetur po i drejtohet kësaj tjetër afere, tjetër mekanizmi që ka një dhe vetëm një qëllim: të bashkëndajë përmes një skeme korruptive vlerat e pronave publike mes një grushti oligarkësh dhe zyrtarëve të korruptuar shqiptarë.

Njësoj si në aferën e inceneratorëve, kjo maskohet gjoja me interesin publik. Njësoj sin ë aferën e inceneratorëve kjo nuk ka asnjë lidhje me interesin publik, është një zhvatje e pastër që po i bëhet pasurive publike të vendit. Për këtë arsye, departamenti Anti-Korrupsion në PD, e ka vendosur këtë çështje në listën e prioriteteve që do ta ndjek në bashkëpunim në partneritet me të gjithë faktorët anti-korrupsion në vend, që nga organizatat jo-qeveritare, mediat investigative, partnerët ndërkombëtar dhe natyrisht me theks dhe destinacion të veçant. Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, për të parë përfshirjen dhe përfitimin e dyanshme të zyrtarëve të korruptuar shqiptarë të çdo niveli dhe personave që fshihen pas kësaj skeme të pastër korruptive.
Miratimi i djeshëm me votë, njësoj si miratimi i amnistisë para disa javësh, vetëm sa nxjerr zbuluar se as Edi Rama dhe as qeveria e tij jo vetë, që nuk janë serioz, por nuk janë në gjendje të formulojnë asgjë që është e pakorruptuar. Larg prej kësaj, ata vazhdojnë dhe në këto muaj të fundit të mandatit të tyre qeverisës të zhvasin, të shpërdorojnë, të tjetërsojnë çdo pasuri publike dhe taksat e shqiptarëve.

Ky është Edi Rama, kjo është e vërteta e luftës Kundër Korrupsionit të shpalllura me tam tame disa javë më parë. Fakti është që asgjë nuk mundet dhe nuk do ta devijojë rrugën 11 vjeçare të korruptuar të kësaj qeverie, përveç nje përpjekje të përbashkët për ta larguar me votë në zgjedhjet e ardhme parlamentare dhe një përpjekje të vazhdueshme për të çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave aty ku askush s’ju bën dot derman, as Edi Rama, as oligarkët, këdo që abuzon me paratë dhe me pasuritë e shqiptarëve. Kjo është çështja kryesore ku doja të vendosja theksin dhe vëmendjen sot.

17/05/2024