Fjala e anëtarit të Kryesisë së PD, Endri Hasa në Kuvendin Kombëtar:
Të dashur demokrate dhe demokratë!
Të dashur qëndrestarë, të kohërave më të vështira që ka kaluar Partia Demokratike!
Të dashur të rinj dhe të reja, brezi i ri dhe e ardhmja e sigurt e familjes tonë politike!
I nderuar Kryetar!
Teksa këto ditë po merresha me çështje organizative dhe po mendoja që duhet të pregatisja fjalën time për këtë Kuvend Kombëtar, mbase më të rëndësishmin që Partia Demokratike ka mbajtur, më kanë ardhur ndër mend 2 vitet e trishta dhe të aspak të lavdishme që kemi kaluar brenda familjes tonë politike.
Më kanë ardhur ndër mend se si janë fyer, përçmuar, ofenduar, sharë, kërcënuar, goditur, qindra e qindra demokratë që sot janë këtu në këtë Kuvend Kombëtar. Janë fyer dhe kërcënuar, në përmasa që do të ishin të paimagjinueshme edhe për kundërshtarin tonë politik. Janë goditur dhe janë sharë sepse kanë thënë dhe kanë bërë atë që kanë besuar. Janë dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht thjesht dhe vetëm se zgjodhën të shkëputen nga e shkuara.
Sot gjithësecili prej jush duhet të ndihet krenar për veten, për qëndresën dhe për forcën e reagimit. Koha na dha të gjithëve të drejtë për gjithçka thamë dhe besuam që nga koha që Lulzim Basha i pari dhe të gjithë ne me rradhë, vendosëm të ndahemi përfundimisht nga e kaluara.
Sot duhet të ndiheni krenarë që nuk e lejuat të tjetërsohen apo akoma më keq të shkrihen simbolet e Partisë Demokratike. Kjo forcë politike nuk mund të jetë kurrësesi shtojcë e individëve apo forcave politike që në aleanca i kanë marrë gjithçka dhe kurrë nuk i kanë dhënë asgjë demokratëve.
Të dashur miq, sot është një ditë historike për Partinë Demokratike. Sot ne nisim një reformim rrënjësoj organizativ, strukturor dhe përmbajtësor të asaj që do të jetë nesër Partia Demokratike.
Është koha të ndryshojmë dhe modernizojmë mënyrën e funksionimit të strukturave dhe organeve tona, duke marrë dhe implementuar modelet më të mira të partive perëndimore.
Nuk mund të mos jem entuziast që më në fund disa ndryshime për të cilat kam punuar dhe besuar fort prej disa vitesh, më në fund do mori sot dritën jeshile falë votës tuaj.
Sot në kohën e inteligjencës artificiale, eshte e pafalshme që kjo forcë politike te mbetet e ngecur tek debatet e vjetra dhe shterpë, të ngjizura nga koncepte dhe mendësi që nuk kanë lidhje me këtë kohë dhe as me aspiratat e njerezve.
Sot është koha që Partia Demokratike të bëhet një parti Europiane, është koha që PD të jetë partia më moderne në Shqipëri. Një parti që i përgjigjet jo më, debateve të kota brenda saj, por sfidave të kohës për të qenë fituese dhe nismëtare e ndryshimeve të forta që kërkon sot Shqipëria.
Sot është dita që ne të gjithë bashkë me besimin tuaj të fillojmë rrugëtimin drejt trasformimit rrënjësor të Partisë Demokratike duke korigjuar gabimet e të shkuarës. Ne duhet të afrojmë profesionistët më të mirë dhe të punojmë bashkë me ta, për t’i oftuar shqiptarëve një politike ndryshe, një politikë të vërtetë, një politikë që nuk i ndan njerëzit, por i bashkon ata. Një politikë që ndryshon rrënjësisht nga modeli që ka instaluar në këtë dekadë Edi Rama. Një politikë që projekton Shqipërinë e të ardhmes, larg politikës së vjetër të 30 viteve tranzicion.
Ky ndryshim nis sot këtu, ky ndryshim nis nga ju!
Nga ky Kuvend ne fillojmë sot të gjithë bashkë, rrugëtimin tonë për të dialoguar me çdo shqiptar në çdo skaj të Shqipërisë për të fituar besimin e tyre dhe për të ofruar një alternativë të vërtetë qeverisëse e cila do ta çojë vendin drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.
Na priftë e mbara!